| E marte, 24.12.2019, 02:46 PM |
Sejdi BERISHA:
Konflikti me vetveten dhe legjendat e
historisë të rrugëtimit me tren...!
KUR TRENI LËSHOI
FISHKËLLIMËN E FUNDIT...
(...Shtrëngova
vajzën time duke i thënë: bija ime, paq fat e shëndet...!)
Ishte
kohë lufte. Kudo në Kosovë frymonte liria edhe pse me shumë lëvizje jo edhe aq
të sigurta, me tortura, vrasje, burgosje dhe me dëbime popullate. Atëbotë, në
asnjë vend rrugët nuk ishin të sigurta për të lëvizur nga qyteti në qyet. Vetëm
treni bënte rrugë deri në Prishtinë, e që ding mbushej me popullatë, me
udhëtarë, shumë prej të cilëve kurrë nuk e përjetonin kthimin prapa. Këtë fat e
kishte edhe vajza ime e tretë, e cila të fejuarin e kishte në Prishtinë dhe
duhej të bashkoheshin për të marrë rrugë tjetër, sepse, dasmë nuk mund të
bënim. Nuk ishte kohë dasmash. Ishte vetëm një dasmë tjetër, ajo e lirisë. Kur
dolëm nga shtëpia për në stacionin e trenit, në kokën time ishin shumë mendime,
që dot nuk më reflektonin lumturi, por vetëm mall, dhembje e kujtime të hershme
e të reja. Vajza ma digjte çdo qelizë trupi, çdo damar gjaku. Kush e di sa a do
të takoheshim më ndonjëherë. Të gjitha ishin pikëpyetje. Arritëm në stacionin e
trenit. Po, kush di ta përshkruajë atë atmosferë të pa përshkruar. Vetëm disa
vagonë, e në te qindra e qindra udhëtarë, gra fëmijë, vajza, nuse e plaka. Në
trupin e tyre, më shumë kishin peshë dhembjeje se kocka, gjak e mish, më shumë
kishin lot që do t’i mbushnin liqenet e shumtë. Me te, deri në Fushë Kosovë
udhëtonte edhe bashkëshortja ime, respektivisht nëna e saj, të cilës i dukej se
pre atij momenti nga trupi po e nxirrte zemrën... Për ta mos lënë vetëm në të
kthyer time shoqe, e shoqëronte edhe kunata e saj, të cilat pastaj nga Fushë
Kosova do ktheheshin bashkë.
Dhe,
kur treni lëshoi fishkëllimën e fundit, e shtrëngova vajzën time duke i thënë:
-Bija
ime, paq fat e shëndet...! Urime edhe martesa... por më fal që në këtë mënyrë
po të përcjellë nga shtëpia ku je lind...
Vajza
ime më puthi në sy e faqe dhe deri sa humbi treni, ajo as unë shikimet nuk i
këputëm. Përbrenda këtyre shikimeve, aty për aty sikur u shkruan mijëra fletë
romanësh.
Tani,
stacioni i treni ngeli bosh. Mbretëronte qetësi mortore, kurse rrugët ishin të
zbrazëta, sepse, nëpër to shëtiste vdekja, hija e djallit... Dikur nga ky
stacion i përcillnim djemtë tanë për në armatë, sepse ishin rritë e bërë për
ushtri... Bëhej festë në ato mbrëmje rrugëtimi, edhe pse, edhe atëherë
përbrenda shpirtit, secili prind kishte dhembje e zbrazësi në shpirt, ngase
rininë i përcillnim për në ushtri në tokë e vend të huaj. Po pra, po nga ky
“tasjan”... Mbi binarët e trenit, sa njeriu është tretur, sa malli për
vendlindjen është mbyllur në zarf me tri vija të kuqe, në arkivole hermetikisht
të mbyllur, e përbrenda tyre bijtë e kësaj toke me një tegel opinge qepur trupi
i tyre. Dhe këtu përfundonte malli, kënga dhe historia e tyre.
Derisa
i përbiroja të gjitha historitë e pashkruara në mendjen time, nga Fushë Kosova
ishte kthyer bashkëshortja ime. Edhe atje, drama e jetës ishte luajtur në
mënyrën e vetë. Para se të nisej me vajzën, i pata thënë që në Fushë Kosovë të
na i blejë dhjetë bukë, sepse, këtu në qytetin tonë ishte tretur edhe buka.
Arriti bashkë me një strajcë bukë e me sy të ënjtur e pa gjak në fytyrë. Kështu
ishte ky udhëtim me tren,... me trenin e Pejës!
Më kujtohet udhëtimi i
mësuesve, që asaj kohe u ngjanin heronjve, të cilët e kanë ëndërr e synim vetëm
diturinë dhe lirinë
Tash,
ky udhëtimi im me tren, pikërisht ishte bërë për t’i zgjuar unë ato kujtime e
për t’i përtëritur dhembjet, për rrugëtimin nëpër periudha kohore me trenin e
Pejës...!
U
nisëm. Unë, me plotë kujtime e hidhërime, disa prej të cilave nga pluhuri m’i
nxirrnin stacionet e trenit prej këtu e deri në Prishtinë. Secili në mënyrën e
vetë dhe me historinë e vetë... Shpejtë arritën në Zahaq... Ky fshat dhe
fshatrat përreth kanë histori edhe të vjetër edhe të re. Këtë të renë, e kanë
të llahtarshme, të tmerrshme...
Më
kujtohet masakra në këtë fshat dhe në fshatin Çyshk,,, besa edhe masakra e
Lybenit, por që ky fshat në lidhet me hekurudhë... Çfarë të shkruaj... Emra të
fëmijëve, pleqve, plakave, grave... Për këtë më së miri dëshmojnë edhe pllakat
dhe lapidarët mbushur me emra...
Ecim
tutje. Arrimë në stacionin tjetër, Bllagajë, historia e të cilit është
vazhdimësi e rrugëtimit të derikëtushëm. Por, më duket se diçka kishte
ndërruar. Kishte ndërruar, sepse, nuk e ndija atë ngrohtësinë fëmijërore mbase
edhe rinore që kisha për kujtimet në të cilat zë vend edhe kjo copë rruge, që
dikur për anash ishte fushë pjellore e mbushur me misër e kopshte me plotë
perime, nga të cilat popullata ushqehej e mbahej gjallë. Tash, është ndryshe.
Janë shtuar shumë ngjarje, por janë ndërtuar shumë shtëpi moderne, kanë zënë
krye shumë objekte e biznese, që edhe madhështojnë, por edhe kanë “ngushtuar”
sipërfaqet e bukës dhe të arave, të cilat gjatë tërë pranverës dhe verës i
ngrohte dielli, kurse vjeshta ishte “finale” e të gjitha të mirave dhe e
bereqeteve. Për kujtimet tjera nuk dua të flas, sepse kemi edhe shumë rrugë për
të bërë, unë deri në Prishtinë, e gjërat tjera nuk di si do të ecën...!
Tani
treni nuk e ka atë rrapëllimën që e kishte dikur, dhe as lokomotiva as
fishkëllimën dhe as atë erën e rreshkët të qymyrit. Por, nuk prishë punë. Puqja
e rrotullimeve të rrotave me faqen e lëmuar të shinave, pothuaj se e kishte
ruajtur melodinë e njëjtë. Tash, më ikën mendja në ato udhëtimet e viteve të
gjashtëdhjeta me Trenin e Pejës të një numri jo të vogël të mësuesve dhe arsimtarëve,
të cilët me mund e sakrificë jete shpërndanin dituri në shumë shkolla të
Rrafshit të Dukagjinit dhe të një pjese të Drenicës. Më kujtohen një nga një
mësuesit, të cilët që në mëngjes, diku kah ora katër e dyzetë minuta
bashkoheshin, respektivisht, shoqëroheshim me “këngën” e trenit dhe me
entuziazmin e secilit se çfarë do të punonim atë ditë. Por, më kujtohen edhe
fshatrat ku jepnim mësim, si, Zahaqi, Çyshku, Kliçina, Drenoci, Gllaviçica,
Budisalci, Zllakuçani, Pogragja, Jagoda, Klina, Ujëmiri, Siçeva, Gllareva,
Kijeva etj.
Kur
më kujtohet një udhëtim i tillë, më bëhet se mësuesit e asaj kohe ishin apo i
ngjanin heronjve, të cilët e kanë ëndërr e synim vetëm dritën dhe diturinë.
Por, njëherësh ishin edhe halë në sy, që përherë pengonin regjimin e
atëhershëm, i cili, përkundër shtrëngimeve, megjithatë, nuk kishte forcë për ta
penguar arsimin e gjeneratave, të cilat, edhe dje edhe sot janë madhështia e
atdheut, janë drita e kombit,... dhe udhëtimi me tren nuk shkëputej dhe as nuk
ndalej dot. Por, udhëtimi më i ngrohtë, që nuk harrohet kurrë e kurrë, ishte ai
i orës gjashtëmbëdhjetë, kur të gjithë ktheheshim nga mësimi. Kishte shumë
arsye pse ishte më i miri, por një e veçantë ishte, se vagoni ku tuboheshim ne,
i ngjante një salle të improvizuar koncerti. Derisa arrinim në qytet, kënga dhe
muzika nuk pushonte. Aty kishim këngëtarë dhe këngëtare që më vonë u bën figura
të shquara të kulturës dhe muzikës. Dhe, defi, darabuku, kitara, por ndonjëherë
edhe ndonjë instrument tjetër, e begatonte këngën. Nuk e harroj, se gjithnjë me
ne ishte edhe e madhja këngëtare, Shahindere Bërlajolli, e cila edhe ajo
punonte në njërën prej shkollave të fshatrave që i përmenda. Në këtë rrugëtim,
vagoni ku ishim, ne nuk e dëgjonim, por sikur thoshte, po shumë më keni ngarkuar,
kurse vagonët tjerë të trenit pothuaj se ishin të boshatisur. Të boshatisur,
sepse, të gjithë udhëtarët që ndodheshin në tren, me padurim “transferoheshin’
tek ne, në dasmën dhe shpirtin e mësuesve.
Konflikti me vetveten
dhe legjendat e historisë të rrugëtimit me tren...!
Se
e zgjata këtë largim kohe, dhe kur ktheva kokën, treni kishte bërë bukur një
copë rrugë. Kishte arritur në Drenas. Dikur, këtu ishte njëri prej stacioneve
më me rëndësi, sepse treni “ngarkohej” me shumë udhëtarë, me nxënës dhe me studentë
bëhej ding edhe në korridor. Dal në dritare dhe shikoj, por diçka, në të
njëjtën kohë edhe si me përmallon por edhe më bën krenar. E Para, ngase, para
shumë vitesh apo deceniesh, këtupari gjallëria depërtonte edhe në gurët e
rrugëve, kurse tunelet gjatë rrugëtimit ruanin fshehtësitë e historisë së kësaj
ane me shpirt të veçantë prej heroizmit dhe atdhetarisë... Ndërsa, e dyta. Më
kujtohet se gjatë luftës në Kosovë, këtu thellohej gjithnjë e më shumë fryma e
lirisë.
Djemtë
me uniforma të UÇK-së ta kënaqnin dhe ta shtrëngonin zemrën nga ëndrra e
madhështia. Prandaj, edhe ky udhëtim i sotëm me Trenin e Pejës ma ngacmon
gëzimin, dhembjen, mallin, lumturin dhe hidhërimin, të cilat, kësaj radhe disa
më janë bashkuar dhe çuditshëm më shoqërojnë... Po më kujtohet udhëtimi i
vajzës sime, që në këtë mënyrë duhej të bëhej nuse, pa dasmë... Më kujtohet
edhe kthimi i sime shoqe pasi e ka lënë vajzën në Fushë Kosovë, dhe pesha e
dhembjes prej nëne, dhe e vajzës për ndarjen nga nëna e saj... Po, kështu janë,
nëse mund të thuhet, legjendat e historisë sonë!
Vazhdojmë
tutje. Por tash sikur më ka humbur busulla se ku jam...! Mirëpo, kryesorja e di
se jam në Trenin e Pejës, jam në tokën e Kosovës lirshëm duke udhëtuar dhe
krejt lirshëm duke i evokuar kujtimet e mia ashtu siç dua unë vetë.
Në
stacionin e Klinës, ndalet treni, dhe pushon pakëz deri sa zbresin e hipin
udhëtarët. Në këtë grimë kohë, gjithçka më kujtohet, që tani ka ngelur vetëm
kujtim mendjeje dhe peshë shpirti. Mbi këta binarë kanë lëvizur e ecur trena e
trena që kanë bartur edhe udhëtarë, edhe studentë, edhe të sëmurë, edhe të
burgosur. Lëvizjet e rrotave të vagonëve, kanë lënë gjurmë por edhe kanë
lëshuar zë për të treguar diçka e gjithçka...!
Dhe,
kthehem mbrapsht në stacionin e trenit në Pejë. Pa dashjen time bie në konflikt
me vetveten, sepse mendja më ngacmon për çdo kujtim që më shëtitë trupit,
gjakut dhe ma përshkon çdo pjesë të ndijimit. Më dërmon të tërin. Në muret e
stacionit sikur shoh të balsamosur tërë historinë e këtij stacioni të nisjes
dhe arritjes, tërë atë historinë e lamtumirave, shumë prej të cilave kanë qenë
të fundit.
Po,
po. Fortë mirë më kujtohen përcjelljet e djemve dhe çunave që përpara kurrë nuk
kishin marrë rrugë të tilla, e tash kishin vendosur të mos u ç’kapën binarëve
deri në stacionet më të thella të trenave nëpër botë, për t’u bërë kurbeti
gjithnjë e më shumë plagë e rëndë dhe kurrë e pashëruar deri në ditën e sotme.
Dhe pikërisht, kjo dramë udhëtimi, shumë nëna i ka lënë pa gjumë e me shpresa
të pambarim, duke pritur djemtë e tyre se një ditë do të kthehen, dhe bile do
të përqafohen dhe shtrëngohen fortë edhe njëherë. Ky është ai stacion që edhe
deri me sot ka grumbulluar dhe shënuar pa laps e letër kujtimet më të rënda e
më të përmallshme të njeriut.
Treni ka bartur edhe
flamurin me shqiponjë, që tokës e qiellit u jepte dritë e guxim...
Kujtojeni
se çfarë peshe kujtimesh ka stacioni i trenit, treni dhe binarët, që gjithmonë
kanë qenë, por në një mënyrë, edhe sot janë simbol i mallit, dhembjes dhe i
pjesës më të pathënë dhe më të çuditshme e të pashkruar të historisë! Dhe, shih
kah mund të depërtojë mendja: treni ka bartur kurbetçarë, të rinj e të reja,
trenat ka bartur mall, misër, grurë e bukë..., kanë bartur uri e skamje, kanë
bartur plagë, vrasje, maltretime,... kanë bartur edhe eshtra...! Kanë bartur
edhe dashuri, që e ka madhështuar tokën.
Treni
ka bartur dhe flamurin me shqiponjë, atëherë kur është ruajtur në fund të
arkave të nënave dhe nuseve. Valëvitja e tij, përgjatë rrugës, tërë tokës,
qiellit e binarëve u jepte shkëlqim, dritë e guxim...
Ky
është treni i Pejës, janë edhe binarët që e lidhin këtë qytet me botën,... dhe,
unë vendosa edhe tash të udhëtoj me tren për t’i “trembur” disa kujtime, për
t’i shkruar edhe do fjalë, që janë vetëm xixë për ta ndezur mendjen e për t’i
bërë flakë e dritë kujtimet...
Kur
u ktheva sërish në Pejë, prita derisa sërish u nis treni për në Prishtinë,...
Duke më ikur treni nga shikimi, më bëhej se e shija vajzën time duke udhëtuar
me atë zemrën e thyer dhe të plasur të para gjashtëmbëdhjetë vjetëve më parë...
Edhe tash, do lot tunxh m’i përcëlluan faqet e rrudhura... ishin edhe më flakë
se ata të asaj kohe. Derisa ktheva mendjen dhe fsheha lotët, treni iku me atë
pamjen e tmerrshme të përcjelljes së vajzës...
Ky
është Treni i Pejës, edhe binarët që bukur shumë i ka gërryer koha, heshtja dhe
dhembja për peshën e kohës, për rrugëtimin e njeriut. Ky është edhe stacioni i
trenit, i cili nuk di a i ka ruajtur kujtimet, gëzimet dhe hidhërimet kurrë të
pathëna... Do ta përgëzoja këtë “tasjan”, nëse edhe më tutje e mbanë në kujtesë
peshën dhe thesarin e kohës së vetë...!
Ika
për në shtëpi i gëzuar që hoqa shkrumbin që kisha për të udhëtuar me tren, por
sërish ngela në konflikt me vetveten, tash nuk di se për çfarë... Por, më doli
para edhe mendimi se a do të degëzohen madhështitë e hekurudhave
Kosovë-Shqipëri?! Ato ende nuk ekzistojnë...! Më falni! Po, sa shumë u kam
bezdisur, po sa shumë, siç thuhet, u kam shurdhuar...
(Fragment nga libri
“Konflikti me vetveten”)