| E enjte, 07.11.2019, 10:33 PM |
PRO MEMORIA E TREBESHINËS DËRGUAR ENVER HOXHËS
Nga
Xhelal Zejneli
Kasëm
Trebeshina është ndër figurat pak të
njohura të letërsisë shqiptare të viteve të para të pasluftës. Më 5 tetor 1953,
i dërgoi një “pro memorie” Enver Hoxhës, duke e paralajmëruar se politika e tij
kulturore po e shpinte vendin në rrugën e shkatërrimit. Ishte ky një akt i
rrallë disidence të hapur në jetën intelektuale shqiptare.
Në këtë letër, midis tjerash
ai theksonte:
“... Le të shikojmë
konkretisht ç’përmbajnë veprat letrare të realizmit
socialist, qoftë edhe ato më të mirat. Një inxhinier i mirë, një
inxhinier i keq deh një i gabuar që ndreqet. Një fshatar i mirë, një i keq dhe
një që ndreqet, e kështu me radhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet.
Komunistët janë gjithnjë heronj të situatave, ata vijnë në faqet e librave ose
në skenat e teatrove vetëm për të na recituar monologje me përmbajtje
heroike...
Lidhja e
Shkrimtarëve është e organizuar si një urdhër
murgjish mesjetarë. Në krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh
dhe të gjithë janë të detyruar të dëgjojnë, përgjersa vazhdon funksionin e
Mjeshtrit të Madh. A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar të
ndash në këtë mënyrë “funksione” dhe “privilegje”? Le ta shikojmë si keni
vepruar ju gjatë këtyre vjetëve. Ju vendosni në Komitetin Qendror që Kolë
Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë
vendimin tuaj. Kritika thërret e çirret që “Halili dhe
Hajrija” e Kolë Jakovës është një vepër e madhe. Pastaj vëmendjen tuaj së
bashku me favoret e fiton Dhimitër S. Shuteriqi si kryetar i Lidhjes. Më
mirë le ta lëmë këtë pikë.
Shkrimtarët janë qytetarë me
të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk është e drejtë që në mënyrën
më t paligjshme t’i përgjigjen një censure nga më të çuditshmet. Në
qoftë se për një arsye ose për një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë censurë,
atëherë ajo le të krijohet si një institucion dhe le t’i ushtrojë hapur
funksionet e saj. Kështu do të dinim kujt t’i përgjigjeshim dhe nuk do të na
ngatërroheshin nëpër këmbë funksionarët e Partisë që, megjithëse nuk
janë kompetentë, vijnë e japin mendime aty ku nuk ua kërkojnë...Ju nuk duhet ta
trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve si një zgjatje organizative të hallkave
të ndryshme që ka organizuar PPSH. Lidhja e Shkrimtarëve është një
organizëm njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri feudale
ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale.
Lidhur me këto të drejta dhe
detyra do t’ju jap më poshtë një shembull që nuk duhej të kishte vend në
shoqërinë tonë. Dihet se romani im “Rinia e kohës sonë” është shkruar që
më 1948-ën, kurse romani tjetër “Mbarimi i një mbretërie” është shkruar
më 1951. Por nuk duhet harruar se romani “Harbutët” i Sterjo Spasses është
shkruar që më 1946-ën. Atëherë pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto
shkrime më të hershme deh i jep kohë Dhimitër S. Shuteriqit që të
shkruajë në 1952 romanin e tij pa asnjë vlerë “Çlirimtarët”? Pse Partia
ia boton me një zhurmë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit
feudalë të kritikës për ta trumbetuar si romanin e parë
në gjuhën shqipe? Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të madh të
letërsisë shqipe. Dhe dihet se në Shqipëri janë shkruar edhe më parë, edhe
shumë më parë romane. Edhe në gjuhën shqipe. A është e denjë që të merret një parti
e tërë nëpërmjet funksionarëve të saj kryesorë me gjëra të tilla? Historia ka
ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të
sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e
gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një strukturë
feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t’i
braktisni. Duhet t’i varrosni kohët e errëta dhe të ktheheni në shekullin
e njëzet për idealet e të cilit u bë një luftë e madhe dhe u
sakrifikuan gjërat më të shtrenjta...
Unë mendoj se shkatërrimi më
i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do
të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre
dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar
një shtet të ashpër policor. Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi.
Prandaj duhet hequr dorë, dhe sa më parë, nga rruga e Luigjit të
Katërmbëdhjetë, nga Versaja dhe nga shtypja e mendimit edhe
brenda radhëve të Partisë. Nuk është çështja për fëmijët e varfër që ne
i shohim nëpër rrugë, por për atë shtypje të mendimit që po bëhet sistem
dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re.
Kur të arrijë puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm
regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë që të qëndroni në pushtet.
Por ai regjim do të jetë shumë më i rrezikshëm për atë vetë. ftohja dhe largimi
i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda radhëve të udhëheqjes që do të
transformohet dalëngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e
një monarkie, pa kuptim në realitetin historik të shekullit
njëzet. Në përfundim të këtij procesi historik ju do të
detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe
kjo është arsyeja që po ua drejtoj këtë “Pro memorie” të shkruar në
mënyrë ngutshme”.
* * *
Nënkuptohet se Enver Hoxhës
nuk i erdhi mirë. Me këtë akt vullnetar asgjësimi, Kasëm Trebeshina u
zhduk nga skena letrare gati pa lënë gjurmë. Ai vuajti shtatëmbëdhjetë vjet
burg me ndërprerje dhe njëzet vjet heshtje. Pas rënies së regjimit
komunist, me një grup shkrimtarësh, artistësh dhe intelektualësh - ai doli në
breg. Ndër ta janë intelektuali dhe poeti, i lindur në Prizren - Lazër Radi
(1916-1998), poeti lirik Frederik Reshpja (1940-2006), Fatos Lubonja (1951),
Visar Zhiti (1952), Bashkim Shehu (1955). Kjo e pohon edhe
parashikimin e Trebeshinës.
Kasëm Trebeshina lindi në
Berat në vitin 1926. Studioi në Shkollën Normale të Elbasanit. Më 1942 hyri në
lëvizjen komuniste të qëndresës. Pas luftës ndoqi studimet në Institutin e
Teatrit “Ostrovski” në Leningrad. Ishte natyrë antikonformiste. Doli nga
partia. Më vonë edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve. Pjesën më të madhe të veprave i
shkroi në fund të viteve ’40 dhe në fillim të viteve ’50, por pa u botuar
kurrë. Vdiq në Ankara. Është autor i pabotuar i tetëmbëdhjetë vëllimeve me
poezi, i dyzet e dy pjesëve teatrale, i njëzet e dy romaneve e tregimeve etj.
Më 1953 iu botua drama historike “Kruja e çliruar”. Në kohën kur u
shkruan, u botuan edhe përmbledhja poetike “Artani dhe Min’ja ose hijet e
fundit të maleve”, Tiranë 1961 dhe një përkthim pa emër i pjesëve të poetit
spanjoll Federiko Garsia Lorkës (Federico Garcia Lorca, 1898-1936).
Është e njohur proza e tij “Odin
Mondvalsen”. Tri proza të tij u botuan nga Ardian Klosi (1957-2012)
në vëllimin “Stina e stinëve”, Prishtinë 1991, duke i hapur lexuesit një
dritare për të hyrë në një botë fantazie që ngjason me atë të rrëfenjave të Mitrush
Kutelit (1907-1967). Stili surrealist i asaj që autori e quan “realizmi
poetik” i tij, është rezultat i revoltës së vetëdijshme kundër rrymës
sunduese të realizmit socialist. Vdiq në Ankara në vitin 2017 në
shtëpinë e së bijës. U varros në Tiranë i përcjellë nga rrethi i ngushtë i
familjes.
I dëshpëruar, Trebeshina ka
deklaruar: “Nuk dua në asnjë mënyrë të hyj në letërsinë shqipe. Nuk dua në
asnjë mënyrë të jem pjesë e kulturës shqiptare”.
Disidenca nuk është doemos
vlerë letrare. Disidenca është vlerë morale dhe intelektuale. Ka të tillë që në
letërsinë shqiptare i konsiderojnë disidentë Kasëm Trebeshinën dhe
poetin e prozatorin Bilall Xhaferi (Ninat, 1935-Çikago, 1986).
Kritiku letrar, eseisit dhe
filozofi amerikan, Profesor Xhorxh Shtajneri (Francis George Stainer,
1929-) thotë: “Kryeveprat letrare lindin nga shtypjet që u bëhen
nga regjimet e egra si komunizmi”.
Kuptohet, për të krijuar
kryevepër letrare nuk mjafton vetëm shtypja tiranike. Nevojiten edhe talenti
dhe niveli i arsimimit. Të tilla janë kryeveprat e Ismail Kadaresë (1936).
Disidentë të njohur janë:
shkrimtari rus me prejardhje çifute Boris Pasternak (1890-1960), autor i
romanit “Doktor Zhivago” (1957), laureat i Çmimit Nobel (1958);
shkrimtari rus, kritikuesi më i ashpër i Rusisë bolshevike dhe staliniste Aleksandar
Isaeviç Solzhenjcin (1918-2008), autor i veprës në tre vëllime “Arkipelagu
Gullag”, laureat i Çmimit Nobel (1970); shkrimtari rus Josip Brodski (San-Peterburg,
1940-Nju-Jork, 1996), laureat i Çmimit Nobel (1987); shkrimtari serb Danillo
Kish (1935-1989), babanë çifut, nënën malazeze, kundërshtar i nacionalizmit
serb, vdiq në Paris, u varros në Beograd; shkrimtari çek Vecllav Havel
(1936-2011); shkrimtarja gjermane e lindur në vitin 1953 në Banat të Rumanisë Herta
Myler, në vitin 1987, nga Rumania emigroi në Gjermani, laureate e Çmimit
Nobel (2009).