| E hene, 23.09.2019, 07:36 PM |
Shkrimtarët dhe letërsia
Sprovë nga Prof. Dr.
Resmi Osmani
Një krijues i ri, poet dhe prozator, që ka botuar vëllimin e parë të
poezive të tij dhe për të cilin ka patur vlerësime nga krijuesit e tjerë, në
nje letërkëmbim, më shkruante me modesti se ai nuk ishte shkrimtar. Të njëjtën
kam thënë për vete në disa shkrime apo intervista. Pohimi i mësipërm, më nxiti
të bëj kërkime dhe të shpreh disa opinione vetiake,ashtu si unë i mendoj, pas
një përvoje krijuese modeste pesëmbëdhjetë vjeçare, qofshin edhe subjektive e
të diskutueshme për këtë temë.
1. Ç’është shkrimtari?
Sipas përcaktimeve më të pranuara, shkrimtari- shkrimtarja, është një
person, i cili perdor fjalën e shkruar, në teknika dhe stile të ndryshme, për
të rrëfyer ngjarje dhe nëpërmjet tyre për të komunikuar ideoemocionalisht idetë
dhe pikpamjet për jetën dhe dukuritë shoqërore, të së tashmes apo të së
shkuarës. Shkrimtari me punën e tij, nxjerr në dritë forma te ndryshme te artit letrar dhe shkrime
krijuese si : skica, tregime, novela, romane, drama e komedi, skenarë filmash,
poezi e poema, studime dhe esse etj. Prodhimi i tij, në se mund ta quajmë
kështu, puna e materializuar, janë librat. Kontributi i tij është në mënyrë
sinjifikative pjesë e kulturës së një shoqërie së cilës ai i përket apo edhe më
gjerë, njerëzimit, kur ajo ka vlera
universale.
Besoj se ky percaktim e ka brenda peërgjigjen e pyetjes së mësipërme.
Letërshkruesi nuk ka pse të jetë modeste dhe të ndruhet për ta quajtur veten
poet dhe shkrimtar. Të quhesh poet apo shkrimtar, para së gjithash duhet të
njihesh dhe të pranohesh si i tillë nga lexuesit dhe opinioni letrar dhe të
përfshihesh në hierarkinë e vlerave. Kjo ndodh, kur krijimtaria ka vlera
cilsore e mbresëlënëse, mjeshtëri të thurjes, bukuri të fjalës, figura të
gjetura me hijeshi, finesë, elegancë dhe
që transmeton mesazhe, shtjellon ide, krijon te lexuesi gjëndje emocionale dhe
e bën atë të mendohet dhe ti mbetet gjatë në kujtesë ajo që ka lexuar dhe
përjetuar subjektivisht. Letërsia e arrin këtë me forcën e fjalës dhe mendimit,
pasi në të shkrimtari ve intelektin, dituritë, përvojën jetësore, zemrën,
shpirtin, ndjenjat dhe atë që ka më të mirë në vetvete.
2. Si e arrin ai këtë?
Vështirë të shpjegohet, por së pari të bërit letërsi është dhunti,talent i
lindur, prirje, jo domosdoshmërisht gjenetike. Një i lindur me talent, edhe kur
nuk është arsimuar, ka thurur bejte, këngë e rapsodi, që shpesh janë perla e
kryevepra të folklorit, me bukuri të pashoqe. Ata kanë mbetur anonimë, por krijimet
e tyre kanë mbijetuar dhe janë pjesë e trashëgimit tonë kulturor.Talenti, është
ajo nxitja e brendshme fillestare për të shkruar. Edhe talenti, në përmasa dhe
“madhësi” nuk është një konstate, është madhësi e ndryshueshme dhe me kufizimet
e veta. Në lëndinën e letërsisë, çdo krijues, është si një lule, e ndryshme për
nga madhësia dhe bukuria. Në ushtrinë e letrarëve ka gjeneralë, por edhe
ushtarë, kësisoj krijohet hierarkia e vlerave. Por këtu duhet bërë dallimi: ka
persona që kanë dëshirë të shkruajnë e të vargëzojnë, por u mungon talenti.
Këta janë ata që rëndom i quajnë grafomanë. Ka plot të tillë. Mjafton të hysh
në facebook. Kam njohur njërin prej tyre. Kur e pyeta përse ngulmonte ta
botonte atë libër (që i mungonin vlerat), më tha se donte të hynte në
bibliotekë dhe ti mbetej emri, si një trshëgim që donte t’ua linte fëmijëve! Në
një shoqëri të hapur e të lirë, ca më shumë në fushën e botimeve tek ne, ata
nuk kanë pengesa, por në shoshën e letërsisë ata mbeten sipër si krundet,
anashkalohen dhe harrohen. Ky është n jë nga mjerimet e letërsisë. Krijuesi i talentuar, paçka se i ngjashëm me
të tjerët e kësaj fushe, është i ndryshëm. Ai ka aftësinë që në ndodhitë,
ngjarjet apo dukuritë që në pamje duken të rëndomta, të gjejë të veçantën, atë
që të tjerët nuk e rrokin dot, te e zakonshmja ai sheh të pazakonshmen. Me
aftësinë e imagjinatës, përfytyrimit dhe abstragimit, u vesh sendeve dhe
dukurive cilësi të cilat i bëjnë ato disi ndryshe ngasa i sheh syri i një
soditësi të pavëmendshëm. Në njëfarë mënyre, një krijues i talentuar, është
disi i ngjashëm me një profet dhe
magjistar. Profet për atë që parathotë dhe magjistar i fjalës, duke bërë
kësisoj që lexuesi t’i shohë me tjetër sy dukuritë dhe ngjarjet,me perceptim artistik
dhe trajtim psikologjik e filozofik, të përjetojë e t’i besojë asaj që lexon,
duke nxjerrë edhe mësime përkatëse.Shkrimtari nuk e ndryshon dot botën, por
ndihmon që kjo të ndodhë.
Është kjo arsyeja, që poeti, shkrimtari, artisti, shihen me nderim e
respekt nga masa e gjerë, si pjesë e kulturës kombëtare e ca më gjerë,
evropiane apo universale, si kategori më vete, elitare. Vlerësohen për atë që
janë, për të veçantat e tyre, sa janë gjall, por disa edhe pas vdekjes, për
trashëgimin që lenë, kur ajo i qëndron kohës.
3.Vetëm talenti nuk mjafton. Pjesa tjetër e guximit krijues, është
puna. Puna për të studjuar e mësuar dhe pajisur veten me dituri të gjerë nga të
gjitha fushat e dijes. Pa këtë pasuri diturore dhe përvoje jetësore, vetëm me njohjen e teknikës
së të shkruarit, krijimtaria do të jetë e paplotë dhe gjithmonë diçka do t’i
mungojë. Është si të hysh në det pa mësuar notin. Edhe po s’u mbyte, do të pish
disa gllënjka ujë të kripur. Puna për të përvetësuar artin e të shkruarit, të
gjuhës amtare, pasurinë dhe bukurinë e fjalëve, vargëzimit, stilet,
kompozicionin dhe arkitekturën e thurjes, njohjen e rrymave, shkollave dhe
drejtimeve letrare është një proces i vazhdueshëm. Në të tjera vende, ka botime
me manuale të veçanta per shkrimtarët fillesatare, ka shkolla dhe kurse. Tek ne
një fillestar në letërsi, kur nuk kryen studime universitare për gjuhë-letërsi,
duhet të mësojë vetë. Mësuesit edhe pse jo të drejtpërdrejtë nuk mungojnë. Janë
veprat e tyre. Në varësi të interesave dhe prirjeve vetiake për gjinitë
letrare, zgjidhen shkrimtarët e shquar, klasikë apo bashkëkohorë dhe
përfaqësues të rrymave dhe drejtimeve letrare, nga letërsia e huaj por edhe
autorë vendës. Është një proces i gjatë dhe i lodhshëm, por rezultativ. Në
gjithë këtë, duhet ruajtur nga ndikimi i drejtpërdrejtë dhe epigonizmi, çka për
një fillestar është vërtet e vështirë, por ai duhet t’i shpëtojë këtij tundimi,
duke u përpjekur të krijojë profilin e tij vetiak, apo siç thuhet rëndom, për
të qenë vetvetja. Çdo krijues, është një individualitet, me veçoritë vetiake,
shijet dhe pëlqimet ideoestetike, fryt i cilsive dhe shprehive të lindura e të
fituara, me aftësi për të shprehur sipas mënyrës dhe bindjeve të tij
ndjeshmëritë dhe pikpamjet për jetën dhe njerëzit. Kjo i bën krijuesit të
dallueshëm dhe letërsinë të larmishme, me ngjyresa të veçanta e të dallueshme,
një mozaik, ku lexuesit kanë se çfarë të zgjedhin, të pëlqejnë apo edhe të mos pëlqejnë.
Shkrimtarët e vërtetë janë revolucionarë në artin e tyre. Nuk pajtohen me
rutinën, krijimtarinë mediokre. Janë në kërkim të formave të reja dhe
ndryshimeve përmbajtësore. Kësisoj kanë lindur rryma e shkolla krijimtarie:
klasiçizmi, realizmi, realizmi i quajtur kritik, realizmi socialist,
romantizmi, futurizmi, dadaizmi,
imazhinizmi, hermetizmi, absurdi, realizmi magjik etj. që kanë përfaqësuesit e
tyre të shquar. Shkrimtarët shpesh, në
trajtimin e subjekteve, edhe pa qenë filozofë, shfaqen si doktrinarë, me një
platformë filozofike të vetën. Predikimet doktrinare të Tolstoit dhe pikpamjet
për shoqërinë e kohës së vet, u quajtën tolstoizëm dhe patën ndjekës të shumtë.
Si qytetarë të përgjegjshëm dhe qënie sociale, janë aktivë dhe pjesmarrës në
jetën shoqërore. Mjafton të përmendim Anatol Francin për çështjen Drejfus,
pjesmarrjen e Hemingueit në dy luftrat botërore dhe luftën civile në Spanjë në
krah të republikës, apo të Petro Markos dhe Skënder Luarasit, po në Spanjë.
Qëndrimet e Ismail Kadaresë për çështjen kombëtare dhe Kosovën etj. Ata shpesh bien nën ndikimin e politikave dhe
partive që i përfaqsojnë ato, dhe bëhen përfaqësues të zëshëm të tyre, nga një
herë në anën e gabuar. Poeti i shquar amerikan Ezra Paundi ra nën ndikimin e
fashizmit italian, krah fashizmit u rreshtua edhe poeti i shquar italian
Xhuzepe Ungareti. Poeti nobelist Saramago ishte komunist liberal, kështu
edhe Lui Aragoni, Kuazimodo, Nazim Hikmeti etj. Por kjo nuk i pengoj ata të
jenë krijues të shquar dhe me emër të madh. Një artist i madh nuk mund të
mbyllet në kullën e fildishtë. Megjithate, politika vete e vjen, arti I madh
mbetet.
4.Arti i të shkruarit është i vështirë dhe puna për të
është vërtet e rëndë. Prodhimi letrar
është produkt dituror, i ndijimeve,mendimit, i pleksjes së abstraktes,
imagjinares dhe reales, që arrihet
nëpërmjet punës, disiplinës vetiake dhe
durimit duke u hedhur në letrën e bardhë. Atëhere ,kur është kështu, lind
pyetja: përse shkruajmë? Ka kaq shumë trajtesa e përgjigje për këtë pyetje, e
të tjera do të shkruhen, por mendoj se
nuk duhet të shkruaj për të, por disa
gjëra duhen thënë. Shkruajmë kur e mendojmë se kemi për tu thënë dhe
transmetuar këndonjësve, diçka të
veçantë, apo të zakonshme, ndodhi, në të cilën apo të cilat ngërthehen
ide, filozofi, soditje me sy kritik të dukurive jetësore, pikpamje e qëndrime
ideo-estetike, që janë pjesë e jetës, pavarësisht se i takojnë së shkuarës apo
së tashmes, duke ia lënë këndonjësit që të mendojë, të bëjë vlerësime e të
nxjerrë mësime prej tyre. Si i tillë, të shkruarit, veçanërisht në prozë dhe
trajtimi i subjekteve, ndryshe nga poezia, nuk është një dukuri e vetvetishme
(spontane) por e mirmenduar. Për gjinitë e gjata, duhet të ketë gjithmonë një
punë parapërgatitore,që i quajnë sinopse, për grumbullimin e materialit faktik,
që i paraprin dhe përgatit indin bazë të hartimit të veprës, i cili në procesin
e krijimit edhe mund të ndryshojë apo shmanget.
Puna e shkrimtarit, të shkruarit, është një punë e vetmuar, tepër vetjake.
Këtë nuk e them si gjë të re . E kanë thënë edhe të tjerë. Në çdo rast, qoftë
para letrës së bardhë, tastierës së makinës së shkrimit apo ekranit të
kompjuterit, ai është i vetëm, por jo dhe aq sa duket, ngaqë ai është nën
shoqërinë e personazheve të tij dhe i përfshirë
në vorbullën e ngjarjeve që trajton. Është një përjetim virtual, si të
thuash një pjesë e dytë e jetës së shkrimtarit, mundësi që nuk e kanë krijuesit
e fushave të tjera. Natyra e vetmuar e punës së krijimit, ka bërë që shumë
shkrimtarë të veçohen në botën e tyre që të jenë të patrazuar: Tolstoi në
çifligun e tij të Jasnaja Polianës, Floberi, në shtëpinë e tij në buzë të
Senës, Heminguej në vilën e tij në Kubë, Pasternaku në vilën e tij në rrethet e
Moskës, Jakov Xoxa në manastirin e Apollonisë, Kadareja në kafe”Rostand” etj.
Por ky mënjanim, nuk ka shmangur nevojën për kontakte e takime me shokë e miq
krijues apo admirues të letrave, për një arsye të thjeshtë: në procesin e
krijimit, shkrimtari bën sa mundet dhe përpiqet që të japë më të mirën e
tij të mundshme, por gjithmonë gjendet para dilemës dhe brejtjes së dyshimit
nëse e ka arritur cilësisht dhe idoestetikisht krijimin e vet, që të jetë i
pëlqyeshëm nga lexuesi. Në këtë rast ai kërkon mendimin e kolegëve të vet.
Gustav Floberi, udhëtonte qëllimisht në Paris dhe shkonte për tu lexuar miqve
të vet kapituj nga shkrimet që kishte në dorë. Kështu vepronin edhe Çehovi,
Tolstoi, Gorki, Heminguei, Fitzxheraldi etj. Është për tu vënë në dukje, se ata
ishin të hapur dhe nuk i kursenin vrejtjet dhe kritikat, pëlqimin apo
mospëlqimin, pa menduar për hatërmbetjet. Në SHBA, organizohen në vende publike
seanca dëgjimore të shkrimtarëve që lexojnë veprat e veta. Edhe ndër ne,
shkrimtarët kerkojnë mendimin e kolegeve. Më kanë dërguar dorëshkrimet e tyre
për shqyrtim dhe dhënie opinioni shkrimtarët Arben Kondi e Enver Kushi, në
Tiranë, Sotir Athanasiu, ne Athinë, Kristaq Turtulli në Kanada, Illo Foto në
Nju Jork, Albina Idrizi në Gjilan dy romanet e saj”Për një mëngjes ndryshe” dhe
së fundi për “Përsëri mars” . I kam shqyrtuar me kujdes, më kanë falnderuar dhe
i kanë konsideruar vrejtjet dhe mendimet e dhëna prej meje.Të njëjtën kam bërë
edhe vetë, pastaj u kam dhënë udhën e botimit librave të mi. Besoj kështu
veprojnë (dhe është e këshillueshme të veprojnë) edhe krijues të tjerë seriozë
brenda rrethit të tyre shoqëror.Eshtë e shëndetshme për krijimtarinë, kur ajo
shqyrtohet kur sapo ka dalë nga “Furra”.
5.Lehtësia e të shkruarit, është veç përvojës edhe
shprehi, por edhe kërkesë ndaj vetes. Në ditët tona ka autorë që
shkruajnë me shpejtësi të çuditshme: Daniel Sill, shkruan tre romane në vit,
disa prej të cilëve bestseler dhe të kërkuar sidomos nga gratë. Ndër shkrimtarët
dhe poetët tanë bashkëkohës, shquhen për prodhimtari romancierja Brunilda
Zllami, që ka shkruar 19 romane , Amedeo Baçi (në s’gaboj 52 romane) poeti Adem
Zaplluzha me mbi 100 libra poetikë etj. Njihet dhe rasti tjetër, që shkrimtarët
janë shumë kërkues dhe dyshues për atë që shkruajnë. Shembulli klasik mbetet
G.Floberi, jashtzakonisht kërkues ndaj vetes, që prishte dhe rishkruante disa
herë të njejtin episod, deri sa të bindesh se e kishte arritur. Me këtë metodë,
me stilin dhe kërkesat ndaj gjuhës, vertet ai shkroi pak, por na la kryevepra
si “Zonja Bovari”. Kështu vepronte dhe Heminguei që shkruante dhe rishkruante
krerë të tërë të romaneve të tij deri sa të arrinte te ajo prozë e “vërtetë dhe
e ndershme” për lexuesin, sipas koncepteve të tij estetike. Ai pohon se
mbylljen e “Lamtumirë armë” e shkroi 32
herë! Letërsia e madhe është fryt i kërkesave ndaj vetes që shpesh shkon
deri në stërmundim. Kjo i bën disa emra shkrimtarësh të shquar dhe që mbeten
gjatë në letërsi.Tekefundit,nuk ka vlerë sesa libra shkruan një autor, por sa
nga ato mbeten dhe i qëndrojnë kohës. Vlen nw kwtw rast shembulli i Migjenit,
krijimtaria e tw cillit pwrmblidhet e gjitha nw njw libwr tw vetwm, apo Lasgush
Poradeci, me njw tufw poezi. Edhe në opusin e veprave të shkrimtarëve të
shquar, qw na kanw lwnw kryevepra, hasen edhe krijime mediokre, që harrohen,
ose qw e ndal leximin pas kreut tw parw. Jo çdo krijim është një arritje.
6.Letërsia është arti i fjalës. Në se në një krijim letrar veprimi
dhe mendimi janë skeleti eshtëror, fjala është mishi,veshja e saj që e formëson
, i jep hijeshi, lirizëm, ngjyresën e
hapësirës ku zhvillohen ngjarjet dhe veçanti e tipizim të personazheve. Gjuha
nxit përfytyrimin, bën materializimin e abstraktes dhe gjallëron gjendjen
emocionale. Shqipja jonë është gjuhë e bukur. Thesar, me spektër të gjerë
sinonimik, ku krijuesi ka se çfarë të zgjedhë midis fjalëve, ato që shkëlqejnë,
me tingëllim e muzikalitet, që thonë shumë kur vihen nw vendin e duhur. Kemi në
letërsinë tonë modele të admirueshme të ligjërimit gjuhësor e të shkrimit:
Nolin,Migjenin, Dhimitër Paskon, Sotir Cacin, Vedat Kokonën, Jakov Xoxën,
Ismail Kadarenë, Xhaferr Qosen, Vath Koreshin, Zija Çelën, Anton Pashkun, Ali
Podrimjen, Faik Ballancën, Sotir Andonin, Naum Priftin, përkthimet model me
gegërishten brilante dhe elegante tw Pashko Gjeçit, Gjon Shllakut etj. etj.
Prej këtyre mjeshtrave kanë se ç’të mësojnë dhe qëmtojnë gjithë krijuesit, por
veçanërisht krijuesit e rinj. E them këtë, ngaqë në publikimet e mediave
elektronike, janë të shpeshta masakrimet e gjuhës, përdorimi i barbarizmave,
krahinarizmave, dhe fjalëve të marra nga bashkëkohësia ligjërimore. Gjith ky
leksik, është si mish i huaj në trupin e shqipes, po t’i shtosh këtyre edhe
gabimet drejtshkrimore dhe përdorimet dialektore të panevojshme, krijohet një
gjendje e padëshiruar që i shëmton shkrimet, në poezi apo prozë.Ndërkohë, që
shqipja jonë ka sinonime të shumta dhe një mundësi e konstrukt fjalëformues të
admirueshëm, që krijuesi duhet t’i përdorë.
Liria në të shkruar dhe në publikime, mungesa e kufizimeve dhe censurës,
duhet të përbëjë përgjegjësi dhe kërkesë vetiake, pse jo dhe një vetcensurë, e
jo rast për krijime e publikime shkeleshko. Shënjtëria dhe hijeshia e fjalës
duhen ruajtur me fanatizëm. Asnjëherë nuk duhet ngutur për të publikuar. Një
krijim s’duhet të jetë si fryti aguridh, i këputur papjekur, se mbetet i tharët! Për gjuhën, them se duhen mbajtur
parasysh edhe tri gjëra: ekonomia e fjalëve, të arrihet që me pak të thuhet
shumë, me fjali e paragrafë të ngjeshur. Shembulli më i mirë do të ishte
Migjeni. Së dyti: duhet ruajtur nga
zhvlerësimi i fjalëve(inflacioni) ngaqë shpesh autorët, sidomos poetët,
pëlqejnë disa fjalë veç të tjerave dhe i përdorin aq shpesh, sa ato, sado të
bukura, humbin vlerën. Së treti, respektimi i normës drejtshkrimore, të asaj që
tashmë është bërë zakon të quhet shqipja standarde.
7. Kur flasim për krijuesit e sotëm të fushës së letrave, na krijohet
një pështjellim.Veçoria dalluese është shumësia e prurjeve, veçanërisht në
poezi, por edhe në prozë. Prurjet vijnë veç Shqipërisë(londineze) nga Kosova, Ilirida,
Presheva, nga mërgata e vendeve evropiane, me ngulime më të mëdha: Greqia,
Italia, Gjermania dhe sidomos Amerika. Tematika është e shumllojtë sa vështirë
të përcaktohet tipologjia. Portalet elektronike dhe internet gazetat,”Fjala e
lirë”, ”Kritika”, “Zemra shqiptare”, “Kosovari Media”, “Alb emigrant” etj.
përfshi edhe facebook-un janë të tejmbushura. Është krijuar një mjedis virtual,
me lexues po virtual. Me qindra e qindra publikojnë në gazetën “Muzgu” të Mark
Simonit. Të listosh krijuesit që publikojnë në rrjëtët sociale, bëhet një varg
kilomrteik,aq sa një studjuese na ka quajtur “popull shkrimtar”. Në poezi më së
shumti i këndohet dashurisë, qofshin këta të rinj por edhe poetë të moshuar. O
sa shumë poezi erotike: deri në velje e
mërzi! Ngjan sikur në jetë s’ka gjë tjetër veç saj! Por ja që s’është ashtu.
Në prozë, bie në sy lëvrimi i tregimit, më pak novelës dhe romanit. Para viteve 90-të, botimi I romaneve
numërohej me gishtat e dorës dhe përbënte ngjarje kulturore. Këto vite, janë
botuar jo me dhjetra, por pa e tepruar qindra romane, nga autorë me e mër por
edhe fillestarë që presin të afirmohen, të lexohen dhe të vlerësohen. S’ka
asgjë të keqe nga kjo shumësi autorësh dhe krijuesish, dhe prurjet që ata
sjellin në letrat e sotme shqipe, përkundrazi, ka veç mirë. Porse problemi
mbetet i hapur: në Shqipëri nuk ka bashkësi krijuesish të institucionalizuar,
mungon “Lidhja e Shkrimtarëve”(në Kosovë e kanë)Në disa qytete, si në Durrës, Vlorë
,Sarandë e Korçë, janë krijuar klube letrare, por kjo s’mjafton, ka thjesht
vlerë lokale. Ndryshe nga vitet 90-të, mungon një ngrehinë ku krijuesit të mblidhen, ku të njihen, ku të paraqesin në
publik krijimtarinë e tyre, as ku të bashkbisedojnë. (Si nuk u gjend vallë në
gjithë këtë Tiranë një ngrehinë për Lidhjen e Shkrimtarëve kur janë gjendur për
gjithë partitë dhe partizat?) Aktorët kanë Teatrin Kombëtar, Teatrin
Eksperimental dhe teatrot e rretheve, Artistët këngëtarë dhe të baletit, kanë
Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Akademinë e Arteve. Po shkrimtarët? Askund!
Ministria përkatëse, duket sikur letërsinë, nuk e konsideron pjesë të kulturës
kombëtare. Mesa duket, nuk e njeh Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe nuk
kujtohet për të dhe vlerësimin e krijuesve. Shpesh, për këtë nënvlerësim e
bjerradore, ka ankesa nga krijuesit, por nga mënyra si bëhen dhe adresohen,
këto ankesa apo protesta, bien në vesh të shurdhër, si zë në shkretëtirën e
indiferencës zyrtare.
8.Nga organet përgjegjëse, asnjë ndërhyrje apo interesim. Ka mbi
njëqind shtëpi botuese, që më së shumti funksionojnë si shtypshkronja, të pa
akredituara, që punojnë me kërkesë-ofertë, që nuk venë asnjë barrierë për
botimet, që nuk marrin përsipër asnjë detyrim, pa redaktorë, pa qortues
letrarë, pa profesionistë të kualifikuar, një rrokopujë e tollovi gjuhësore ku
lejohet të masakrohet shqipja normative. Autorët nuk paguhen,përkundrazi
paguajnë, dhe ç’është më keq, libri nuk shpërndahet. Autorëve nuk u tërhiqen
libra as për bibliotekat e rretheve. Libri i autorëve shqiptarë nuk promovohet,
nuk evidentohet, nuk i rekomandohet lexuesit. Nuk ka politikë botimesh, i
mshohet fort letërsisë së huaj, në libraritë e shitjes me shumicë, nga librarët
tërhiqet kryesisht libri i huaj. Bëhen përkthime gati shterruese të disa
autorëve komercialë apo nobelistë, pa një orientim në aspektin e shpërndarjes
gjeografike, gjuhësore apo rrymave e drejtimeve letrare, por thjesht nga
parapëlqime të përkthyesve, në shijet letrare të të cilëve nuk ka pse të mos
dyshojmë. Në tregun e librit mungojnë vjetarët me listimin e botimeve që
lexuesi të njihet me to dhe të dijë ku ti kërkojë.
Sa për çmimet e shitjes në treg, ato janë të pakontrolluara e skandaloze: dy-tre herë koston e prodhimit,
çka bëhet pengesë në blerjen e tij nga lexuesi i thjeshtë. Ata që lexojnë,nuk
kanë para t’i blejnë librat, kurse ata
që kanë para, nuk lexojnë dhe kuptohet nuk blejnë libra. Kësisoj, botuesit me shitjen e gjysmës së
tirazhit përballojnë koston, dalin me fitim dhe nuk e kanë problem nëse u
krijohen stoqe në rastin e qarkullimit të ngadaltë.
9.Po kritika letrare? Miku im,shkrimtari Përparim Hysi, thotë që
kritika bën gjumin e ariut. Dhe ka të drejtë. Ndërsa letërsia është art,kritika
është shkencë, si e tillë ajo lëvrohet nga pak autorë. Nuk është se mungojnë
kritikët, por ka një mos angazhim të tyre deri në braktisje. Kanë fituar titujt
e gradat shkencore,kanë zënë katedrat universitare dhe e ndjejnë veten komodë
me mësimdhënien. Shkrimet kritike, si shumë të tjera nuk paguhen dhe ata, tek e
fundit, nuk ka pse të punojnë badiava.
Kur angazhohen ata merren me “Majat” me patriarkët e letërsisë, me të
shkuarën, por jo me talentet e reja, me të tashmen. Jo me prirjet, jo me
tendencat, jo me dukuritë, jo me evidentimin e vlerave dhe risive të këtyre
afro 25 vjetëve. Në boshllëkun e krijuar, shkrimtarët dhe poetët, shkruajnë
reçensione me impresione vlerësuese e
miqsore për njëri-tjetrin, shpesh me superlativa të pamerituara, aq sa ato u
ngjajnë qokave letrare, për të ledhatuar sedrën krijuese të akcilit.
Në përfundim të kësaj sprove, shoh të nevojshme të ve në dukje se: Lidhja e Shkrimtarëve të riformohet apo
riorganizohet mbi bazën e kritereve demokratike, të pajiset me ndërtesën me
mjedise të përshtatshme pune. Të ketë organet e saj për promovimin e
krijimtarisë letrare, një buxhet modest për pagesën e drejtuesve dhe vlerësimet
e çmimeve vjetore, të ndermerren nisma ligjore për botimet, shtëpitë botuese,
shpërndarjen dhe tregun e librit. Lehtësi financiare për organizimin e panaireve
të librit,për mendimin tim me një pagesë simbolike, të cilët mund të jenë disa,
ku letërsia shqipe të ketë pavione ose seksione të veçanta. Pa lënë mënjanë
edhe studiot televizive,që duhet t’i japin më shumë vend librit artistik dhe
mendimit letrar dhe evidentimin e autorëve të talentuar, për të orientuar
lexuesit në përzgjedhjen per lexim te librave dhe autorëve.
Tiranë,
2014-2019