| E marte, 17.12.2019, 09:21 PM |
Kuvendi zgjedhor në tetëvjetorin e lindjes së Lidhjes
Nga
Hazir Mehmeti, Vjenë
15
dhjetor 2019: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu”
në Austri, mbajti kuvendin e saj të dytë zgjedhor në Vjenë në tetëvjetorin e
formimit të saj. Në shenjë kujtim u mbajt një minutë heshtje për viktimat e
tërmetit në Shqipëri dhe vdekjes së anëtarit të saj para pak kohe, njëri nga
bashkëthemeluesit e Lidhjes, Prekë Brahimi. Mysafire e veçantë e Kuvendit ishte
Saranda Iseni, nënkryetare e Lidhjes së Krijuesve Shkrimtarëve Shqiptarë në
Mërgatë, aktiviste shqiptare e njohur.
Kuvendin
e hapi kryetari i Lidhjes, Anton Marku, i cili paraqiti raportin e punës
katërvjeçare nga i cili po veçojmë: “Lidhja
u themelua në nëntorin e vitit 2011 dhe deri më tani ka krijuar lidhje
bashkëpunimi me shumë shoqata, klube, institucione, veprimtarë. Gjatë jetës së
saj tetëvjeçare ka organizuar mbi 60 orë letrare, prej tyre 25 lexime letrare
nga viti 2015, dhjetë prej tyre në gjuhën gjermane. Janë mbajtur orë letrare në
disa vende dhe në Atdhe. Lidhja ka botuar dy antologji “Iliricum I” në shqip dhe
gjermanisht dhe “Iliricum II” në shqip ku janë përfaqësuar autorë shqiptarë,
anëtarë të Lidhjes. Lidhja ka marrë pjesë në shumë aktivitete shumë kulturore
të organizuara nga shoqata vendore dhe të kombeve tjera. Janë mbajtur dy
konkurse letrare për krijuesit nga Austria dhe ka marrë pjesë në organizimet e
aktiviteteve letrare si pjesë e Lidhjes së Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë
në Mërgatë Diasporë me seli në Koblenz të Gjermanisë. Lidhja është mbështetur
financiarisht në dy projekte nga Ministria e Diasporës e Kosovës konkursi
letrar dhe nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri në aktivitete letrare dhe
është e vetmja shoqatë shqiptare në Vjenë është pjesëmarrëse në “Javën e
Integrimit” në Vjenë tani e disa vite, ku autorë/e shqiptarë/e kanë lexuar në
të dy gjuhët. Kjo ka ndikuar në afirmimin e autorëve dhe botimeve të tyre në
mesin e krijueseve nga shumë kombe tjera që jetojnë në Austri.
Lidhja
ka thelluar bashkëpunimin e P.E.N-klubin austriak, me Lidhjen e Shkrimtarëve të
Austrisë dhe si rezultat i saj kemi anëtarësimin e disa shkrimtarëve shqiptarë
në këto asociacione me renome në fushën e krijimtarisë letrare e artistike. Një
bashkëpunim shumë i frytshëm me P.E.N-Klubin austriak në organizimin e orëve të
përbashkëta letrare dhe në botimin e veprave letrare.P.E.N. – klubi ka botuar
vepra të autorëve shqiptarë që veprojnë në Austri. Këtu duhet veçuar ndihmën e madhe që kanë
dhënë shkrimtarët Peter Paul Wiplinger dhe kryetari i P.E.N- klubit Helmuth A.
Niederle. Pjesë e veçantë e Lidhjes është bashkëpunimi i suksesshëm me
Ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës ishte në organizim të orëve
letrare dhe promovimet e veprave të krijuesve tanë. Sot në këtë kuvend historik
për LSHKSHA, i falënderoi të gjithë përkrahësit dhe dashamirët e Lidhjes!”
Në
diskutime rreth raportit të punës folën disa nga të pranishmit. Jonuz Saliuka,
tha se ‘‘Lidhja e juaj është shembulli më mirë për gjithë shoqatat tjera si
duhet bashkëpunuar me vendorët në afirmimin e mërgatës shqiptare në Austri. Ju
jeni të vetmit që jeni pjesë e Javës së Integrimit në Austri, kjo është shumë
pozitive. Mendoj se fjala e Lidhjes duhet dhënë edhe me rastin e Peter Handke.”
Shpresa Musaj, studiues, në fjalën e saj shtroi problemin e shtrirjes së
detyrave edhe të anëtarët tjerë e jo të bie barra vetëm në një grup të vogël
krijuesish nga kryesia, siç është deri më tani. ‘‘Ju, kryesia e Lidhjes, keni
bërë një punë të mrekullueshme, për çka ju përgëzoj.” Gjergj Rrustaj, uroi
drejtuesit e Lidhjes për punën madhore që kanë bërë deri më tani. “Një angazhim
i madh dhe shembull për të tjerët.” Violeta Allmuça ngriti nevojën e shtrirjes
së pjesëmarrjes në kuvend dhe aktivitete tjera. Vlora Jonuzi dhe Ina Arapi,
propozuan zgjerimin e temave në aktivitetet letrare, me qëllim të njohjes së
publikut me krijime letrare nga shkrimtarët tanë të mëdhenj të shoqëruara me
lexime nga autorë të Lidhjes. Në diskutim u inkuadruan, pos të tjerëve, edhe
Shpresa Musaj, Ina Arapi, Januz Saliukaj dhe Nikollë Laski, Franc Jakova,
Ismail Çeta, Angjelina Marku, Avdi Çeta, Hazir Mehmeti etj.
Me
disa plotësime, raporti i punës i paraqitur nga Anton Marku, kryetar i
deritashëm u aprovua. Saranda Iseni në fjalën e saj përshëndetëse të kuvendit
mes tjerash tha: “Nga njohuritë e mia tani e disa kohë lidhur me punën tuaj,
jeni shembulli më i mirë në mërgatë se si duhet bashkëpunuar me asociacionet
vendore, shoqatat tjera kombesh të ndryshme. Kryesinë e përgëzoj për të gjitha
këto të arritura të shkëlqyeshme. Nuk do mungon bashkëpunimi me ju në nivel
mërgate.”
Raportin
financiar të detajuar e paraqiti Besim Xhelili, arkëtar, i cili u aprovua
njëzëri.
Nën
drejtimin e kryesisë së punës Vlora Jonuzi, Besim Xhelili dhe Ina Arapi u kalua
në pikën e rendit të ditës, zgjedhja e kryesisë së re. Duke u bazuar në
rrethanat aktuale u propozua kryesia e re, bazuar në rregullore për votim. Pas
diskutimeve Kuvendi zgjodhi kryesinë e re me vende për plotësim. Unanimisht u
votua kryesia e re me këtë përbërje: Hazir Mehmeti, kryetar; Violeta Allmuça,
nënkryetare; Anton Marku, sekretar; Besim Xhelili, ushtrues detyre i arkëtarit,
njehërit Kryetar Nderi i Lidhjes; Gjergj Rrustaj, anëtar, Avdi Çeta, anëtar;
Angjelina Marku, anëtare.
Në
pikën e rendit te ditës të ndryshme, u diskutua mbi mangësitë në pikat
programore, u tha se duhet reflektuar në rrethanat konkrete si në promovime dhe
në aktivitetet shënjuese dhe në koordinimin adekuat me subjektet tjera në
realizimin e programit. Të pandarë Kuvendi vendosi që të dërgoj protestë të
gjitha institucioneve relevante mbi ndarjen e çmimit nobel shkrimtarit ekstremist,
mbështetës i fashizmit serb, Peter Handke. Kuvendi, përkundër pranisë së
kufizuar të anëtarëve, ishte i suksesshëm në realizimin e detyrimeve nga
statuti dhe programi.