| E marte, 07.01.2020, 09:53 PM |
Tre muaj pas zgjedhjeve: Nuk ndërtohet qeverisja me formulat e Rexhep Qosjes!
Nga
Enver Bytyçi
U
bënë plot tri muaj nga dita kur qytetarët e Kosovës shprehën verdiktin për të
rrëzuar pushtetin e inkriminuar të PAN dhe për të sjellë në pushtet opozitën e
përfaqësuar nga VV dhe LDK. Votuesit e shprehën vullnetin e tyre që të dy
partitë e opozitës të përfaqësohen njësoj në parlamentin e ardhshëm. Kur në
parlament ulen një numër deputetësh me diferencën minimale të mundëshme me një
deputet, kjo ka vetëm një interpretim: Të dy forcat politike duhet të përfaqësohen
në mënyrë të barabartë dhe të balancuar në qeverisjen e vendit.
Këtë
mesazh të votuesve nuk e ka lexuar Albin Kurti dhe Vetëvendosje, ndaj dhe nuk
është arritur ende, edhe sot pas tri muajsh, marrëveshja për krijimin e
qeverisë. Por kjo ndodh se në Vetëvendosje po aplikohet një lloj taktike e
“faktit të kryer”, e tipit “Unë po shkoj te presidenti, ju më sillni 5 emrat e
ministrave tuaj”! Absurde kjo për një lider politik, e cila synon kompromisin
për krijimin e qeverisë së re. Ose Albin Kurti ka për qëllim të refuzojë
bisedimet me Lidhjen Demokratike dhe të adresohet për një lloj koalicioni
tjetër. Ndryshe nuk shpjegohen ultimatumet ndaj partnerit, me të cilin kërkon
të ushtrosh pushtetin.
Gjithkush
e kupton se edhe në Lidhjen Demokratike ka grupe të interesuara që të dështojë
koalicioni me Vetëvendosjen. Tashmë dihen emrat dhe mbiemrat e ndërskamësve në
këtë forcë politike. Por sjellja e Albin Kurtit të çon në idenë se ai nuk e
dëshiron kompromisin. Dhe nëse do të donim të analizonim shkaqet pse ndodh kjo,
atëherë pa u përpjekur për spekulime, do të thoja se janë disa:
Së
pari, në Vetëvendosje ka politikanë të indoktrinuar me ideologjinë qosiste të
përjashtimit. Rexhep Qosja së fundi u shfaq si babai shpirtëror i Albin Kurtit,
kur u përpoq që të fajësojë LDK-në për zvarritjen e koalicionit qeverisës. Sot
kreu i VV dëshmoi se parapëlqen të imitojë Rexhep Qosjen. Nuk i thuhet
partnerit potencial “Më jep emrat e ministrave t’i çoj te presidenti” ende pa
nënshkruar një marrëveshje me atë! Nëse Kurti do të vijojë të sillet kësisoj me
LDK-në, nuk do ta krijojë qeverinë me këtë parti.
Dështimi
i këtij koalicioni i intereson shumë armikut të betuar të Ibrahim Rugovës, pra
Rexhep Qosjes. Do të shohim sa larg do të shkojë zoti Kurti në gjurmët e
Qosjes. Por Qosja dhe LDK nuk shkojnë bashkë dhe duket se Kurti dhe Qosja nuk
ndahen dot! Nëse i marrim këto emërues të mirëqenë, atëherë nuk është aspak
çudi që Lëvizja Vetëvendosje ta orientojë bashkëpunimin e saj me Partinë
Demokratike të Hashim Thaçit. Kjo do të thotë rikthim i komandantëve në
pushtetin e ardhshëm. Për pasojë kuptimi i kësaj shkon te mosrespektimi i
vullnetit të sovranit.
Së
dyti, mesa duket kreu i Vetëvendosjes i përmbahet filozofisë ideologjike
majtiste “Ose gjithçka, ose asgjë”, formulë e ngjashme me atë të Edi Ramës “Na
jepni timonin të mos e ndajmë tepsinë”! Se çfarë përfaqësoi kjo aksiomë e
kryeministrit të Shqipërisë, këtë po e vujanë jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë,
por edhe ata të Kosovës. “Tamahu i madh të le pa gjë”, thotë një fjalë e urtë popullore.
Por Kurti duket se mendon që atë që nuk ia jep LDK ta marrë te PDK. Hashim
Thaçi ka synim të vijojë edhe me një mandat të dytë në postin e presidentit të
Republikës. Albini, mesa duket, ia garanton këtë ambicie, mjafton që qeveria të
jetë plotësisht në duart e tij.
Por
ky opsion është i pavotuar nga sovrani. Ndërkaq Kurti mori votat e qytetarëve
me premtimin për ndëshkimin e korrupsionit dhe deri më sot nuk është provuar se
si i ndëshkon të korruptuarit një forcë politike, e cila bashkëqeveris me ta.
Eshtë e sigurt se PDK dhe Thaçi e përkëdhelin ambicjen e zotit Kurti për të
krijuar një kabinet qeveritar, në të cilin ai të jetë zot dhe shkop i tij.
Modeli i Rilindjes është i gatshëm dhe zoti Rama mund të ofrojë për këtë
ekspertizë perfekte.
Çfarë
fiton dhe humb Vetëvendosje nga bashkëpunimi me PDK dhe refuzimin e një
koalicioni me LDK-në? Fiton pushtet ekzekutiv të pakufizuar. Për pasojë fiton
mëvetësi autoritare, mundësi për t’u përfshirë në korrupsion dhe për të mos u
zbuluar për shkak të kontrollit të agjencive të zbatimit të ligjit. Fiton
kontrollin e pushtetit të gjyqësorit në mënyrë të balancuar më presidentin e
vendit. Pra fiton pushtet, për të mos bërë shtet.
Ndërkaq
humbet autoritetin, legjitimitetin dhe besimin e qytetarëve. Sepse votuesit nuk
ia dhanë votën Vetëvendosjes që të rikthejë në pushtet PDK-në. Po të ishte ky
qëllimi, atëherë ata do të votonin drejtpërdrejt origjinalin, dmth PDK-në, nuk
do të votonin kopjen, dmth Vetëvendosjen. Albin Kurti, nëse synon karrierë
politike të gjatë, ka vetëm dy mundësi:
E
para, të lëshojë e të sillet me LDK-në si me një partner qeverisës të
besueshëm, në mënyrë miqësore dhe korrekte. Pra të japë maksimumin për LDK-në e
të ndajë pushtetin me të në mënyrë të balancuar, deri te kompromisi për marrjen
e vendimeve në qeveri me parimin konsensual.
E
dyta, të largohet nga Rexhep Qosja dhe filozofia e tij politike e përçarjes, e
pykave, e ndarjes, e urrejtjes dhe hakmarrjes! Pa u ndarë me Rexhep Qosjen,
Albin Kurti nuk do të mund të ndahet nga majtizmi ekstrem e për pasojë nuk do të
bëhet një lider i shpresës për Kosovën.