| E shtune, 07.12.2019, 07:06 PM |
NJË SHQIPËRI SI LULJETA!
Nga
ILIR ÇUMANI
“Sikur të takoheshim me
vetveten sy për sy, do t’putheshim, apo
kishim për tu pështy…?”. Këto vargje – kumti të poetit kosovar Azem
Shkreli mu kujtuan aty për aty, tek po shikoja në media qysh në orët e para të
tërmetit në agun e 26 nëntorit dy burra të përvuajtur prej dhimbjes, të cilët,
edhe pse nuk njiheshin kurrë më parë, i zgjasnin duart njëri tjetrit duke u
parë në sy. Njëri ishte specialist i forcave të emergjencës civile nga Serbia,
dhe tjetri specialist i trupave të emergjencës civile nga Kosova. Së bashku me
kolegët e shumtë ndërkombëtarë, kishin mbërritur me urgjencë në Thumanë për të
ndihmuar vendin tonë në shmangien e pasojave të
tërmetit. Të dy ata ishin vënë në rresht pranë njëri tjetrit dhe dorë më
dorë transportonin inertet duke i larguar nga pirgu i frikshëm i mbetjeve prej
rrënojave të tmerrit. Në portretet e tyre shikoje jo vetëm herohizëm dhe
vetëmohim, por edhe ankth e shpresë për
të shpëtuar sa më shumë jetë të kërcënuara nga kthetrat e vdekjes. Ajo skenë
epike që shfaqej në sytë e të gjithë botës, përcillte respekt dhe admirim, lot, dhimbje e solidaritet, por edhe një
mesazh të madh për jetën, duke lënë pas të shkuarën në emër të së tashmes dhe
së ardhmes. Dy njerëz që në kohë të ndryshme të historisë janë parë si dy armiq
të përbetuar, tashmë ndodheshin në një tjetër situatë, në një tjetër realitet,
ballazi, aq afër me njëri tjetrin, duke u parë sy ndër sy dhe duke përcjellë në
këtë mënyrë mesazhin më të madh e më kuptimplotë të paqes. Dhe ky çast erdhi
pikërisht tani, kur tragjedia dhe lëngata e një kombi, përtej përmasave të
dhimbjes njerëzore apelon dhe mund të bashkojë në një solidaritet të mahnitshëm
njerëz nga nacionalitete të ndryshme të ardhur nga e gjithë bota, për tu bërë
një trup i vetëm kundër fatkeqësisë më të madhe të natyrës. Ato çaste dhe orë
tragjike kombëtare bënë bashkë një kosovar dhe nje serb, i vendosi ata përballë
një sprove të madhe të paqtimit dhe betejës së përbashkët për jetën. Një skenë
e denjë filmike për të merituar çmimin Oscar, kur historia dhe përvoja na mëson
se si paqja triumfon mbi luftën, jeta mbi vdekjen, e mira mbi të keqen,
dashuria mbi urrejtjen, e tashmja dhe e ardhmja mbi të shkuarën. Pasojat mizore
të tërmetit të 26 nëntorit nuk ka asnjë dyshim që janë serioze. Dëmet
gjithashtu janë të pallogaritshme për një vend të varfër si Shqipëria. Kemi
dhjetra humbje të jetëve të pafajshme njerëzore, qindra e qindra të plagosur
dhe dëme të konsiderueshme materiale. Mbi të gjitha, sot po përballemi me një
dramë kolektive në shkallë kombëtare. Njerëzve të prekur drejtëpërsëdrejti nga
fatkeqësia u janë dëmtuar pronat, bizneset, shtëpitë, mijëra e mijëra vetë,
gra, pleq e fëmijë kanë mbetur në qiell të hapur të pa strehë në këtë dimër të
ftohtë. Atyre ju është vrarë shpresa dhe tashmë nuk e dinë se kush do të jetë e
ardhmja e tyre. Ashtu si ata, e gjithë shoqëria në përgjithësi po përjeton sot
pasojat e rënda psikologjike posttraumatike. Kjo është sfida më e madhe përpos
rikuperimit të dëmeve, pasi ka të bëjë me nevojën e një betejë dhe energjie
potenciale të shumëfishtë në përballimin me sukses e me dinjitet të gjithë
këtyre pasojave. Por, më e rëndësishme është setash duhet të dimë të
administrojmë mirë situatën në të cilën ndodhemi, duke shmangur së pari gjuhën
e drujntë, retorikën e panevojshme, betejën e pandershme politike që provokon
konfliktin social. Njerëzit duan të ndjejnë dorën e ngrohtë të shtetit dhe të
shoqërisë, sigurinë dhe vijueshmërinë për normalizimin e gjëndjes duke
bashkëvepruar e bashkërenduar të gjitha hapat dhe veprimet përmes allkave të
pushtetit lokal dhe atij qëndror, me synimin për të minimizuar dhe rikuperuar
sa të jetë e mundur pasojat dhe dëmet. E gjitha kjo kërkon një ndërveprim të
kujdesshëm dhe efikas operacional në mënyrë kapilare mes gjithë aktorëve
institucional politikbërës dhe atyre të ligjitzbatues. Lypset një solidaritet i
gjerë social në funksion të paqes dhe sigurisë. Kjo duhet të reflektohet dhe të
nxitet së pari nga ata që kanë mandatin e qeverisjes për administrimin e
vendit, të cilët janë të parët që duhet të japin shembullin për garantimin e
paqes sociale dhe sigurimin e një konsensusi të gjerë për organizimin dhe
marrjen e një plani të gjerë masash për shfrytëzimin e të gjitha resursve dhe
kapaciteteve në rikuperimin e pasojave të tërmetit, përmes bashkëpunimit dhe
ndërveprimit me të gjithë aktorët institucional, qeveritarë dhe joqeveritarë.
Deri tani kemi parë se ka një organizim sporadik e fluid jo shumë efiçent në
administrimin e gjëndjes nga qeveria dhe strukturat e pushtetit lokal, nga të
gjitha institucionet dhe organizmat e Emergjencës Kombëtare Civile, ngase me sa
duket, ato u gjendën të papërgatitura dhe të brishta përballë një situate të
tillë të jashtëzakonshme. Për këtë po diskutohet shumë, me keqdashje ose pa
keqdashje, por në një kohë të trishtë e të gabuar, pasi nuk është momenti të
drejtojmë gishtin tek shkaktarët e kësaj katrahure ku padyshim, pas kësaj që
ndodhi do të ketë përgjegjës dhe fajtor. Tashmë, ajo që vendi dhe njerëzit kanë
nevojë sot, është qetësia dhe maturia për mirëadministrimin e krizës dhe
kthimin e gjëndjes në normalitet. Është koha të shohim njëri tjetrin në sy dhe
ti japim dorën e ndihmës atij që është në nevojë. Vendi ynë sot ka nevojë për
qetësi, urti, kompromis, tolerancë dhe maturi. Ka nevojë për shpresë dhe
optimizëm, për njerëz të mirë e të zot, por mbi të gjitha, ka nevojë për
profesionistë e teknicien të kualitetit të lartë. I kemi ende në mes tonë,
anise shumica e kanë braktisur Shqipërinë pa dëshirë, jo se nuk e deshën vendin
e tyre, porse Atdheu nuk mundi tu ofrojë pjesën që u takon. Pas një stuhie e
rrebeshi, gjithmonë ka një ditë me diell që do të na ngrohë në tokën e
përbashkët. Por që të kemi sa më shumë ditë të tilla në jetët tona, na duhet të
kemi një tjetër Shqipëri…(!!!) Një Shqipëri më të dashur, më të dhembshur, më
bujare, më të paqtë e më të begatë për të gjithë shqiptarët. Duam një Shqipëri
ku sejcili prej nesh ti japim më të mirën tonë dhe jo ti marrim gjithçka asaj.
U desh të ndodhte gjëma që shqiptarët, veçanërisht brezi i ri i sotëm të njoh
një copëz nga Shqipëria që do të donim të gjithë ta kishim, por që fatkeqësisht
ende nuk e kemi atë model të Shqipërisë së vërtetë, të munguarpër plot 30 vjet
në këtë tranzicion kaotik. Përmes intervistave në disa ekrane të ndryshme
televizive, shqiptarët kanë parë dhe kanë kuptuar se ka edhe një tjetër
Shqipëri më të mire nga ajo që kemi parë deri më tani. Është Shqipëria e njerëzve të mençur e të ditur, të
përulur, të urtë e modest deri në madhështi. Është Shqipëria e pa bujë, e
padukshme, e pa trukuar nga kozmetika dhe falsiteti i kohëve që jetojmë. Njëra
prej tyre është edhe Luljeta Bozo. Ajo mban mbi supe afro tetë dekada jetë, e
sërish shndrit si një rubin me imazhin e saj rrëzëllues e të praruar, duke
përcjell jo vetëm paq e dashuri, (sa nevojë kemi veçanërisht sot), por edhe një
energji pozitive të pashoq, mënçuri, bujari, fisnikëri, besim e siguri në atë
që thotë. Kujtesa fantastike dhe artikulimi që bën në publik me fjalët e
përzgjedhura e të kursyera, të shqiptuara pastër e bukur e me shumë kujdes,
janë të admirueshme, mbresëlënëse. Ato e kanë eklipsuar protagonizmin,
retorikën dhe propagandën e despotëve të pushtetit, duhinë e pizevengëve të
mllefosur, kakofoninë inflacioniste parazitare të gjithologëve opinionbërës,
mërinë dhe cinizmin e pavënd që gëlon skutave të thashethemnajave konspirative
në këtë kohë gazepi ku në fakt, duhet të na udhëheq arsyeja, vetëpërmbajtja,
pendesa, toleranca dhe ajo që është më kryesorja, solidariteti, aq shumë i
nevojshëm në këto çaste të vështira për të përballuar sa më lehtë pasojat e
rënda të pabesisë që na ofroi natyra. Mendimet dhe opinionet e saj,
transmetojnë qartësisht jo vetëm bagazhin e madh dhe përvojën e një jete të
tërë studimore, shkencore e akademike si inxhiniere e ndërtimit në fushën e
shkencës gjeoteknike, por, edhe pasionin dhe kompetencën profesionale si
mësimdhënëse e pedagoge, të cilat i mban ende gjallë duke i pasuruar dita ditës
me njohuritë më të reja të shkencës dhe zhvillimet që ndodhin kudo në botë. Ajo
është një profesioniste e shquar e kalibrit botëror, mban tituj e grada
shkencore dhe është autore e 35 librave me punime dhe qindra artikuj studimor
të botuar brenda dhe jashtë vendit në fushën e studimeve të gjeoteknikës. Tek
tuk, e kemi parë të jetë e pranishme kohët e fundit në disa ekrane dhe rrjete
sociale, veçanërisht në këto kohë të trishta që po kalon vendi. Përtej
modestisë që e karakterizon atë dhe brezin nga vjen, duket se e ndjen si një
përgjegjësi të domosdoshme të përballet denjësisht me dije dhe argumente me atë
pjesë artifice që sot përfaqëson mediokritetin, sharlatanzimin dhe inkopetencën
në çdo fushë të jetës tonë. Tek e dëgjon profesoreshë Luljetën, ndjejmë se ajo
është e pranishme tek të gjithë ne, të njohur dhe të panjohurit e saj. Duket
sikur flet me zërin tonë të pafuqishëm që shpesh herë bie në vesh të shurdhër
dhe nuk dëgjohet atje ku duhet, sepse neglizhohet dhe injorohet nga paaftësia
dhe arroganca shtetërore e zhytur nga krimi dhe korrupsioni administrativ. Ajo
është e bindur se çfarë ka ndodhur, nuk lidhet vetëm me forcat e errëta të
natyrës, por më së shumti edhe me mëkatin njerëzor dhe abuzivitetin. Edhe pse është e ndërgjegjshme për katrahurën
dhe dëmet e pallogarishme në kaosin urban që kanë ndodh në vendin tonë përmes
abuzimeve, paligjshmërisë dhe korrupsionit në fushën e ndërtimeve dhe
kanalizimeve pa kriter, me qetësinë dhe dashamirësinë e një zonje fisnike
arsyeton, konstaton, argumenton dhe sugjeron, duke vendosur gishtin mbi plagë
për gjërat se si mund të rregullohen në përputhje me rregullat e gjeoteknikës
dhe ligjet e natyrës. Ndërsa për ata që e privuan profesoreshën e nderuar, duke
e nxjerrë në pension në kohën kur ishte në kulmin dhe energjitë e saj të
pashtershme për të kontribuar për vendin në fushën e inxhinierisë, ajo hesht
dhe nuk mban asnjë mllef, nuk shan, nuk mallkon. Dëshira e saj e vetme është që
të promovohen sa më shumë njerëz të mençur e të ditur, teknicienë dhe
profesionistë nga më të zot që ka vendi. E nëse një ditë kjo do të ndodh, me siguri nesër do të kemi një tjetër
Shqipëri si Luljeta!