| E merkure, 22.01.2020, 09:25 PM |
PROZË E DHEMBJES DHE E KRENARISË E SHKRUAR NDRYSHE
Sejdi BERISHA:
TIRANA, VLORA, SHKODRA,
ELBASANI,... FJALË TË NGUJUARA NË ZEMËR
(Fragment nga libri “Konflikti me
vetveten”)
Sa
herë që kam dëshirë të shkruaj apo të them diçka në shkrimin tim, në të njëjtën
kohë ndjej një dridhje por edhe kënaqësi, e kur të bashkohen këto, sikur më
bëjnë më të lumtur për guximin që kanë njerëzit. Ndoshta, një gjë e tillë edhe
të detyron të futesh në brendinë e njeriut dhe të nxjerrësh gjëra që i ngjajnë
misterit, apo ta hasesh dritën, e cila rri në terr dhe ashtu me ngjyrë ndryshku
dhe erë myku. Dhe, pikërisht për këtë arsye, më kujtohet Gabriel Garcia
Marques, i cili thotë: “Çdo gjë që del nga goja ime, më shqetëson mua”! Po,
natyrisht se ashtu është, kur ende ka shumë gjëra pa u thënë ashtu si duhet.
Por, kjo (s)ka rëndësi...
“Dikur,
kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për
Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend
Tirana,
Vlora, Shkodra, Elbasani,... m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik
që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk
ishte më.
***
Posa
dolëm nga restoranti, na afrohet një burrë në moshë të mirë që mbante syza
dielli. Na u afrua, hoqi syzet dhe u përshëndet së pari më mua e pastaj edhe më
dy miqtë e mi.
Me
përzemërsi më pyeti se ku gjendem. Kur i thash se për çdo ditë jam në “vendin
tim”, në restorantin “Nositi”, menjëherë më tha:
-Ka
kohë që nuk të kam parë! – më flet me përzemërsi dhe m’i kishte ngulitur sytë
thua se sikur donte për të më studiuar, apo kishte aq etje për t’u takuar me
mua.
Ky
njeri, i cili një kohë kishte qenë edhe kryetar gjykate, më pyeti edhe për
krijimtarinë time dhe na luti të kthejmë sërish në restorant për nga një kafe.
Por, ishte vonë dhe që të tretë iu falënderuam. Në shenjë përshëndetjeje, ma
zgjati dorën:
-Sërish
po të them, se ka kohë që nuk të kam parë, dhe, të ta them të vërtetën, kur të
shoh dhe kur të takoj Ty, disi të identifikoj me Pejën...!
Ngela
i nemitur, por vetëm arrita t’i them: Ju faleminderit! Ndërsa, në ndërkohë,
njëri prej miqve të mi, posa u larguam pak nga ky njeri, me admirim shtoi:
-E
sheh, çfarë do të thotë të bësh e të krijosh vepra... Të shkruash monografi si
atë “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”?!
Pas
kësaj, të tretë ngelëm pa thënë asnjë fjalë, pa dhënë koment për këtë, por unë
vetëm ngrita supet, që ishte shenjë se megjithatë thoshte diçka... Kështu u
ndamë me dëshirën për t’u takuar sërish nesër apo një ditë tjetër...
***
Një
ditë, sërish duke kaluar atypari, por tani duke u kthyer në shtëpi, pranë asaj
ordinance grumbuj njerëzish. Bënte vapë, kurse ata në pishë të diellit. Duke
shikuar pa cak, dëgjoj një zë duke më thirr me emër. Kthehem dhe shikoj. Nga
turma ndahet njëri i cili më përshëndeti me: mirëdita!
E
shikova, por nuk e njihja dot. Ishte një plak thatak me një kasketë në kokë, që
ma qonte mallin e atyre pleqve nga Kalabria. U ngrit në këmbë dhe duke kaluar
këndej rruge ku isha unë, ma shtrëngoi
dorën duke më thënë:
-Ndoshta
nuk më njeh, por jemi takuar para një viti e sa, në të pame me rastin e vdekjes
së gazetarit N. L. Prej aty, kurrë nuk të harroj dhe shumë të respektoj,...
Ishe njeri i madh! –pa përfunduar tërë atë që kishte pas ndërmend, lotët ia
përlanë faqet thatake. Edhe njëherë ma shtrëngoi dorën me të dy duart e veta, duke mos mundur
të flas nga dridhja e buzëve. Iku atje ku kishte qenë duke pritur për ta
“relaksuar” kurrizin e tij të shtrembëruar nga koha.
Ngela
mu sikurse njeriu i varur në ndonjë gozhdë të madhe, që rri kacavjerrë, dhe duke
u luhatur si lavjerrës pret se ç’po ndodhë me te. Ashtu, i shtangur vazhdova
rrugën për në shtëpi. Vapa e kishte bërë të vetën. I tëri isha bërë qull nga
djersët. Më digjnin sytë. Nuk e di, nga djersët apo nga kripa e lotëve të atij
plakut që më kishte përshëndetur, dhe me fjalët e tij ma hapi edhe një plagë,
dhe ec e gjëje ilaçin për ta shëruar atë! Nuk e di, por për ngushëllim
vetvetes, thash: “po, sa njerëz e njerëzi, po sa butësi i nevojitet këtij
populli, kësaj toke...!
Të
jeni të sigurt, edhe mua,... po sa shumë më shtrëngon kurrizi,... sa më dhembin
eshtrat,... si të isha i rrahur, maltretuar dhe i vuajtur prej ditës kur më
lindi nëna!
***
Nuk
kishte shumë kohë që në Tiranë isha në një manifestim, në një dasmë, por kjo
dasmë kulturore. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë u
promovuan disa vepra të krijuesve dhe krijueseve nga Shqipëria dhe nga Kosova.
Ishte madhështi dhe kënaqësi, që frymonte me aromën e bashkimit krijues e
shpirtëror. Për këtë, edhe unë fjalën time përkitazi me disa nga veprat që
promovoheshin e fillova kështu: “Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën,
krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti
s’më zinte vend; athua çfarë ëndrre është kjo që ma tregon prindi im me plis të
bardhë, kurse babait tim duke folur i përvidheshin lotët nëpër të qarat e
faqeve.
Dikur,
kur u rrita, fjala Tiranë, Shkodër, Tropojë, m’u bënë flakë shpirti, ëndërr e
parealizuar, etje e pashuar. Edhe atëherë babait i përvidheshin lotët, por edhe
lotët e mi ma përcëllonin rininë.
Dikur
më vonë, kur u rrita pak më shumë, Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,... m’u bën
fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në
shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.
Kurse
tash, po të ishte sot gjallë im at, do t’i thosha: Ja, o prindi im, rrëfimet
tuaja, etja për atdheun, por edhe ëndrrat e mia u bën realitet. Tash, Tiranën
dhe tërë Shqipërinë e përqafoj si dua vetë...”.
Gjatë
fjalës sime, disa herë më ndërpriten me duartrokitje. Ndërsa, pasi mbarova
fjalën, redaktorja e një shtëpie botuese në Tiranë, nuk ia mësova emrin, ma
kërkoi fjalën time të shkruar:
-A
ka mundësi të ma jepni shkrimin Tuaj, së paku atë pjesën e parë, që ishte e
padëgjuar kështu ndonjëherë, aq me peshë e me domethënie...
Ia
dhashë shkrimin, por ngela duke medituar, athua me të vërtetë kisha thënë diçka
të mençur... Athua, sikur të ishte babai im gjallë, çfarë do të më thoshte sot,
dhe, a do të më përqafonte për shuarjen e etjes sime, për shkrumbin e tij. Por,
më së miri Ju jepni vlerësimin për këtë gjë, e cila edhe sot e kësaj dite ende
nuk është puthitur në binarët e jetës. Fjalën e kam për unitetin e mendjes dhe
të veprimit,... E dini ju fort mirë...!