Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Albana Zeqo - Jetë në dashuri

| E enjte, 19.12.2019, 09:11 PM |


Libri “Jetë në dashuri” i autores  Albana Zeqo një frymë poetike që lëshon tinguj simfonie

Nga Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist

Libri “Jetë në dashuri” i autores Dukatase, përbën një frymë poetike që lëshon tinguj simfonie në të katër stinët e jetës. Poetja më një varg të lirë, kontemporan, modern, kërkon të hedh shtat  dhe të rritet e begatë duke lënë disi mënjanë vargun klasik  me strofa, pasi tek ky varg ndjehet më e lirë, më me ajër, më  e besueshme, më e shpenguar dhe e kompletuar. Në tërësinë e poezive, vihen re tematika të ndryshme ku mbizotëron tema e emigrimit, dashurisë, atdhedashurisë, miqësisë, mallit për fshatin, dyshimi tek miqësia dhe shoqëria e sinqertë, por ajo depërton ndryshe me një penel elegant në poezitë për prindërit. Lexuesi nëse do jetë i vëmendshëm në këtë libër herë-herë do vejë re edhe momente melankolie, pesimizmi që në situata delikate jetësore mund ti shfaq çdo njeri. Jeta është një pyll i madh ku gjallojnë  e bukura, e shëmtuara, e madhërishmja, delikatja, helmuesja, egërsia, butësia, intriga, mirësia, etj… Kjo melankoli dhe pesimizëm nuk arrin në humbje shprese, por autorja i përcjell më së bukuri për ti thënë lexuesit se jeta nuk është fushë me lule, nuk është vetëm bukuri, nuk është vetëm magji, por ka të papritura, ka zhgënjime ku çdo njeri prej nesh duhet të jetë i përgatitur ta përballojë. Pra është një pesimizëm mësimdhënës për të qenë i përgatitur në jetë. Ajo që kam vërejtur ne detaje është se autorja në libër ka ngjyer penën e bukurisë për stinët e vitit. Për çdo stinë ajo sjell moment interesante me karakteristikat veçuese që ka çdo stinë. Aty gjen detaje stinësh që të befasojnë, të përcjella plot ndjenjë, harmoni letrare, estetikisht të qëndisura me delikatesë.  Aty shikon figura dhe përshkrime si ato lulet e vendosura në kovë në një dyqan lulesh që mund të duken të bukura, por as mund të krahasohen me lulet e vogla që çelin nëpër fusha ose me pemët që lulëzojnë në male! Autorja me naivitet tregon se kur je në natyrë, sikur merr jetë dhe provon ndjesinë reale, të veçantë që të falin stinët. Mënyra se si i përshkruan ajo këto momente mund t’ju drithërohet zemra. Vargu i thjeshtë është një mënyrë për ta shprehur bukurinë e natyrës me anë të luleve dhe bimëve, duke krijuar një motiv dekorativ me atë ç’ka ju prek thellë brenda jush. Kur autorja përcjell ndjesinë e vjeshtës këtë e arrin duke përdorur lulet e kësaj stine, bashkë me gjethet e vjeshtës. Sa bukur portretizon ajo freskinë e një flladi të lehtë, me gjethet, lule, degë apo kërcej që përkulen paksa, që do t’u jap lexuesve ndjesinë e flladit të vjeshtës. Me vargje shpirtëror ajo ka krijuar kompozime dekorative me lule dhe bimë që të duket se je vetë pjesë e kësaj apo asaj stine. Por për vjeshtën duket se poetja ka më shumë dobësi. Me fillimin e vjeshtës fillojnë të bien temperaturat, të bëhet më ftohtë dhe ditët janë më të shkurtra, gjethet kthehen në portokalli dhe kafe, kafenetë fillojnë të shërbejnë pijet e tyre sezonale. Le të ndalemi pak tek poezia:

Emigrimi

Qava, por ti nuk më kuptove,

Në shtegtimin e lotëve ika dhe unë,

Fluturova si zog pa krahë drejt teje,

Në vende të panjohura qëndrova,

Atje ku shpirti u qetësua.

Dhe vitet në harresë vallëzonin,

Si flutur në mendimet e mia qëndrova,

Aromën e luleve avash-avash e mora,

Krijova jetën midis atyre njerëzve,

Kjo tokë mu bë e ëmbël si toka ime.

Aty, thura ëndrrat e mia,

Aty eca në rrugën e trishtimit,

Dritë mora nga dielli jot,

Forcë mora nga forca jote.

Edhe pse zog në shtegtim,

Mall për ty do ndjej gjithmonë.

Emigrimi një plagë e madhe e shoqërisë shqiptare. Për çdo ditë ikin, ikin ku të mundin. Ikin në kushtet e një varfërie të stërzgjatur, në kushtet kur vendi drejtohet nga një klasë politike e pa përgjegjshme. Po largohen mjekët, infermierët, inxhinierët, profesionistët, por sidomos të rinjtë. Thuajse për të gjithë, emigracioni ka mbetur si e vetmja rrugëzgjidhje, e vetmja shpresë mbijetese. Sepse askush nuk sheh në horizont ndonjë rrugëzgjidhje tjetër për vete dhe familjen e tij, për të mposhtur varfërinë dhe papunësinë. Dhe kjo klasë politike nuk e çel gojën për të treguar se ç’po bën për të minimizuar pasojat e llahtarshme të mjerimit që kanë pushtuar shumë prej familjeve tona. Pjesë e emigrimit është dhe autorja e këtij libri. Ajo iku por me sytë nga atdheu. Me zemër tek atdheu. Lot e mallit nuk analen. Ajo e sheh veten si një zog në shtegtim! Por  a do mundet ky zog të përballojë stihitë, dimrat, shtrëngatat e emigrimit?! Kush i jep forcë dhe kurajë në largësitë e e mëdha të botës së paanë?! Atdheu! Ideja se ai e shikon, se ai është tutje në horizont, autores i jep forcë dhe jetë, besim për të ardhmen se një ditë do kthehet. Kur shkruan për mërgimin pena ngjyhet me bojë-loti, penë-malli, bojë-gjaku! Por si rrallëherë poetja i ka kënduar kaq bukur babait, ja si shprehet ajo tek poezia:

Babait tim

Jetën para nesh e shtroi,

Për të mbetur një jetëgjatë.

Ndaj, nga kjo botë i ri na shkoi,

Me vuajtje ngarkuar, me ditën-natë.

Karakterin kishte të fortë,

Dhe se shiste në pazar.

La kujtime të pamort,

Ky baba zemër behar!

Fjalë bese kishte në zëmër,

Dhe xhyrmet sa s'ka ku shkon!

Shpesh ai më del në ëndërr,

Gjaku i tij në dej më vlon!

Është përsëri ky varg i veçantë kur koha duket sikur ngrin dhe e gjithë bota e saj vërtitet rreth një momenti, kujtimit të babait. Pa të duket se gjithçka bëhet e turbullt dhe kujtimet i vijnë e përmbytin mendjen sepse brenda zemra i dhemb dhe diçka ndjen që i ngushtohet thellë në trup. Ajo beson se prej diku aty ku ndodhet ai sërish sikur e mëson, sikur e bekon, e orienton, që të eci e sigurt në jetë. Si bijë do donte ti thoshte “faleminderit” për gjithçka që i ka mësuar, edukuar, mëkuar, pasi ajo e ndjen se nëse ka arritur diçka e ka rritur në sajë të edukatës së tij  dhe gjithçka që është. Do të donte ta falënderonte që i dha jetën dhe falë tij është kjo që është. Duke parë nga babai, autorja ka mësuar si të jetë e sjellshme e dhembshur, e mençur në veprime, por në të njëjtën kohë të jetë e rreptë dhe e fortë kur duhet në jetë. Babai e mësoi se çfarë do të thotë të ndjekësh ëndrrat, të jesh me zemër të madhe, të dhurosh, e frymëzoi të jetë vetvetja. Ka shumë gjëra për të cilat i është mirënjohëse, dhe gjithçka që ka mësuar prej tij, duke ndjekur hapat e tij ka  bërë që të ketë vetë emrin e saj. Është përsëri kjo kohë e veçantë, dita kur koha duket sikur ngrin dhe e gjithë bota e saj vërtitet rreth një moment, ndarjes së tij nga jeta. Gjithçka bëhet e turbullt dhe kujtimet vijnë e përmbytin mendjen e autores. Ajo i jep fytyrës një pamje të guximshme dhe kokën e mban lart, ashtu siç babai e ka mësuar. Por kjo është vetëm një maskë që ajo vë, pasi brenda zemra i  dhemb dhe diçka ndjen pasi e kupton se njerëzit e tjerë nuk i kanë shpenzuar ditët e jetës së tyre për të ndërtuar jetën e saj, ashtu siç ka bërë babai i saj. Ajo sot e kupton se gjëja më e bukur në botë është të shohësh prindërit e tu të buzëqeshin dhe të dish se ti je arsyeja e asaj buzëqeshjeje. Autorja e kupton se babai i ka  falur shumë gjëra në jetë, të cilat shpesh nuk i ka vlerësuar sa duhet, deri në ditën që ai u largua në përjetësi. Thjesht ajo përcjell me vargje zemre se : Askush mbi këtë tokë nuk do të të dojë më tepër se babai jot!

Së fundi:

Ky vëllim poetik ka një formatim ndjesish shumë delikate, të çiltra dhe humane. Dhe pse pesimizmi  ka një vend sporadik autorja përcjell mesazhin njerëzor se me punë, vullnet, kërkesa ndaj vetes, me ëndrra  të bukura, njeriu mund të arrij gjithçka. Zhgënjimet dhe pse janë pjesë e jetës nuk bëjnë thelbin e tij, por janë një mësim që duhen korrigjuar. Jeta është interesante, ajo përbëhet nga hulumtimet, nga kërkimet, lëvizjet drejt të panjohurës, sepse nuk ka asgjë më të çmuar sesa vetë jeta dhe hulumtimi i saj. Mos e sakrifikoni jetën tuaj për hir të gjërave të vogla. Duhet jetuar në mënyrë aq të plotë, aq sa është e mundur, merreni jetën ashtu siç është. Bëhuni i vetëdijshëm për realitetin e jetës siç është, pajtohuni, udhëtoni bashkë me të, Por mbi të gjitha sipas autores ata që dashurojnë, dhe që gjejnë dashurinë e vërtetë,  nuk kanë nevojë për mjekë, pasi dashuria e vërtetë është ilaçi më i madh, është fuqia më e madhe shëruese në jetë.