| E premte, 01.11.2019, 10:28 PM |
Ibrahim Rugova dhe bashkimi kombëtar
Nga
Ndue Ukaj
Prijësi
i shqiptarëve, Ibrahim Rugova, kur hyri në politikë, besonte te vlerat e lirisë
dhe kishte një ide të madhe, që ato vlera t’i bënte vlera të përbashkëta të
gjithë shqiptarëve në Europën Juglindore dhe t’i kthente në vlera etike të
shtetit të Kosovës, të cilin e udhëhoqi deri në vdekje.
Rugova
hyri në politikë për t’i dhënë politikës vlerat intelektuale dhe morale që i
kishte sublimuar me libra e studime, dhe kështu u bë prijës i madh, dhe i tillë
u vlerësua kudo në botë ku respektoheshin vlerat e njëmenda të lirisë.
Në
këto ditë të rëndësishme për politikën në Kosovë dhe në rajon, kur po
diskutohet për fatin e shqiptarëve dhe sidomos të shtetit të Kosovës, është
mirë ta kthejmë në vëmendje Rugovën, por duke e lexuar drejt, në tërësi dhe jo
të fragmentuar, siç mund t’iu pëlqej kundërshtarëve të dikurshëm, që tani
tentojnë ta imitojnë, ndonëse e dinë se ai ishte i madh dhe nuk mund as të
imitohet.
Rugova
ishte i madh sepse kishte një ide të madhe, një ide të qartë, një qëllim të
lartë dhe një traditë të fortë ku e mbështeste filozofinë e tij politike dhe
kombëtare. Dhe, në sajë të kësaj platforme, ne i fituam të gjitha ato që i
synuam: lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.
Rugova
nuk ishte politikan dosido, që fliste përçartë, siç ndodh të flasin shpeshherë
politikanët e këtij rajoni problematik, të cilët ose gulçojnë ose flasin për
tema e projekte utopike, për të cilat s’janë të bindur as vetë. Prandaj, duke e
lexuar dhe përvetësuar veprën e tij, fjalimet, intervistat, mesazhet,
deklaratat, letrat, ne kuptojmë sa i qartë, sa i bindur dhe sa i ditur ishte ai
në platformën e tij.
Edhe
tani, kur politika shqiptare ka mbetë pa busullën e orientimit, vepra e tij
mbetet udhërrëfyese.
Intelektuali
dhe politikani që kujdesej për kujtesën historike dhe besonte te forca e
lirisë, ruante autoktoninë, lexonte Bogdanin, të cilin e kishte model, dhe
refuzonte estetkisht. Me këto tipare, ai bëhet politikani më virtuoz që ka dalë
nga raca shqiptare dhe një nga mendjet më të shquara të politikës në rrafsh
europian.
Rugova
ishte intelektual i madh dhe ky fakt e bëri atë politikan të madh. Ai hyri në
politikë me bindje të formuara kulturore dhe me besim të madh.
Ai
refuzoi në letërsi, para se të refuzonte ne politikë.
Shpeshherë
është folë e shkruar për raportet e Rugovës me Shqipërinë si shtet, kulturën e
përbashkët dhe lidhjet me figura të specifike të Shqipërisë.
Rugova
ka treguar gjithmonë respekt për të tjerët dhe veçmas për Shqipërinë. Për të
kuptuar më mirë vizionin politik dhe programin për të cilin ai punonte, me tërë
fuqitë e tij intelektuale e politike, ia vlen të risjellim në vëmendje të
lexuesve fjalimin e tij të plotë me titull “Shqiptarët- popull antik” të
mbajtur në Ceremoninë e shpalljes Doktor Nderi i Universitetit të Tiranës, më 9
shtator 2004.
“I
nderuari President Moisiu,
I
nderuari Kryeministër Nano,
I
nderuari Rektor Rrokaj,
I
nderuari Kryetar i Kuvendit Pëllumbi,
Të
nderuar kryetarë të forcave politike,
Të
nderuar senatorë dhe profesorë të Universitetit të Tiranës,
Zonja
dhe Zotërinj,
Titulli
që po më akordoni sot është një nderim i madh për mua, për popullin dhe vendin
tim Kosovën. Njëherësh kam një ndjenjë të veçantë gëzimi që më dhatë mundësinë
të gjendem në mesin e Universitetit Tuaj.
Me
këtë rast më lejoni t'i them disa fjalë për Universitetin Tuaj. Do thënë me
bindje të plotë se Universiteti i Tiranës i vuri themelet e studimeve moderne
në fushat e të gjitha shkencave. Do pranuar se ky Universitet e afirmoi
shkencën dhe kulturën shqiptare në botë. Këtu po veçojmë se në fushën e
historisë vërtetoi dhe afirmoi njërën nga çështjet kyçe në historinë e popullit
tonë, vazhdimësinë e drejtpërdrejt ilire-shqiptare, që më parë ishte tezë
shkencore. Sot mund të themi se është argument, fakt i kryer i vërtetuar në
fushën e arkeologjisë, të gjuhësisë dhe të etnologjisë, ku vërtetohet populli
dhe territori në Ilirinë e Jugut, pra Shqipëria, Kosova-Dardania antike dhe
Maqedonia që mbijetuan historinë në Gadishullin Ilirik në Europën e sotme
juglindore. Ky është kontribut i përbashkët i Universitetit Tuaj dhe
Universitetit të Prishtinës. Sot është e vërtetë notore se shqiptarët janë një
popull antik, që origjina e tyre lidhet edhe me gjenealogjinë biblike.
Do
përmendur edhe një veçori tjetër së fillet e bashkëpunimit midis Universitetit
të Tiranës dhe të Prishtinës ishte shenja e parë e prishjes së themeleve
artificiale të murit ndërshqiptar. Dhe sot falë përpjekjeve të përbashkëta dhe
të miqve tanë, zhvillohet një jetë e lirë universitare ndërshqiptare dhe
ndërshtetërore.
Zonja
dhe Zotërinj,
Në
këtë moment solemn dëshiroj të theksoj se Kosova gjatë këtyre pesë vjetëve pas
lufte, në liri, ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës.
Kosova i ka krijuar strukturat e veta shtetërore dhe po funksionon si shtet në
të gjitha segmentet. Objektiva të institucioneve të Kosovës janë: zhvillimi
ekonomik, privatizimi, siguria e investimeve, krijimi i vendeve të punës për të
rinjtë si dhe mbrojtja e grupeve etnike apo minoriteteve. Ndërsa tash po
punojmë me UNMIK-un për bartjen e kompetencave te institucionet nacionale.
Njëherësh po punojmë për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës sa më shpejt,
çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Pra, një Kosovë
demokratike, paqësore e tolerante e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente
me SHBA.
Zonja
dhe Zotërinj,
Do
theksuar se zgjidhja e çështjes shqiptare do të përmbushej me pavarësinë e
Kosovës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni do të jenë element i shtetit dhe
shqiptarët në Mal të Zi e në Preshevë do të udhëheqin veten. Mendojmë se
pavarësia e Kosovës është një optimum i shqiptarëve. Unë shpesh e them se pse
edhe shqiptarët të mos i kenë dy shtete apo dy e gjysmë si popujt tjerë në
rajon apo në Europë.
Zonja
dhe Zotërinj,
Objektiva
të përbashkëta të Kosovës dhe të Shqipërisë, pra të dy vendeve tona, janë
integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. E themi me bindje të
plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë të progresit, janë populli
më dinamik në këtë pjesë të Europës e të botës dhe kanë shansin historik të
hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane.
I
nderuari Zoti Rektor,
Në
këtë ditë solemne i shprehim mirënjohje të lartë Universitetit të Tiranës për
përkrahjen që në vitet '90 i dha Lëvizjes së Kosovës për liri, pavarësi e
demokraci dhe për njohjen e Republikës së pavarur të Kosovës.
Zonja
dhe Zotërinj,
Më
lejoni që në këtë moment solemn t'i përkujtojmë me pietet të lartë doajenët e
Universitetit Tuaj Prof. Eqrem Çabejn dhe Prof. Aleks Budën që dhanë kontribut
të madh për shkencën shqiptare dhe europiane.
Në
fund do theksuar se nga ky Universitet kanë dalë shumë studiues e shkrimtarë të
njohur, në mesin e të cilëve është Ismail Kadare, që me veprën e tij të madhe i
afirmoi shqiptarët në botën moderne.
Zoti
President dhe Zoti Rektor,
Zonja
dhe Zotërinj,
Duke
pranuar këtë titull të lartë, Ju premtoj se do të punoj me të gjitha fuqitë e
mia për vendin tim Kosovën, për integrimet shqiptare dhe për mirëkuptim
ndërshqiptar e ndërnjerëzor.
Zoti
e bekoftë Universitetin e Tiranës
Zoti
i bekoftë shqiptarët.
Zoti
e bekoftë Shqipërinë.
Zoti
e bekoftë Kosovën.
Ju
faleminderit.
Dr.
Ibrahim Rugova, President i Kosovës”
Pra,
ky fjalim i Rugovës është mesazh për sot dhe nesër, është platformë politike
për shqiptarët e sotëm dhe breznitë e ardhme, për ekzistencën e tyre historike
dhe politike; është një mostër për gjithë ata që kukurisin poshtë e lart rreth
temave patriotike; është një mostër edhe për gjithë ata që qëllimshëm i
keqpërdorin fjalët e tij për interesa politike.
Siç
del edhe nga ky fjalim, Rugova ishte shqiptar i madh, i ditur, që vlerësonte
kulturën e përbashkët dhe që punonte për lirinë dhe përparimin e të gjithë
shqiptarëve.
Ai
besonte në shtetin e dytë shqiptar, pra në shtetin e Kosovës, dhe e vlerëson të
kaluarën, autoktoninë e lashtë e të përbashkët dhe figurat kombëtare, nga Eqrem
Çabejn, Prof. Aleks Budën, deri te Ismail Kadareja, që me veprën e tij- siç
thotë Rugova- i afirmoi shqiptarët në botë.
Po-
ky fjalim i tij- mund të shërbejë për t’i qartësuar shumë dilema dhe
njëkohësisht mund të shërbejë si platformë për Kosovën e sotme dhe të nesërme,
për përafrim shpirtëror dhe kulturor, por edhe për të punuar që shqiptarët t’i
kenë dy shtete dhe të avancohen në vendet tjera ku ata jetojnë.
Unë
besoj se trashëgimia e tij politike, si veprimtari korrekte politike dhe dije e
manifestuar në shkrim, është kapitali më i madh politik që ka Kosova dhe
bazament më i shëndoshë për të ndërtuar të ardhmen tonë progresive dhe
perëndimore.