| E premte, 30.08.2019, 10:39 AM |
Çubrilloviqi dhe të korruptuarit e sotëm
Nga
Blerim Latifi
Pas
postimit që bëra për Ramë Bllacën, postim në të cilin përmenda edhe
Projektin serb të shpërnguljes së shqiptarëve, të hartuar nga Vaso Çubrilloviqi
me 1937, kam marrë me dhjetëra e dhjetëra pyetje nga qytetarë të ndryshëm, të
cilët kërkojnë më shumë shpjegime rreth këtij plani. Është vërtet e habitshme
sa pak njihet libri i Çubrilloviqit tek ne. Kjo është edhe një shenjë se
edukimi historiografik që ofrojnë shkollat tona, është në gjëndje të
mjerueshme. Ky libër nuk flet vetëm për planet e Serbisë në vitin 1937. Ai
është paralajmërim i gjenocidit të vitit 1999. Mesazhet terroriste të këtij
libri janë aktuale edhe sot dhe këtë mund të shohim thjesht duke analizuar një
paragraf të tij, në të cilin Çubrilloviqi flet për “masat të cilat shqiptarëve
do t’ua bënin jetën të padurueshme në Kosovë”.
Sot
këtij këtij qëllimi të Çubrilloviqit, me vetëdije ose pa të, janë duke i
shërbyer të gjithë ata që abuzojnë me postet publike për përfitime personale,
të gjithë atë që mendojnë se shteti dhe burimet e tyre janë në shërbim të
familjeve e klaneve të tyre, e të tjerët duhet të kënaqen me ëndrrat për të
ardhmen e ndritur që nuk vjen kurrë. Të tillët janë duke ua bërë jetën të
padurueshme në Kosovë njerëzve të thjeshtë të saj, krejt sipas dëshirave
makabre të Çubrilloviqit.