| E shtune, 28.09.2019, 09:00 AM |
“Këpucët e erës”, në sulm!
Kur
Sfida & Velçani botonte”Mbledhësi i mjegullave”, “Këpucët e erës”, ishin
pretendente për titull.
Nga Dhimitri Pojanaku
…E ç` kish më tepër
se unë ai “Mbledhësi i mjegullave” që të mori atë mendjen që na e heq si të
ditur?! Brirë kish, po të them, që na e trumbetove si magjia e shekullit dhe
nuk lë portal pa hapur e pa e ngritur në
qiell! Mos bëj sikur nuk dëgjon! E ta zëmë se i mblodhi mjegullat shtrirë mbi
barqet e luginave, e, a nuk më thua, ku i çoj ose më saktë ku i çuat, se edhe
ti je pjesë e kësaj gjoja çudi!
Dhe ai, Velçani, çuditem si u bind, edhe m`i bëri me kristale
shpirti këpucët sa marrosnin këdo që i shihte edhe më la pas derës, për atë
biçim “mbledhësin e mjegullave”, që po ta dija do i dilja rrugës kur shkoi në
shtyp e pak sa të fryja, do e çoja matanë diellit!
Po me ç`zemër më latë mua pa më vënë emblemën e titullit të
librit, po unë "plajmoj planetin", tund “fundet e fjetur të deteve”
dhe u jap jetë të re, po unë shkund gjethet e vjeshtës, ndryshe si do vijë
lulëzimi e begatia e re?!
Po ato retë e mbledhësit të mjegullave unë i tret e nuk u lë
as nam e nishan, po nuk dua të mërzit Samiun, shpikësin e këpucabërësin tim se
e di që ka shpirtin e butë si gjeth e ri se po të ish për ty që na mbahesh
gjoja si poet i madh, as dua t'ia di!
E më dëgjo mirë tani: në ke ndërmend të shkruar diçka për
mua mos e nis nga Osumi siç bëre me atë të mjegullave, nuk më pëlqen ajo rrugë.
Dhe mos na hyrë në mes mua dhe Samiut, në jemi një, këpucët i kemi një masë
ndaj kur unë fryj e tund planetin, fërngëllon edhe ai, kur unë e vë në gjumë, e
platit edhe ai, se mos të erret mendja e ja merr këpucët qoftë edhe sa t'i
provosh, se po të jetë për Velçanin, unë e di, ai nuk di të mbajë mëri, ka
zemër prej kau siç thoni ju njerëzit e tokës, jo vetëm t'i jep por edhe të
ndihmon t'i veshësh!
xxx
Le që edhe po i veshe, nuk di nëse do i shohësh dot xixat
nga zilia, se tamam - tamam nuk janë
xixa por diamante. Do një ta shohësh: "harrimi lë gjurmë si testament në
rërën e lagur", "hija ime bisedon me vdekjen".
Ç'pate, u bukose!
Po të rrëfej edhe ca xixa të tjera a mos kalldisësh e mua të
më dalë inati!
Na, prite:"jam kthyer në zemëratë e kafkën nuk ma shpon
as plumbi".
E poet i madh, fol! Si këto diamante kam plot sipër e brenda
këpucëve të mia, ndaj mëso ç'është poezia! Kaq kisha! Tani bëj si të duash!
Po prit, po të jap edhe një bombë për dashurinë se nuk dua
të ik aq kollaj" si një gjuhëz dritë mes gjinjve struket ylli polar
"!
Nuk po thua asnjë fjalë,
eh, ç' qënkini ju poetët, epo unë i mbështillem si kulpër Velçanit kur dua
të çlodhem, se të thashë, këpucët tona kanë një masë, kur unë e zbadh, i mbath
ai e rrotullojmë botën! Ti rri, përkëdhel trofetë të cilat nuk po të lënë të na
shohësh ne, keq për ty!
Ika! Do fryjmë me poetin në ato pjesë të botës që edhe pse
ka lindur dielli, po flenë!
Duhet zgjim!
Ku e lamë të takohemi, pyet, haaaa, sa shumë kërkon të dish
or i mjerë, ja, edhe në ta them, askush nuk vjen dot gjer atje.
Më pret atje "
ku shiu fshihet pas një reje” ose
atje ku del yll i parë mbi të tijin
vargmal...
Hë, çdo bësh?!
Vjen dot?!
Dhimitri Pojanaku
Pogradec, gusht-shtator 2019