| E merkure, 27.11.2019, 10:48 PM |
SOLIDARITET PËRBALLË KËSAJ FATKEQËSIE NATYRORE
Nga
Frank Shkreli
Tërmeti
që goditi rëndë Shqipërinë, me pasoja viktimash dhe dëme të mëdha materiale,
është pa dyshim, një fatkeqësi natyrore ekstreme. Fatkeqësi të tilla
shkaktojnë, në minimum, ndërprerje të jetës normale,e në ekstremitet humbje
jete, tronditje fizike dhe shpirtërore, për të mos thenë edhe tmer në radhët e
njerëzve të prekur nga tragjedi si tërmeti që goditi Shqipërinë dje në mengjes
heret.
Por,
raste siç është tërmeti që goditi kryesisht Durrësin dhe Tiranën, por edhe zona
të tjera në Ballkan në një nivel më të ultë, janë momente kur njerëzit e prekur
nga tërmeti e sidomos ata që, fatbardhësisht, mund ti kenë shpëtuar rreziqet
prej tij – duhet, që para të gjithëve, të bashkohen në solidaritet për të
ndihmuar njëri tjetrin.
Sipas
ekspertëve, nuk dihen dhe është vështirë të shpjegohen emocionet që njerzit
mund të ndjejnë pas një fatkeqësie siç është tërmeti i fundit në Shqipëri. Por emocione të tilla, që sipas tyre, i bëjnë
njerëzit ta ndjejnë veten pjesëtarë më të ngushtë dhe me lidhje më të forta me
njëri tjetrin dhe me komunitetin në të cilin jetojnë, përball një fatkeqësie të
tillë natyrore, duke i bërë më solidarë dhe më të gatëshëm që të ndihmojnë të
afërmit e tyre.
Pikërisht si në këtë foto botuar të martën në portalin e gazetës Telegraf të Tiranës, ku, sipas gazetës, aktivistë dhe vullnetarë janë mbledhur në ambjentet e Teatrit Kombëtar për të shpërndarë ndihma ushqimore dhe veshëmbathje për familjet e prekura nga tërmeti. Simboli i rezistencës tashmë është kthyer në një simbol solidariteti për të gjithë të prekurit, raporton Telegraf. Ata i ftojnë të gjithë qytetarët të cilët kanë mundësi të vijnë vullnetarisht dhe të ofrojnë ndihma në mënyra të ndryshme, shkruan gazeta në faqen e saj të internetit. Kjo është fryma e vërtetë e solidaritetit, ndjenja se së bashku do e tejkalojmë edhe këtë sfidë, se së bashku do të ja arrijmë!
Akte
të tilla si kjo para Teatrit Kombëtar në Tiranë, në përgjigje të një fatkeqësie
natyrore siç është tërmeti -- tregon, në të vërtetë, një vizion tjetër të
organizimit shoqëror, se si duhet organizuar dhe si duhet të veprojë shoqëria
në rrethana të tilla, për t’i shkuar në ndihmë atyre në nevojë, e të prekur nga
tërmeti. Kur njerëz të thjeshtë, pra,
bëhen bashkë për të ndihmuar dhe shpëtuar njëri tjetrin dhe për të rindërtuar
komunitetet dhe shtëpitë e tyre, me ose pa ndihmën e strukturave
shtetërore. Është një ndjenjë sa
njerëzore aq edhe e thjesht se fatin e kemi të përbashkët, se jemi përgjegjës
për mirëqenjen e njëri tjetrit, sidomos në përballimin e tragjedive natyrore si
kjo e pasojave të tërmetit të rëndë që goditi Tiranën dhe në Durrësin.
Në të vërtetë, fatkeqësi të tilla natyrore shpesh na ofrojnë mundësinë të “çlirohemi” nga “fatkeqësitë” e përditshme, por ndoshta më pak të dukshme të jetës moderne: siç janë zhvillimet politike grindavece që mbizotërojnë jetën e njerëzve dhe pasojat e tyre shpesh shkatërruese për shoqërinë, individualizmi i tepëruar, banalitete të llojlojshme që kanë prekur negativisht shoqërinë në përgjithësi, si dhe mungesa që të ndihemi pjesë e përbashkët e një shoqërie, komuniteti ose madje edhe shteti.
Foto:
Gazeta Telegraf
Mjafton
të shikosh pamjet pas tërmetit si kjo më lartë për të realizuar efektet e
tmershme që ka lenë pas tërmeti prej 6,3 ballësh në shkallën Richter, për tu
bindur se çfarë pasojash shkatërrimtare ka pasurlënë pas ky tërmet në jetën e
njerëzve dhe dhimbjet që ndjejnë familjet e viktimave të këtij tërmeti.
Edhe
këtu në Shtetet e Bashkuara po i ndjekim pasojat e tërmetit me dhimbje të
thellë dhe me lutje për një rimkëmbje sa më të shpejt të plagosurve rëndë nga
tërmeti, me ngushëllime të thella për familjet e viktimave të kësaj fatkeqësie
natyrore. Individë dhe organizata të
komunitetit shqiptaro-amerikan si Federata Pan-Shqiptare Vatra, politikani
shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj dhe të tjerë, kanë njoftuar tanimë solidaritetin
e tyre me viktimat e tërmetit në Shqipëri, duke shpallur përpjekjet e tyre, në
ditët e ardhëme, për mbledhje fondesh, për të ndihmuar sado pak të prekurit nga
kjo tragjedi. Anëtari i Këshillit të
Bashkisë së Nju Jorkut Mark Gjonaj, bëri një deklaratë për Zërin e Amerikës, ku
shprehu dhimbjen për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Zoti Gjonaj i bëri thirrje komunitit
shqiptaro-amerikan që të ndihmojnë banorët e zonave të Shqipërisë që u goditën nga
tërmeti. Ndërsa VATRA fton Komunitetin
që me 30 Nëntor, Ditën e Shtunë, në Orën 12.00, të mblidhemi në Vatër për
çeljen e Fushatës.
Në
shumë raste nepër botë kur ndodhin fatkeqësi natyrore si kjo, ndërhyrjet më të
para vijnë nga individë dhe grupe njerëzish -- banorë vendas, për të ndihmuar
njëri tjetrin, persona si këta që kanë mbledhur ndihmat më të nevojshme tani
për tani, para Teatrit Kombëtar në Tiranë. Bashkpunimi dhe solidariteti, jashtë
përkatësive politike, në këtë nivel, në raste të tilla, është tepër i nevojshëm
për tu përballur me sfidat e para dhe të menjëhershme të pasojave të tërmetit,
qofshin ato materiale ose shpirtërore, dhe për zgjidhjen kolektive të
problemeve të përbashkëta, si rrejdhim i fatkeqësisë.
Uroj
që bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri, të prekur rëndë nga ky tërmet
shkatërrimtar, të mos u mungojnë solidariteti dhe mbështetja urgjente, së pari
nga individët më të afërm, nga shteti që ka përgjegjësi morale dhe politike për
mbrojtjen dhe mirëqenjen e tyre, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar, nga i cili
shumë vende, fatbardhësisht, duket se kanë ofruar tanimë ndihmesën e tyre për
zhdukjen sa më të shpejt të pasojave të rënda të tërmetit në Shqipëri.