| E merkure, 16.10.2019, 09:35 PM |
Mbas
një itinerari të gjatë e të thepisur ngjarjesh e të papriturash që do të
paraprinin botimin e tij, romani Emigrantja i shkrimtarit dhe përkthyesit
shumëgjuhësh Elvi Sidheri, më në fund tashmë gjen dritën e botimit.
E
veçanta e këtij romani, mënjanë padyshim përmbajtjes së tij, qëndron pikërisht
edhe në vetë fazën tejet të stërzgjatur të ndërmjetme, mes dorëshkrimit të parë
të tij, të hedhur në letër plot 14 vite më parë, dhe botimit të tij
përfundimtar, në tetorin e vitit 2019, shumë vite pas përvojës fillestare me
këtë krijim letrar në vitin e largët 2005.
Për
këtë arsye aspak të nënvlerësueshme, ky roman arrin të ngërthejë krahas
historive, përvojave, ndjenjave e ndjesive njësore të personazheve që banojnë,
frymojnë e gjallojnë nëpër larminë e faqeve të tij, krahas historive të shumta
të ndërthurura fort rrjedhshëm e logjikisht, krahas vendeve, dokeve, gjuhëve,
traditave, trashëgimive shumëngjyrëshe ballkanike, mendësive e veçorive të
papërsëritshme të njerëzve, kohëve dhe popujve që përshkruhen në këtë roman, të
spërkatur e sendërtuar gjithmonë me një prekje e tis të pamungueshëm, sa edhe
të domosdoshëm shqiptar, si tharmi i vyer për ndërthurjen e gjithçkaje të
pranishme në këtë libër, gjithaq Emigrantja, shndërrohet vetvetiu në një
shtjellim letrar ku pleksen vetë romani si veprimtari krijuese, me peripecitë
në trajtë Odiseje të përveçme, sa i përket shkrimit dhe botimit të tij.
Një
roman i parë, që nënkupton thuajse përherë grykëderdhjen e një frymëzimi të
fjetur shumëvjeçar të shkrimtarit, ku pluskojnë ngaherë tërë pasiguritë,
mëdyshjet, bindjet e patundshme, ëndrrat, vena krijuese, pasionet, vegimet
letrare, tregimet e moçme dhe bota e pashtershme e brendshme e njeriut të
letrave, rrallëherë nuk mishëron peripeci të shumta qysh nga ngjizja parësore,
gjer në ditën e botimit, atëherë kur gjithçka që përmbajnë faqet e tij, është
krejtësisht gati për t’iu përçuar lexuesit, në trajtat dhe formën e një vepre
letrare që shpresohet të depërtojë në nënvetëdijen e gjithkujt që do të
aventurohet në universin unik që çdo roman paraqet për ithtarët e letërsisë,
një ritual ky, që e shtyn qenien njerëzore, veçanërisht “Homo Scriptor”, të
shkruajë prej mijëra e mijëra vitesh, pa u lodhur, pa u ligështuar, pa u prekur
nga mosdija, ligësia apo moskuptimi i ndokujt, duke përqafuar ëndjen lëçitëse
të “Homo Sapiensit” modern, që përmes librave lartësohet, frymëzohet, zdritet
në vijimësi, qyshkur “E para ishte Fjala” e tutje.
Romani
Emigrantja është sidoqoftë një krijim letrar, që megjithatë ofron për lexuesin
mbi të gjitha historinë dhe shumë nënhistoritë e tij, personazhet e panumërt,
prirë denjësisht nga Mariana, pikërisht një emigrante shqiptare që me rënien e
regjimit monist vendos të lerë familjarisht Shqipërinë në zgrip të tranzicionit
dhe të ndërmarrë hapat e parë të emigrimit në Greqi, ashtu si qindra-mijëra
shqiptarë të tjerë, për t’u përballur me një vazhdë peripecish të pandalshme,
ku aspektet tragjike, frymëzuese, kalitëse, vdekjeprurëse, kryeneçe,
qëndrestare, do të shndërrohen në sinonim të jetës dhe tipareve të saj
identifikuese.
Mariana
do të bashkëjetojë dhe do të shoqërohet në këtë rrugëtim të gjatë mbi dy
dhjetëvjeçarë, nga një sërë personazhesh të tjerë, të trajtuar secili me
kujdesin dhe përpikmërinë letrare të rastit, varësisht nga roli dhe pesha e
tyre në roman, dhe udha e saj shpesh e kanosur nga të tatëpjeta e thepa të
befta, do ta shpjerë në skutat më të mugëta të emigrimit në përgjithësi, por
njëkohësisht edhe në shterimin sociologjik të emigrimit si kontekst historik,
në Greqi pas vitit 1990, e jo vetëm, deri në Stambollin dykontinentësh, ku do
të hasë të tjerë emigrantë historikë shqiptarë, duke përqafuar sakaq breza
emigrantësh mesjetarë e shqiptarë
autoktonë, dëshmi e të kaluarës dhe të tashmes.
Emigrantja
është një roman ku kremtohet kuraja për të jetuar, karakteri i paepur i një
gruaje dhe shumë shqiptareve të tjera, që emigruan për të gjetur veten larg
atdheut, përkundër gjasave të pamundura, mendësive të mykura e kushteve
rraskapitëse.
Është
një roman i hijeshuar nga gjurmë të pashlyeshme shqiptarësie burimore, në një
gadishull, si Ballkani, ku kombe, gjuhë, doke, kanë ditur të bashkëjetojnë, të
përplasen e përsëri të jetojnë në fqinjësi, për shekuj e mijëvjeçarë, duke i
dhënë kësaj siujdhese karakteristikat që e dallojnë në shkallë globale, ku ne
shqiptarët padyshim kemi peshën dhe rolin tonë të pazëvendësueshëm.
Për
të gjitha këto arsye, Emigrantja mund të cilësohet me plot gojë si një
“Pericpeci në shkrim”, që ia vlen të lexohet nga kushdo.