| E merkure, 28.08.2019, 12:13 PM |
Gjesti
i Ramë Bllacës
Nga Blerim
Latifi
Nuk
janë vetëm veprat e jashtëzakonshme që e bëjnë dikë hero! Janë edhe gjestet që
kur bëhen në momente vendimtare, e ngrisin dikë në nivelin e heroit. Një gjest
i tillë lidhet me Ramë Bllacën, i cili sot pak njihet, sidomos nga gjeneratat e
reja.
Dhe
cili është gjesti i Ramë Bllacës?
Është
vera e vitit 1937! Qeveria serbe dhe ajo turke janë në përfundim të
marrëveshjes dypalëshe me anë të të cilës Serbia organizon shpërnguljen e
përgjithshme të shqiptarëve nga Kosova, ndërsa Turqia merr përsipër t’i pranoj
ata në territorin e saj. Ishte një kohë kur marrëveshje të tilla për zhvendosje
popullatash, nuk përbënin skandal ndërkombëtar. Pak vite më parë Turqia dhe
Greqia kishin këmbyer miliona qytetarë të njëra - tjetrës. Stalini ishte në
kulmin e fushatës së spastrimeve të mëdha, gjatë të cilës dhjetëra popuj në
Bashkimin Sovjetik kishin humbur atdheun e tyre. Në Gjermani, ndërkaq, Hitleri
po bëhej gati për zgjidhjen finale të Çështjes Hebreje. Gjithandej Europës po
frynte era e gjenocideve. Në Beograd e kishin kuptuar se kjo ishte koha më e
përshtatshme për deshqiptarizimin total të Kosovës ; askush nuk do ta
kundërshtonte planin, ndërsa qeveria e Tiranës ishte tepër e dobët për t’iu
kundërvënë atij. Ekspertët nacionalistë serbë, në krye me Çubrilloviqin, kishin
bërë gati planin teknik të operacionit të shpërnguljes. Çdo gjë rreth planit po
ecte si është më se miri dhe tani ishte momenti të thirrej seanca e Parlamentit
në Beograd ku do të miratohej plani dhe Marrëveshja Serbo-Turke, ashtu siç
miratohen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Në Parlament ishin disa
shqiptarë dhe vetëm njëri prej tyre u ngrit për të kundërshtuar marrëveshjen.
Ai ishte Ramë Bllaca nga Suhareka. I emocionuar prej faktit se ajo çfarë po
ndodhte aty ishte hiç më pak se prologu i çrrënosjes së popullit të tij, ai e
mori tekstin e marrëveshjes dhe në foltorën e parlamentit e bëri copë copë atë.
Në sallë u krijua rrëmujë, ndërsa Ramë Bllaca u largua nga aty, me vetëdijën e
plotë se orët i kishte të numëruara. U nis menjëherë drejt Kosovës, ngase nuk
donte që të vritej në Beograd, dhe pa arritur mirë në fshatin e tij, ai u
qëllua për vdekje nga dy shqiptarë të paguar nga regjimi, me qëllim që vrasja
të dukej si rezultat grindjesh mes shqiptarësh. Kjo ndodhi, si sot 82 vjet më
parë, me 27 Gusht të vitit 1937, 6 muaj pas elaboratit të Vasa Çubrilloviqit
për Shpërnguljen e Shqiptarëve. Versioni zyrtar i vrasjes mbushi gazetat në
gjuhën serbe dhe i njëjti zuri vend në raportet e ambasadave në Beograd, ndërsa
e vërteta mbi këtë vrasje mbeti të ruhej në vargjet e rapsodëve popullorë, të
cilët e këndonin fshehtas atë, derisa erdhën stuhitë e Luftës së Dytë Botërore,
të cilat i bënë pluhur e hi qeverinë fashiste të Beogradit dhe planet e saj për
çrrënjosjen e shqiptarëve të Kosovës.