| E hene, 09.12.2019, 09:48 PM |
RECENSION për librin e prof. Remzi Nesimit “Për gjuhën shqipe”, botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup
Nga
Prof. Dr. Avzi MUSTAFA
Literaturës
gjuhësore shqiptare i shtohet edhe libri
“PËR GJUHËN SHQIPE” i profesorit të profesorëve të gjuhës shqipe,
profesor Remzi Nesimi. Ky libër studimor del në dritë kur ai nuk është më në
mesin tonë.
Para
se të them diçka mbi veprën e Profesorit, dua të përshëndes dhe të përgëzoj
nismën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptareve në
Shkup për hapjen e serive të reja të botimeve gjuhësore, të përmbledhjeve të
punimeve të autorëve të veçantë, që janë një ndihmesë me vlerë dhe më rëndësi
në lëmin e botimeve për gjuhën shqipe. E tillë është edhe përmbledhja e
punimeve e gjuhëtarit tonë të mirënjohur, prof. dr. Remzi Nesimit “PER GJUHËN
SHQIPE”.
Vepra
hapet me hyrjen me titull “Kurs për gjuhën shqipe (dy fjalë për librin)”, që
është parafjala e redaktorit përgjegjës, dr. Zeqirja Ibrahimi. Në të vërtetë,
redaktori, me punën e tij të ndërgjegjshme, i ka sintetizuar në mënyrë
sistematike çështjet gjuhësore të materialeve të botuara e të pabotuara, duke i
sistematizuar në këtë libër në mënyrë perfektë, sipas tematikës përkatëse,
artikujt shkencorë të Profesorit.
Pastaj
është dhënë edhe bio-bibliografia e botimeve të Profesorit. Aty shihet se puna
e tij përshkohet nga një gjysmëshekulli punë me përkushtim në ngritjen arsimore
e kulturore për lëvrimin, kodifikimin dhe përpunimin e gjuhës standarde shqipe
jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë.
Në
kapitullin “Për gjuhën standarde” janë përfshirë temat për gjuhën standarde, që
kanë të bëjnë me çështjet e drejtshkrimit, me procesin e njësimit të gjuhës
shqipe letrare, me gjuhën e njësuar si fitore kombëtare. Pastaj kemi trajtimin
e disa kategorive morfologjike të emrit e të numrit, kemi tekste për shumësin e
emrave të gjinisë mashkullore me mbaresat e ndryshme. Më tej flet për emrat me
dy gjini në gjuhën shqipe, për disa ndërtime te gabuara me paskajoren dhe
pjesoren etj.
Nga
ajo që është prezantuar mund të themi se është e natyrshme që, krahas asaj që
është e arritshme, Profesori i nderuar, me intuitë të mprehtë, i ka diktuar ato
mangësi që duhet kapërcyer, duke i trajtuar në mënyrë shkencore e profesionale
problemet që paraqiteshin si barrierë në përvetësimin e normës dhe formimin e
shprehive të përdorimit të drejtë të gjuhës letrare. Ai ishte më se i
vetëdijshëm se gjuha letrare ende nuk ishte në shkallën e duhur të pikësynimit
të Profesorit, andaj ai u qaset temave nga lëmi i morfologjisë, ku ka një numër
të madh tiparesh që në dialekte e të folme nuk janë të njëjta dhe nuk janë
ngritur në nivelin e normës letrare.
Në
kapitullin e dytë shqyrtohen temat mbi kulturën e gjuhës, duke filluar që nga
gjuha e shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, pastaj gjuha shqipe
letrare në mjetet informimit, qofshin elektronike ose të shkruara, duke i
nxjerrë në pah të gjitha shmangiet gjuhësore, ruajtjen e gjuhës shqipe nga
ndikimet e huaja dhe përvetësimin e saj. Ideja e këtyre shkrimeve është se
shtypi, radiotelevizioni, tekstet shkollore, veprat letrare, shkencore etj.,
janë mjete shumë të fuqishme për rrezatimin e normës letrare dhe njësimin e saj
të mëtejshëm në luftë kundër dialektizmave, fjalëve të huaja të panevojshme dhe
ndërtimeve të gabuara sintaksore. Krahas shkollës, profesori ynë kishte bindjen
se mjetet e komunikimit masiv luajnë një rol me rëndësi për ta ngritur në një
shkallë më të lartë gjuhën e folur letrare. Prof. Remzi Nesimi e përmend
kontributin e gazetës “Flaka”, si dhe të radiotelevizionit, si një prej
ndihmesave të rëndësishme për përhapjen dhe përvetësimin e drejtshkrimit dhe
normës letrare, por edhe për pastërtinë e gjuhës shqipe, për çka ndalet veçmas
në shpjegimin e kalkeve dhe shprehjeve të ndërtuar sipas modeleve të gjuhëve
huaja, sidomos atyre sllave.
Një
vend të posaçëm në libër u kushtohet të folmeve shqipe në Maqedoni, duke u
ndalur në disa veçori të sistemit vokalik në të folmen e rrethit të Tetovës,
diftongimin e vokaleve “I” dhe “U” në këtë rajon e duke i krahasuar ato edhe me
të folmet e tjera shqipe në Maqedoni. Po ashtu flet edhe për zanoren “Ë”, e
cila përputhet me të gjitha të folmet gege. Një vend të merituar prof. Remzi
Nesimi i ka kushtuar edhe kategorisë së numrit të emrit në rrethin e Dervenit.
Në këtë punim janë trajtuar format e shumësit të emrave dhe diftongimi i i-së
dhe u-së së theksuar, si dhe gjinia e emrave në të folmen e Dervenit etj., e
cila si pjesë vazhduese e së folmes së Pollogut bën pjesë në Gegërishten
Qendrore.
Në
një pjesë të veçantë janë vendosur punimet e prof. Remzi Nesimit për toponiminë
shqiptare, ku ai jep një pasqyrë të plotë të strukturës dhe të veçorive
fonetike të disa toponimeve të rrethit të Tetovës në gjendjen e sotme, pa u
ndalë në anën semantike dhe etimologjike. Mjaftë interesant është shkrimi mbi
toponiminë dhe mikrotoponinë e Kërçovës, ku janë përfshirë edhe fitonimet,
zoonimet, hidronimet dhe abionimet. Një punim shumë interesant është “Absurdi i
një imponimi” ku prof. Remziu e mbron me teza shkencore toponiminë shqiptare
dhe u kundërvihet marrëzive që rregullat e një gjuhë tjetër të vlejnë në një
gjuhë tjetër, ashtu siç kërkonin dhe dëshironin disa koka shovinistësh në
fillim të viteve të ’90-ta.
Në
këtë libër vend të caktuar marrin edhe relacionet e shqipes me gjuhët
ballkanike, duke dëshmuar kështu se gjuha shqipe, me veçoritë e saj, qëndron në
qendër të lidhjes gjuhësore ballkanike. Aty gjenden studimet frazeologjike
ndërmjet gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase, turke, vllahe, serbe etj., pastaj punimi
“Disa shprehje frazeologjike me leksemën ujë” në gjuhët ballkanike, “Disa
paralelizma me foljen bëj në gjuhët ballkanike”, “Fjalët shqipe në veprën e
Kuzman Shapkarevit”, si dhe disa tema që flasin për tipare të përbashkëta të
njohura në gjuhët ballkanike, si: prapavendosja e nyjës së trajtës së shquar,
përdorimi i trajtave të shkurtra në funksion të kundrinorit, formimi i së
ardhmes me foljen volitive “dua”, duke i trajtuar këto në bashkëpërkimet dhe
analogjitë e tyre në fushë të fonetikës, leksikut dhe semantikës. Kështu prof.
Remzi Nesimi krijon një panoramë të qartë të kushteve historike
ekstralinguistike, që kanë ndikuar edhe në krijimin e një qytetërimi kulturor
të përbashkët të popujve të Ballkanit.
Në
libër zënë vend të konsiderueshëm edhe disa trajtesa shkencore ku përfshihen
autorë, vepra dhe ngjarje. Prof. Remziu nxjerr në pah kontributin që dhanë
qëpari punonjësit e gjuhës dhe shkrimtarët e kohës, sidomos ata të Rilindjes
Kombëtare, që ia vunë për detyrë vetes që në veprat e tyre ta përdorin një
gjuhë të pastër e të dëlirë nga fjalët e huaja. Gjuha është një prodhim
shoqëror, një krijesë e shoqërisë. Si çdo popull që e ka gjuhën e vet, ashtu
edhe populli shqiptar e ka gjuhën e vet, që e trashëgon brez pas brezi. Ashtu
si rilindësit, edhe prof. Remziu gjuhën e trajton si një shenjë të gjallë e
popullit, e cila me kohë bëhet vegël e rëndësishme e kulturës së tij. Në këtë
kapitull janë punimet si: “Kontributi i Naim Frashërit mbi gjuhën letrare”,
“Thirrori në lirikën e Naimit”, “Koloriti gjuhësor në poezinë e Naim
Frashërit”, “Kontributi i Sami Frashërit për gjuhën e shkruar shqipe”,
“Kontributi i Vaso Pashës si gjuhëtar”, “Gjuha në veprat e Migjenit”, “Disa
veçori në veprën ‘Mendime’ të Rexhep Vokës”, “Disa tipare fonetike e
morfologjike te Josif Bageri”, “Aleksandar Xhuvani në vazhdën e traditave
përparimtare të Rilindjes”, ndërsa këtu kemi studime edhe për personalitet, si
Eqrem Çabej, Agnija Desnickaja, Idriz Ajeti, Haki Stërmilli etj. Profesori
qëndron në bindjet e tij se formimi i një gjuhe të shkruar në një gjuhë letrare
duhet të niset nga populli e të mbarojë te populli. Atë duhet ta eksplorojmë
nga të folmet e nga folklori për të dalë ashtu materiali leksikologjik e
frazeologjik i nevojshëm për shprehje të ndryshme në gjuhë të shkrimit e për t’i
zëvendësuar kështu fjalët e huaja. Këtu profesori nuk i harron as shkencëtarët
dhe profesorët e gjuhës që dhanë kontributin e tyre në pastërtinë dhe në
kultivimin e gjuhës letrare, siç janë Dançetoviqi, Eqrem Çabej, Murat Isaku,
Abdylazis Islami e shumë të tjerë.
Në
kapitujt e parafundit në libër janë dhënë intervistat dhe bisedat e profesorit
që nga vitet e ’70-ta e deri në vitet 2000. Ato janë një ndihmesë e madhe për
t’i kuptuar qëndrimet e Profesorit për temat e gjuhës standarde, për
toponiminë, për të folmet shqipe, për arsimin shqip etj.
Kur
e sheh në tërësi këtë vepër, të krijohet përshtypja se tërë veprimtaria e prof.
Remziut ishte e orientuar në formimin e shqipes së përbashkët, në ruajtjen dhe
kultivimin e saj dhe ai mbeti i angazhuar deri në vdekje në mbrojtje të shqipes
nga bajraktarizmat, që duan ta copëtojnë e ta bastardojnë atë.
Ai
është i mendimit se gjuha shqipe është detyrë e çdo shqiptari, që buron nga
ndenja e lartë fisnike e kombit. “Prandaj atë duhet ta ruajmë, ta pasurojmë e
ta kultivojmë në shkallën më të lartë”, thekson Profesori.
Profesori
ka qenë i vetëdijshëm se gjuha mund të kultivohet edhe në familje, edhe në
institucionet arsimore për më vegjlit dhe për këtë ka ditur t’i zgjedhë të
gjitha ato forma që fëmijët i gabojnë si në të folur ashtu edhe në shkruar.
Prandaj ai u përgjigjet pyetjeve të ndryshme në rubrikat për fëmijë të gazetës
“Flaka e vëllazërimit. Por, ajo që është më karakteristike, prof. Remziu, në
praktikën e kodifikimit të drejtshkrimit të shqipes, çdoherë niset nga një
traditë e ngulitur, e kthyer në normë, madje edhe kur nuk i nënshtrohet
rregullës së përgjithshme.
Libri
i prof. Remzi Nesimit “Për Gjuhën shqipe”, në të cilin janë vënë në dukje
konceptet e drejta shkencore për gjuhën letrare dhe procesin e krijimit të saj,
e karakterizon dhe tipizon mendimin shkencor gjuhësor të këtij studiuesi e
lëvruesi të rrallë të gjuhës shqipe.
Punimet
në këtë libër sjellin materiale, teza e pikëpamje me interes, sepse japin të
dhëna me vlerë për shumë çështje të ndryshme të normës letrare dhe të kulturës
së gjuhës.
Profesor,
ne të falënderojmë shumë për kontributin Tënd dhe të jemi mirënjohës gjithmonë.
Prehu i qetë në amshim, sepse veprimtaria jote ende nuk është shterë, sidomos
me përkthimet, me tekstet shkollore, fjalorët, recensimet etj. Ne kemi ende
detyrime që shpresojmë t’i kryejmë me sukses.