| E enjte, 10.10.2019, 08:34 PM |
Koncerti recital i “Mjeshtrit të Madh” Skënder Haklaj dhe magjia e valleve tropojane
Nga Dr.
Rovena VATA
Të flasësh për traditën kombëtare është e pamundur të
thuash gjë jashtë pikëpamjeve, që ke mbi kombin, meqë tradita kombëtare në
esencë është përvojë kulturore dhe shpirtërore e një kombi. Çdo komb ka rrugën
e tij në historinë botërore, çdo popull mban në gjirin e vet doke, zakone,
tradita të papërsëritshme, të cilat ndryshojnë nga krahina në krahinë por që gjithsecila
prej tyre mbart në vetvete një element që e dallon nga tjetra. Të gjithë këto
elementë të marrë sëbashku përbëjnë vlerat e një kombi. Një ndër këto krahina
është dhe Tropoja, e cila gjeografikisht është e vogël, por ka lindur dhe
rritur njerëz të mëdhenj, që i kanë dhënë dhe po japin, kontribut në zhvillimin
e atdheut tonë. Tropoja e historisë, e këngës, e valles, e poezisë, e
fisnikërisë, mikpritjes dhe bujarisë. Një prej këtyre njerëzve është edhe
etnokoreografi i nderuar “Mjeshtër i Madh” Skënder Haklaj, i cili ka dhënë dhe
po jep një kontribut të veçantë, për përcjelljen dhe ruajtjen e kcimeve të
Tropojës ndër breza.
Skënder Haklaj lindur në Tropojë, koreografi i parë në
Malësinë e Gjakovës, bashkëthemelues i ansamblit Dardania. Autor i disa veprave
letrare, ku dy veprat e fundit i dedikohen Tropojës, si: “Tropoja e mrekullive
shpirtnore” dhe libri shkencor studimor për kcimin e Tropojës “Aty ku trupi
flet”.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në Tropojë, por edhe
më gjerë. Gjatë viteve studentore ka pasur në patronazh shkollat e mesme në
Tiranë, ekonomikun dhe shkollën e kulturës në qytetin e nxënësve, duke renditur
kështu shumë suksese.
Në vitin 1977 pas mbarimit të studimeve universitare
specializohet si etnokoreograf. Po në këtë vit ka konkurruar me dinjitet në
koncertet e majit me ansamblin Josif Pashko, me motive Tropojane, duke fituar
çmim të dytë. Si dhe me Ansamblin NPV (Ndërmarrja e përpunimit të veshjeve), ku
ka konkurruar me motive Dibrane, duke u vlerësuar me çmim të tretë. Këto vlerësime
për një djalosh 27-vjeçar, kanë qenë dhe trampolinë drejt rrugës së artit, duke
u bërë më pas koreografi i njohur e me vlera të mëdha artistike. Në 2005 ka
krijuar valle për Ansamblin Kombëtar Tiranë dhe në vitin 2006, në Ansamblin
Shota Kosovë. Ka punuar me grupe të ndryshme në Vuthaj-Guci, Drenas, Gjakovë,
Deçan e Peshkopi. Sot është nismëtar i Kcimit të Tropojës drejt Unescos, ku
falë punës të tij, sot Kcimi i Tropojës është shpallur, si “Kryevepër e
trashëgimisë kulturore shpirtnore të kombit shqiptar”, nga Ministria e
Kulturës.
Më datë 04.10.2019 u mbajt, në Amfiteatrin e Tiranës,
Koncerti Recital “Me vallet më të bukura të Tropojës, krijuar me dashuri nga
“Mjeshtëri i Madh”, koreografi Skënder Haklaj.
Ky recital startoi pikërisht me thënien e vetë
koreografit:
“Kcimet tropojanë janë si bjeshka, të lidhura në rrënjë e
të ndara në kreshta”. Kjo thënie vërtetohet më së miri me veprat koreografike
që shfaqen para jush.
Veprat koreografike që u interpretuan me aq mjeshtëri nga
grupi i valltarëve të Tropojës dhe valltarëve të Tiranës, janë si më poshtë:
“Suitë e çikave të Tropojës”, vepër koreografike e
bazuar në motivet e virtuozëve Xhevahire Gashi dhe Rush Halilja. Viti i
krijimit 1979 me muzikë të Bashkim Kovaçit.
“Në gjurmët e virtuozëve tropojan”, vepër
koreografike e bazuar në motivet e virtuozëve Ram Myftari, Ram Salihi dhe Idriz
Berbati, me muzikën e Përparim Topçinit.
“Fluturimi i Sokolave të Bjeshkës”, vepër
koreografike e bazuar në motivet e virtuozëve Met Rexha dhe Sose Dulja.
“Valle me Motive Blegtorale”, krijimtari e krijuar
mbi bazën e aftësive interpretative të virtuozëve Lume Shabani. Valle e krijuar
në vitin 1986, ku sot interpretohet me një rritje cilësore bashkëkohore dhe më
shumë dashuri. Kjo krijimtari shënon thyerje klikimesh në rrjetet sociale.
“Kcime Rreth Tupani”, vepër koreografike e bazuar
në motivet e virtuozëve Hazir Rrustemi dhe Ram Myftari, ku me tupan ritmoi
Admir Morina.
“Kur Tropoja feston”, vepër koreografike e bazuar
me motivet e virtuozëve Hazir Salihja, muzika Ali Mula “Mjeshtër i Madh”.
“Motive kosovare të Deçanit me rrethinat e Gjakovës”.
Krijimtari krahasuese të bazuar në motivet e këtyre trevave si analogji
njehsuese nga njëra anë dhe dalluese esenciale nga ana tjetër
tekniko-profesionale, në përpunimet burimore origjinale.
Këtë recital e përshëndetën grupi i fëmijëve nga mosha
4-10 vjeç, për të treguar ruajtjen dhe trashëgiminë e Kcimit të Tropojës ndër
breza.
Gjithashtu këtë koncert recital e përshëndetën edhe:
Vitore Matoshi, këngëtaren që e lindi dhe e rriti Tropoja,
erdhi në këtë skenë gjigande, për të kënduar këngën “Çikat Dardane” dhe
një kolazh me këngë popullore.
Nada Gjyriqi e bija e kompozitorit të madh Bashkim
Gjyriqi, ardhur nga Maqedonia për të përshëndetur recitalin me këngët: “Çohu
moj çikë e dil te ara” si dhe potpuri këngësh popullore.
Këndëtari Lekë Pecnikaj, këndoi këngën: “Oj çika e
malësisë” dhe një kolazh me këngë popullore tropojane.
Në skenë u ftuan për të nderuar punën e tyre ndër vite të
gjithë virtuozët, si: Ali Mula “Mjeshtër i Madh”, (muzikanti i parë më të
cilin, koreografi Skënder Haklaj, ka punuar, që në fillimet e tij), Nurie
Mulosmani, Hajri Haklaj, Violeta Sula, Deli Metaliaj, Haxhi Hoxha, Skifter
Doçi, Lumnie Malaj, Vjollca Osmani, Ilir Biba, Shpresa Lushaj, Arben Metaliaj, Bukurie
Demiri, Skënder Haklaj.
Në fund, ky koncert recital bëri bashkë të gjithë
kcimtarët, e të gjitha moshave, shoqëruar nga artistja Vitore Matoshi më këngën
e mirënjohur “1000 vjet valle Tropoje”.
Këtë koncert e përshëndeti edhe N/Kryetari i Bashkisë së
Tropojës z. Abedin Kernaja, i cili përshëndeti të pranishmit dhe artistët
pjesëmarrës si dhe siguroi se Bashkia e Tropojës, do të ishte jo vetëm
bashkëpunuese, por edhe mbështetëse e iniciativave të tilla, me vlera burimore,
që mbajnë gjallë këtë kolonë të rëndësishme të ndërgjegjes dhe traditës sonë
kombëtare. I tillë është edhe ky rast në vijim të dokumentimit të Kcimit të
Tropojës, si pasuri e trashëgimisë sonë kulturore, e cila pritet të radhitet në
pronat ndërkombëtare të UNESCO-s. Në përfundim të fjalës së tij, z. Kernaja
përgëzoi edhe njëherë Mjeshtrin Haklaj dhe të gjithë artistët e Tropojës.
I pranishëm në këtë event të rëndësishëm kulturor ishte
edhe Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta, i cili në fjalën e tij u shpreh: “E ku ka më bukur se ta nisësh
fundjavën me energjinë e jashtëzakonshme të Kcimit të Tropojës dhe të
tropojanëve fisnikë, “Me vallet më të bukura të Tropojës”, të Mjeshtrit të
Madh, koreografit Skënder Haklaj”. Ndër të tjera z. Meta thekson se është thelbësore të jemi krenarë
për këto thesare të trashëgimisë tonë kulturore, të ruajmë këngët, vallet e
traditat dhe t’i trashëgojmë ato brez pas brezi. Kcimi i Tropojës, kjo pasuri kombëtare që shpalos
vlerat patriotike, por dhe krenarinë e fisnikërinë e Alpeve tona, e meriton të
promovohet më shumë dhe të bëhet pjesë e UNESCO-s.
Ky recital nuk mund
të realizohej pa mbështetjen e kontributorëve, si: Bashkia e Tropojës, Albanian
Internacional School si dhe valltares së mirënjohur Pranvera Vatoci.