| E marte, 15.10.2019, 09:35 PM |
Përreth problemeve
Nga
Blerim Rrecaj
Në
fjalorin e Gjuhës sonë fjala "problem" shpjegohet në tri mënyra. E
para, flet për problemin në lëminë e matematikës, e dyta, më tepër u takon
sferave të shkencave shoqërore e flet për një çështje të ndërlikuar që kërkon e
pret zgjidhje, e treta, bën fjalë për sjelljet e ndokujt që shfaqin shqetësime
tek të tjerët.
Lista
e problemeve që kërkojnë zgjidhje është jo e vogël. Nëse nisemi prej problemeve
më të thjeshta dhe shkallë shkallë vazhdojmë te ato më të ndërlikuarat mbase do
e shohim se duhet që sa më parë t'ia nisim me zgjidhjen e tyre, që janë të
lidhura e të ndërlidhura, të varura e të ndërvarura, të thjeshta e të
ndërlikuara, të ndara e të kombinuara, personale e tejpersonale. S'dijmë se sa
po ia qëllojmë por po fillojmë me gjumin si akt i domosdoshëm jete, por edhe si
metaforë e përdorur. Kjo na shpie te një orar të cilit pakashumë mund t'ia
caktojmë vetes e më pas aq sa kemi mundësi t'i përmbahemi e ta respektojmë. Dhe
ç'mund të na nxisë që mos të kemi një orë të caktuar për t'u shtrirë e për ta pritur
të ëmblin gjumë. Mbase hedhja kuturu sytë nëpër kanale televizive, dëgjimi i
një lajmi a gjuha llomotitëse dhe e ashpër e ndonjë debati problematik pa ose
me pak rezultat. Sidoqoftë, komplikueshmëria e rrëmuja e jetës së përditshme na
nxit t'i drejtojmë shigjetat fajësuese në këtë e atë drejtim, sa të kalojmë te
termat: të zgjuarit e fjetur; të përgjumurit kronik; ecetera, ec e të ra ose ec
e tëra. Dhe duke përsiatur kësisoj mund të na zë gjumi. Para se të kalojmë te
zgjimi, qe na u tek me vënë komplet poezinë e Frederiko Garsia Lorkës, (të
shkëputur nga një libër i kahershëm, botim i "Rilindjes" përkthyer
nga një grusht autorësh të këndej e andej gardhit) me titullin:
E tëra
Dora
e puhisë
e
përkëdhel faqen e gjithësisë
njëherë
e,
edhe njëherë.
Yjet
i mbyllin
qerpikët
e kaltër
njëherë
e,
edhe njëherë
Kthehemi
tash te zgjimi. Real e figurativ. Dhe zgjimi ynë është paksa i rëndë. Me ca
ndjenja plogështie. Me ca mungesa vullneti. Me rutinë të zgjatur tranzicioni,
që s'dihet ku mund të na shpie. Sidoqoftë zgjohemi duke (mos) u hedhur ujë syve
për t'u përballur sadopak me hedhje hiri, pluhuri, mjegulle, tymi, gazrash,
kutërbimesh gjatë ecjes nëpër udhë, udhëkryqe, kthesa, lakesa. Përballje me
lloj lloj vështirësie, bezdie, neverie, banaliteti, kaosi, absurdi, burokracie,
labirinthi, mungesë bio-je, vitaminash, aktivitetesh psiko-fizike e çka jo
tjetër, për të na u vërtitur mendjes fjalët e këngës së Jericho-s: Zgjohu dhe
zgjoj të tjerët. E vargu i problemeve është i gjatë, (diku kemi hasur tregimin e
njejtë të Dino Buxatit, shqipëruar nga dy autorë; njëri mban titullin:
"Problemi i parkimeve" dhe "Ku të gjej një vend për të
parkuar?") i gjatë duke filluar që mbrenda vetes, strehëzave e pragjeve të
tyre, për të vazhduar edhe më tej e përtej, (për)jashtë. Sa të ka jetë do ketë
edhe probleme, mirë do të ishte të mos i lëmë të grumbullohen dhe aq sa është e
mundur të lirohemi nga barra e tyre duke e ç'kompleksuar vetën e jetën, duke
zgjidhur probleme politike, pronësore, të punësimit, të...të...të...A thua kush
e di se çdo të ndodh me shtrimin, mbulimin, zbulimin, lidhjen e zgjidhjen e
tyre. Ajo që dihet është se mbi ne rëndojnë probleme, probleme, probleme...