| E hene, 23.09.2019, 01:57 PM |
Me
dyshtetësi
Nga
Alfred Papuçiu
Kohët
e fundit po flitet së tepërmi për problemin e dyshtetësisë. Nacionaliteti i
dyfishtë, rasti më i zakonshëm i "shumëkombësisë", është të kesh dy
kombësi njëkohësisht.
Shumica
e shteteve të botës e njohin ose e
tolerojnë atë, veçanërisht në Europë. Disa shtete e ndalojnë shprehimisht: ose
shtetasit e tyre që fitojnë një kombësi tjetër privohen automatikisht nga
kombësia e tyre e mëparshme (ky ishte rasti i belgëve që fituan një kombësi
tjetër - përveç kombësisë izraelite - nga 1984 në 2007), ose ata kërkojnë prova
se personi që fiton shtetësinë e tij ka hequr dorë nga kombësia e mëparshme. Të
tjerët thjesht nuk e njohin dyshtetësinë ose e injorojnë atë kur personi është në
territorin e tyre. Më në fund ka shtete të tjerë që e lejojnë atë plotësisht.
Disa e ndalojnë atë vetëm për ushtrimin e mandateve të caktuara politike ose
funksioneve publike, siç është rasti i Algjerisë. Në Francë, nëse dyshtetësia
nuk është e regjistruar në ligjin francez, ajo është e rrënjosur në një traditë
të gjatë, siç u shpreh në maj 2011 për AFP/Agjencinë franceze të lajmeve/,
historiani Patrick Weil: "Franca ka pranuar gjithmonë dyshtetësinë, si
Mbretëria e Bashkuar. Pas Luftës së Parë Botërore, gjatë riintegrimit të
Alsace-Moselle në Republikën Franceze, disa gjermanë të vendosur në rajon donin
të bëheshin francezë, ndërsa gjithashtu ruanin kombësinë e tyre të origjinës.
Kjo nuk paraqiste asnjë problem ". Sipas profesorit Paul Lagarde, një specialist
i kombësisë dhe autor i „Nacionalitetit francez“, "ka fëmijë që janë me
dyshtetësi me prejardhje, është një supozim jashtëzakonisht i zakonshëm,
ekziston një lidhje e dyfishtë e cila është krejtësisht e ligjshme ... Unë nuk
shoh pse duhet t'i detyrojmë ata të zgjedhin, dhe pse individi këtu do të
zëvendësojë një faktor lidhës, i cili është i dyfishtë në natyrë dhe i cili e
lidh këtë fëmijë me dy vende". Në dallim nga emigrantët me origjinë
italiane ose spanjolle, ata nga vendet e tjera të Bashkimit Europjan shumica e
kanë dyshtetësinë kur bëhen francezë.
Një
qytetar me dyshtetësi mban dy pasaporta, të cilat mund të lehtësojnë kalimin
kufitar ose marrjen e vizave. Ndonjëherë mund të votojë në zgjedhjet kombëtare
të të dy vendeve (nëse njëra prej vendeve nuk kërkon që votuesit të jenë
rezidentë të përhershëm). Kjo shpjegon pse dyshtetësia nganjëherë paraqitet si
privilegj mbi mononacionet dhe si një shkelje e parimit të të drejtave të
barabarta.
Personi
që ka dyshtetësi duhet të respektojë detyrimet e tij në secilin vend. Për
shembull, në Belgjikë, votimi është i detyrueshëm; qytetari amerikan që banon
jashtë vendit vazhdon të paguajë taksat në Shtetet e Bashkuara. Kombësia në
këtë mënyrë krijon kufizime që nuk janë gjithmonë të pajtueshme (shërbimi
ushtarak, etj.).
Më
6 maj 1963 Këshilli i Evropës nxori Konventën e Strasburgut, objektivat e së
cilës u sqaruan në paragrafët parafillor: "Duke marrë parasysh se qëllimi
i Këshillit të Europës është të arrijë një bashkim më të ngushtë midis
anëtarëve të tij; duke marrë parasysh që kombinimi i kombësive është një burim
vështirësish dhe se veprimi i përbashkët me qëllim të zvogëlimit sa më shumë të
jetë e mundur, në marrëdhëniet midis Shteteve Anëtare, raste të kombësisë së
shumëfishtë, përmbush qëllimin e ndjekur nga Këshilli i Europës ; duke
konsideruar se është e dëshirueshme që një individ që posedon kombësinë e dy
ose më shumë Palëve Kontraktuese duhet të përmbushë detyrimet e tij ushtarake
vetëm në lidhje me njërën nga këto Palë. "
Pas
kësaj Konvente, çdo blerje e një kombësie të re (me natyralizim ose mjete të tjera)
të një prej Shteteve Kontraktuese nga një shtetas i një Shteti tjetër
Kontraktues, duhet, në parim, me përjashtime, të çojë në braktisjen automatike
të kombësia e origjinës.
Megjithatë,
një numër i Shteteve të Konventës hynë në një marrëveshje interpretimi në 2007,
duke i lejuar ata të "denoncojnë Kapitullin e parë të Konventës në çdo
kohë". Kjo është ajo që bëri Belgjika në 2007 dhe Franca në 2009: prandaj,
që nga 5 Mars 2009, marrja vullnetare e kombësisë së një prej Shteteve Palë në
këtë Konventë nga një shtetas francez nuk nënkupton më humbje të kombësisë
franceze. Shtetet që kanë nënshkruar këtë marrëveshje, duke hapur kështu
mundësi më të mëdha të dyshtetësisë nëse vendosin të denoncojnë këtë pjesë të
Konventës janë: Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Irlanda, Italia, etj.
Luksemburgu, Hollanda, Norvegjia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Zvicra
pret në tokën e saj prej 41 293 km katrorë dhe me banorë rreth 8 milionë vete,
rreth 200.000 shqiptarë, si dhe një numër të konsiderueshëm italianësh,
gjermanë, portugezë, francezë, spanjollë, amerikanë, afrikanë e popuj të
vendeve të tjerë. Zvicra është konfederatë dhe në këtë vend të vogel, që nuk
është as sa dyfishi i Shqipërisë punojnë e jetojnë në harmoni banorë që flasin
katër gjuhë kombëtare: gjermanisht, frëngjisht, italiasht dhe romanshë.
Autoritetet e Gjenevës para disa vitesh pranuan bustin e Heroit tonë Kombëtar,
Skëndebeu që është ngritur buzë liqenit Leman, pranë Organizatës Ndërkombëtare
të Tregtisë. Italianët në Romë shohin çdo ditë monumentin e heroit tonë
kombëtar tek “Piaca di Skanderbeg”. Janë bërë përpjekje për të ngritur bustin e
Skënderbeut edhe në vende të tjera. Dhe ndoshta një ditë ne apo brezat tanë të
ardhshëm do ta shohin këtë ëndërr të realizuar. Ky simbol i atdhedashurisë
mendoj se duhet të shtrihet edhe tek çështja e dyshtetësisë. Po shprehem më
qartë: disa shtete në bazë të legjislacionit të tyre i detyrojnë shqiptarët,
por edhe të huajt të braktisin kombësitë e vendeve nga kanë ardhur, nëse duan
të marrin atë të shtetit ku jetojnë. Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe kudo
që jemi në çdo shtet të botës, kemi bërë emër për korrektësinë, jemi
punëdashës, familjarë, ruajmë zakonet tona, kulturën tonë dhe të tjerët na
respektojnë. Pa çka se ndonjë, për hesapet e veta ngre anatema kundër
shqiptarëve se janë njerëz që merren me shitjen e drogës, me prostitucion e nuk
e di çfarë. Një pakicë e bashkëatdhetarëve tanë për arsye ekonomike mund të
bien në prerin e krimit, shtyrë edhe nga ai dikushi që nuk na e don të mirën.
Por ne jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe këtë e tregojnë edhe kolokiume si ai
për Kushtetutën tonë, në Universitetin e Gjenevës, apo edhe organizimi i
ekspozitave dhe veprimtarive të ndryshme për Shqipërinë, organizuar në Pallatin
e Kombeve e kudo në botë, ku marrin pjesë me kënaqësi personalitete të shquara
të politikës, të shkencës, të ekonomisë, kulturës dhe bashkëatdhetarët tanë.
Unë nuk mund t’i harroj kurrë ato mbrëmjet apo veprimtaritë me shqiptarët në
Nju Jork vite më parë, apo edhe tani ku marrin pjesë edhe përfaqësues nga brezi
i ri nga Kosova e viset, Shqipëria. Pra
e përsëris, jemi krenarë që jemi bij të tokës mëmë: Shqipëri. Jemi krenarë siç
janë gjermanët e vendosur prej dhjetravjeçarë në Shtetet e Bashkuara dhe që
kanë lagjen e tyre “gjermane”, gazetat e tyre, ruajnë kombësinë e tyre, apo
edhe grekët me lagjen e tyre në Florida. Kështu ka ndodhur dhe me popuj e breza
të tërë që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për një arsye ose një
tjetër. Ky është një fenomen jo vetëm i vendeve të varfëra dhe në tranzicion,
por edhe i shteteve të pasura. Le të sjellim përsëri shembullin pozitiv të
Zvicrës. Zvicra, një vend i vogel, në sajë të legjislacionit zviceran, edhe
nëse ke marrë nënshtetësinë zvicerane, mund ta mbash edhe atë italiane,
gjermane, spanjolle, portugeze, somaliane, turke, srilankeze. Pra mund ta ruash
dyshtetësinë. Pra, një vend që ka katër gjuhë kombëtare, respekton gjithashtu
qytetarët e vendeve të tjera që kanë zgjedhur si vend të dytë të tyre Zvicrën.
Po të shohësh termin “nacionalitet” në fjalor thuhet: “përkatësi juridike e një
personi në popullsinë e një shteti: të kesh nacionalitetin e dyfishtë”….”Grupim
individësh të së njëjtës origjinë ose që kanë të njëjtën histori dhe tradita të
përbashkëta, por që nuk përbën shtet”.
Prandaj
sygjerova dhe përmenda se mund të japim ndihmesën tonë për botimin e temave të
kolokiumit për Kushtetutën apo edhe për tema të tjera me interes. Me ndihmesën
e profesorëve zviceranë, italianë dhe shqiptarë, por edhe të studentëve, ne
mund të bëjmë shumë për mbrojtjen e shtetësisë shqiptare. Unë nuk mund të kem
të njëjtin mendim me atë studenten shqiptare që u shpreh në konfidencë se
kishte qënë për disa vite në një shtet të huaj dhe atje vete shqiptarët kishin
pranuar shtetësinë e atij vendi. Ajo mund të pohonte më mirë se shqiptarët si
popuj të vendeve të tjerë, për një arsye ose një tjetër, kishin qënë të
detyruar të merrnin shtetësinë e vendit ku ishin vendosur. Nuk kishin zgjedhje
tjetër, pasi ai vend nuk u jep mundësinë si Zvicra e vende të tjera të kenë
dyshtetësinë. Por kurrë ndonjë shqiptar i ndershëm nuk do të pranonte me
dëshirë ndryshimin e emrit dhe përkatësinë si shqiptar, një komb i lashtë, një
komb që ka ruajtur të pastër gjuhën, zakonet dhe gjithçka të mirë për t’ua lënë
trashëgim brezave të ardhshëm, që një ditë do të kthehen në tokën e tyre të
bukur, buzë detit, në fushat e Myzeqesë apo Devollit, në Voskopojë apo
Fier, në malet e lartë e të bukur në
Valbonë, në Prizren ose Gjakovë, në Tetovë apo Shkup e gjetiu. Fatmirësisht ka
në botë vende me demokraci shembullore dhe një legjislacion të përshtatshëm dhe
bashkëkohor si Zvicra që respekton prejardhjen dhe rrënjët e banorëve të huaj
që kanë zgjedhur të banojnë qoftë edhe përkohësisht apo përherë tokën
zvicerane, me njerëz të mirë, punëtorë dhe të lumtur.
PS: Më bëhet qefi që shtypi
shqiptar ka botuar para disa kohësh një artikull me titull: “Dyshtetësi edhe
për emigrantët”. Ndër të tjera në artikull theksohet: “Tema e dyshtetësive
erdhi përsëri në skenën politike dhe mediatike greke, por këtë radhë jo vetëm
për nënshtetasit shqiptarë me origjinë greke, por edhe për emigrantët shqiptarë
që jetojnë në Greqi. Sipas gazetës së sipërpërmendur, ministri i jashtëm grek i
asaj periudhe, Jorgos Papandreu e karakterizoi logjike për një vend demokratik
siç është Greqia, edhe të drejtën e akordimit të dyshtetësisë, emigrantëve, të
cilët jetojnë për një kohë të gjatë në Greqi. Pra kjo temë dhe ky problem tepër
aktual dhe serioz për gjithë migrantët tanë në botë, shpresoj që një ditë të
afërt të gjejë një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme, duke patur edhe
mbështetjen e profesorëve tanë të së drejtës ndërkombëtare për të gjetur
argumentat e duhura, jashtë pasioneve dhe presioneve politike, apo maturisë së
tepërt për të mos prishur qefin me një shtet tjetër apo grupim njerëzish.