| E merkure, 22.01.2020, 09:29 PM |
PËRGJAKJA E HERONJËVE NË
MËRGATË
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Në
38 vjtorin e rënies, në krye të detyrës, për realizimin e aspiratave shekullore
të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, trinomi i heronjëve: Jusuf Gërvalla,
Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, sot përkujtojmë, me respekt e nderim të
skajshëm, veprën madhore atdhetare të tyre. Ata ishin dhe mbeten lajmëtarë të
lirisë, luftëtarë me fjalë dhe pendë, me një veprimtari që nismon në Kosovë dhe
vazhdon në Mërgatë.
Veprimtaria
atdhetare e tyre lëndëzohet me organizimin e takimeve me emigracionin shqiptar,
me botimin e gazetave dhe broshurave, duke arritur deri në organizimin e
protestave, demonstrimeve, kundër politikës diskriminuese dhe shtypëse të
shqiptarëve, në trojet e tyre lindake në Jugosllavi.
Përvijojmë
profilin jetësor të tre heronjëve të lirisë:
1)
Jusuf Gërvalla u lind më 1945, në Dubovik të Deçanit. Shkollën fillore e mbaroi
në Prapaçan. Familja migrojnë në Slloveni, Jusufi mbetët ke daja në Pejë, për
ta vazhduar Gjimnazin, i cili ishte më i madhi me numrin e nxënësve në
Jugosllavi. Aty shquheshin Ibrahim Rugova për lexime në gjuhë të huaja dhe
Jusuf Gërvalla në artet e bukura. Ata ishin shokë dhe pjesë e grupit letrar të
Gjimnazit.
Ndarjen
me familjen dhe braktisjen e vendlindjes, Jusufi e shprehë në poezinë e tij:
E
kam braktisë vendlindjen
E
kam braktisë shtëpinë
Shkrepave
tuaja të larta
Peng
ua lashë fëmijërinë...
Vazhdon
studimet në Prishtinë, por, punon edhe në Teatër.
Një
shfaqje e dhënë në burgun e Nishit, me dramën "Duke pritur Godonë",
lënë një letër për burgaxhinjtë politikë shqiptarë: "Mbahuni, e mos u
mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po
vjen." Letra zbulohet nga policia, Jusufi largohet nga puna. Më 1971 punësohet
përkthyes në "Flaka e Vëllazërimit në Shkup. Nga viti 1973-78, punon në
"Rilindje". Si këngëtar në Estradën e Kosovës inçizon 200 këngë.
Shquhet me baladën për studentin e vetëkallur Jan Pallahu, në sheshin e Pragës,
në shenjë revolte kundër pushtimit sovjetik.
Ndërkohë,
vëllai i madh, Hyseni arrestohet. Jusufi i përndjekur kalon kufirin slloven,
përmes tunelit të Goricës, në Austri, me ndihmën e Bardhit. Dhe, prej andej, në
Gjermani. Më 17 janar 1980 i bashkohet familja, Syzana me fëmijtë Premtonin,
Donikën, Ergonin.
2)
Kadri Zeka u lind më 1953 në Poliçkë të Dardanës. Shkollën fillore e mbaroi në
Desivojcë, ndërsa të mesmen Gjilan. Më 1968 Familja Zeka shpërngulet në Gjilan.
Punon mësues në Gmicë të Dardanës. Regjistrohet në Fakultetin Juridik, dega e
Gazetarisë. Punësohet gazetar në Radio Prishtina. Në vitin 1973 është pjesë e
"Grupit Revolucionar", në një celulë me Rexhep Malën, Hilmi
Ramadanin, Hydajet Hysenin. Veprojnë me grisje flamujsh, shkruarje dhe
shpërndarje të trakteve. Arrestohet e burgoset e dënohet më 1974-75. Kooptohet
në Komitetin Drejtues të Organizatës.
Në
mars të vitit 1978 hetohet veprimtaria e sërishme ilegale e Kadriut. Shkon në
Turqi për disa javë, por, kthehet përsëri në Kosovë. Pastaj shkon në Zvicër,
vendoset në Saint Gallen, ku ndihmohet nga anëtarët e Organizatës Hasan Mala,
Kadri Abdullahu e tjerë. Atje aktivkizohet, duke vënë kontakte me organizatat e
shqiptarëve në Zvicër e Gjermani si dhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë.
Pengu
ynë i madh është largimi i Kadriut kësaj bote, pa lënë trashëgimtarë, të cilët
do të ishin ngushëllimi jonë i përhershëm.
3)
Bardhosh Gërvalla u lind më 1951, në Dubovik të Deçanit. Migroi në Slloveni, me
familjen dhe atje mbaroi filloren dhe të mesmen në gjuhën sllovene. Në Kosovë
studjoi gjuhën angleze. Bardhoshi këndoi dhe komponoi këngë, së bashku me
Jusufin. Më 1974 shkoi në Gjermani, punoi nëpunës social në Ludwigsburg, afër
Stuttgardit. Kontaktet me emigracionin i kishte të çdoditshme dhe ai u jipte
ndihmën e nëvojshme ligjore.
Kur
në vjeshtën e vitit 1979 Jusufi doli në Gjermani, gjeti mjedis të përshtatshëm,
qoftë për njohjen me shqiptarët, qoftë me bazën teknike, të siguruar nga
Bardhi, për aktivitet politik.
Pa
Bardhoshin, Jusuf Gërvalla nuk do ta arrinte lavdinë e sotme. Por,
personaliteti i papërsëritshëm i Jusufit, e ka lënë Bardhin nën hijen e tij.
Kështu ka ndodhur me vëllezërit Jashari, por, me qëllime krejt të ndryshme.
Profiterët hileqarë, me ndarjen artificiale të Ademit nga Hamza, donin të arrinin
një qëllim të dytë, djallëzor, por, dështuan turpshëm. Kundërvënia e dikujt
tjetër, nuk u arrit, pasi respektimi i rolit, i hierarkisë, ishte i
patejkalueshëm.
Është
fajësi, madje, krim i madh ndarja e vëllezërve, krejt të barasvlershëm. Asnjë pushkë
më shumë, asnjë plumb më shumë, nuk ka hedhur Ademi, në raport me Hamzën.
Andaj, as në emërtimet e rrugëve, të institucioneve, ngritje të shtatoreve, dy
vëllezërit bashkë-luftëtarë, nuk duhet të ndahen. Është e habitshme, pse heshtë
Familja Jashari, ndaj kësaj maskarade të pushtetarëve batakçinj e horrakë?!
Për
Jusuf Gërvallën koha ishte vlerë dhe ai e shfrytëzoi atë maksimalisht.
Informacioni që mori nga Bardhi, ishte shqetësues. Klube dhe shoqata, që
vepronin ndaras, pa ndonjë platformë. Jusufi hodhi idenë e bashkimit të tyre,
me një platformë kombëtare. Qëllimi ishte, për ta përçuar frymën e qendresës në
popull dhe ndjenjën e jetës të dinjitetshme, si premisë përgaditore për
ballafaqime politike dhe rezistencë të organizuar, me pushtuesin serbo-sllavë.
Jusuf
Gërvalla filloi botimin e gazetave, fillimisht, "Lajmëtari i Lirisë"
dhe më vonë, "Zëri i Kosovës", si dhe bashkëpunoi me gazetat
"Liria dhe Bashkimi". Publicistika politike e tij u përqendrua në
sensibilizimin e çështjes shqiptare në Kosovë dhe barazinë shoqërore e politike
të shqiptarëve, me popujtë e tjerë në Jugosllavi. Në faqosjen ballore të
"Zërit të Kosovës", vuri citatin përkushtues lapidar: "Në ballë
të këtij populli dhe tek këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin
e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në
gjithë jetën".
Jusuf
Gërvalla ishte një artist i kompletuar: poet, prozator, dramaturg, piktor,
publicist, kritik letrar, përkthyes, muzikant, kompozitor, instrumentist, këngëtar
i muzikës së lehtë moderne. Krijimtarinë letrare të tij e mblodhi, e përgaditi
për botim Familja Gërvalla, në bashkëpunim me njeriun e letrave, studjuesin e
dorës së parë, akademik Sabri Hamitin, me titull: "Jusuf Gërvalla: Vepra
letrare".
Në
Zvicër Kadri Zeka botoi gazetën "Liria", përmbledhjen poetike
"Këngët e lirisë", broshurën me artikuj "Rreth ngjarjeve në
Kosovë", komentimin kundërshtues të studimit të Vasa Çubrilloviqit
"Shpërngulja e Shqiptarëve", e tjera. Ndihmoi në hartimin dhe shpërndarjen e "Tezave rreth Frontit Popullor për
Republikën e Kosovës". Me përkujdesjen e tij, mijëra ekzemplarë u futën
dhe u shpërndanë në Kosovë.
Kadri
Zeka dhe Vëllezërit Gërvalla nuhatën veprimtarinë përçarëse të pushtuesit
jugosllav, përmes argatëve të tyre shqipfolës, në Mërgatën shqiptare. Andaj,
pavarësisht nga kundërthëniet ideologjike, kauzën e lirisë e kishin të
përbashkët dhe vendosen bashkëpunimin. Vepruan së bashku për një vit radhazi,
edhe pse përgjimi e pengesat ishin të shumëta.
Bardhi
ishte njohës i disa gjuhëve të huaja. Ai i mundësoi Jusufit kontaktet me palën
gjermane dhe diplomatë evropianë. Ishte i shkathtë në veprime, i pajisur me
kulturë perëndimore, ishte edhe i guximshëm. Këtë e dëshmoi edhe në një icident
fizik me konsujtë jugollavë, kur u zunë në flagrancë, duke i fotografuar
shqiptarët në një demonstratë, të organizuar kundra pushtuesit jugosllav.
Bardhi
shquhej për urti e modesti, komunikues i përzemërt me të gjithë. Ishte
humanist, mikpritës e fisnik tradicional, në pritje e strehim të mërgimtarëve
shqiptarë, madje, duke ndihmuar edhe punësimin e tyre. Bardhi ka tre fëmijë, i
fundmi u lind pas shuarjes së tij dhe trashëgoi emrin e babait.
Për
trinomin e heronjëve të lirisë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zreka dhe Bardhosh
Gërvalla, liria e shqiptarëve të Kosovës, barazia e shqiptarëve në Jugosllavi,
me popujt tjerë vendorë dhe në fund, bashkimi kombëtar, nuk kishin alternativë.
Dhe, ishte, pikërisht, kjo arsyeja pse ata u piketuan nga Jugosllavia
pushtuese, për shënjestrim, duke e realizuar përmes argatëve të tyre, bastardë
shqiptarë.
Kadri
Zeka kishte ardhur në konak te Jusuf Gërvalla, për ta koordinuar veprimtarinë e
tyre, duke shmangur kundërthëniet dhe pengesat e çfarëdo natyre qofshin. Kurthi
i përgaditur, për një telefonatë fatale, të asaj nate kobzezë, është shumë
domëthënës. Si refugjat, Jusufi nuk kishte të drejtë për të instaluar telefon
në banesë. Duhej telefonuar nga një kabinë, të vendosur në rrugë. Pikërisht, në
dalje të pakingut, me makinë, në natën errëtake të 17 janarit 1982, goditën,
për vdekje, me rafall të armës automatike, në Untergruppenbach të Heilbronit.
Atentati
ndaj Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, do të pasohej me vrasjen e Enver Hadrit,
Vehbi Ibrahimit, Musa Hotit dhe disa tentim-vrasje tjera. Plot 20 vjetë më
vonë, më 17 janar 2002, do të
ekzekutohet, në hollin e banesës së tij, në lagjën "Fidanishte" të
Pejës, Komandanti i UÇK-së të Rugovës dhe deputeti i Kuvendit të Republikës të
Kosovës, Smajl Hajdaraj. Për të vazhduar me përgjakjen e janarëve tjerë,
veprimtarë politikë dhe ushtarakë brilantë, si shefi i QIK-ut, Enver Maloku,
fitimtari i Betejës së Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj dhe të tjerë. Por,
ekzekutimet e tyre, janë planifikuar, listuar dhe ekzekutuar nga hafijet e
Serbisë në Kosovë.
Është
sinjifikative se pistat dyshuese, për hetim e zbulim, ekzistojnë. Por,
paradoksalisht, qeveria gjermane neglizhoi, e heshti rastin mizor, qëllimshëm,
meqë kishin një marrëveshje me Jugosllavinë, për të luftuar kundërshtarët
politikë. Jusuf Gërvalla kishte kërkuar edhe mbrojtjen fizike gjermane. Por, i
ishte refuzuar, me arsyetimin se "nuk e përmbanë ligji gjerman mbrojtjen e
azil-kërkuesëve".
Veç
kësaj, policia gjermane arrestoi të dyshuar të bazuar, për implikim në krimin
vrastar të trefishtë, por, çuditërisht, i liroi pa bërë asnjë hetim serioz!?
Në
murin e ballinës së Kinoteatrit "Jusuf Gërvalla", të Pejës, është
mbishkrimi "Një jetë për Kosovën". Dhe, kjo është sintezë e vetë
jetës të Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, për kauzën e shenjtë të lirisë, të
cilët, tashmë, janë simbol dhe sinonim i Kosovës dhe i shqiptarëve mbarë.
Lavdi
të përjetshme trinomit të lirisë, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla
dhe heronjëve të tjerë, të rënë për Atdhe.
Fjala e mbajtur në Akademinë Përkujtimore në Mynih,
organizuar nga Nëndega e LDK-së në Bavarinë e Epërme