| E shtune, 30.11.2019, 10:26 AM |
Vajtimi i Ajkunës dhe Petrit Rukës për Omerin
Përsiatje mbi “Vajtimi i Ajkunës”
të Petrit Rukës dhe Eposit të Kreshnikëve
Nga Timo
Mërkuri
Unë jam i sigurtë
që nuk gabohem duke e quajtur këtë
krijim “Vajtim i Ajkunës dhe Petrit
Rukës për Omerin” madje ju ftoj edhe
juve që me këtë titull ta lexoni apo ta përmëndni nëpër biseda e komente. Sepse
duke e lexuar nuk je në gjendje ta dallosh ku fillon e ku mbaron vajtimi i
Ajkunës së Eposit të Kreshnikëve e ku
fillon vajtimi i Petrit Rukës. Kjo jo
vetëm për arsyen se të dy vajtimet të përlotin sytë e s’je në gjëndje të gjesh
dallimin e vargjeve të eposit nga krijimi poetik i tepelenasit, por edhe për arsyen
thelbësore se të dy krijimet janë
ligjërime mortore, janë vajtime dhe në të dy këto vajtime janë rruajtur
besnikërisht karakteristikat e vajtimit me ligje të popullit tonë dhe epoka e
ngjarjes.
1)-Vajtimi është për
Omerin, birin e Ajkunës dhe të Mujit. …Muji bashkë me Halilin dhe me Omerin
del në bjeshkë për me u gri me shkjet. Halilin e qet në maje të thatë e Omerin
tu kasha në fush të Krajlnis. Omeri vret popin e n’atë pushkë e rrethojnë
shkjet e i bajn’ nandë plagë…I ligështuem lëshon nji gjamë, të cilën e ndjen
Halili. Halili nget tu Muji, u bin shkjeve e i shpërndajnë. Shkojnë te Omeri, e
venë në gjok, por u vdes në bjeshkë tue i porosit mos ti diftojshin nanës...
Është pikërisht kjo këngë kur Ajkuna i lutet Mujit…Pash at Zot Mujo qi t’ka
dhanë/Mos Omerin shpijet me ma tretë/Se shtatë Omera t’mirë si i pata /
Shtat Omera jam kah kjaj e ngrata/E spo dij as vorret ku po i kan…
1.1)-Është pikërisht
ky moment që ne meditojmë në lidhje me emrin “Omer” dhe konkludojmë se ky nuk
është emër personi por është cilësim që nëna i bën birit së saj…I miri (i
nënës). Kjo na përforcohet edhe nga tradita shqiptare që në një familje,
vërtet trashëgohet emri i të vdekurit, por ky trashëgim nuk lejohet të bëhet më
shumë se dy herë kur vdekjet janë në moshë të re dhe të dhunëshme (nga armët).
Pra, pas vrasjes së Omerit të parë mund t’i vihej emri Omer djalit të dytë, por
pas vrasjes edhe të Omerit të dytë, kursesi nuk do ti vihej ky emër djalit të
tretë. Të tetë djemtë e Ajkunës nuk mund
ta kishin emrin Omer por ndërkohë të tetë ata ishin “të mirët e nënës” që u vranë në Lugjet e Verdha. Ndaj dhe
Ajkuna kur vajton të birin, e quan me cilësimin “O (i) miri i nënës-o) që
rastësisht përqaset me emrin Omer. Kjo tezë përforcohet edhe nga fakti se emri
i plotë i djalit të Ajkunës në Eposin e
Kreshnikëve është Sokol Omeri. Pra djali
e ka një emër Sokol dhe cilësorin Omer “I miri”.
1.2)-Në këtë situatë
mortore tronditja vjen para ngjarjes ashtu si klithma e shpirtit para fjalës.
Ajkuna i lutet Mujit të mos e marë të birin në
bjeshkë nga droja se do ti vritet i biri, djali para vdekjes i lutet
babës që mos ti tregojë nënës se ai ka vdekur, nga droja se nëna nuk do ta
durojë dot dhëmbjen e vdekjes së tij...Nji fjal nanës mos me i çue/Se m’ka
dash e nis me vajtue / Se m’ka dash e nis me mjerue…Të dy palët mendojnë
për palën tjetër. Janë të shumtë rastet, kur të pranishmit në vdekjen e të
rinjve shqiptarë nëpër në luftëra kanë dëshmuar se meraku e brenga e djemve para vdekjes, nuk ka qënë plaga që
kishin ata në trup, por plaga që i hapte nënës në shpirt vdekja e tyre. Këtu
fillon realisht drama e “Vajtimi i Ajkunës” dhe Petrit Rukës, te dhimbja e
nënës.
1.3)-Nënat tona
janë bërë vajtore nga jeta plot morte,
ndonëse nëpër morte asnjëherë nuk kanë
vajtuar vetëm, por kanë qënë në mes të grupit të vajtoreve.. Në Lugjet e
Verdha Ajkunën e shoqëruan në vajtim
yjet e qiellit …Qyqe vetëm rrugën ma paska marrë,/ kan nxan vend hyjt vajin
për me ndie,… Kan lan kangën zogjt e malit,/kan lan kangën me vështrue!
…Ndërkohë Petrit Ruka e vendos nënën vajtore te … Ahut treqind vjeç, ku ulet
,/../Zë vjeshtoset, lëshon fletët/Me flori ia mbulon djalit/ Varrin dhe gjysmën
e malit./Ndalen zogjtë në fluturim,/Ndalen bishat në shtegtim,/ Ndalen ujëvarat
mbi hone,/Bëhen për retë ballkone
,/Ndalen yjet, rrisin togun, /Shtyjnë me b'rryla shoku-shokun , /Të zënë
vend e të dëgjojnë/Një mijë qiej se si lotojnë…Që është e bukur kjo
panoramë, kjo s’do diskutim, por unë ju
them se këtu Petrit Ruka saktësisht ka paraqitur situatën mortore, në prag të nisjes së vajit nga nëna e të
ndjerit ose nga
ndonjë vajtore e
mirënjohur.
1.4)-Duke i pare të
dy ambientet mortore, “Vajtimin e Ajkunës” të Eposit të Kreshnikëve
“Vajtimin e Ajkunës”
, Variant për baladë të Petrit Rukës
kështu pranë e pranë, më thoni ju lutem: a kam të drejtë kur e quaj këtë
krijim “Vajtim i Ajkunës dhe Petrit Rukës” së bashku. Sepse,
po qe se nuk e dini jua them unë që Petrit Ruka
është nga krahina ku vajtimi bëhet me ligje. Kur Ajkunat e Labërisë mblidhen në mort e zënë vajin, ndalet era nëpër
shtigje, ndalet kënga e zogjve nëpër fletë, ndalet uji në përrua, ndalet hëna e
ndalet ylli. Unë ju them që heshtin edhe perënditë e Dodonës e dëgjojnë vajin.
Ndoshta këto perëndi prandaj lejonin të vriteshin në luftë bijtë e popullit tim
qysh fëmijë, si Omeri shtatë vjeçar, me qëllim që të dëgjonin vajtimin e nënave tona. Kaqë shumë i ka magjepsur ky
vajtim sa që kur panë se po rralloheshin
djemtë nga shpata, u menduan e u menduan dhe me qëllim që të mos e humbnin
magjinë e vajtimit, e shndruan atë në këngë iso-polifonike që ta dëgjonin çdo
ditë. E kini vënë re kur këndohet kënga labe se si tunden gjethet e pemëve.
Janë perënditë që vijnë e dëgjojnë, fshehur nëpër degë e fletë.
Se kur zënë e
vajtojnë nënat labe e bregdetase atëherë edhe deti ndalet se s’ka kush t’ja
dëgjojë buçimën dhe malet afrohen në grupin mortor për të vajtuar me
suferinat-ligje.….Qaj moj Çikë me Gjinikë /Se drëri juaj ka ikë/Që i shtij
hasmitë frikë/Dhe nuk i qasej e ligë… i lë populli radhën e vajtimit malit
të Çikës dhe të Gjinikës, të vajtojnë për kapedan Sokrat Lekën nga Qeparoi.
2)-Ti do të thuash se Petrit Ruka është burrë
katërqint derhem dhe jo grua që të zërë vajin e të shkulë flokët prandaj e paskam gabim këtë muhabet. Jo more
mik, jo, nuk e kam gabim. Është mot a mo si ta them unë. Vajtimin nëpër mortet
shqiptare e kanë bërë burra e gra. Po po, edhe burrat vajtonin me bot e me ligje. Lekë Dukagjini në
mes të Lezhës vajtoi vdekjen e Skënderbeut me sokëllimë e ulërimë, duke shkulur
flokët, duke çjerë faqen e duke rrahur gjoksin me grushte, pa turp e pa droje.
Ai i pari dhe gjithë ushtria pas tij bënin thjeshtë zakonin e hershëm mortor të
popullit shqiptar. Akoma dhe sot në Pilur burrat shkojnë te shtëpia e mortit me
vaj në buzë ndërsa në zonat e malsisë së veriut bëhet edhe sot “Gjama e burrave”. Ka ndonjë nga ju
që beson se Petrit Ruka nuk ka vajtuar (në heshtje) kur i ka shkruar vargjet e
këtij vajtimi, se unë për vete, vetëm me të lexuar i bëra qull mëngët e
këmishës duke fshirë sytë. Ejani ti lexojmë bashkë vargjet…Kur ka dalë tek
lugjet nana,/Sytë ka ngritur, ku është hana,/Qofsh mallkuar gjer në thua/ Që
s'ma çove një lajm mua,/ Siç e bën gruaja me grua. /T'u shkimtë drita, të
mbloftë hiri/Një pikë ujë mos paç tek gjiri,/ Mos paç frymë në qiell e tokë,/Të
plastë syri për një zog/Mos të mbiftë një fije bar,/Rënç shtatzënë e pjellç një
varr… Nuk është Çajupi që vajton dhjetë vjet pas vdekjes së gruas me vajin
e famshëm…Doje dritë o qiell more dritën time/ dhe ma mbushe jetën plot me
hidhërime…Është Petrit Ruka që në linjën e
kohës se herëshme vajton e qan me gjëmë e bot në Lugjet e Verdha, duke
mallëkuar qiell e hënë. Aty bashkë me të është dhe Ajkuna që vajton (gati) me
të njëjtat fjalë…- T'u shkimtë drita ty,o mori hanë -/qi s'ma çove at natë
nji fjalë,/n'lugje t'Verdha shpejt me dalë,/bashkë me hi n'nji vorr me
djalë!/Ndoshta vorri t'dyve s'na kish xanë,/ndoshta djali ngat nuk m'kishte
lanë,/nji vorr t'ri - por kishte ë për bri ./ Ahit t'malit rixha i kishte
ba,/gurit t'malit rixha i kishte ba,/për mue gropën me ma lanë -/ se aq i vend
ma kishte lanë./ Mallkue kjosh,o mori hanë,/qysh me e lanë nanën t'pa djalë!...
Është nëna ajo që ka
të drejtën e zotit ti drejtohet hënës
dhe diellit me mallëkime, aq më tepër
që është një nënë e një populli parahënorë si populli ynë. Se populli
ynë bisedonte me hënën e me yjet siç
bisedojmë ne sot me komshiun përtejë parvazit të dritares, duke mënjanuar lulet
e mbjella nëpër saksi..
2.1)-Por pas
mallëkimit të hënës dhe yjeve (komshijve të saj), Ajkuna u shtrua mbi varr
të djalit të saj të mirë, u mbështet te
ahu që kishte vendosur mbi të dhe ja nisi vajit me fjalë zemre … Po a s'din de kush ka ardhë,/qi nuk çohesh për me u
falë,/more i miri i nanës - ooo! / Amanet,o more bir,/Del nji herë ksi burgut
t'errët,/fol me nanën qi t'ka rritë,/s'm'ke lan kurr kaq shum me pritë! /… - A
thue gjogun me ta prue,/del ndo' i herë për me lodrue,/bjen dër gurra me u
freskue, / kërkon majet bashk me zana,/se ty vorrin ta rue nana,/more i miri i
nanës - ooo!
As tërmeti njëqint ballë nuk godet malet
a detin më fortë se këto vargje zemrën e burrit. T’i dëgjosh të vajtuara këto
vargje shpëton vetëm po të të blerë të
fikët. Po të kishin veshë ti dëgjo-nin e zemër t’i ndjenin guri e druri, do
çaheshin e do bëheshin thërime e ashkëla. Se zanat dhe Orët e Malit nuk e
duruan dot ligjërimin e Ajkunës, ndaj ja kthyen mbrapsht fjalët e ja ndalën
zemrën së rrahuri, sat a çonin përkrahu te shtëpia e saj në Jutbinë… Orët e bjeshkës ma s'und p'e ndiejnë, / fjalën n'gojë po
ja kthejnë dalë, / zemrën s'rrahni ja kanë ndalë,…
2.2)-Sipas zakonit mortor shqiptar,
pasi mbaron ligjërimin një vajtore, bëhet një pushim i shkurtër disa
minutësh sa për tu qetësuar situata dhe
më pas ja nis ligjërimit mortor vajtorja tjetër. Këtë herë ligjërimin e nisi
Petrit Ruka me zë të plotë burri të vrarë në shpirt, duke vajtuar … Ka ardh nana, çohu, o djalë/Si nuk ngrihesh për me u
falë,/Dil prej burgut që s'ka derë /Mbu-shi balluket me erë,/Dil ndër shpate të
flladitesh,/Kapërce ylber të rritesh,/T'u pish gjirin, shko gjej zana/Se ty
varrin ta ruan nana./Dil i bukuri plot hire,/T'u bësh dritë trojeve ilire./Në
ke ftohtë ku ke rënë/Ja ku është e zeza nënë,/Po vë ballin përmbi varr/Ta ngroh
baltën, ta bëj zjarr. /Të ta ngroh trupin që dridhet Gjakun që në zemër
mblidhet,/Ngrihu se nëna këtej s'ngrihet/ Gjersa malet t'i hanë hijet... Tani që e dëgjuat vajtimin pa më dëftoni kush qe ai që tha se Petrit Ruka nuk di të
vajtojë me ligje? Ju them unë e mbajeni mënd, njëqint vjet të rroni të tillë
vajtim s’do dëgjoni dot. Se nuk vajtonte
vetëm Petrit Ruka more mik. Bashkë me të vajtonin dhe malet e Labërisë dhe të
Jutbinës bashkë, lisat në pllaja dhe era
në luginë, gurët e malit dhe lulet e fushës. Edhe unë që shkruaj këto radhë dhe
ti i dashur lexues sypërlotur vajtojmë bashkë me Petrit Rukën e Ajkunën. Mos
kini turp të vajtoni. Ky vajtim tregon
sa të bukur e të mirë jemi. Këto lotë janë si uji që ftoh çelikun kur rrihet në
kudhër për t’u farkëtuar shpatë. Nuk dua t’i analizoj varg për varg se s’do na mjaftojë
koha, por dua tju them se unë, ndërsa i vija veshin vajtimit të Ajkunës dhe
Petrit Rukës, përtejë ylberit të lotëve pashë se:
2.3)-Vajtimi gati i
njëjtë i Ajkunës së herëshme, vajtim me gjëmë e me ligje, gati i njëjtë me
vajtimin e sotëm të nënave tona dhe shndrimi i këtyre vajtimeve në këngë,
tregon një linjë vazhdimësie të popullit tonë në këto troje, nga hershmëria e
matriarkatit në ditët tona. Pra ne kemi lindur në këto troje para se të ndrinte
hëna përmbi to. Kemi lindur këtu dhe këtu jemi. Këtu kemi djepet, këtu kemi të
rrënët, këtu kemi dhe këngët.
2.4)- Vajtimi gati i
njëjtë i Ajkunës së herëshme, vajtim me gjëmë e me ligje, gati i njëjtë me
vajtimin e sotëm të (Petrit Rukës) nënave tona dhe shndrimi i këtyre vajtimeve
në këngë tregon edhe unitetin, njësimin, e etnitetit tonë gegë e toskë, jugorë
e veriorë qysh në hershmërinë e jetës njerëzore.
2.5)- Vajtimi i
Petrit Rukës me vargje të regullta në një motiv verior, aq më tepër të hershëm
dhe suksesi i këtij realizimi artistik është një dëshmi e gjakut të njëjtë që
vlon nëpër zemra e rrjedh në damarë të të tërë ne gegë e toskë, shqiptarë...
3)- Këngët e Eposit
të Kreshnikëve sigurisht që nuk kanë lindur si vepra artistike për “konkurse”.
Ato kanë lindur si mesazhe që populli ynë qysh në hershmëri u përcillte
pasardhësve të tij si dhe popujve të tjerë. Në se me baladën e
Konstandinit përcolli mesazhin e “besës”
së shqiptarit, natyrshëm lind pyetja se çfarë mesazhi përcillte me “Vajtimin e Ajkunës”.
Trysnia e dhimbjes
mbi ndjenjat e nënës ka krijuar këtë
mrekulli që quhet ligjërim, vajtim,
i cili ashtu si
diamanti shkëlqen nga çdo anë dhe është i fortë të sfidojë shekujt dhe ta presë kohën në mes, si të ishte një
copë xham. Në qoftë se do shohim ceremonitë
mortore të popujve të ndryshëm, sipas Lukianit mësojmë se trupin e të vdekurit…greku
e djeg, persiani e kall në dhe, indiani e mbulon me një tis të tejdukshëm,
skiti e ha dhe egjyptiani e than… Vetëm nënat shqiptare e shënjtërojnë
trupin e të vdekurit duke e mbuluar me vaje e ligjërime, prej të cilave mbijnë
këngët e vallet që e përjetësojnë emrin dhe veprën e të vdekurit më shumë se çdo arkitekturë
varrezash. Kjo ndoshta është dhe arsyeja
që shqiptari e prêt qetësisht vdekjen në luftë, si të ishte një udhëtim i
zakonshëm. Pra populli shqiptar vajton çdo fëmijë me vaje, me ligjërime që kanë
formën e vjershave më të arira artistikisht apo të hymneve me të cilat
përcilleshin mbretërit e faraonët.
3.1)-Mbi këto fakte
konkludojmë se mesazhi që përcillet me
këngën “Vajtimi i Ajkunës” i Eposit të Kreshnikëve është njoftimi që… populli
shqiptar i përcjell bijtë e tij me ligje, me vajtime, sepse çdo bir i tij është
i barazvlefshëm me një mbret a faraon dhe çdo bijë e tij me një mbretëreshë.
3.2)- Madje edhe
vetë emri i Ajkunës rrezëllin e ndrin si një liqen lotësh. Kjo edhe për faktin
se ky emër etimologjikisht hipotezojmë se është një emër që buron nga vajtimi
me domethënien e një gruaje që qan. Në epokën e lindjes së këngës njerëzit nuk përdornin emra e mbiemra me
origjinë fisnore por thireshin me emrin
e gjesteve, veprimeve e cilësimeve të tjera që i kishin bërë të dallueshëm etj.
Kështu, duke qënë se Ajkuna u bë e njohur me vajtimin e saj, atëherë u
thirr si gruaja që kan, qan, vajton.
Koha e ndryshoi zanoren “a” me një “u” te folja “kan” dhe na erdhi në kohën
tonë në formën e emrit femëror Ajkunë.
3.3)- Në qoftë se duam të krahasojmë hershmërinë e këtij
mesazhi, le të shohim te Plutarku legjendën e Panit të Madh, vdekja e të cilit
njoftohet në Butrint nga disa detarë dhe pas kësaj nimfat e liqenit nisën
vajtimin të gjitha bashkë. Te kjo legjendë
përcillet mesazhi se Kaonët, banorët e kësaj zone vajtonin në grup, kolektivisht. Duke qënë se
“Vajtimi i Ajkunës” përcjell mesazhin e thjeshtë se të vdekurit e popullit
vajtohen me ligje ndërsa legjënda e Panit të Madh e plotëson këtë mesazh duke
saktësuar se vajtimi bëhet në grup, kolektivisht, atëherë konkludojmë se
“Vajtimi i Ajkunës “ është më i hershëm
se legjenda e Panit të Madh që përmënd Plutarku.
4)- Petrit Ruka
është vërtet një magjistar vargu në ringjalljen e baladave të herëshme të
kombit tonë sa që e ka kthyer këtë në
një “mission” të vetin.. Petrit Ruka i do baladat gjer në dhimbje, i ndjen ato
në çdo qelizë të tyre duke i prekur me
shpirtin e tij si me gishta, i bën pjesë e qënies së tij, i rrit brenda
vetes dhe na i risjell si lehona fëmijën.
4.1)- Baladat janë
si diamantet që krijohen nga trysnia e tokës mbi disa lëndë organike. Baladat i
krijon trysnia e epokës mbi popullin, nevoja e rezistencës dhe e përcjelljes së
mesa-zheve pasardhësve.. Petrit Ruka rizgjon baladat në një mënyrë të
tillë, që ato duken si të “gjalla”, sikur porsa janë krijuar. Për këtë mision “ringjalljeje”
talenti i tij poetik dhe frymëzimi nga gjetja nuk janë të mjaftueshme. Është
pikërisht dashuria e tij për ato, që si leva e Arkimendit i jep mundësinë dhe
forcën ti lëvizë baladat nga epokat e
herëshme për ti sjellë plot dritë te ne. Talenti i tij i pastron nga pluhuri i
shekujve plot dashuri e dhimshuri, me përkujdesjen që të mos u lëndojë plagët
që u ka lënë koha.
Shumkush ka pyetur
veten se pse ky mjeshtër magjistar nuk kishte ringjallur deri më sot edhe “Vajtimin e Ajkunës”. Varianti për baladë që
na paraqiti tani na tregoi edhe arsyen e vonesës. Pesha e madhe e dramës që
bart dhe ecja e vetë “Vajtimit të Ajkunës” drejt ditëve tona është një arsye jo
e pakët. Vajtimi i Ajkunës nuk është një baladë e ngurtësuar në kohë, nuk është
një monument i gurtë diku në bjeshkë, ku ne mund të shkojmë ta vizitojmë.
Vajtimi i Ajkunës është e gjallë dhe e pranishme mes nesh në shumë morte në
familjet shqiptare…
5)-Por ne le të
shohim pak vargjet e eposit… Ahit t'malit rixha i kishte ba,/gurit t'malit
rixha i kishte ba…apo vargjet e mëtejëshme …. Ka lshue hana rrezet n'pyllë,/kan shkrepë hyjzit nëpër
qiellë/,pvesin djalin - a e ke pa?/Rrahit t'zi ndër kambë i kishe re:/- Ka
qillue bjeshka e gjanë,/ gjith ku t'dueni vend me xanë./- Nuk po m'len nji ah
m'e pa…apo… Orët e bjeshkës ma s'und p'e ndiejnë, dhe shumë të tjera për të nxjerë konkluzionin për
epokën e ngjarjes. Është koha kur flitej me gurë e drurë duke i trajtuar si
qënie të gjalla, si frymorë. Në qoftë se do shohim edhe momentin e vrasjes së
Omerit, ku në bjeshkë shkuan të luftojnë vetëm tre vetë Muji, Halili dhe Omeri
shtatëvjeçar në një luftë për kullota,
pa një organizim civil apo ushtarak, gjë që
dëshmon mungesën e
strukturave të një organizimi shtetëror,
qoftë kjo edhe në fazën fillestare.
5.1)-Përgjithësisht
Eposi i Kreshnikëve cilëson periudhën e matriarkatit , por mqse te kjo këngë,
në momentin e ballafaqimit të Mujit me Ajkunën, kemi vargjet…Mujo djalin
ç’ma ka gjetë/ N’Lugje t’Verdha a thue ka mbetë/…Atëherë trimi ka qit e i ka
thanë/Me e vajtue kur t’shkosh për dru / Zhurm n’konak nuk due me ba/Se shkjet
djalin ta kanë vra/N’Lugje t’Verdha n’daç me e pa/Aty djalin në dhe ta kena
shti…gjë që shpreh një pozitë urdhëruese në familje të Mujit, ballafaquar
kjo me faktin e rolit parësor të figurës së Ajkunës në këngë, konkludojmë se
cilësohet epoka e ndërmjetme e matriarkatit duke i lënë vendin patriarkatit.
Pra vajtimi i Ajku-nës, ashtu si gjithë Eposi i Kreshnikëve cilëson një
periudhë parahomerike me një organizim shoqëror të nivelit të familjes, pa
asnjë strukturë të organizimit shtetëror.
5.2)-Futja në
tekstin e Eposit të Kreshnikëve e
shkjeve si kundërshtarë, duke nënkuptuar me këtë emër sllavët, është një
shtesë që i përshtatet kohës së
invazionit sllav në shekullin e VII për
të aktualizuar Eposin. Kështu shpjegohen
emrat sllavë të disa personazheve të Eposit apo të objektit “kishë” ku vritet
Omeri….Por në shekullin e VII të invazionit sllav shqiptarët kishin përparuar
në organizimin shoqëror dhe kjo dëshmohet
nga fakti se pikërisht në kufijtë shqiptarë u ndal ky invazion. Që të ndalej
një invazion i tillë duhej që ndaluesit të ishin tepër të organi-zuar
ushtarakisht, gjë që nënkupton egzistencën e formacioneve luftarake të
drejtuara nga ushta-rakë të zotë dhe të mbështetur nga një prapavijë e fortë.
Shqiptarët para ardhjes së sllavëve kishin kaluar një epokë të ndritur jete
europiane me mbretëritë ilire, me
formacione ushtarake dhe me luftëra fitimtare me Romën etj. Pra gjasat që Eposi
i Kreshnikëve të ketë lindur në
periudhën e dyndjes sllave nuk egziston. Kjo dëshmohet me faktin se bota e
Këngëve të Eposit të Kreshnikë-ve është bota pagane dhe jo mesjeta, kur
ndodhi invazioni sllav. Dyndja sllave e
“ndoti” “ve-shjen” e Eposit me emra sllavë e sllavizma të tjera, por nuk e
ndryshoi dot as shpirtin dhe as
karakterin shqiptar të tij. Këtë botë
shqiptare pasqyron besnikërisht edhe Petrit Ruka kur shkru-an … Rënka diell e dielli s'nxeh,/Muji ka
shti djalin ndër dhé/Dhe i duket se flet varri:/ Bab' kam ftohtë, më shtypi
mali,/Ku është porta që të dali?/…për të vazhduar më pas me një psikologji
vetëm shqiptare…Muji me zotat s'bën dot gjyqe/I vë zemrës dyzet kyçe,/Është
dredh malit për tek sh'pia,/Mbrapa hija, para zija,/Anash era-lemeria,/Dhe
Ajkuna mbi të tria.../Dhe Ajkuna borë tek pragu,/Kthyer qyqe që së largu...oi,
oi, oooiiii…
Nuk mund të shkruaj më shumë, ndaj po logat në vaj
vargjet e vajtimit të PetritRukës …Ohooo, oiiii.. Aty ku Ajkuna qau,/Lotëria
gurin çau,/U bë lumë e rrjedh akoma/Valbëroi aty Valbona / Atij moti e ditëve
tona… oiii. Dhe në këtë logatje
natyrshëm ngrihet tonaliteti i zërit si për
t’ju themi “shkjeve” se në trojet tona, mallëkimi i nënave
djemvrarë vret e djeg më shumë se rrufeja e zotit… O he heeeej,…Andej
nga derdhi mallkimin/ Bjeshkët thanë gjelbërimin,/Bjeshkët e Namuna, u thonë,/
Ku s'rron dot një milingonë./Aty është e qan akoma/ Plot me vaje viset tona...
…oi, oi, oiiiii!
Sarandë, më 20-28
Nëntor 2019