| E enjte, 14.11.2019, 08:30 PM |
Studim
ARTI I PËRGJITHËSIMEVE
ONTOLOGJIKE
Shefik Shkodra “AUREOLË
E PËRHITUR” ; SHB Sogjetime, Gjilan, 2019
Nga
Mehmetali Rexhepi
Tashmë
në dorë e kemi librin. Le t`i shfletojmë ngadalë e me kujdes njëqind e
tridhjetë e një faqe të librit “AUREOLË E PËRHITUR”; pastaj nëpër shtatë
ciklet: Parafjalë, Mashtrime, Kujtime e mallëngjime, Herezia për veprën,
Margjinale, Kallëzore dhe Trajtat eliptike, të eksplorojmë e t`i vjelim gjithë
ato fryte të mbjella, që në pranverën e hershme të rinisë, të pjekura hapësirës
së Erëverës, për t`ua parë e ndier ngjyrat e shijet e vjeshtës të
poetit, studiuesit e publicistit Shefik Shkodra.
*
* *
Shtatë
cikle të lartshënuar të librit “Aureolë e përhitur”, e lidhin në një tërësi
arkitekturën poetike të këtij libri. Në pesëmbëdhjetë poezi i shohim datat e
publikimit nga dyzet e shtatë sosh, që nga viti 1987, deri në qershor të
2018-s, mbi tridhjetë vjet! Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se poeti ishte
i lidhur përjetësisht me artin e të shkruarit. Shkrimi artistik është vokacion
i paepur i poetit Shefik Shkodra, përkundër trysnive materiale e joshjeve
tjera, të buta e të forta, “diferencimeve” dhe
tmerreve që ia përplasnin strukturat politike të kohës. Poezia ishte e
mbeti vatra dhe pema e përhershme e këtij poeti. Ai vijoi ta ujiste këtë pemë
degë-shumë edhe kur e godiste thatësira,
edhe kur nuk i jepej mundësia për vjelje...
Shefik
Shkodra si dashnor i pasionuar dhe
besnik e kultivoi poezinë, ndërsa këtu jemi brenda vëllimit tij të tretë.
Dihet,
këto pohime rrethanore për qenësoren e poezisë janë kushtëzime relative; nuk
prekin thelbin, in medias res të
poezisë. Hapësira aq e gjatë e ardhjes, e bymimit të kësaj poezie brenda
kopertinave të këtij vëllimi, lë shkas për përsiatje të ndryshme. Në këtë
hapësirë kishte hyrë lufta e zhbërjes dhe mbijetesa e etnisë së autorit.
Kategoritë e tragjikes, heroikes dhe të së shëmtuarës e përshkuan burimin e
gjallë të rrjedhës së poezisë. Duke lexuar, madje rilexuar vëllimin “Aureolë e
përhitur”, që nga poezia “Autoqefale” tek ajo përmbyllëse “Madrigal”, në këtë
libër poezish, si veçanti e tërësi, askund nuk hasim gjendje dorëzimi, as
kapitullim para ndeshtrashave çnjerëzore. Nuk hasen qasje anakronike, ndonëse
zhgënjimi është i pashmangshëm. Zhgënjimet e një pas njëshme të aureolave
shkëlqyese, herë-herë ia kishin përhitur dhe nxirë bardhësinë e vizionit për
ardhmëri... E bardha, e kuqja, e gjelbra, e verdha të pleksura me të
përhiturën, shkrimtarit ia terratisën,
por nuk ia frenuan cakun drejt idealeve estetike, etike dhe etnike.
Që
në nismën e mësymjes së shkrimit si një identitet shpirtëror, mëdyshjet e
animit nuk ia humbën baraspeshën e përcaktimit për përmbushjen e synimit
jetësor, shfaqur përmes vetës së dytë:
“Ti
këndon kur vetë dëshiron, kur thua bën
s`ka
rëndësi kush të sheh a të dëgjon...!”
Ky
është kursi vetëmohues i poetit jashtë
çdo diktati...
*
* *
Gjithnjë
pas leximit e rileximit, në këtë vëllim poetik, të shtohet kureshtja të hysh në
hapësirën e gjerë të tekstit e nëntekstit me përbërës të shumtë figurativ e
ideor. Në këtë tekst të vargëzuar të del përpara galeria ose moria e figurave
artistike, me të cilat lidhet vazhdimësia e realitetit të djeshëm, me të
dukshmet e ngazëllimit dhe të fshehtat e hidhërimit, me përjetime të përziera të poetit në të sotmen dhe, hedhjen
e shikimeve për të nesërmen. Doemos figurat, sistemi figurativ nuk do të
prodhonte reflekse poetike pa ndërveprime kushtëzimesh e përfytyrimesh
emocionale-ideore, sprovash e pjekurish jetësore, kulturës së akumuluar për
shkrimin e qëmtuar...
Për
dallim nga proza e gjatë, ku rreth skeletit të epikës lidhen të gjitha fijet e
rrëfimit të romanit, kapitujt janë hallka të ndërlidhjes e të pushimit, poezia
del nga subjekti poetik si avull dhe
kthehet në pika shiu, në fije meditimi, si frymë valësh deti, si melodi
gjethi, si shpresë e pengut...
Në
vëllimin “Aureolë e përhitur” emërtimet e cikleve nuk janë vendosur kuturu, ato
shfaqin emëruesin e përbashkët të ciklit, dëftojnë kahen, por veçse në mënyrë
finoke, nga njësia në njësi të pritura tematike, me mëvetësi të përcaktuara
motivesh e motivimi, për t`iu bashkëngjitur njësive vijuese, që shpijnë në
rrumbullakimin tematik, emocional, ideor, estetik, stilistik, etik e filozofik.
Të gjitha këto kategori, gjithë botën shpirtërore e të mendimit e mbështjell
sfondi i një çfarësie poetike e titulluar “Aureolë e përhitur”.
Vërejmë
se kah do që të shikosh gamën e gjerë të vargjeve,
përbërjen e tyre të shtruar, fijet e fjalëzave të qëmtuara e tëhollojnë dhe
dendësojnë anën figurative të
fjalës. Paraqitje të tilla të një sintakse poetike i përshkojnë poezitë më
cilësore të këtij libri. Tërësinë e trajtave të thënies emocionale, idetë
etike, estetike dhe filozofike, i mbanë të lidhura brenda koherencës së
gravitetit të vet koncepti poetik i trajtës së pashquar: Aureolë. Mirëpo, pse
kjo Aureolë nuk shkëlqen?! Aureola nuk shkëlqen ngase fantazmat e djeshme dhe
të sotme ia kanë Përhitur shkëlqimin! Ideali estetik dhe etik i poetit, i
shtruar kësisoj, doemos i jep shtytje anës tjetër: synimit jetësor, prirjes
krijuese që Aureolës së Përhitur t`ia kthejë kuptimin mbiemëror: Aureolë e
Bardhë!
*
* *
Poezitë
e vëllimit “Aureolë e përhitur” nuk janë shfrime çasti, pohimin e dëshmon
largësia e datave në fund të poezive. Shtytja e çastit është shkreptimë,
përflakje e joneve pozitive e negative, bubullimë e shpirtit të tendosur, që
godet furishëm edhe aty ku nuk duhej goditur...
Të shumtën retë poetike të poetit dendësohen dhe zbrazin shi të prajshëm pa
eufori, aq sa e duan dheu, flora, fauna, kopshtari, lavërtari dhe i
mallëngjyeri...
Poeti
Shefik Shkodra kaherë e ka kultivuar shkrimin e fjalës së bukur, mirëpo,
përherë mes censurës dhe vetë-censurës... Kjo e dyta i parashtronte kërkesa dhe
kritere të rrepta, madje, ndonjëherë ishte më frenuese se sa e para! Dëshmi për
këtë rrethanë art-(j)etike është peshorja e tij për matje sasie dhe të cilësisë
së shkrimit... Poeti ynë ka botuar gjithsej tri vëllime poetike... Poezinë,
ndër më të hershmen, të titulluar “Fjala”, ia kishte botuar revista e vetme
letrare shqipe e asaj periudhe “Jeta e re”, më 1966. Kjo revistë shënonte
periudhën e mëkëmbjes të letërsisë
ndërmjet shqiptarëve. Prej atij “zgjimi” shpirtëror nuk kishte pushuar së
shkruari, duke publikuar herë pas herë
poezi në të përkohshmet tona kulturore, letrare-artistike.
Vonë
tepër vonë poeti Shefik Shkodra doli me librin e tij të parë poetik “Shtjella”,
përmes SHB “Era”, Prishtinë, 2000. Autorit nuk iu përmbush pasioni i rinisë për
publikim libri... Shkaqet janë kryesisht objektive: nuk hapeshin lehtë dyert e
Parnasit, edhe për një individualitet të tillë letrar, si Shefik Shkodra?! Mes
censurës shtetërore kolonialiste dhe zilisë klanore të politikës botuese, ai
vëllimin e parë e publikoi atëherë, kur anarkia e botimeve pa kriter dhe
krejtësisht për interesin e lekut, vërshoi çdo mjedis, secilën skutë; aq sa
vlerat mirëfilli të arrira u
bashkërenduan me diletantizëm dhe,
diktuan psikologjinë e standardit mediokër!
*
* *
Si
do të dukej formula përcaktuese e bukurisë te togfjalëshi paraprijës “Aureolë e
përhitur”? Në tërë poezinë e poetit Shefik Shkodra, vendin meritor e zë bukuria
ose e bukura, jo vetëm si tipar me forma e vija të elegancës së përsosur... Po
të shikohet me kujdes fondi i shkrim-thurjes, vjen pyetja tjetër: pse poeti
para këtij libri nuk nxori disa vëllime tjerë me poezi? Njëri nga poetët tanë
bashkëkohorë (Agim Vinca), kontekstin shoqëror të superstrukturës artistike, e
kishte përkufizuar si “Kohë e keqe për lirikën.” Megjithatë, qoftë e keqe,
qoftë e mirë poetët e shënojnë kohën me ndjeshmërinë dhe vizionet e veta. Po
ashtu, edhe Shefik Shkodra e shënoi kohën...
Si
i sheh ky poet: natyrën, hapësirën e ecejakeve, gjësendet, dukuritë, esencën e pamjeve,
plotësinë dhe mangësitë, dhuntinë e njeriut, rrjedhat dhe nyjat e fatit,
kategoritë estetike, qëndresën, dinjitetin, ligësinë, makutërinë, stoicizmin e
karakterit njerëzor?... Doemos kësaj vepre po t`ia kërkonim vetëm një anames
emocional pa përbërës të tjerë, madje tej-figurativë, do ta rrudhnim deri në
lëndim. Leximi sipërfaqësor ose lexuesi pa një kulturë themelore teorike, mund
të hyjë e të dalë kësaj hapësire poetike dhe të rrëshqas lehtë, edhe aty ku nuk
shkelë mbi akuj.
Ai
lexues që kërkon shtresime e reflektime idesh të hapura, të stilit eseistik e
publicistik, këtu nuk do t`i gjejë, ndonëse nuk përjashtohen pleksje të
aty-këtushme eseistike në minimumin e masës. Sidoqoftë, hedhja e shikimeve
shkarazi mbi këtë ndërtim artistik, nuk të lë mundësi ta cilësosh si tipologji e mbylljes hermetike.
Të trokasësh në një derë të mbyllur, por pa e hapur nuk mund të paragjykosh se
çfarë ka brenda. Përderisa nuk të është çelur ajo derë, të sillet vërdallë
moria e përsiatjeve: vallë çfarë ka brenda çelësit të asaj brave që hapet nga
brendësia? Pra, për të hyrë në atë brendësi do të duhej çelësi përkatës. Çfarë
do të jetë kureshtja jote? E aty për atyshme ose paksa më e thelluar, varet
prej shtytjes e forcës së motivimit? Andaj, pohimi i pamotivuar: zmadhues e
rrënues nuk çon peshë në peshoren e vlerave.
Përkundrazi,
kërkon të thërrasësh tek një derë e
hapur, për të cilën nuk të duhet çelësi: i sheh gjërat, sendet, orenditë
si janë të renditura... Pyet veten: është a nuk është renditja e gjësendeve
sipas arkitekturës funksionale të hapësirës?... A mund të bëhej ndryshe? Askush
nuk të përgjigjet, vazhdon monologun me vetveten... Kështu, bie në gracka të
buta të veprës dhe, nëse ti ke rënë në
ato gracka, atëbotë të paska joshur shkathtësia e saj, magjia e
leximit!...
Duke
iu qasur në mënyrë paksa më të përqendruar poezisë së tipologjisë “hermetike”
në këtë libër, duhet t`i nënvizojmë ngërthesat e vargjeve. Çfarë rebusi ideje
fshihet te poezia “Nuk të harrova?” Për zbërthimin e idesë e të reflekseve, mos
të lypim ndonjë çelës “hermetik” jashtë sferës së kësaj poezie! Kuptimin poetik
e dendëson kujtesa, pamja e kujtesës e cila i lidh periudhat e jetës... Në
qoftë se aludimi sjell përfytyrimin e vashës, afshin rinor, njëkohësisht
harresa hap një përfytyrim tjetër, kalueshmërinë e moshës, nga freskia e
djeshme në zbehjen dhe zverdhjen e nesërme... Përfytyrimi i parë lëvizë rrathë
të shumtë koncentrikë parafytyrimesh:
“për
një ditë dy a deri nesër në mëngjes
aty
do të ishte zbehë si ftua ngjyrë-verdhë”
I
tërë vargu i dytë i cituar merr shtrirje metaforike, zgjeron rrathët e
asociacioneve të idesë... E njëjta ide evoluon në trajta vargjesh kur autori i
rikthehet objektit të abstraguar në harresë. Në atë gjendje harrese, “shpirti
ndihej-shportë e zbrazur.” Sërish hazëronte bredhërija e poetit, që konceptit
t`ia gjente emëruesin e përbashkët, të cilin ia kishte mbuluar “muzgu”
figurativ-imagjinar. Ky gjakim vështirë i kapshëm e vë në sprovë pasionin
jetësor të poetit, aq sa mëtonte të tërhiqej, t`i shmangej atij përcaktimi e
pasioni, qarta-qejf i gjumit e t`i kthehej vogëlsisë tij të rëndomtë...
Krejt
atë përkushtim për idealin estetik, për kultivimin e të bukurës, aty ku nuk
kishte premisa për të bukurën, kishte diçka mitike në shpirt, që nuk e lejonte
dorëzimin e shkrim-kërkimtarit te dëshpërimi:
“Pa
dyshim kurrë s`do të largoja as në
gjumë!”
Në
të gjitha poezitë nën kopertinat e librit “Aureolë e përhitur”, pikësynim
parësor poeti ka të bukurën. Ai të bukurën e sheh jo si e shohin të tjerët...
Ku është bukuria nën vellon e së
“përhiturës?” E bukura është kategori e zgjeruar, ngërthehet edhe në të
rëndomtën e një shkëlqimi:
“ai
lumi atje nën urë me vashën e kaltër; “pylli i dendur...”, shpresa si një dritë
e përhershme, të cilën nuk e fikë goditja e dëshpërimit... Në kërkimet për
rrugët e jetës, poetit i shfaqej Liqeni i Zanave me korin e cirkave përreth, por i duhej:
“që
t`i fusje në pe varg fëmijëri e rini sa më shpejt”, sepse:
“ndërgjegjja
të ha rrugës mbete sa një rruazë e hiç”
Përmes
vargjesh si këto i ndiejmë ofshamat e poetit për t`i bartur përgjegjësitë, të
cilat i kishte ngarkuar jeta, por ia ngarkonte dhe vargu, prej të cilit
herë-herë e shmangu Kosova, një modifikim i trishtueshëm i Arbërisë! Poeti
shtegtonte Arb-Dheut, i shtrënguar prej gjithfarë izmash, që të ruante të
pastër ndërgjegjen mes të bukurës e të madhërishmes... E para: e kishte shtyrë
ta kërkonte kudo atë thesar shpirtëror; ndërsa e dyta: për të përmbushur
detyrime njerëzore, i lypte kursin e paepur të stoicizmit e të nderit! Rrugës
së gjatë që të dyja ia gëlltisnin energjitë:
“grishje
për fatin i zhgënjyer në nënkresën
gjumore”
Pamjet
e projektuara të bukurisë në unin e tij poetik, poetit Shefik Shkodra të
shumtën ua turbullonte“ e përhitura...”
Shtrohet pyetja: a mund të duket bukuria e pikturave të jetës e mbuluar nga e
hirta? Bukuria te ky poet nuk është shkëlqim a prarim kalimtar. Pleqëria edhe
ajo ka bukurinë e vet, kur vishet me teshat e reja të mençurisë dhe zë logun
ballor në kuvendin e burrave... Nëse shkëlqimi verbues i bukurisë ngërthen
mashtrimin, ajo për poetin nuk ka shije estetike, ndaj përjashtohet nga
plotësia e kategorisë.
Forca
shprehëse e një poezie shpërthen, kur me anë të antitezës të së shëmtuarës,
arrin të zgjojë tek lexuesi përfytyrimin e kundërt, alternativen e anës tej
mesit, së cilës i ka zënë vendin e shëmtuara. Qysh do të shfaqej ajo, ana
tjetër e të keqes, e cila është ngulitur e shtresuar në shpirtin dhe gjymtyrët
e shkalluara të etnisë? Fantazmat shfaqen sa herë e merr vetën dhe ngre kokë e
zbukurohet etnia! Madje, në periudha të caktuara e bukura kishte humbur
kuptimin?! Pse?! Pse nuk mund t`i afroheshe kundërmimit të luleve, përderisa
konaku kishte mbetur i mbyllur:
“Kopilët
zinin hije-natyra e zezë shfaq fantazmat
Konaku
mbetej pa hyrje-dalje te kopshti me lule!”
*
* *
Zjarri
i kujtesës nuk ishte fikur, por në shpirtin e poetit bartej me të tëra gacat e
historisë gojore; kishte djegur
shpirtra, përvëluar zemra nënash e nusesh: në Jemen, Pleme të Vogël e në
Çana Kala... Për historinë gojore të gjëmës së pashkruar, poeti i përqaset
ngjyrave romantike të ndjenjës, në
strofën e parë të poezisë “Histori gojore”:
“Këndo
zog me gaz e me vaj në heshtje
thuaje
qartë atë që s`e dëgjojnë miqtë,
pos
teje e meje, na heq pak mall e zjarr
dhe
lutjen e shpëtimit e bën për të gjithë”
Figura
e zogut të njerizuar dhe subjekti poetik, ndërsjellash përçojnë tërë atë
dhimbje, dialogun e munguar të injorimit kombëtar, për shpëtimin e qenies
shqiptare nga asgjësimi në luftëra të huaja të luftëtarëve, të cilëve as varri,
as emri nuk u dihej! E kapur si përjetim mes
subjektit frymor e zogut këngëtar, si shpalim i heshtur, lënda e
brumosur nuk kishte si të rrinte statike për vetë brumin, që fryhej e fryhej
derisa të piqej në spikamën e gjëmës. Gjëmën e brumit të derdhur e të djegur në
largësi, tragjiken e saj e spikati apostrofa.
Sipas
historisë gojore të tragjedisë sonë, Shefik Shkodra vazhdoi, me sprova
ontologjike, të ngre përkufizime përshkallëzimesh dramatike për tatëpjetat e
dramës kombëtare.
Le
t`ia marrim poezisë “Histori gojore” vetëm tetë vargje, të karakterizimit
përmbyllës, nga gjithsej pesëdhjetë e tre sish: e ndjejmë thellë se si jehona
tragjike merr përmasa rrëqethëse!
1
”Mezi arrite ta ruaje e ribëje vetëm emrin”
2 “Krejt cullak kur ëndrra i kishte dalë!”
3
”Dro, skëterra i gëlltiti dhe ata në përjetësi!”
4
”Brenda uji lë lëkurën veç me kripë që djeg!”
5
“Natë e ditë nëna falej për kthimin e djalit!”
6
“- Emri arnaut pastaj shiftar në tefter e spisak fute!”
7
“Sa herë ka ndërruar moti s`ke arritur n`atë majë!”
8
“Atë këngë që kur e përjetove e s`mund e thoje (...)
Çdo
qasjeje për shtjellimin e këtij diskursi, vetëm do t`ia pohonim në mënyrë të
përsëritur plagët e tragjedisë, e cila vijoi esencën e pashërueshme në
periudhat vijuese, si plagë që kullon e dhemb e, poeti nuk deshi ta gjente
hijen e indiferentit...
Por,
për çfarë i duhej poetit rikthimi te tema drithëruese e gjëmës? Pikërisht për
drojën e përtrollitur të përsëritjes së gjëmave... Për çka tjetër?... Assesi jo
për ndonjë arsenal revanshist. Në dufin dëshpërues, zhgënjyes dhe rebelimin e
poetit askund nuk villet urrejtje, as
shfrim racist, as mallkime (ç) njerëzore...
Te
poezia “Përralla e një mbretërie” idetë poetike vishen me ironi therëse për
skenat e absurdit, për kontrastet e theksuara të skllav-pronarit e skllevërve,
për Kartagjenën dhe Trojën e harruar, për zezonat që nuk i parandienin
indiferentët, për çakejtë përfitues plojash, për zgjimin e fantazmave në emër
të vënies së një “rendi”, sipas masës e shijes së pangopur sadiste!
Poeti
e shtrin konceptin e tij poetik në gjithë-kohë. Gjithë-koha e fantazmave në
trurin e njerëzimit!... Ai si krijues nuk parapëlqen prirjen për t`i përzgjedhë
temat e mendësisë barbare, pse ta merrte flamurin e pararojës së etnisë?
Assesi! Por, vetëdija etike, estetike dhe ontologjike e poetit bartë barrën e
shumëfishtë të shqetësimit: të mos pjellën bastardë e buba-gjela të rinj! Të
mos i “thurin” të vërtetës përralla në kuzhinat e tyre: gënjeshtarët,
mashtruesit, spekuluesit e predikuesit shekullorë të paqes nën rrogoz! Rrotën e historisë e
rrokullisin fantazmat kahes së
dëshiruar...
(Shkrimi vijon)