Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Lufta patriotike e Vlorës
E marte, 03.09.2019, 09:00 PM
Kujtime nga një ngjarje e madhe
Lufta
patriotike e Vlorës
Nga
Reshat Kripa
3
shtator 2019, nëntëdhjetenëntë vjetori i luftës së madhe patriotike të Vlorës,
asaj lufte të madhe në krye të së cilës ishin tre figurat më të shquara të
historisë së këtij kombi, Shahin Nuredini, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi dhe
që përfundoi me hedhjen në det të pushtuesve italianë që kishin zaptuar Vlorën
e flamurit të 1912-ës.
Në
këtë ditë historike para syve të mi më del një ngjarje e ndodhur
gjashtëdhjetekatër vite më parë në kampin e të burgosurve politikë të Bulqizës.
Ishte
3 shtatori i vitit 1955, tridhjetepesë vjetori i kësaj lufte të madhe. Me
nismën e doktor Isuf Hysenbegasit, kishim përgatitur një mbrëmje përkujtimore
në infermierinë e kampit. Në atë mbrëmje nuk kishte darka dhe kokteje, Në vend
të darkës ishte luga e supës me qepë dhe në vend të koktejit fixhani me çaj të
ftohtë që na servirnin Në atë mbrëmje u
recituan poezi nga
Kudret Kokoshi, një poet i
burgosur, kushtuar kësaj ngjarje. Mua më ishte caktuar të recitoja poezinë “Një
ditë vjeshte” Akoma i kam parasysh vargjet e asaj poezie:
Unë pashë një ditë
vjeshte, një flamur bërë çika çika,
Një flamur me shkab të
zezë, që qe prerë me njëmijë thika,
Një flamur me bojë
gjaku, që valonte papushuar,
I përcjell nga disa
burra, që të gjithë duke kënduar.
E përcillnin njëmijë
trima, me shkopinj e krabë në dorë,
Kryet lidhur, gjokset
thyer, unë i pashë një ditë në Vlorë.
Ata luftëtar legjende,
ata lajmëtar lirie,
Që i dhanë fluturim
shqiponjës, pas pesë shekuj robërie!
Oh, thanë zemrat, oh, sa
bukur mbi Vlorë shkaba valon!
Unë pashë një ditë
vjeshte, epopen e vendit tonë!
Duke
e recituar atë poezi, nuk e di se si prej syve filluan të më rrjedhin lotë.
Ishin lotët e dhimbjes për lirinë. Ishin lotët
e dhimbjes për
Vlorën time. Nuk e kisha përfunduar
ende recitimin kur ia behi krimineli i kampit, operativi i sigurimit toger
Ademi.
- Çfarë po ndodh këtu? – Klithi me nje zë
egërsire. Doktor Isufi, me gjakftohtësine
që e karakterizonte iu përgjigj: -
Është tridhjetepesë vjetori i luftës së Vlorës dhe ne jemi mbledhur për
ta kremtuar.
Krimineli
nuk priti që doktori të mbaronte fjalën. I shoqëruar nga një grup policësh që
i pruri me vete, filloi të na godiste me çfarë të mundte dhe na mbylli
në birucën e ngritur për këtë qëllim. Për këtë u dënuam me një javë mbyllur në
birucë me vetëm një vakt lëng qepe dhe tre muaj pa të drejtë takimi me
prindërit.
Kjo
ishte mënyra se si e kremtonte krimineli këtë ngjarje të madhe historike.