Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Në vend të lamtumirës

| E diele, 10.11.2019, 11:13 AM |


“Anita Bitri një meteor, në qiellin e këngës shqiptare”

NË VEND TË LAMTUMIRËS

Epilog

Nga Albert Z. ZHOLI

Po pse kaq shumë njerëz janë mbledhur dhe mblidhen çdo vit për kujtimin tënd?! Mos është premierë festivali, apo kujtimi yt engjëllor, ku çdo vit mbushur me kurora të pafundme lulesh shumëngjyrëshe, të kujtojnë vëllezërit, të afërmit, miqtë, fansat besnikë?!  Ti rri e i vështron se  të gjithë po lotojnë! Mendon se është recitali Yt! Sa  i pate pritur ato çaste, sa i ke ëndërruar! I shikon dhe buzëqesh. Aty janë vëllezërit, shumë mikesha, miq, familjarë, fansa, njerëz pa fund.  Ti i shikon me nënë Hazbien  dhe mban Siborën në krah. Qielli ndizet. Deti krihet nën valë. Vlora e kuqe të ngre në qiell...

Buzagazin tënd të përjetshëm nuk mund ta zhduki jeta dredharake.

Ja, po afrohesh pranë, e padukshme si një shtojzovalle, a Zanë e rrallë. Po afrohesh pranë, aq pranë, mes miqve si dikur. Ke udhëtuar nga parajsa qiellore, sa të çmallesh pak, të ledhatosh këngën, të përkëdhelësh jetën si dikur. Para syve na shpërfaq ditarin tënd të jetës të titulluar “Ditari qiellor``...Retë e bardha po të shoqërojnë. Qielli merr ngjyra ylberi. Nën velin e kujtesës, të ëndrrës, të ka mbetur gjurma besnike e fytyrës së Krishtit. Si vetëtimë kthjelltësie, sillje ndërmend çdo gjë; agimet e përflakura në qytetin tënd dhe valët kaltëroshe që loznin bregdetit pa fjalë. Flakërima e dritës po dhe Drita hyjnore e shpirtit tënd po na përshëndet në pafundësi…Ti përcjell jehonë mirësie brenda shpirtit, kohë e pa kohë se  e doje si askush tjetër emrin e bukur, Shqipëri.

Mbi kalldrëmin qiellor, tingujt melodioz të këngëve të tua trokasin harmonishëm. Qielli përhap magjishëm këta tinguj përjetësie dhe mesazhi hyjnor për pavdekësinë tënde, endet si tufë trëndafilash në çdo skaj, petal pas petali. Në kopshtin e pafund të muzikës hyjnore, ti mbetesh, një trëndafil me vesë që nuk do vyshkesh kurrë. Sot të kujtojmë mes lotësh si margaritarë; lotmalli, lotkujtimi, lotkrenarie, lotpërjetësie. Sot habitesh me të vërtetë me mizërinë e njerëzve që po përmendin emrin tënd të bukur. Sot për ty po shkruhet një libër malli, me penë të ngjyer në lot shqiptare. Sot në këtë libër po hidhet me filigrame ari jeta jote magji për të çuar në vend vazhdimin e “Ditarit” tënd jetësor të lënë në mes mbushur me mistere. Ti Anitë rron, sepse emri Yt është vepër përjetësie që kumbon skajshëm, në gërmat e alfabetit, në pentagramet e notave muzikore, që fillojnë si ndriçues me gërmën e parë të emrit tënd pishtar!