| E shtune, 07.12.2019, 09:30 AM |
MES SHKALLMIMIT E VETËMOHIMIT
Linditë
Ramushi-Dushku: “ EVA, njëra nga ato” (roman); SHB “Beqir Musliu”; Gjilan,2019
Nga
Mehmetali Rexhepi
Botuar nga SHB”Beqir Musliu” në Gjilan, më
2019, me editor Sabit Rrustemin dhe redaktore Orjona Tresa, doli për lexuesit e
prozës artistike romani i autores së re Linditë Ramushi-Dushku, “Eva, njëra nga
ato.”
“Kjo nuk ishte
bota e saj...” Me fjali të tillë pohuese e fillon romanin Linditë Ramushi -Dushku,
i titulluar “Eva, njëra nga ato.” Hyrja ose prologu i kësaj proze, paralajmëron
hyrje në atmosferën e dhunës e të trazimeve të femrës, të njërës nga ato femra e emërtuar
Eva... Eva një emër simbol mitik i ngrënies së mollës, të mëkatit të ndaluar;
një emër aq i përfolur deri në bashkëkohësi. Arsyet e autores për një emërtim
të këtillë mund të jenë simbolike... Në të vërtetë, Eva është krye-personazhi i dyzuar i kësaj
proze...Të gjitha ndodhitë, ngjarjet, gjëma e përdhunimit, kujtesa, trishtimi,
ankthi, kahet e drejtimit të jetës me plagë shpirti, jepen të lidhura përmes dy
linjave, të cilat e përshkojnë tej e mbanë subjektin e romanit. Epiqendra që i
mbështjell të gjitha fijet, pamjet, zgjerimin e tkurrjen e tyre është Eva,
njëra nga femrat shqiptare e
mjedisit dhe periudhës kohore
të ngjarjeve të Luftës
Çlirimtare...
Duket se autorja e
ndjeu me mendje e me rrahjet e pulsit të shpeshtuar të zemrës, që të
gjente mënyra e trajta për shkarkimin e
peshës së borxhit që kishte, për kategorinë e femrës sonë të përdhunuar; të përdhunuar aq vrazhdë e mizorisht!...
Andaj, asaj sikur iu lehtësua frymëmarrja, një lloj çlirimi nga barra në shpirt,
për prurjen e një teme kësisoj në letërsi...
Tematika
problemore e kësaj proze për përmasat e pa shpaluara, të pa dëftuara është e
thellë, e gjerë, e trishtuar, e ndryrë
në kodet e mendësisë patriarkale shqiptare...
Linditë
Ramushi-Dushku, si duket, ka eksploruar në mënyrë asimiluese përvojën e
trajtimeve të fateve të ndërlikuara artistike nga letërsia e përbotshme. Për ta
shtjelluar plagën e përdhunimit dhe reflektimin kundërmues të kësaj plage në mjedisin shoqëror, ajo mori
mbi vete dy barrë: a) spikatjen në mënyrë artistike të plagës
ende të pashëruar të përdhunimit seksual, plagën e shëmtuar, që shkallmoi breza të tërë të femrës sonë; dhe, b) sprovën
e shtjellimit të kësaj tematike në llojin aspak të lehtë të prozës së gjatë, në
një roman të këtillë. Këto plagë lënduan
sedrën etike dhe etnike të shqiptarëve.
Përmes kësaj
poetike, shkrimtarja pikturoi fytyrën e zezë të pushtuesve serbë e të shtetit të
Serbisë, gjenocidin fizik, etik dhe etnik të tyre mbi viktimat e pafajshme:
vajzat, gratë, fëmijët, të miturat shqiptare!... Estetika e zezë e gjëmës së
pashuar mbeti e pandëshkuar?!... Tërësia e kësaj proze nxjerr në pah akuzën
artistike: për ideatorët dhe ekzekutorët e gjenocidit mbi femrën shqiptare dhe,
falsitetin e ndërgjegjes njerëzore e të drejtësisë ndërkombëtare?!...
Gjithsesi autorja
do t`i ketë shtruar vetës pyetje për mëdyshjet: a do t`ia dilte mbanë t`i
përmbushte faqebardhë këto caqe të parashtruara në faqet e prozës së gjatë?
* * *
Mëdyshja e parë
autoren do ta përballte me ndjeshmërinë, ndërlikimet dhe shumësinë e të
ndodhurave... Mëdyshja e radhës: si të depërtohej në alter egon e
krye-personazhit, për t`i kapur e lidhur të gjitha lektisjet shpirtërore dhe
kategoritë estetike me përbërësit motivues, stilin e ngjyrave figurative,
vërtetësinë ideore, kontrastet shpirtërore me rrethanat e jetës, pleksjet e
fakteve me sferën imagjinare?...
Sfera e
fantastikës në këtë prozë nuk ka
rol udhërrëfyes, ndaj është në margjina të saj. Pse mund të pohojmë kështu?
Stili i prozës “Eva, njëra nga ato” i ofrohet kryesisht trajtave dëftore të
paraqitjes, një lënde jetësore bartëse plagësh afatgjata, shumë-planesh...
* * *
Subjekti i prozës
“Eva, njëra nga ato” është i përtrollitur, jo fiktiv. Mjedisi, ndodhia,
mentaliteti, poshtërimi, tragjikja nuk janë ngjarje të
shkuara e të harruara... Ato fshihen në shpirtra që digjen si qirinj, atje
ku nuk ua shohim zbehtësinë e dritësimit... Përderisa spikaten vetëm rrapëllimat
e kusive të zbrazura të një parie mburracake!...
Për ta tejkaluar
dëshminë e cekët e të përciptë të rrëfimit dokumentar, i cili vjen e paraqitet përvjetorëve
të masakrave në Kosovë, në emisionet televizive, aq sa mund ta shtrijnë efektin
e tyre te shikuesit, pa i nënvlerësuar ato; Linditë Ramushi-Dushku flaku
rutinën... Ajo përmes fjalish të thjeshta e të zgjeruara, hapi gamën e gjerë e
të thellë të krimit dhe, e shumëfishoi jehonën e zezonës së dhunës me gjuhën e saj artistike në romanin “Eva,
njëra nga ato.” Gjithsesi, ndryshe nga rutina, shkrim-qëmtuesja rrëfimit i dha
shpirt, duke shtruar fraza krahasimtare, krahasime të portretit të jashtëm të
dukshëm, me brendinë e dramës, me aktet e nën-aktet e rrjedhës së shkallmuar si
ndodhi, si kujtesë ripërtëritëse që i fryn zjarrit të djegies në shpirtin e
Evës.
“Dashuria duket si
një gënjeshtër për trurin dhe një ushqim i kotë për shpirtin.”[1]
Autorja me stilin
e të shprehurit artistik, do të dijë të depërtojë në botën e Evës të kapluar nga fyerja e gjatë
dhe e pashlyer e asaj zezone; në një
botë të thyerjeve e kthesave, pothuajse të pariparueshme. Uji rrjedhës së vet i
merr ngjyrat të atilla çfarë i ofrojnë stomet dhe qielli; ndërsa rrjedha e
kujtesës së Evës nuk i shmangej dot burimit... Te ai burim kishte kokën zezona
dhe, ajo zezonë e ndiqte si hije e pa
shqitur e formatit të saj. Ngjyrat e stilit të autores përshkruanin dhe përshkonin,
nxirrnin në letër të bardhë të zezat e jetës, lemerinë, anën e gënjeshtërt të
realitetit, përdhosjen e kodit themelor njerëzor, egërsinë e shartuar në butësi,
zbërthimin e egos të qenies më të fëlliqur, me pamjen cullake të dykëmbëshit
mbi brishtësinë e një adoleshenteje!... E tmerrshme dhe e ndëshkueshme me çdo
mënyrë, me çdo kod dhe me çdo mjet!...
Një subjekt i
tillë, me këtë botë përjetimesh, duhej të përjetësohej mbi rutinën e heshtjes,
mbi paqen e shpifur... Ana dokumentare e dëshmive historike, di të jetë
sipërfaqësore, duke dëshmuar me gjakftohtësi ndodhitë, ngjarjet, kronika
krimesh mbi një popull, për ta sheshuar paqen, sikurse përmes një cilindri
shtypës e rrafshues rrugësh mbi koka e trupa njerëzish, me të dhëna të
sheshuara në numra!
Dhuna dhe trajtat
e përjetimeve të dhunës në shpirtin e Evës
ngërthejnë ankthe, ëndrra mes zhgjëndrrës për gjetjen e udhës
së vetëmohimit e të vetëpohimit, se jeta duhej jetuar... Jeta pa
kundërvënie është nënshtrim prej të keqes. Këtej del porosia për përpjekjet si
dëshmi e mos nënshtrimit...
Proza e autores
Linditë Ramushi-Dushku shpërfillë konceptet e shpifura dhe tabutë e botës së
ndrojtur femërore. Një rol shpërfillës të lidhjes me nyje e mendësi
patriarkale, të mendjes e duarve të femrës, ia jep pikërisht personazhit të
viktimizuar, Evës. Por, siç thotë urtia popullore: nxerr nji kashtë dalin
gjashtë... Rendin ironik për statusin e femrës në shoqëri, Eva e sheh dhe e pohon pa ngurruar: “Nga trëndafili i kuq
mes këmbëve të femrës” Çka do të thotë kjo? Një fjalor kësisoj në mendjen dhe
gojën e Evës tingëllon banal! Reflektimi me një gjuhë të këtillë i Evës, krye-personazhit
qendror të prozës “ Eva, njëra nga ato”,
të shpie në konstatimin e dhimbshëm: nderi i shkallmuar ia paska
rrjedhur trurin kësaj zonje?!... Ja, ku e shpuri këtë zonjë mynxyra?!... Kjo
mynxyrë i dha vashës sonë të bukur liri të shfrenuar!... Në shikim të parë këto
duken kështu... Por, vazhdës së mëtejme shohim se kemi ndjekur një logjikë të
lajthitur!... Në shpirtin dhe karakterin e ndërlikuar të Evës, u ngjiz dhe u
forcua vetëdija revolucionare, për përmbysjen e rendit të shpifur për femrën
nga tirania e mashkullit...
Kjo rrjedhë
logjike, në dukje pornografike, madje me aset të natyrës seksuale, i dha kahe, ndjeshmëri
e vëmendje shtjellës së romanit.
Politesën e ngurrimit Eva e flaku tej, ndaj në situata të natës do të luante
aktoren e pasionuar, sipas skenarit e regjisë së vet, për t`i joshur, rrëzuar,
cullakuar e “poshtëruar” meshkujt pa mbaruar punë!... Kjo i ngjau: maskarait,
epshe-sëmurit, plengë-prishësit, fodullit, mburracakut në stilin: t`i shpiesh buzë kroit e të mos u
japësh ujë!...
Në të vërtetë bota
mashkullore është nën këmbët e femrës, por hipokrizia e mashkullit është mbi femrën!
“Gjithçka nga aty filloi. Edhe ajo vetë nga aty kishte ardhur në jetë. Nga aty
nisi edhe historia e saj e trishtë. Në një vorbull të zezë traume, dhe më vonë,
urrejtje e plot makth”[2]
Gjithnjë sipas
këtij diskursi ideor, i prozës të përfaqësuar nga Eva, motivimi artistik shpie
në kahen dhe gradacionin e rritjes të forcës emocionale; të forcës akuzuese,
kritike për paragjykimin e pabesinë e rrënjosur të mentalitetit primitiv, të
botës mashkullore kundruall asaj femërore. Si konceptohet femra, sipas
filozofisë së vjetër të meshkujve, në kontekstin e këtij romani? Meshkujt
femrën prore e shohin të zënë poshtë; burim për shuarje epshesh; njëkohësisht
shkaktare të lindur për joshje
kënaqësish të pista; magji për terratisje mendjesh; prishëse baraspeshash; zanë
që shiton; vetëm femra e fut djallin në shishe; femra është romantika e
kobit!...
* * *
Nëpërmjet
shtjellimit të dy linjave, njëra: Eva e natës dhe, tjetra: Eva e ditës, autorja
e romanit ngre dy karaktere kundërthënës, të cilat ushqejnë, sa të jetë e
mundur, ndërtimin e një karakteri femëror joshës e refuzues... Përbuzëse e të
pasinqertës, lustrës së rrejshme të meshkujve, të falsitetit burrëror, e
shpirtrave të korruptuar, burracakëve që bien nën këmbët e femrës dhe krekosen
si ngadhënjimtarë, ndotësve të parimeve bashkëshortore, shkelësve të kurorës e
të shenjtërisë familjare!...
Si personazh trup
e shpirt-lënduar, sedër-fyer, Eva mbetet e vetmuar dhe e mallkuar!.. Ç`prej
dhunimit nga ushtarët serbë, mbi të bëjnë trysni mëkati, fajësia, përbuzja dhe
heqja dorë e babait, atëbotë kur më së
shumti i duhej dora e ngrohtë e tij prindërore! Botës saj doemos ia zinte
shtigjet dëshpërimi... Ankthi si një përbindësh i pa shqitur ia përshkonte ëndrrat...
Gjatë ecejakeve të
mëtejme, vendosjes në kryeqytet falë prirjes për gazetari, Eva e personazhit të
ditës ishte vasha e përgjegjësive
të heshtura profesionale.
Linditë
Ramushi-Dushku fatit të përdhunuarës shqiptare, i dha një qasje krejt tjetër-fare.
Çfarë? Përjetimeve të Evës iu qas jashtë klisheve të marrëdhënieve
femër-mashkull. Ndoshta pikërisht kjo përmasë i solli tipare veçantie dhe
fizionomi këtij karakteri jetësor e letrar? Me se? Me ndjenja, me vlime
emocionale, me ngërthesa të shumanshme ideore, figurative, me simbolikën etike,
me ndeshtrashat e mëdyshjet ekzistenciale, situatat groteske dhe kapërcimin e
tyre pa ndonjë gërvishtje, kafshim a vurratë trupore?!...
Akuza për plagën
psikike të Evës kapërcen përkatësinë etnike; ajo shndërrohet në mjet
hakmarrjeje për gjininë mashkullore! Mbase ideja kësisoj është skajshëm e
përgjithësuar... Mirëpo, autorja i ka lejuar një zbrazje të tillë viktimës së përkëdhelur...
Spekulantët, prostitucioni kronik, kategoria e “zotërimadhërisë”, i kalon caqet
kombëtare. Kompozita ironike “zotëri madhëria” fliste shqip!...
Do të ishte e
natyrshme dhe e pritshme, që pas mynxyrës së përdhunimit, shkallmimi shpirtëror
i Evës, ose i ndonjërës nga të tjerat sikurse ajo, t`i shtynte aventurave e drejtimeve
të paparashikuara të jetës... Çfarë do
të ishin ato kahe? Mund të ishin
përsiatje monologu të zymtë, afatgjatë ose afat-shkurtë për jetën vetmitare, në
një mjedis aspak miqësor, as mirëkuptues,
paragjykues me etiketa në gojë, frenues, kundërmues i ndotur
indiference... Materialja dhe epshi mbushnin xhepat, shpirtrat dhe tjetërsonin
dashurinë, themelin e njerëzimit! Mund të supozonim se po të merrte
drejtime të këtilla rrjedha e jetës tyre, nuk do të vazhdonte më tej, duke u
përplasur në terratisje të digës fatale!... Si rrjedhojë: personazhi femëror do
t`i humbte perceptimet reale të ditës e të natës dhe, t`i jepej bredhjeve si
një somnambul i përhershëm, ose thyerja e saj t`i përkiste ndonjë trajte tjetër
të padëshiruar...?!
Shkrimtarja e
talentuar Linditë, Evës ia përcaktoi një udhë krejtësisht të papritur, një
“mision” të pa rëndomtë, të pa lëvdueshëm për psikologjinë e traditës konservative të mesit të vet jetësor. Duke e
sprovuar vashën Evë me qëllimin e paravënë, jashtë kornizave etike të mjedisit
përkatës, për “poshtërimin” seksual të
botës së korruptuar mashkullore, mëtohet rrënimi i një morali me kode kaherë të rreme!... Të ngresh një “mision”
shoqëror të kësisoj, më shumë se demaskues e akuzues, të tjerat të duken aventura
me plot mëdyshje?... Por, ideja e këtij “misioni” gjithnjë i përket
sferës artistike...
Shkathtësia e një
shkrimtareje vihet në pah, kur me artin e rrëfimit ngre dilema, hap
paranteza... Si është e mundur të përmbushet qëllimi i “poshtërimit” të botës
së meshkujve, përmes aktesh tunduese të përbashkëta, mbi njëra-tjetrin, pa u
shndërruar femra në një instrument të lavires?! Por, ja: në prozën e
shkrimtares sonë kjo është e mundur! Eva shfaq një forcë të mbinatyrshme të
frenimit të epshit!...Tjetri dështon shënjestrën... Ndjehet si një karikaturë e
cullakuar, e fyer, e shpërfytyruar... Me sy të zgurdulluar... Kush është
frenues i shpërthimit të ndjenjave të saj? Urrejtja mbi maskarenjtë... Këtu flaket
tabuja!... Çka ndodhi? Intuita poetike
ngadhënjeu mbi mëdyshjet dhe klishetë tradicionale. Këtu, në këtë hapësirë
vlerësuese vjen simotra e reflektimit, së paku si titull “Lavirja e denjë për
respekt”, e shkrimtarit dhe filozofit francez
Jean Paul Sartre.
* * *
Trinia e
karakterit të Evës përshkruhet edhe me
diskurs komentues, le ta nënvizojmë: “Njëra që ishte “dashnorja e flaktë”, tjetra “punëtorja e suksesshme e gazetës.”
Dhe, ajo “e vërteta e vetës”[3]
Përzierja e aty-këtushme e diskursit eseistik, publicistik cenon stilin e dëftimit
poetik. Proza artistike rrëfen, por nuk shpjegon. Depërtime të këtilla stilesh i ndjekin edhe shkrimtarët më
me përvojë dhe me talent të sprovuar krijues.
Personazhi i Evës,
me të gjitha mësymjet dhe qëllimet, sprovohet ndërmjet tre karakteresh... Por,
a është e mundur t`i përballte këto karaktere në këso rrethanash? Si t`i
shkrinte karakteret në një karakter të vetëm, jashtë syrit dhe veshit të mesit
shoqëror?! Mëdyshjet e identifikimit Evës do t`ia ngritin e zbresin
temperaturat... Në çdo kënd e trembin hijet përgjuese, provokuese... Mbi Evën
ishin hedhur epitete, si ”zonja e nderuar me një veshje modeste prej një femre
me stil”; “për t`u radhitur kështu në linjën e damave më të bukura të
qytetit...” Mandej, “një tjetër modelim
dhe artikulim i vetës së saj përshtatej me takimet e fshehta dhe
sekrete, mbrëmjeve për “qejfin” e saj, një “vrastare” e burrërisë dhe e
mashkullit, duke e kthyer atë në një femër vulgare, të egër dhe shumë
magjepsëse njëkohësisht.”
Eva e konceptit të
natës dhe Eva e konceptit të ditës, nuk mund ta mbante gjatë një karakter të
mesëm, në një ambient të caktuar, pa u shpaluar njëri nga dy karakteret e
kushtëzuar?...
Në tërë zezonën e
dramës së Evës, fytyra e bardhë e shpëtimtarit do të jetë Ardi, miku i heshtur i
bashkë-profesionit të saj. Kush është Ardi? Ardi është rrethanë e gjallë e
dorës së zgjatur të mirëkuptimit, për kthimin e Evës përgjithnjë në konceptin e
bardhë të ditës me diell.
Skenat e herë pas
hershme seksuale të konceptit të natës në romanin “Eva, njëra nga ato”, japin
shkas për radhitjen e romanit në llojin e prozës pornografike?! Megjithatë, assesi!
Përsiatjes sonë le t`ia përballim kursin
e posaçëm që ndoqi Eva:
“Ajo Evë i përkiste vetëm atyre çasteve. Nuk mbante
mend as edhe një nga ata burrat e mbrëmjeve, për historitë me ta. Ajo arrinte
ta ndante vetën e saj, në ato pjesë që zgjodhi. Në dy femra krejtësisht
larg konceptit të njëra-tjetrës”[4]
* * *
Prozën e gjatë
“Eva, njëra nga ato” e autores Linditë Ramushi-Dushku, e përshkojnë fjali të
rrjedhshme, strukturuar nëpërmjet një stili që bartë peshë emocionale, dendësi
kumtimesh, kontraste semantike-ideore, pleksje estetike ngjyrash, frymëmarrje
dhimbjesh e vizione dritë-dhënëse për të
ardhmen... Përshkrimet e situatave autentike, që ngërthejnë dhimbje, zbërthejnë
e shpalojnë pamje, përfytyrime, rrethana, dilema, tendosje dramatike, përsiatje
për jetën në zgripe, monologu, dialogët, të gjithë gamën e motiveve, rënkimet,
afshet, çastet e kthjelltësisë; stili letrar-poetik i prozatores së re, arriti
t`i bartte e t`i shpinte atje ku ishte projektuar qëllimi. Kjo nuk është pak
për pasionin letrar të Linditës! Kështu Lindita, u sprovua guximshëm dhe, me
intuitën e saj krijuese, ia doli mbanë projektit të dhimbshëm artistik e
tragjik për nënat, gratë dhe motrat
tona.
* * *
Interesante janë
ndërtimet metaforike të ngërthyera me shtresime idesh, reflektimesh
poetike-estetike: “Asnjëherë nuk do të dashurohej. Sepse dashuria ishte një
bishë për të gënjyer femrën, e dalë nga imagjinata e mashkullit, si një armë
për të pushtuar femrën seksualisht”[5]
Dialogu i
kontrasteve ironike-satirike:
“-Ti je trëndafil
i kuq i jetës time!-shkroi ai.
- Unë jam veç
gjembi i trëndafilit të kuq në ëndrrat e tua!”[6]
Trajta e mizorisë:
“Mizorë e të
pistë. Nuk e kuptoja a ishin qenie humane, apo kafshë e bisha të futura në trupa të njerëzve!”[7]
* * *
Romani i Linditë
Ramushit-Dushku “Eva, njëra nga ato” komunikon me dinamikën, ritmet e
frymëmarrjes, të gradacionit dhe
shqetësimeve të hapësirës bashkëkohore...
Epilogu dramatik i
zezonës së Evës përmbyllet me happy end. Kjo nuk lë të kuptohet njëkohësisht,
se i erdhi fundi torturës shpirtërore të femrës së shkallmuar shqiptare!... Por
ja: dikush mendoi të ngrehte një përmendore shpirtërore dhe të përulej para
saj...
Mbarësi për
shkrimtaren tonë Linditë Ramushi-Dushku!
Gjilan, nëntor 2019