| E marte, 07.10.2008, 04:00 PM |
Ftesë për debat
Gazetat, gazetarët, politika dhe realiteti
Nga Albert Zholi
Albert Zholi
Pesonalitete mbi gazetarinë
Uinston Çerçili pohonte se “gazetaria është thirrje e jashtëzakonshme që duhet sa më parë t’i largohesh”. Megjithatë, ishte lexues i pasionuar i gazetave. Gëte thoshte se shpesh herë gazetarët nuk e dinë se çfarë thonë, ndërkaq ndonjëherë nuk mund ta thonë atë që e dinë. Një shkrimtar tjetër pohonte se gazetat duhej që të shtypeshin kur ndodhte ngjarja e madhe për njerëzimin, e cila, sipas tij, ndodhte njëherë në njëqind vjet. Megjithatë, ka shumë shkrimtarë të njohur që i kanë shkruar veprat e tyre teksa punonin si gazetarë, të cilët kanë folur me respekt për gazetarinë. Të tillë janë gazetarët dhe shkrimtarët: Ernest Heminguej, Dino Buxati apo Gabriel Garsia Markez...
Themeli i së vërtetës
Kur flasim për shtresa të varfra, shtresa problematike gjithnjë e më shumë i afrohemi themelit të së vërtetës. Shtresa të tilla të braktisura nga fati janë ato njerëz që në mënyrë urgjente shfaqin problematikën e një vendi. Sepse politikat sociale, mbrojtja që ushtrohet ndaj tyre dhe përkujdesja janë faktorët bazë që tregojnë cilësinë e një shoqërie dhe të menaxhimit të një shteti apo qeverie. Ajo që mund të quhet ura lidhëse ose një lloj ishulli magjik, ku njerëzit e kësaj shtrese dëshirojnë të gjejnë limanin e tyre të së vërtetës është një shtyp i lirë dhe i pavarur që të ndihmojë gjetjen e kësaj të vërtete dhe ta vërtetojë atë në bazat e krijimit të saj. Shtypi ka gjithnjë rolin e një gjykate, një gjykate të ashpër ku duhet të sundojë e drejta njerëzore dhe barazia. Duke qenë se gazetarët janë pararojë e shtresës intelektuale dhe pa dyshim një pjesë e madhe e tyre quhen
akoma ëndërrimtarë pa dyshim që është detyra e tyre të krijojnë këtë urë lidhëse.
Realiteti
Po si është realiteti i medias shqiptare? Një zallamahi e vërtetë e operatorëve të lajmit. Gazetarë që kalojnë nga një televizion tek tjetri, nga një gazetë tek tjetra, nga një bindje politike tek tjetra. Analistë që gdhijnë tek një kanal televiziv dhe ngrysen tek një tjetër. Pa patur pikën e qëndrueshmërisë luhatjet e tyre për mendimet dhe problemet e politikës të krijojnë ndjenjën e përvjeljes. Figura të njohura të analizës politike, që prej kohësh godisnin padrejtësinë dhe ishin bërë shembujt e mendimit potencial bëhen papritur e pakujtuar benjaminë të politikbërësve dhe politikave në fuqi. Menjëherë sa vijnë në pushtet ndërrohet pllaka, dhe dikur “armiqtë e shigjetuar” kthehen në idhuj, veprimet e tyre vishen me hiperfuqi dhe skandalet e politikës lehtësohen, thjesht për faktin se media ka interesa të caktuara politike të varura nga ndikimet e pushtetit. Mënyra se si e dredh politika mediatike shqiptare tashmë nuk është më një kuic i vështirë. Të gjithë e kuptojnë moralin e opinioneve, tryezave dhe takimeve të politikanëve dhe të analistëve shqiptarë. Në tryezat e opinioneve në televizionet kombëtare ose gjoja të pavarura, shihet se numri i analistëve është krejtësisht i kufizuar, si të thuash drejtuesi kavardiset me miqtë e tij të idealit, pra me të gjithë ata që e kanë dredhur bishtin “and company” sa herë ka ardhur në fuqi njëra apo tjetra parti. Janë kjo kastë “dredhaxhinjsh” që emigrojnë nga një potencë mediatike në tjetrën duke u shpërblyer me shuma marramendëse, duke u paguar sa 20 shqiptarë të zakonshëm për të propaganduar dhe servirur sillën e pushtetit në fuqi. Ato përbëjnë pjesën më të dukshme të operatorëve të mendimit shqiptar, sepse të gjithë e dinë tashmë që media është një mjet për ti bërë presion politikës, por që në fakt nga shqiptarët kuptohet si konformitet interesash të pista. (Pra duke e shpjeguar troç themi se një pjesë e analistëve paguhen për të bërë një politikë të caktuar).
Parimet
Që të gjithë ata që kanë preferuar mes profesioneve të tjera gazetarinë duhet ta dinë që ky profesion ka parimet e saj. Të gjithë ato që kanë zgjedhur këtë profesion kanë bërë një betim, që është kodi kryesor i gazetarisë dhe që të gjithë e njohin, është e vërteta. Suksesi i gazetarisë dhe i gazetarit që e përcjell apo punon me lajmin është të zbulojë lajmin dhe ta përcjellë atë në kohë reale, duke ruajtur kodin e etikës, duke qenë sa më korrekt me shkueshmërinë e lajmit, pa mbajtur njëanshmëri dhe pa i dhënë ngjyrimet e dallimit apo konceptit. Përcjellja e lajmit duhet ti përshtatet sa më shumë ndodhisë së vërtetë dhe mbi të gjitha sa më shumë ti shërbejë kombit. E pra ky është qëllimi i gazetarisë.
box
Shembulli
Media është një shembull për të tjerët, qëllimi i saj është propagandimi i kulturës, i etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, i mendimit të papërlyer me interesin. Gazetaria, si çdo fushë tjetër ka përkryerjen e saj tek e vërteta e përjetshme. Ndërkohë që realiteti është kryekëput ndryshe. Shqiptarëve i emetohen qëndrime prej gallofësh që derdhin llullat në direkte televizive, sharje dhe fyerje publike ndaj simboleve të kombit, piedestalim të njerëzve të paaftë të veshur me pushtet. Analistët kanë formuar ciklet e tyre të mbyllura, ku nuk ka mendim tëë freskët, analizat kanë nisur të myken brenda standarteve të njohura pa njohur reformime. . Analistët që njohin njëri tjetrin shfaqen në të gjitha fushat, në të gjitha televizionet duke dhënë mendime për të gjitha problemet, që nga lakrat tek decentralizimi, që nga përrallat me mbret tek alergjia e stinës së
vjeshtës duke e shfaqur veten të kudondodhur dhe të shumëditur, sikur të jenë specialistë për gjithçka.
Habia
Disa ditë më parë një përfaqësuese e një shoqërie private, me profesione ekonomiste e shumëinformuar më kërkoi informacion për median duke u habitur shumë me faktin që media është një biznes nën kosto (gazetat që shiten me 20 lekë) që pak herë e nxjerr vlerën e vetes. Habia e saj ishte hipertetonike sepse si të gjithë njerëzit jashtë historisë mediatike, që besojnë tek televizioni, tek vlerat dhe fuqia e magjisë së shtatë, pa dyshim nuk i njohin trillet dhe gjirizet gazetareske të mediave dhe gazetarëve të veçantë.
Por a ndodh gjithnjë kështu?
Disa herë në përballjet televizive mes politikanëve, analistëve dhe njerëzve të thjeshtë që diskutojnë për problemet e tyre janë njerëzit e thjeshtë ato që dalin liderët e vërtetë të analizës, politikës dhe gjendjes aktuale. Edhe pse janë viktimat e politikave dhe analizave të tradhëtuara, që në fakt duhet të shërbejnë për ta vënë para përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit politikën janë ato njerëzit më të mençur që meritojnë respekt për gjykimin dhe analizën më profesionale të realitetit.
VO:
Çdo të martë gazeta “Telegraf” pret mendimet e gazetarëve, publicistëve, intelektualëve mbi rolin e gazetarisë në shoqërinë e sotme shqiptare. Cili është roli i gazetarisë ?
A është gazetaria shqiptare në rolin dhe misionin që i ka vënë vetes ? A është gazetaria sot një shembull për të tjerët dhe a po e realizon ajo qëllimin për propagandimin e kulturës, etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, mendimit të papërlyer me interesin ?
Ju mirëpresim në:
gazetatelegraf@yahoo.com
Albert Zholi
a_zholi@yahoo.com
Ju ftojmë në këtë debat