| E merkure, 01.01.2020, 02:18 PM |
100 VJET: SA SOT KURR !
Nga
Fritz RADOVANI
E
Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen të vazhdojnë me pertypë rrêna!
Në
1999, ishte e para herë që kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka
kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919
– 1920”, ku tha troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit
Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën
(Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe
Mihajl Turtullin...” Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u
këshilluen nga Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte
edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme...” Pra, kishte shkue puna
deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per
mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin
asgja mangut komshijëve tjerë! Mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga
askush as sot gati mbas 100 vjetësh. Këte e verteton qendrimi i perfaqsuesëve
të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri
aty sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit
shqiptar”...
Qeveria
e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në
Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj Bumçin, i cili
zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj Fishta. Nga
Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja. Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj
Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica.
Me
datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në Romë, për
me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit Shqiptar.
Mbas
takimit me Papen, Imz. Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkelqimi i dy
figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshem në Konferencën e
Paqës. Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i
çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet
me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të
hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se,
“Shqiptarët sot janë vertetë pjesë e Europës së
qytetnueme”.
Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare,
oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë një model i
papersëritshëm! Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti
Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë
Veriore, Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e
Rugovës. Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me
Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e
Gjinokastres Greqisë. Në muejn Tetor 1919, Imz. Bumçi u takue me perfaqsuesin e
Francës Pichon, dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe
Anglisë, të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor
të Shtetit Shqiptar. Ndersa At Gjergj Fishta, udhtoi per këto çeshtje drejtë
Anglisë dhe SH.B.A. Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per
zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në
mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919
nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani.
Imz.
Bumçi, si gjithmonë i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me
mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u
nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan.
Takimi
i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vertetë
një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi tek
Papa. Në kujtimet e Tij historike Imz. Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të
gjith misat e Dergatës Shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman,
më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me
fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni
ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet
shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni –
Venizelos.” Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë
pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ,
e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?” U
pergjegja (Imz. Bumçi): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se bota s’ka metë vetun në
Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’ Amerikës!”
Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra, neser
do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të
Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet
qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem per me Ju ndimue. Zoti ka m’e e
ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan
qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me kênê!” Këtu u mbyll
biseda. Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe
bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë
natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per
biseden me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë
Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!”
Me
6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue me Papen Benedikti XV, në
Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës
“integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913,
janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu referue Programit
të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per vetvendosje”, që
favorizoi Shqipninë.
Shteti
i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12 Nandor 1920
emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi, që
porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë
dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht në Shqipni.
Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue
lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që
nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato
lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”. Burrat që
shpetuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve në vitin 1919 – 1920 ishin:
Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson.
?E nder këta 100 vjet, kjo treshe Burrash, sa sot.., nuk asht kenë e nevojshme
kurr!
Melbourne, 1 Janar 2020.