| E marte, 07.10.2008, 07:44 PM |
PSE NUK DUHET FESTUAR 100-VJETORI I LINDJES SE ENVER HOXHES
Nga Thanas L. Gjika
Intervista e dhënë para disa ditësh në Top Chanel e z-njës Nexhmie Hoxha, kujtimet e z-tit Ramiz Ali botuar në gazeta, si dhe disa njoftime gazetash, etj, tregojnë se në Shqipëri po u mendoka seriozisht për të festuar 100-vjetorin e lindjes së diktatorit Enver Hoxha, njëshit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri.
Gjatë këtyre 17 vjetve të tranzicionit studiues dhe njerëz të përvuajtur si At Zef Pëllumbi, Eugjen Merlika, Agim Musta, Muharrem Dezhgiu, Pjetër Pepa, Uran Butka, Mërgim Korca, Visar Zhiti, Makinsen Bungo, Apostol Duka, Maks Velo, Dalip Greca, Pëllumb Kulla, Lek Pervizi, Gaqo Peci, Petraq Xhaxhka, etj, etj, nxorrën në dritë shumë krime e shpërdorime të partisë shtet dhe të kupolës drejtuese të saj. Për këto krime e shpërdorime ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë E. Hoxha dhe pasuesi i tij R. Alia.
Andej-këtej disa ishkomunistë po kërkojnë një rivlerësim të Enver Hoxhës në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së tij. Mirëpo cdo vlerësim për jetën dhe veprën e tij në këtë përvjetor të lindjes do të shkaktojë turbullira, sepse ende specialistët që studiojnë historinë e Shqipërisë të viteve 1939-1991 nuk kanë bërë studime e vlerësime të plota për këtë periudhë dhe për jetën dhe veprën e Enver Hoxhës. Për mendimin tim 100-vjetorin e lindjes së tij nuk duhet ta festojnë masat popullore dhe as institucionet, por vetëm familjarët e tij,
Po përmend këtu shkurt disa nga arsyet pse nuk duhet festuar 100-vjetori i lindjes së Enver Hoxhës:
- Nuk mund të vlerësohet jeta e vepra e Enver Hoxhës pa denoncuar më parë punën agjenturore te Dushan Mugoshës dhe emisarëve të tjerë jugosllavë në Shqipëri gjatë viteve 1941-48 dhe rekrutimet e KGB-së sovjetike në vitet 1948-60.
- Pa dënuar nënshtrimin e plotë të PKSH-së që nga themelimi i saj ndaj kërkesave të emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave. Si pasojë e këtij nënshtrimi, PKSH-ja shpalli armiq gjithë ata politikanë e atdhetarë që nuk i pëlqenin PKJ-së, eleminoi nga skena përhapësit e parë të ideve komuniste si Zef Malën, Zai Fundon; Sadik Premten, Anastas Lulon, Aristidh Qendron, etj.
- Pa marrë përgjegjësinë për anulimin e rezolutës së Marrëveshjes së Mukjes, e cila ishte arritja më e madhe e luftës antifashiste deri në 2 guasht 1943.
- Pa u sqaruar pse nuk luftoi PKSH-ja për ruajtjen e Shqipërisë etnike të viteve 1941-44 dhe pse nuk luftoi për vetvendosjen e popullit shqiptar të Kosovës.
- Pa sqaruar dëmin që i solli popullit shqiptar kthimi i pushkës partizane kundër nacionalistëve, intelektualëve dhe ballistëve që kishin dalë malit për liri që nga pushtimi fashit deri tek Marrëveshja e Mukjes.
- Pa kërkuar të falur për dënimet me vdekje, shpesh dhe në mungesë, të atdhetarëve të mëdhenj si Mitat Frashëri, Mustafa Merlika, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari, Bahri Omari, Kol Tromara, Akif Përmeti, etj, etj, dhe persekutimin e familjarëve të tyre nëpër kampet e dëbimit e internimit, deri në tre breza.
- Pa sqaruar shumë vrasje prapa shpine të shumë partizanëve, komunistëve dhe njerëzve të thjeshtë që nuk kishin kryer asnjë veprimtari armiqësore, por që kishin dhënë shënja se nuk dëshironin t’i nënshtroheshin verbërisht urdhërave të partisë. Të tillë trima ishin shumë partizanë si Mynir Xhindi, Mustafa Gjinishi, Raqi Qirinxhi, Vllas Arrapi, etj.
- Pa kërkuar të falur për zhdukjen e klerit katolik që përbënte palcën e shqiptarizmit ndër shekuj, për shkatërrimin e institucioneve fetare dhe zhdukjen e klerit patriotik bektashian, synit e orthodoks.
- Pa kërkuar të falur për eleminimin ose dënimin e shumë atdhetarëve me gjyqe fallco ose pa gjyq, si Xhevat Korcën, Kristo Kirkën, Marta Dodën, grupin e deputetëve, qytetarët e Tiranës për bombën që e hodhi vetë sigurimi në garazhin e ambasadës sovjetike, etj.
- Pa kërkuar të falur për zhdukjen nga qarkullimi dhe dënimin e veprës letrare të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ernest Koliqit, Vincens Prendushit, Vangjel Kocës, Nebil Cikës, Gjergj Bubanit, Ismet Totos, etj.
- Pa kërkuar të falur për masakrat masive në Martanesh, Mirditë, në Buzëmadh të Kuksit, Libohovë, Myzeqe, etj, me anën e të cilave besnikët e partisë si Mehmet Shehu me shokë, tmerronin popullin për ta kthyer nga një popull trim në një popull frikaman të nënshtruar.
- Pa kërkuar të falur për dëbimin dhe internimin e gjithë atyre nënave e fëmijëve mbas deklarimit të prindërve a gjyshërve të tyre si armiq e tradhëtarë.
- Pa kërkuar të falur për trajtimin prej njerke që iu bë shqiptarëve që erdhën prej Jugosllavisë tek nëna Shqipëri, jeta e të cilëve u dhunua që të mos i prishej qejfi Beogradit, mjaft prej të cilëve si prof. Selman Riza dhe nipët e Bajram Currit iu dorëzuan UDB-së.
- Pa kërkuar të falur gjithë atyre shqiptarëve chamë që i dëboi qeveria monarkofashiste greke dhe qeveria shqiptare nuk e ngriti zërin për të mbrojtur të drejtat dhe pronat e tyre.
- Pa kërkuar të falur atyre qytetarëve që i merrnin një nga një në Degët e Punëve të Brendëshme dhe duke shfrytëzuar biografitë apo disa fjalë të thëna nëpër muhabete, u bënin presion se do t’i burgosnin për shumë vjet e do t’u persekutonin familjen, po të mos pranonin të bashkëpunonin me sigurimin e shtetit.
- Pa shpjeguar pse diktatori bashkëpunëtorët më të ngushtë si Koci Xoxen, Bedri Spahiun, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, etj mbasi i detyronte të bënin krime monstruoze, i shpallte tradhëtarë e agjentë, ndërsa shumë kuadro të tjerë të rëndësishëm që punuan me devocion në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe kulturës, i eleminoi si armiq pa pasur asnjë shkak.
- Pa i kërkuar të falur popullit shqiptar për fukarallëkun e skajshëm në të cilin e katandisi partia gjatë sundimit 45 vjecar, kur fshatari vinte në qytet për të blerë një pllakë bukë e një kile gjizë, ndërsa në bllokun e udhëheqjes jetohej në luks. Ky fukarallëk na detyroi neve, një të tretën e popullsisë së Shqipërisë, të merrnim rrugët e shpërnguljes mbas kapitullimit të sistemit diktatorial. Kësaj radhe popullin shqiptar e dëboi nga atdheu politika e zgjatur antiekonomike e antikombëtare e PKSH / PPSH-së dhe jo pushtuesit e huajt si në shekujt XIV, XV-të.
- Pa kërkuar të falur për dhunën e ushtruar nga partia e qeveria për 45 vjet për të krijuar njeriun e ri, leifenin shqiptar, i cili duhej të aprovonte cdo vendim të partisë e të xhaxhi Enverit pa menduar me kokën e vet.
Ne shqiptarët këtë tetor nuk duhet të merremi me festimin e 100-vjetiorit të lindjes së ishdiktatorit, por duhet të kthjellojmë mendjet tona dhe t’u kërkojmë një të falur të madhe të përvuajturve tanë duke nxjerrë një ligj të ri elektoral, sipas të cilit të mospranohen në zgjedhjet e reja asnjë ish anëtar i PPSH-së, ish sigurims dhe asnjë bir i ish nomenklaturës komuniste. Me votimin e këtij ligji parlamenti dhe qeveria e sotme do të tregojnë se e duan demokratizimin e Shqipërisë dhe se nuk veprojnë sipas skemave ramiziste të Katovicës shqiptare.
Së pari, këtë të falur ta kërkojë ishkupola komuniste me z-tin Ramiz Alia e z-njën Nexhmie Hoxha në krye për gjithë ato krime e shpërdorime që iu bënë popullit gjatv 45 vjetëve të diktaturës dhe 17 vjetve tv tranzicionit duke ecur sipas planeve të Katovicës ramiziste.
Së dyti, këtë të falur duhet ta kërkojmë edhe gjithë ne krijuesit e punonjësit e asaj kohe që ndikuam në politizimin e skajshëm të popullit dhe u nënështruam duke aprovuar cdo vendim e veprim të partisë shtet. Të sqarohet fakti që artet, letërsia dhe shkencat shqiptare e hymnizuan shumë diktaturën pa pasur ndonjë disident klasik, jo se diktatura shqiptare i meritonte lavdërimet, por se ajo ishte më e egra e gjithë Evropës Lindore, që nuk lejonte asnjë shprehje kundër ideologjisë së saj.
Në rast se nuk na vjen turp nga kjo e kaluar, në rast se nuk largohen nga loja politike ish anëtarët e PPSH-së, sigurimsat dhe bijtë e ish nomenklaturës komuniste, dhe nuk iu hapet sinqerisht rruga për të marrë pjesë në lojën politike ish të përndjekurit të ndërgjegjes dhe të rinjve, atëhere le ta dijmë se qënkemi të pakorrigjueshëm dhe për pasojë do të vijojmë të vuajmë nga nostalgjia e një kohe të mbushur me krime. Shqipëria nuk ka për të ecur përpara, por ka për t’u vërtitur si miza pa kokë si po vërtitet e po humbet kohën këto 17 vjet duke pasur zgjedhje të parregullta, korrupsion, zënie e grindje deputetësh e maskarallëqe të tjera.
Ne shqiptarët duhet ta gjejmë vetë gjuhën e mirëkuptimit dhe rrugën e drejtë për përparimin e vendit, duke u cliruar nga droga partiake dhe ideologjia e mykur komuniste. Miqtë tanë të huaj me SHBA në krye na kanë ndihmuar boll e po na ndihmojnë, por ne tregohemi kokëfortë e nuk i dëgjojmë, ndjekim skemat ramizjane plot tym që na shpunë në moskthimin e pronës tek i zoti, në shkatërrimet e 1997-ës, shpërthimet e Gërdecit, etj dhe jo në Bashkimin Evropian. Miqtë kanë shumë telashe dhe nuk kanë mundësi të vijojnë pa fund ndihmën ndaj nesh.
Populli ynë, populli më i abuzuar i Evropës, duhet të tregohet i zgjuar dhe të ndjekë fjalën e urtë: Kush di të kërkojë të falur është i qytetëruar, kush nuk di të kërkojë të falur është barbar e injorant …
Me respekt, Thanas L. Gjika, USA.