| E shtune, 30.11.2019, 11:37 AM |
At Gjergj Fishta, Gjuha Shqipe dhe mësuesia kjo “Zeje e shenjtë”
Kur
në klasa, auditoriume, skena interpretohet gjuha shqipe e Fishtës kam besuar se
Zoti është ulur pranë dhe ka prekur zemrat e vogëlushëve për mos ta harruar
kurrë gjuhën shqipe
Nga
Keze Kozeta Zylo
Sot
ne vazhduesit dhe admiruesit e veprës së Gjergj Fishtës këtu në Diasporë jemi
mbledhur për të nderuar dhe përkujtuar 148-të Vjetorin e Poetit Kombëtar, ish
kandidatit për çmimin nobel, Fishtës.
Në
ka poet që kujtohet më shume në botën e Diasporës shqiptare padyshim ai është
Gjergj Fishta një nga figurat më brilante të Kombit. Natyrisht kjo ka arsyet e veta që unë do t’i
përmend me fakte dhe të ndjera në palcë të shpirtit.
Ikjet
e shqiptarëve si në kohët biblike karvan-karvan që në shekujt e kaluar dhe
revanshi i tyre që s’po di të ndalet bën që prindërit shqiptarë marrin me vehte
brengën më të dhimbshme më gangrenizuese asimilimin e pakuptueshëm tek brezat
që lindin dhe rriten në dhera të huaja. Shkrimtarët dhe poetët e vërtetë
frymëzojnë lexuesit dhe bëhen udhëheqës shpirtërorë në veprimet e tyre. Kjo ka ndodhur me Gjergj Fishtën poetin
kombëtar i cili me poezinë “Gjuha Shqipe” është bërë Diell dhe dritë në shumë
nxënës të shkollave shqipe që janë hapur anë e mbanë botës.
Nga
përvoja ime si bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në të gjitha
lagjet e Nju Jorkut është tejet emocionuese, kur dëgjoj vargjet lapidar dhe aq
të fuqishme të intepretuara nga nxënësit tanë në Ditën e Flamurit, të Mësuesit
apo dhe festave të tjera kombëtare. Janë
dhjetra vidio që japin realisht këto vargje hymn për gjuhën shqipe të poetit
erudit Fishtës, ato janë epike, por dhe plot dashuri të dala nga goja e bijëve
emigrantë dhe ja se si:
“Pra,
mallkue njai bir Shqyptari/ qi këtë gjuhë të Perëndis’/ trashigim, që na la i
pari/ trashigim s’ia len ai fmis/ edhe atij iu thaftë, po, goja/ që përbuzë
këtë gjuhë hyjnore/ qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja/ flet e t’veten e lén
mbas dore.”
Fishta
shpërthen si vullkan nga llava e zjarrtë e shpirtit kur sheh fëmijë dhe
shqiptarë që nuk flasin gjuhën shqipe, por në vend të saj përdorin gjuhë të
tjera kur s’është nevoja… Janë këta
burra të ndritur të Kombit që bëjnë dritë dhe ndezin zjarr shpirtrat e fikur
nga pushtimet e huaja apo qoftë dhe nga pushtimet e vetvehtes, çka kjo e fundit
është dhe më shkatërruesja… Harrimin e
Gjuhës Shqipe ai e quan mëkat dhe këtë mëkat s’ka ujë oqeani që ta lajë… Për rrjedhojë kush nuk përdor gjuhën shqipe
dhe nuk e flet atë merr mallkimin më të rëndë në histori, sepse gjuha shqipe
është pashaporta është ashti i Kombit tonë.
Gjuhën
Shqipe Gjergj Fishta e quan hyjnore, të bukur, të ëmbël, sa të duket sikur dhe
Zoti ka folur shqip… është kjo poezi gati një hymn kombëtar për Gjuhën Shqipe
që vazhdon të frymëzojë sa të ketë shqiptar mbi dhe.
E
konsideroj vehten me fat qe të sjelle pranë jush këtë temë shumë interesante
këtë temë ku Gjergj Fishta e ka lëvruar mjeshtërisht si në Gjuhën Shqipe ashtu
dhe si një mësues soji. Gjuha Shqipe dhe
mësuesia janë një binom i pandashëm për poetin kombëtar. Duke pasur privilegjin të jem mësuese e
Gjuhës Shqipe midis dy kontinenteve doemos që jam frymëzuar pa kushte nga
thesari i çmuar pedagogjik i Gjergj Fishtës.
Ai ka qenë një pedagog dhe ligjërues i jashtëzakonshem i gjuhës shqipe
duke botuar në revistat më prestigjioze të kohës artikuj shkencorë dhe studimor
dhe duke e ngritur shumë lart nivelin arsimor të fashitur në Shqipërinë e
kohës.
Sa
herë jam ndalur para klasës dhe gati duke prekur qiellin kam interpretuar e
magjepsur vargjet për Gjuhën Shqipe, dashurinë e madhe për Kombin, fisin dhe
gjithçka shqiptare. Fjala e tij rrjedh e
gurgullon nëpër dejet e mësuesit si në këto vargje:
“Nëpër
gjuhë shqipe bota mbarë/ Ka me ju njoftë me ç’fis ju keni/ Ka me ju njoftë ju
për shqiptarë/ Trima n’za sikurse jeni”
Gjergj
Fishta e vuri tërësisht edukimin fetar që mori në kolegjet perëndimore në
shërbim të Atdheut te tij. Shpirti i tij
ishte vetëm për gjuhën dhe shkollën shqipe.
Ai luftoi ashpër me të gjithë ata të huaj që kërkonin me ngulm nëpërmjet
hapjes së shkollave nga të gjithë shtetet e botës, si serbe, greke, turke,
italiane etj, ta shkombëtarizonin vendin me qëllim që të mos kishte më gjuhë
shqipe. Ndërkohë ai dënon ashpër dhe e
vesh me vellon e zezë realitetin e kohës, se jo vetëm që popullin donin ta
shkombëtarizonin, por ajo më e helmëta është që t’i bënin gropën vetes me
paratë e tyre duke suportuar shkollat e huaja…
Ndaj dhe Fishta shkruan:
“Por,
shka asht me zi, vetë kombit t’ngratë kto shkolla/ Po i duhet sod me e i
mbajtun m’kambë me t’holla”.
Gjergj
Fishta është intelektual erudit me një kontribut të jashtëzakonshëm për
Kombin. Në Kongresin e Manastirit ai u
zgjodh Kryetar i Kongresit të Manastirit, më 1908, dhe përcaktuan alfabetin e
gjuhës shqipe.
Me
një edukim të lartë fetar dhe duke parë aftësitë dhe kulturën tejet të gjerë
shkolla franceskane e zgjodhi drejtor të saj në Shkodër, i pari shqiptar që u
zgjodh në këtë shkollë.
Megjithëse
për Fishtën siç thotë Vatican News: “Nuk duhet shkruar. At Gjergj Fishta duhet
lexuar! Sepse vetëm duke e lexuar, mund ta njohësh Fratin e veshur me zhgun, të
ngjeshur me konop nëpërmjet e me këmbë të zbathura verë e dimër… Mund të
njohësh humanistin, atdhetarin, burrin e madh, pa varr, por jo pa lavdi.
Poetin, veprat e të cilit u flakën njëmijë herë në baltë nga kundërshtarët, e u
ngritën njëmijë herë në qiell nga dashamirët. E sidomos, Lahutën! E ndaluar, e
pështyrë, e djegur, e fshehur në skutat më të errëta të shtëpive të moçme e në
kujtesat e njerëzve, ajo doli e del përsëri në dritë, për t’i folur shqipërisë
e edhe botës…”
Gjergj
Fishta vazhdon të frymëzojë ndër breza, por veçanërisht poezia për gjuhën
shqipe është një përmendore e shpirtit ndër fëmijët e diasporës. Është
drithëruese kur miliona shqiptarë të shpërndarë si zogjtë e korbit në botë nuk
flasin shqip, por kur në klasa, auditoriume, skena interpretohet gjuha shqipe e
Fishtës kam besuar se Zoti është ulur pranë dhe ka prekur zemrat e vogëlushëve
për mos ta harruar kurrë gjuhën shqipe.
Kjo poezi si gjithë veprat e tij janë par ekscellence, janë siç thotë
Lasgush Poradeci se vepra poetike e Fishtës është e zhvilluar sipas postulatit
fetar e kombëtar, poezia e tij është shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit
shqiptar.
Gjergj
Fishta ky Poet Kombëtar me një shtepi ku jetoi për shumë kohë sot është në meshirë
të fatit, ajo shtëpi të paktën në 30 vitet e post diktaturës duhej të ishte
kthyer në pelegrinazh për gjithë shqiptarët… Megjithatë këto ditë lexova lajm
të mirë nga miku im Paulin Zefi se Bashkia e Lezhës ka marrë miratimin për ta
restauruar shtëpinë e Fishtës dhe ky është një lajm dhe ogur i mirë për
kulturën kombëtare.
E
ndjej vehten me fat që bashkë me bashkëshortin tim dhe mbesen e madhe Dea, kemi
shkuar pranë shtëpisë së Fishtës, në vitin 2018-të kur ishim në Shqipëri.
E
kishja ëndërr të vizitoja shtëpinë e Gjergj Fishtës, shtëpinë e Poetit
Kombëtar, këtë e kishte kuptuar në çdo qelizë të shpirtit tim mbesa ime Megi
Gjoni e cila na shoqëronte për në Lezhë. Ishte tejet e vështirë për ta gjetur
udhën e dritës nëpër terrin e harresës… Asnjë shenjëz nuk gjendej...
Po
ja tha Dea 7 vjece e gëzuar kur pa dhitë, pyesni bariun?
Barinjtë
gjithmonë janë udhërrëfyes te shtigjeve, monopateve mendova… Bariu me shkopin
në dorë dhe dhitë përpara na tha: Më ndiqni mua dhe unë do jua tregoj ku e ka
shtëpinë Gjergj Fishta, por kujdes se është shumë e rrënuar dhe më shumë më
vjen keq pë këtë vajzën e vogël që e keni me vehte!... Bariu shpesh më dukej si
bariu i moçëm Marash Ucin që aq shumë e përmend Fishta në Eposin Kombëtar… Duke
ecur ngadalë nën tymin e rrugës dhe zhurmën e këmbëve të dhive, përpara na u
shfaq shtëpia e gurtë me ngjyrë hiri që kishte dritëz perëndie, fijëza dritash
që rrallë i ndjen gjatë jetës… Në fytyrat tona ra një heshtje përballë portës
me hekur të ndryshkur dhe dru të kalbur, oborrit me lule, hithra, shkurre të
egra, shkurt: shtëpi në mëshirë të fatit… Mbesa më tha frikshëm: Të lutem mos
hyr brenda se mund të ketë gjarpërinj!... Po pyesja unë nga gjarpërinjtë,
nepërkat, shpirti im kishte hyrë i tëri në rezonancë me poemën e famshme: Gjuha
Shqype që aq herë jua recitojmë nxënësve në emigrim…
Ne
ishim bërë trinom i pandarë: Fishta, gjuha shqipe dhe ëngjëjt mbrojtës të
gjuhës shqipe në Diasporë që përfaqësohej këtë radhe nga Dea e lindur dhe
rritur në New York…
Duke
“shkelur nepërkat” me këmbë” një zë i brendshëm i thellë sa deti dhe me jehonë
malesh kumbonte përballë bustit hijerëndë:
Kthejeni
shtëpinë e Gjergj Fishtes në Muze!
Dhe
me lule ndër duar recitoja përballë Tij, po po recitoja fort, fort sa u
bashkuan dhe Zanat e Maleve…
Oh!
ju bjeshkët e Shqyptaris'/ E ku rriten djelm si zana/ Un ju kurr s'kam me u
harrue/ Kahdo t'm'jet gjykue me u endë/ Dersa t'muj me ligjirue/ Ju gjithmon
kam me u permendë! I Dbuemi
Ose:
Dersá t’mundem me ligjrue/ E sá gjáll me frymë un jam/ Kurr Shqypni, s’kam me t’harrue,
Edhe
n’vorr me t’permendë kam.
Ai
është një mësues dhe Poet Kombëtar i pashoq. “Lahuta e Malcisë” është perkthyer
në gjermanisht nga albanologu i shquar Maximilian Lambertzi i cili më 1922
shkruan se: “Fishta është poeti më gjenial që deri më sot ka dhënë
Shqipëria. Ai është epiku më i madh i
shekullit, Homeri Shqiptar dhe Lahuta e Malcisë është Iliada shqiptare”
Gjergj
Fishta ky mësues i Kombit është frymëzues në çdo Shkollë Shqipe në Diasporë, jo
vetëm me poezinë e famshme Gjuha Shqipe, por sic thotë Prof.Pashko Gjeçi eshte
"Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër Gjergji qe i pari që vuri në shkollë
gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat e Kombit tonë në çdo konferencë
ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet poetike i fali shqiptarit
epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për Liri.
...At
Fishta...nuk jetoi në "kështjellen e fildishtë", por u hodh me
entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të
racës shqiptare...
Fishtën,
me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë me parë se Atdheu.
Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut."
Vepra
e tij u studjua hollësisht nga figura brilante në botë, por edhe kombëtare një
prej tyre ishte Prof.Eqrem Çabej të gjithë këta në shpirtin e tyre kishin mbi
të gjithë për fe Atdheun, ndaj Çabeji nga Vjena i shkruan:
“Padre,
të falënderoj për urimet e Vitit të Ri, por të falenderohem njëmijë herë për
veprën që më dërgove Lahuta e Malcis, të cilën, pasi e lexova dhe rilexova mbi
100 herë, jam dashuruar aq shumë me këtë vepër sa po më detyron të bëhem
katolik.”
Me
cfarë force shpirtërore përshkruhet dhe flitet për At Gjergj Fishtën, cfarë
frymëzimi buron nga penat e ndritura të Kombit, ngase dashuria e tij për
Atdheun ishte një me rrahjet e zemrës së tij qe s’pushoi kurrë deri në minutën
e fundit të jetës.
Në
fakt aspak nuk është e lehtë të sjellësh në një simpozium pak orësh Gjergj
Fishtën, sepse vepra e tij do një studim të detajuar në të gjitha fushat ku ai
u dallua si një burrë i ndritur i Kombit, çka të kujton fjalen e Hafiz Ali
Kraja një intelektual erudit mysliman i Shkodrës
i
cili në eulogjinë e tij në varrimin e Gjergj Fishtës tha: “Poet kombëtar, Patër
Gjergj!
“Kur
nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë
shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se
për të cilën duhet të flitet…”
Me
At Gjergj Fishtën gjuha shqipe bëhet elegante, e zjarrtë, far ndriçues,
ndjellëse e zemrave për t’i kthyer ne Atdhe fëmijët e Diasporës, të cilët
ndodhen në çdo cep të globit.
Dhe
shpresoj se një ditë Shqiperia do të bëhet në se në krye të oxhakut vendosim
këta burra të ndritur të Kombit, siç është Padre Gjergj Fishta për të cilin
jemi mbledhur sot si Diasporë.
Nga fjala e mbajtur në simpoziumin
shkencor në 148-të vjetorin e lindjes së poetit kombëtar Gjergj Fishtës në
Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, New York
Autorja
është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe
në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit
Referencat:
Gjergj
Fishta: Wikipedia
Gjergj
Fishta: Enciklopedia shqipe
Gjergj
Fishta: Vatican News
2
Nëntor, 2019
Our
Lady of Shkodra - Albanian Church
Hartsdale,
New York