| E hene, 06.10.2008, 02:19 PM |
Elda Andrea Kokoneshi
''Pershendetje bashkekombasve te mi kudo qe ndodhen!''
Rinia perandore pa fron
Rinia 
si një perandore pa fron 
shtegton furishëm 
nëpër mjegullën e kohës 
drejt së ardhmes.
Me ecje të shkujdesur, 
me një trastë pasionesh, 
ëndrrash e planesh 
për të ardhmen, 
me shikim zhbirues 
ndaj zjarreve flakëruese 
të mprehtësisë, 
skicon të ardhmen e saj 
në histori.
Në debatet 
anthropologjike 
argumenton 
kategorimatikisht 
ndeshjen me jetën. 
Janinë 10 – 07 – 06
Mëkatova?
Një herë pyeta vetveten:
- Mëkatova? Ajo m’u përgjigj:
- Nuk e di.
Pastaj pyeta: Malin, detin, erën.
Mali rrinte serioz, nuk fliste,
deti dallgët fort përplaste,
era zërin tim s’e qaste.
Më pas pyeta :
Barin,
arin,
bletën.
Bari qaraman
s’më fliste, dikush e godiste,
ari po shkëlqente, nisi të gënjente,
bleta u largua. 
- Mos më pyet mua
Pastaj u largua.
Pyeta edhe yjet, diellin, hënën.
Por, ata më thanë të pyesja nënën.
Nëna
më puthi me dashuri
duke më thënë:
Vetëm Zoti e di.
Elbasan 1992
Shtrëngoj një grusht me dhé
Në pëllëmbën time që dridhet
shtrëngoj një grusht me dhé
me sypërlotur e zemër trazuar
që mora kur ika nga ty atdhe.
E futa në trastën time të mallit, 
të varur rreth shpirtit tim 
ta shoh përditë me sytë e ballit, 
ta prek, ta ndjej me përmallim.
Rethimno - Kretë - Greqi. 11/10/1997
Mirëmëngjes o shteti më i ri në botë!
Mirëmëngjes o shteti më i ri në botë!
Të përshëndes me zemër flakëruar 
nga liria jote. 
Kosovë e paepur 
në shtigjet e përflakura të lirisë,
Rrofsh e qofsh deri në amshim! 
Amin!