Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Libër i dhembjes dhe i krenarisë

| E hene, 25.11.2019, 09:59 PM |


LIBËR I DHEMBJES DHE I KRENARISË

(Hanëmshahe Ilazi & Nusret Pllana, Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999” ,  Botoi: Radio-KOSOVA E LIRË, Prishtinë 2019

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Që në fillim dua të them se për fëmijët është shkruar, shkruhet dhe do të shkruhet vazhdimisht. Për ta u shkruan libra, e u xhiruan filma, të cilët temë trajtimi patën jetën dhe ngjarjet, të cilat përcjellin fëmijërinë e lumtur o të munguar të tyre. Por, vërtetë , kjo vepër “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999”, e autorëve të devotshëm :Hanëmshahe Ilazit dhe Nusret Pllanës, nuk ka të bëjë me asnjërën prej këtyre. Në këtë libër, thjeshtë shpalohet krejt diçka tjetër, nga ajo që jemi mësuar të lexojmë e të shohim në botën e qytetëruar.

Libri “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999”, është shkruar me një përkushtim të rrallë dhe me një kujdes të veçantë nga autorët Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana. Këta dy autor, edhe pse me vokacion nuk janë historianë-shkencëtarë, por nuk janë as psikologë, por me punën e bërë, kanë depërtuar thellë e më thellë në ndjeshmërinë e përmasës së tragjedisë të dhembjes sonë. Mos të harrojmë se mbi të gjitha, Hanëmshahe Ilazi është nënë, e Nusreti Pllana, baba i mrekullueshëm , andaj si çdo nënë tjetër, dhe, si sejcili baba, e kanë ndjerë dhe e kanë përjetuar rëndë dhembjen e çdo nëne e prindi, që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Vepra “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999”, është një libër i llahtarisë dhe i kërdisë. Një libër që të shtang posa ta lexosh titullin e që të nxit të futesh në brendinë e rreshtave, e të fletëve, me faktografi të shumta e të pamohueshme, me dëshmi të bollshme e fotografi fëmijësh, që u vranë, e u masakruan anekënd Kosovës mbi 1432 fëmijë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Për dikë, ndoshta është e pabesueshme, por faktet flasin, për vërtetësinë e ngjarjeve makabre, që u zhvilluan në truallin e përgjakur të Kosovës martire që nga viti 1981 e deri më 1999, kohë që e përkufizojnë autorët.

Besoj se askush nuk e ka harruar se në Kosovë patëm një luftë jo të zakontë dhe, me një okupues edhe më të pazakontë, do të thosha barbar. E si do të quheshin ndryshe ata që vrasin fëmijë – veç kriminelë.

A vriten fëmijët, bre?!, do të pyeste poeti. Po në këtë libër është përgjigja që të shtang. Është dëshmia rrëqethëse e faktografuar, të cilën autorët Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana, i kanë grumbulluar dhe i kanë sistemuar, duke na ofruar vetëm një pjesë të majës së ajsbergut të tragjedisë që ka ndodhur në Kosovë.

Kush i vret fëmijët, vallë?!, do të pyeste çdo njeri që, vërtet është njeri. E përgjigja nuk është larg! Nuk është e panjohur! Nuk është e pa ditur, nuk është enigmatike. Duhet lexuar librin e autorëve, Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana, dhe aty do të gjeni shumë të dhëna, shumë dëshmi dhe shumë, e shumë mallkime nga nënat dhe nga vet historia. Libri është tmerri vetë, por që në të njëjtën kohë të bën të ndihesh i revoltuar, i rebeluar, i mobilizuar, i rezistuar para së keqes, dhe të mësohemi që më- kurrë, kurr më, mos të harrojmë të kaluarën, për të mos u përsëritur, jo vetëm tek ne, por askund në botë.

Kush i vrau fëmijët, kush?! Do të pyeste çdo ndërgjegje njeriu dhe nuk është habi. O Zot, ata–vrasësit, na detyruan e na mësuan që ta urrenim edhe njeriun. I thonë njeri–vrasësit, apo jo?!

Të ndalemi për një çast dhe të mendojmë, se të gjithë ne jemi nënat, baballarët, motrat e vëllezërit e tyre. Jemi prindër që nuk i kemi më ato jetë të brishta. Nuk i kemi më puthjet dhe buzëqeshjet e tyre. Nuk na kthehen nga shkolla! Nuk na thërrasin për asgjë! Nuk na kërkojnë asgjë, por kujtimi për ta...hëmë, nëpër vite e dekada ka me na përcjellë dhembje migrenoze nga ecejaket e lodhura në trotuaret e historisë, që kërkojmë vetëm pak për ta, një vëmendje sublime nga gjenerata e gjenerata që do të vijnë.

Tematika e kësaj monografie është trajtuar me një seriozitet të madh publicistiko- shkencor. Secila pjesë ndërlidhet reciprokisht mes vete dhe plotësojnë kuptimin e njëra-tjetrës. Statistikat që prezantohen këtu janë të sakta, ku paraqiten me emra e mbiemra, me vendlindje e komuna, me vendndodhje të masakrave, andaj libri është monument shkrimi argumentues dhe bindës. Në fillim është dhënë përmbajtja e librit, pastaj dy fjalë lexuesit, më tutje, fjala e redaktorit e recensuesve. Pastaj pason hyrja dhe shumë pjesë të tjera. Në fund jepet përfundimi i librit, i cili njëherësh është i përkthyer edhe në gjuhën angleze.

Libri ka foto e faksimile, që është pjesa më rrëqethëse e tij, ku janë materializuar me fakte ngjarjet që trajtohen në këtë monografi.

Autorët e librit “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999”, Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana, me punën e tyre të pandalur, na dhuruan këtë libër – lapidar për fëmijët e vrarë në Kosovë, që nga viti 1981 deri në vitin 1999, i përgëzoi për kurajën që kanë pasur, ngase në momente kur e lexoja librin, ndjehesha pjesë e tyre, kam qenë në pozitën e tyre dhe e di se çka kanë ndjerë, se sa vështirë e kanë pas të ju ’rezistojnë’ ballafaqimeve me familjarët e fëmijëve martirë, për t’ua kërkuar atyre qoftë edhe një fotoportret të fëmiut të tyre të vrarë, apo të zhdukur, këtu e njëzetë vite më parë.

Autorët kanë bërë punë të madhe – kombëtare dhe humane, ngase pjesën ma të pastër e më të mire, të qenies sonë, e kanë nxjerrë nga harresa. U kanë vënë emra e mbiemra. U kanë dhënë vendin e merituar në piedestalin e monumentit kombëtar të të rënëve për liri dhe pavarësi.

Libri, “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999”, le të jetë edhe një homazh kombëtar e njerëzor për jetën e atyre fëmijëve, që u shuan në mënyrë të pafajshme nga dora barbare. Le të jetë nje dëshmi e paharruar e një kujtese të dhembshme, jo për hakmarrje, por që krimet mos të përsëriten kurrë më në trojet shqiptare e askund në botë.

Dhe krejt në fund i përgëzoi të dy autorët për punën e madhe që kanë bërë

(Fjala nga promovimi i librit “Hanëmshahe Ilazi Nusret Pllana, Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999” , Prishtinë, 19 nëntor 2019)