| E hene, 19.08.2019, 07:35 PM |
TEUTA E ILIRISË NË KATËR ROMANE HISTORIKË
Nga
Prof. Dr. Resmi Osmani
Ka vite që i jam përkushtuar
romanit historik me subjekte nga lashtësia e Ilirisë. Fryt i kësaj pune janë
romanet”Mbretërimi i Pirros së Epirit”,Kristalin KH,2010, eseja historike
“Aleksandri i Madh i Maqedonisë”Luma Grafik,Tetovë 2010, “Mbretëresha Olimpia”,
kristalina KH,2011. Kjo trilogji me një synim të vetëm: për të risjellë me
mjetet e artit, në dijeninë dhe
vëmëndjen e lexuesit të sotëm, veçanërisht brezit të ri, një epokë të lashtë
historike, të vërtetë e të lavdishme të
Ilirëve, që janë paraardhësit tanë, që të dimë nga vijmë, kush jemi, ku
shkojmë, ku janë rrënjët tona historike
dhe, për t’i rikthyer vendit dhe
popullit tonë heronjtë e vet, që të tjerët, fqinjë tanë ballkanas, përpiqen ti
bejnë të vetët, te shpallen trashëgimtarë
dhe të krenohen me lavdinë e tyre. Sa ja kam arritur? Nuk mund ta them.
Autori nuk mund të japë vlerësime për librat e veta. Kjo i takon lexuesit dhe
kritikës. Fjalë të mira janë thënë.
Në vitet që pasuan, në vijim
të kësaj kolane, shkrova edhe novelën”Ditët e sprapsme të mbretit gent”(për
Luftën e Tretë Iliro Romake), botimet Vllamasi, 2014, romanin “Andrea Topia dhe
princesha Helena”, botimet”Enja”2019 dhe romanin “Pas trojës”, 2019. Kolana
“Libri I Mbretërve” ka tashmë shtatë libra.
Përse një
roman për mbretëreshën Teuta?Pas këtyre sprovave,figura e mbretëreshës Teuta, e kthyer gati në legjendë,
u bë subjekt i dëshiruar për një roman kushtuar figurës së saj, si një vijim që
do të plotësonte atë periudhë të lavdishme të Ilirisë, nga trualli i së cilës,
në periudhën e shtetformimeve dhe qytetrimit, kanë dalë në krye figura të
shquara, bëmat e të cilëve, historia i përcjell deri në ditët tona: Glauku,
Bardhyli, Pirrua,Pleurati, Agroni, Longari,Monuni, Genti ,Batua, etj. Për të
vijuar më vonë me Gjin Bua Shpatën,Depe Zenebishin, Skënderbeun e lavdishëm e
deri te Ismail Qemali.
Vlen të vihet në dukje, se midis
tyre, në lashtësi në vitet 360-228 para erës së re, shquhen edhe tre personazhe
femërore: mbretëreshat Olimpia që mbretëroi në Epir dhe Maqedoni, Daidamea, në
Epir dhe Teuta në mbretërinë ilire. Gra luftëtare , mentare e humaniste të shquara nga trungu arbëroro-shqiptar, pati
në vazhdimësi edhe më vonë: Bubulina, Elena Gjika, Nora, Shote Galica , Zonja
Çurre e deri te shenjtorja Nënë Tereza(Gonxhe Bojaxhiu). Kjo vazhdimësi nuk
është pa domethënie.
Duhet të shënohet, një fakt i veçantë: paraardhësit tanë Ilirët, ndryshe nga popujt
e tyre fqinjë: grekët, maqedonasit, trakasit apo romakët, që mbanin qëndrim
përbuzës ndaj gruas dhe nuk lejonin që në fronin mbretëror të kurorëzohej një
grua, Ilirët e kishin të lejuar këtë të drejtë në kodin e tyre zakonor e
trashëgimor. Është kjo një shenjë qytetarie dhe nderimi e vlerësimi për gruan
Ilire, për vendin e saj në familje e shoqëri, e cila kulmon me mbretërimin e
Teutës. Ajo mbretëroi tre vjet(230-228 p.e.r.), në një kohë kur mbretëria Ilire
ishte në kulmin e fuqisë së saj. Qenë vite të ngjeshura me ngjarje, me
përpjekje dhe luftëra për njësimin e ilirisë dhe ilirëve në një shtet të vetëm. Në krye, zemra
dhe truri i kësaj ëndrre, që e kishte fillesën te mbreti Agron, ishte Teuta.
Këtu e ka nisjen fillesa e krijimit të një shteti të vetëm të Ilirëve, e më pas
të Arbërorëve e Shqiptarëve, që është evidente dhe e papërbushur edhe sot. Pavarësimi i Kosovës dhe ruajtja e
ngjallja e shqiptarizmit në trojet ku jetojnë shqiptarët, e lenë të hapur këtë
mundësi. Lumë kush të rrojë! Ishte ky këndvështrim, shtysa dhe motivi nxitës
për të shkruar romanin.
Figura e Teutës është
trajtuar edhe nga autorë të tjerë me emër. Xh.Qosja, i ka kushtuar monodramën
“Vdekja e Mbretëreshës”, E.Kryeziu, i jep shumë vend në dramën”Komploti ilir”Më
pas, me dijen time,janë shkruar katër romane:
TEUTA ,autor Mirash
Martinoviq, më 2004.
MALLKIMI I PRIFTËRESHAVE TË
ILIRISË, autore Mira Meksi,2014
KLITHMA E MBRETËRESHËS
TEUTË,autore Ajmone Sumaj Salihu,2015
TEUTA E ILIRISË, autor Resmi Osmani, 2014
Të katër këta romane i kam
në bibliotekën time dhe u kthehem kohë pas kohe, jo vetëm për krahasime, kendveshtrimet historike, por
kryesisht trajtimin e personalitetit të kësaj mbretëreshe te lashtesisë sonë.Mendimet që do të shpreh për ta(romanet) më
poshtë, nuk dua të merren si konflikt interesi, apo gjykim subjektiv, por
thjesht si mendime, koncepte dhe gjykime të miat për Teutën dhe Ilirinë,
mbështetur në të dhënat historike dhe pervojën time letrare.
Pas një pune të gjatë
përgatitore, që mu desh për grumbullimin e të dhënave historike të asaj kohe
dhe për vetë Teutën, që çështë e vërteta janë të pakta, mësova se shkrimtari
malazez Mirash Martinoviq, kishte shkruar një roman për Teutën, që ishte
përkthyer dhe botuar edhe në Kosovë. Ani, për një figurë historike si e Teutës,
mund të shkruhen disa libra, ngaqë çdo autor e sheh atë nga pikpamja dhe
këndvështrimi i tij historik, ideo artistik dhe konceptet per vlerësimin e
figurave të shquara historike,si figura njerëzore komplekse, emri dhe bëmat e
të cilave u kanë qëndruar kohërave. Prandaj, ky fakt nuk më shkurajoi.
Martinoviq, në një deklarim,thotë se iu desh të zbriste në njëzet e tre
qindvjeçarë që të gjente Teutën. Për mua, ishte më e thjeshtë:Teuta ishte midis
nesh, më familjare, në historinë tonë,
vjen si një jehonë, është pjesë e kujtesën historike, në gojdhanat dhe
legjendat dhe në qindra, apo në mos mijëra vajza e gra që mbajnë emrin e saj.
Kësisoj ajo u vendos natyrshëm në faqet e romanit, që e shkrova, me një
këndvështrim, vlerësim dhe synim që mund ta kemi vetëm ne, pasardhësit e
saj për Të.
Librin e Martinoviqit e
gjeta te një bukinist ne Tiranë, por kur isha duke shkruar romanin per Teutën,
nuk e lexova se nuk desha sadopak, të
ndikohesha prej tij.
Veprën e Martinoviqit, perkthyer
nga Zenun Rexhepi-Kabashi dhe publikuar nga “ Koha “, në Prishtinë, pata rast
ta lexoj më vonë. Romani është voluminoz, me 380 faqe. E lexova me interes, për
të njohur jo vetëm vlerat artistike të një vepre letrare, por edhe paraqitjen e
personalitetit dhe veprës së
Mbretëreshës Teuta dhe mesazhin
që i përcillet lexuesit. Per mua qe një çgënjim.Tjetër gjë prisja. Pyeta veten:
Përse “Koha” duhet ta përkthente dhe hidhte në qarkullim këtë roman të
Martinoviqit? Sido që autori, në dukje, bëhët anë dhe trajton me simpati
Ilirinë dhe ilirët dhe paraqet romakët si pushtues të egër e rrënimtarë, nuk
mjafton as baraspeshon vlerësimin dhe paraqitjen e Teutës si mbretëreshë në
vitet para dhe gjatë mbretërimit të saj.
Ne pjesën e parë të romanit,
ajo paraqitet, në një mbledhje të senatit romak, si nje grua me bukuri të
rrallë, shume sensuale, me aventura dashurie, që ndrron dashnorët dhe fut në
shtrat ushtarët e gardës së saj(një përngjasim me Katerinën e Rusisë). Këtë
akuzë, e gjejmë më von si një pohim, nga vetë Teuta, në një letër, në roman,
ajo pranon se ka patur shumë dashnorë:
Dhimitër Farin, të kunatin Skerdilajdin, dhe për dëshira të saj erotike,
ushtarë e oficerë të panumurt të gardës. Një lakmi dhe uri seksuale e
shfrenuar. Një mbretëreshë kuçkë, bushtër! Dhe kjo, se ashtu ka dashur dhe e ka
supozuar autori Martinoviq, për ta bërë romanin tërheqës për atë pjesë
lexuesish, te dhëne pas skenave të tilla. Por, për mua, nenteksti është tjeter:
te tilla ishin femrat ilire, te shthurura dhe te dhena pas lakmive epshore.
Këtë e thotë në roman edhe një oficer romak. Për mua, romani përfundon në
fundin e pjesës së parë. Pjesa e dytë, pas humbjes së luftës me Romën,është
ndertuar me tregime të veçanta, që u përngjajnë reportazheve, pa kujdesin
artistik, me stil gazetaresk, një rrugëtim imagjinar që i kushtohet miteve
legjendave, mbrtetërve ilirë parardhës, besimeve dhe gojdhanave dhe Teuta e
shfronëzuar,bëhet pjesë e tyre. Ajo shëtit si pelegrine e leckosur dhe
varfanjake nëpër malësitë, e asaj që ishte mbretëria e saj, bashkë me të ëmën
për të mbledhur bimë mjekësore, me kurorën mbretërore të futur në gji! Ndërkohë
që romakët e kërkojnë që ta gjejnë dhe ta nisin në një kafaz si egërsirë në
Romë, si trofe të triumfit të tyre. Kjo nuk është Teuta,e vërteta, sfiduesja e
Romës, luftëtarja, por një krijesë e shkrimtarit malazez , që gjoja bën se e
vlerëson atë dhe Ilirinë, por me atë që shkruan, për mua bën të kundërtën. Të
këtij mendimi nuk janë botuesit, që, në qershor 2019 i bënë një botim të
dytë(këtë herë luksoz), me tirazh të konsiderueshëm, të cilin pati rastin të ma
dërgonte Florim Zeqaj nga Prishtina.Gjej rastin ta falnderoj.
Ky roman, për sllavët
malazez, që s’I lidh asgjë me Ilirinë dhe Teuten mbretëreshë, ndofta është
interesant dhe zbavitës. Por për ne që jemi iloro-shqipëtarë, ajo është e
shtëpisë sonë dhe ne jemi shtëpia e saj. Këtu gjërat ndryshojnë. Hyn në mes
kodi i nderit, I cili vjen që nga lashtësia dhe është bërë pjesë e kanunit të
maleve.
Do të ishte interesante, që
shtëpia botuese “Koha” te botonte dhe hidhte ne qarkullim te kater romanet e
shkruar per mbretëreshen Teuta, që lexuesit të njiheshin me ta dhe t’i linin
vend ngjalljes së debatit për figurën e kësaj mbretëreshe dhe trojet e popullin
Ilir të asj epoke.
Me romanin“Klithma e
Mbretëreshës Teutë”, botimet “Toena”Tiranë, 2015 Ajmone Sumaj Salihu , vjen pas
nje përvoje se cilës i perkasin tre romane në harkun e viteve 2004-2007. Duke
iu përgjigjur interesit tim, autorja ma dhuroi me autograf në panairin e
librit, 2015.Nga ana ime i dhurova”Teutën e Ilirisë”.E kam lexuar dhe rilexuar
romanin.Është i ndarë në 31 kapituj dhe lënda përfshin 380 faqe. Është një
botim me paraqitje luksoze. Autorja, mbi bazën e koncepteve të saj artistike
dhe te vlerësimeve e interpretimeve historike, ka synuar t’i japë lexuësit
portretin shumëplanësh të mbretëreshës Teuta, duke nisur nga vajzëria e saj e
në vijim. Në afro 100 faqet e para, paraqiten vitet e rinisë, bukuria e saj dhe
një etje e dëshirë për dashuri e lumturi. Në vijim,njohja rastësore me mbretin
Agron, dashuria e ndërsjelltë, fejesa e martesa, lumturia e pafund e të qënit
grua mbreti, vdekja e mbretit, hipja në fronin e Ilirisë,tre vitet e
mbretërimit, Lufta Iliro-Romake, humbja dhe abdikimi nga froni.
Duket që në shumë aspekte,
me gjithë përpjekjet, autorja nuk i ka shpëtuar ndikimit të Martinoviqit, të
cilin me siguri e ka lexuar.E them këte se ka disa piktakime. Për ngjyrën e
jashtzalonshme e magjepsëse të syve të Teutës, ngjyrë deti, si lulja e irisit
me blu të bukur, mitizimi i lules së Irisit të Ilirisë, si simbol e metaforë,
skenat te varret e mbretërve, apo grumbujt e njerëzve në breglumë që presin të
shfaqen sytë e mbretëreshës,bredhjet nëpër malet e Ilirisë si pelegrine që
mbledhin lule e bimë mjekësore etj. Gjenden në të dy këta romane.
Romancierja, I njeh faktet
dhe zhvillimet historike, por i ka interpretuar ashtu si ja ka dashur menyra
dhe ideja e paraqitjes së figurës së mbretëreshës dhe metoda artistike e të
shkruarit.(Kuptohet është e drejta e saj) Por duhet vënë në dukje se në një roman
historik, faktet dhe ngjarjet, nuk duhen shtrembëruar, apo impostuar, ato janë
gurthemeli dhe skeleti i veprës. Zotësia e autorit ështe paraqitja e tyre me
artin e fjalës për të krijuar te lexuesi gjendje emocionale të tilla që ai ti
përjetojë si të qënsishme gjithë sa lexon. Si shembull këtu mund të sjellim
romanet historike të Sabri Godos, “Skënderbeu” dhe “Ali pashë Tepelena”
Së pari: ngjarjet zhvillohen
në Naronë dhe Risan, kur e vërteta është ndryshe. Agroni ishte mbret i
Ardianeve, kryeqyteti ishte Shkodra, me një kështjellë të fortë,thuajse e
papushtueshme, e rrethuar nga tre lumenj Drini, Buna dhe Kiri, te cilen
Ardianët ua kishin rrëmbyer Labeateve. Në det dilej nga lumi Buna(Barbana) që ishte
e lundrueshme. Më tej ishte liqeni Labeat dhe fushat e pasura. Asnjeherë
Risani, qytezë e vogël në gjirin e Kotorrit, që nuk i plotësonte kushtet
hapsinore per të qëne kryeqytet i mbreterisë, nuk ka qënë i tillë .
Së dyti: mbreti Agron vdiq
në fushimin e ushtarëve, pranë Shkodrës, kur ishin duke festuar fitoren e
arritur në Medion. Historianët dëshmojnë se shkak u bë një ftohme(pleurit) që I
bllokoi mushkritë dhe nga të pirët e tëpërt etj. Autorja e lë të jetojë Agronin
shumë kohë pas betejës së Medionit, i vesh vesin e të pirit dhe bjerrjes së
detyrave të tij sovrane. Më pas thur një intrigë oborri dhe e helmon mbretin me
dorën e Dhimitër Farit, te nxitur nga ish gruaja Triteuta, dhe mbretëresha
Teuta, ende pa u ftohur shtrati, i pergjigjet “dashurisë” dhe bie në krahët e
Dhimitër Farit. Gjithsa tham, janë interesante për atë lexues që nuk e njeh
historinë, krijojnë një imazh romantik, por që nuk I përgjigjet realiteteve
historike të asaj kohe, si i tilë është i pa përligjur.
Në vend të një romani heroik,
në rastin e dhënë, kemi nje roman sentimental. Fundekrye, një Teutë narcisiste,
e dehur dhe dashuruar me bukurinë e saj,që nuk lodhet për ta bërë publike, që e dëshiron me patjetër të
jetë dhe të duket e bukur për sytë e popullit dhe ushtarëve të saj, si një far
magjie që ata ta duan dhe t’i besojnë. Aq sa kjo kthehet si një mani dhe fiksim
i saj i përhershëm deri në çastet e fundit. Fort e ndjeshme, tërë kohën
është e etur per dashuri, së pari me një
bashkvendës, në Naronë, Gramosin , Bardhylin, me mbretin Agron dhe pastaj
flirtimi me Dhimiter Farin, që në gjallje të mbretit Agron.Janë të rralla faqet
ku lexuesi të mos gjejë përsiatje nostalgji dashurore dhe narcisiste. Retorikat e vëna në gojë të saj, në këtë sfond, për lavdinë e Ilirisë dhe amanetin e mbretit
Agron, janë të zbehta dhe nuk e bindin lexuesin se kjo është ajo Teuta,
mbretëresha, trime, e vendosur, shtetare që merr në sy rrezikun dhe lufton për
Ilirinë, ashtu si na e përcjell
historia.
Autorja nuk i hyn mundimit
të paraqitjes së betejave, ndofta nga njohja e pamjaftueshme e formacioneve,
teknikave dhe përballjes, të luftërave të asaj kohe, perveç rastit te Korkyrës,
por na i sjell ato si jehonë nëpërmjet lajmetarëve apo letrave nga fronti I
luftimeve. Pergjithësisht, në roman, mungon veprimi, lëvizja, aksioni. I jepet
shumë vend sentimenteve dashurore dhe ndijimeve e perjetimeve spirituale që
gjejnë vend në çdo kapitull. Klithja e mbretëreshës Teutë eshtë klithje
dashurie!
Mendoj se në roman Dhimitër
Farit, i është dhënë më tepër vend ngasa i takon, princi Skerdilaid del i
paplotë kurse Triteuta jepet gati si karikaturë, intrigante, ambicioze,
xheloze, perverse, që përdor trupin e saj për të arritur qëllimet.
Kazus beli I Luftë së Parë
Iloro-romake ishte vrasja e ambasadorëve romakë, në det, kur ishin duke u
kthyer ne Romë.Burimet historike, thonë se njeri prej tyre arrogant dhe
mendjemadh e fyeu mbretëreshën në nderin dhe dinjitetin e saj.Një situatë
dramatike. Ajo u fye rëndë dhe urdheroi të vriteshin. Ky ishte shkaku. Por sido
qoftë, kjo luftë do të shpërthente , ishte synimi romak per ekspansionin në
lindje, kryeura ishte Iliria. Autorja e ka dhënë përciptazi takimin dhe jep një
alternativë tjetër, gjithsesi të pranueshme, qe Roma, vuri vetë njerëz për t’i
vrarë.
Së treti: fati i Teutës, që
pas humbjes së luftës me romakët dhe dorëheqjes nga froni, kur nga frika se
mund të binte Shkodra në dorë të romakëve, mori arratinë me pak oborrtarë e u
transferua nga Shkodra në Risan. Pas pushtimit të Risanit nga legjionet romake,
nuk dihet ç’u bë. Historia hesht. Për autoren , ashtu si edhe te Martinoviqi,
ajo merr malet si pelegrine. Si të tillë
e paraqet autorja në hapje të romanit duke kundruar nga larg qytetin e Risanit,
tashmë nën sundimin romak dhe ashtu në mbyllje të romanit, fillikate, me
metaforën e shqiponjës që merr fluturimin drejt qiellit.
Autores së romanit i duhet
t’i japim vlerësimin që i takon për gjuhën e pasur dhe të pastër, figuracionin,
metaforat e simbolet, analizat dhe paraqitjen e gjendjeve shpirtërore të
personazheve, por me parapëlqimin për disa ksilema, shpesh arrin në inflacionin
e përdorimit të tyre.
Romancierja Mira Meksi, e ka
trajtuarTeutën në një këndvështrim të saj, ku thuren legjendat, besimet,
totemet dhe spiritizmi me historinë, por ku legjendat dhe kujtesa prevalon mbi
historinë. Një analizë te plote ketij romani ia ka bërë në pasthënie Shpëtim
Doda dhe unë nuk dua të ndalem në të.Për mua si lexues, pavarësisht nga stili
dhe mjeshtëria shkrimore, për të cilën kjo autore është e afirmuar, atje nuk
gjejme Teuten që presim të gjejmë.
Të vijmë te rrëfimi vetjak.
Romanin me titull “Teuta e Ilirisë”, e
publikova (si një roman në proces krijimi) disa krerë te “Fjala e Lire” të
F.Terziut, por lexuesi mund ta gjejë të plotë në portalin elektronik te “Kosovari
media”(gjej rastin të falnderoj zotrinjtë Fatmir Terziu dhe Muhamet Hoxhaj), që i dhanë hapsirë
mediatike. Libri u publikua dhe ribotua me tirazh modest, nga shtëpia botuese
“Vllamasi” më 2015 dhe u shpërnda në libraritë e Tiranës, Prishtinës dhe
Tetovës. Tashme ai nuk gjendet më në treg.
Katër romane për një
personazh historik, nuk janë pak. Në të katra, lexuesi do të gjejë një Teutë
relativisht të ndryshme nga ajo e romanit tjetër, por gjithsesi, ajo është
teuta me lavdinë dhe mjerimin e saj, Teutën njerëzore me vetitë dhe veset,
ëndërrat dhe zhgjëndrrat, arritjet dhe zhgënjimet, synimet dhe dështimet, me
një fund në dukje të palavdishëm por që e bëri pjesë të historisë dhe kujtesës
iliro-shqiptare.
Pyetja shtrohet: pas
leximit, si pasardhës të Ilirëve a na bën të ndjehemi krenarë paraqitja
romanore e mbretëreshës Teuta? Këtë duhet ta thotë lexuesi.
Është rasti që këtu të
parashtroj me objektivitet, pa e vënë veten në pozitën e historianit, disa
interpretime, tregues e të dhëna historike për figurën dhe personalitetin e
Teutës mbështetur në burimet e shkruara të historianëve të lashtësisë. Që janë
disi ndryshe nga vlerësime shpesh
subjektive e dashakeqëse si ato të historianit grek filoromak Polibit, apo sipërore, idealizuese dhe romantike, që i
bëhen në shumë shkrime kushtuar figurës
së saj.
Kush ishte
Teuta? Në mungesë të të dhënave të
mjaftueshme historike, apo të dhënave të pjesëshme, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të mbështetemi
te arsyetimi deduktiv,mbi bazën e ngjarjeve,zhvillimeve historike dhe
formacionin shoqëroro-historik të asaj kohe të largët, me synim që për të
arritur te personaliteti i saj, nga e
pjesëshmja të arrijmë te e tëra. Emri i saj ishte Teuta por edhe një motërzim
tjetërTefta. Janë përdorur edhe njeri edhe tjetri. le të kujtojmë Tefta
Tashko-Koçon, por më së shumti është parapëlqyer Teuta, që është edhe
mbizotërues. Mund të përllogaritet përafërsisht që ajo ka lindur rreth
vitit 268-267 para erës së re. Për nga përkatësia fisnore,
duhet të jetë nga fisi ilir i ardianëve
ose daorsëve, ngaqë kështjella dhe
qyteti i Rizonit,(në lindje të pjesës fundore të gjirit të Kotorrit të sotëm në
Mal të Zi) ku ajo kishte selinë prindërore, gjendej në tokat e këtyre fiseve.
Është e kuptueshme që ajo i përkiste njerës prej familjeve më të shquara të
aristokracisë fisnore, me pasuri, prona, gjë e kamje. Kjo, ngaqë martesat e
asaj kohe, veç pëlqimeve dhe zgjedhjeve vetjake, kishin edhe karakter politik
për të lidhur miqësi dhe aleanca. Nusja shpinte pajë edhe troje apo krahina të
tëra, që i bashkoheshin mbretërisë, por që të ardhurat administroheshin prej
saj, për të patur njëfar pavarësie ekonomike.
Nuk bën përjashtim këtu as martesa e Agronit. Thuhet se ishte me bukuri
të rrallë. Duhet ta besojmë, përderisa ajo u zgjodh për bashkëshorte nga princi
trashëgimtar i mbretit Pleurat, Agroni. Si vajza e madhe e një familje pa djem,(mund të supozohet se ishin tri
motra:Teuta, Diteuta dhe Triteuta) ajo u ushtrua si të ishte djalë, kalëronte,
delte në gjueti dhe përdorte harkun dhe shpatën, duke formuar një trup prej
atleteje. Ajo ishte fatlume, përveçse e bukur, dallohej për zgjuarësi, ishte
femër krenare, dinjitoze, e vendosur dhe trime.Si bijë e një dere të fisme, ajo
kishte marrë arsimin e kohës.Historianët thonë se ajo dërgonte dhe merrte
letra. Këto veti bënë që, ajo të ishte idealiste dhe me synime në jetë. Me
Agronin, ajo jetoi pak a shumë rreth 18-19 vite, në kohën që ai ishte mbret i
Ilirisë, me kryeqendër Shkodrën.
Me natyrën e saj kurajoze
dhe të mençur, Teuta, me siguri përzihej dhe merrte pjesë qoftë edhe jo
drejtpërdrejt në qeverisjen dhe drejtimin e shtetit, duke qënë këshilltare e të
shoqit për politikat dhe synimet e tij për një Iliri të madhe. Kjo kohë ishte e
mjaftueshme për të që të njihte mekanizmin e ngatërruar të drejtimit të mbretërisë, interesat,
politikat, dredhitë , intrigat dhe forcat mbështetëse e kundërshtuese, që
të krijonte bindjen se ajo mund të
mbretëronte e të drejtonte njësoj si burrat. Ishte grua ambicioze, që e dëshironte
pushtetin dhe luftonte për ta zotëruar atë.
Nga martesa Teuta nuk pati fëmijë. Si gjithë
mbretërit e kohës, Agroni që të kishte trshëgimtar të fronit, u martua së dyti,
me motrën e Teutës, që quhej Triteuta. Na lejohet të hamendësojmë se Agroni e
ka bërë këtë zgjedhje për të ruajtur e forcuar raportet miqësore, me fiset e
ilirisë veriore, ose për të patur mirkuptimin e Teutës dhe për të shmangur
xhelozitë dhe zënkat që janë të zakonshme midis shemrave. Po të nisemi nga
zhvillimi i ngjarjeve pasardhëse, Triteuta, ngjante me të motrën nga bukuria,
por ndryshe nga e motra kishte tjetër natyrë, më e qetë, e përmbajtur, pa
prirje për tu përzier në politikë dhe punët e shtetit. Kjo natyrë e saj, ndofta
u bë shkak që pas vdekjes së Agronit, të bjerë pre e intrigave të gjeneralit
Dhimitër Fari dhe të martohet me të.Me Agronin, ajo lindi një djalë që e
quajtën Pin(ose Pineus) dhe iu përkushtua familjes dhe rritjes së të birit, që
ishte princi trashëgimtar. Ajo kënaqej me të qënit e saj”Nënë mbretëreshë”.
Teuta
mbretëreshë. Mbreti Agron, për të arritur
synimet e tij politike,që të zgjeronte më në jugë shtetin e vet(përtej lumit
Vjosë) krijoi një flotë të fuqishme me mbi njëqind anije të tipit të famshëm
liburn dhe ushtri që i kapërcente dhjetë mijë ushtarë. Flota ilire u bë
sunduese në Adriatik. Për të patur shpinën të sigurtë në lindje, bëri aleancë
me mbretin Dhimitër II të Maqedonisë, i cili në këmbim të veprimeve ushtarake
për çlirimin e qytetit Medion të Akarnanisë nga Etolianët, i linte Ilirisë dorë
të lirë në Adriatik dhe Jon. Agroni e sulmoi dhe e nxori Medionin nga rrethimi
duke arritur një fitore të bujshme në tokat greke. Pak dit pas kësaj fitoreje,
pasi ishin kthyer nga lufta në Shkodër Agroni që ishte duke festuar fitoren në
lëmin posht Shkodrës, u sëmur nga pleuriti dhe vdiq papritur. Pas vdekjes së
Pirros së Epirit, kjo ishte humbja më e madhe e Ilirisë.
Froni mbeti bosh. Në oborrin
mbretëror u krijua pështjellim. Trashëgimtari, Pini, ishte fëmijë, një mbret që
nuk mund të mbretëronte. Në linjë mashkullore mtonjësi i dytë ishte princi Skerdilaid,
vëllai i Agronit, por sipas së drejtës së trashëgimisë ai nuk mund të shpallej
mbret, sepse Agroni kishte lënë trashëgimtar. Mbetej që të caktohej një
mëkëmbës deri sa mbreti të rritej. Nënës së mbretit, Triteutës, i mungonin
vetitë qeverisëse, prandaj edhe po ta dëshironte, ajo nuk do të pranohej që të
ishte mëkëmbëse. Teuta e shfrytëzoi gjendjen e krijuar, që si gruaja e parë e
mbretit të vdekur, të shpallej mëkëmbëse e thjeshtrit. E drejta e trashëgimit
dhe ajo zakonore e lejonin që një grua të shpallej mekëmbëse apo qoftë edhe
mbretëreshë. Teuta ndërkohë përdori gjithë ndikimin e saj, që të bindte pleqësinë për aftësitë e saj
qeverisëse, dha e mori premtime në antarët e pleqësisë të quajtur “Miqtë e
Mbretit” dhe siguroi përkrahjen e Skerdilaidit, i cili kishte ndikim në parinë
Ardiane dhe pronarët e mëdhenj të tokave. Ajo i bindi ata se do të ruante dhe forconte shtetin e
trashëguar, por do të luftonte për arritjen e ëndrrës së Agronit, për Ilirinë e
madhe e të njësuar. Kjo do të thoshte më shumë hapësira,më shumë prona e
skllevër, më shumë pasuri e pushtet. Kshilli familjar dhe i miqve, e shpalli
Teutën mëkëmbëse të mbretit Pin. Ajo tashmë ishte mbretëreshë e Ilirisë.
Veprimtaritë
dhe arritjet e mbretëreshës Teuta. Për të qeverisur,Teuta krijoi këshillin e të urtëve, që ndryshe quhej
“Miqtë e mbretit”, prej tyre u caktuan dinjitarët e lartë të shtetit, në
ngjashmëri me ministrat në qeveritë e ditëve tona. Në krye të ushtrisë vendosi
Skerdilaidin, por duke ruajtur për vete të drejtën e komandantes së
përgjithshme, që shpallte luftën dhe miratonte paqen. Një e drejtë mbretërore e
kohës.
Në politikën e brendshme dhe
të jashtme, iu përmbajt asaj të paracaktuar nga mbreti Agron: aleancë me
Maqedoninë, (që ishte mbretëria më e fuqishme e kohës në siujdhesën ilirike),
qëndrim të kujdesëshëm ndaj Romës, fuqizim të ushtrisë dhe flotës, çlirim nga
sundimi grek dhe vënie nën kontroll e
bashkimin me mbretërinë e qyteteve bregdetare të Dyrrahut, Apollonisë
dhe ujdhesës strategjike veriperndimore të Isës dalmate ,që ishte koloni greke,
por kontrollonte Adriatikun verior kundruall brigjeve italike. Qëllimi ishte që
Adriatiku të kontrollohej dhe të mbetej thjesht një det i brendshëm ilir.
Synimi tjetër strategjik ishte zgjerimi në jugë,duke dalë jashtë kufijve të
shtetit, shkëputjen e Epirit nga aleanca Etolo-Ahejase (Greke) detyrimi i
Epirit për tu lidhur në aleancë me mbretërinë ilire dhe vendosjen e kufirit të
ilirisë drejtpërsëdrejti me tokat greke deri në gjirin e Ambrakisë. Marrja e
ujdhesës së Korkyrës, shihej si një mundësi strategjike për sigurinë e jugut të
Ilirisë. Siç shihet ishin synime
ambicioze, të cilit iu përkushtua tërësisht dhe e bëri qëllim të jetës së saj.
Arritja e tij do të krijonte kushtet e krijimit të Ilirisë së Madhe dhe do ta
bënte Ilirinë fuqinë më të madhe e më të fuqishme të rajonit.
Për të arritur këto synime,
Teuta u tregua një mbretëreshë jo vetëm autoritare por edhe reformatore. Forcoi
pushtetin qendror dhe u pakësoi të drejtat vendimmarrëse krerëve të fiseve të
mëdhenj që ishin pjesë e mbretërisë duke i bërë ata më të varur, vuri nën
kontroll prerjen dhe qarkullimin e monedhave në sasi të mjaftueshme e metale me
vlerë për të siguruar tregëtinë dhe qarkullimin e mallrave, shpalli monopolin
mbretëror mbi prodhimin dhe shpërndarjen e kripës dhe shfrytëzimin e minierave
të arit, argjendit, hekurit dhe bakrit, ku angazhoi një numër të madh
skllevërish. Për nevojat e luftës, ngriti puntoritë për prodhimin e anijeve të
famshme“Liburne”, nxiti prodhimin e armëve dhe pajisjeve për ushtrinë,
zejtarinë dhe manifakturën dhe gjallëroi jetën ekonomike të qyteteve, vuri
kontrollin mbi eksportin e drithrave,
siguroi rrugët e brendshme për të mbrojtur tregtarët nga kusaria etj.
Në respekt të një tradite të
vjetër,Teuta lejoi dhe nuk e ndaloi veprimtarinë e piratëve ilirë në detin
Adriatik. Anijet pirate të ilirëve, sidomos ato të liburnëve dhe labeatëve,
bënin zullume jo vetëm në Adriatik por edhe thellë në jon në brigjet greke,
bile edhe në detin e Libisë. Pre e tyre ishin kryesisht anije tregtare të
popujve fqinjë, përfshi edhe ato romake. Siç do ta shohim ,kjo nuk mbeti pa
pasoja.
Për të krijuar një ide për
gjithësa u tha më sipër, na ndihmon kronika e shkurtër e veprimtarisë së Teutës
gjatë tre viteve të mbretërimit të saj:
Viti 231
p.e.r. Aleanca me Maqedoninë,qëllimi: të siguronte
krahun lindor nga rreziku maqedonas dhe të zbriste në jugë të Ilirisë, në
Epir,për të krijuar një shtet të madh që të përfshinte dhe Epirin.
-Lufta kundër Etolisë dhe
Akaisë që kishin rrethuar qytetin Medion të Akarnanisë, aleate e Maqedonisë.
Sulmi nën drejtimin e Agronit, me 100 anije dhe 5000 luftëtarë. Fitorja në
Medion.Fitorja pati jehonë të madhe pasi etolët kishin ushtrinë më të fortë të
greqisë. Qëllimi ishte ndarja dhe izolimi i Epirit nga bota greke.
-Vdekja e Agronit disa ditë
pas fitores nga pleuriti.
Viti 230
p.e.r. Teuta u shpall mbretëreshë.
-U ruajt aleanca me
Maqedoninë. Qëllimi:krijimi i një shteti të fuqishëm ilir nga Narona në veri
deri në gjirin e Ambrakisë në jugë. Pengesa ishte Epiri. Teuta urdhëroi luftën
kundër Epirit si aleat i Etolëve dhe Ahejve. Angazhimi I flotës dhe këmbësorisë
tokësore nën komandën e Skerdilaidit. Pushtimi I Foenikes, kryeqytet i Epirit.
U nënshkrua paqja me Epirin dhe ai, së toku me Akarnaninë u bënë aleatë të
mbretërisë ilire.
-U arrit shkëputja e Epirit
nga Etolët, aleanca me akarnanët bëri të mundur krijimin e një kufiri të largët
midis Lidhjes Greke dhe shtetit Ilir.
Viti 229
p.e.r. Roma sheh me shqetsim fuqizimin e Ilirisë
dhe aktet e piraterisë së saj në Adriatik. Dërgon ambasadorë te Teuta. Ajo nuk
duroi arrogancën si u sollën me të, duke e fyer si grua dhe kushtin që vunë.
Njeri prej tyre (Gai) që e fyeu, me urdhër të Teutës u vra në det në anijen që
e shpinte në romë. Ky u bë shkak që Roma të përgatitej për luftë.
-Në pranverë:Teuta u
përgatit për luftën e pritshme: qetësoi fiset që ishin shkëputur pas një sulmi
të dardanëve; e shpalli anëdetin “Tokë armike” dha urdhër që të goditej çdo
anije e huaj ose përpjekje për zbarkim. U përcaktuan pozicionet e rëndësishme
ku mund të drejtoheshin romakët: Isa në veri, dy qytete bregdetare Dyrrahu e
Apollonia dhe Korkyra në jug. Përpjekjet për pushtimin e Dyrrahut Apolonisë dhe
Korkyrës dështuan, por u vunë nën rrethim dhe bllokadë.
-Lufta në Korkyrë, fitorja
kundër flotës Etolo-Ahejase, pushtimi I ujdhesës së Paksosit dhe Korkyrës.
Vendosja e garnizoneve ilire dhe flotës nën komandën e Dhimitër farit.
-Adriatiku u kthye në det I
“Mbyllur” dalja në Mesdhe u bllokua nga flota ilire.
-Në vjeshtë:
Lufta e parë Iliro-Romake.
Roma sulmoi me 200 anije dhe 20 mijë legjionarë, që ishin sa dyfishi i ushtrisë
dhe flotës ilire. Flota dhe ushtria drejtoheshin nga dy konsujt Albino dhe
Centumalo. Në fillim flota sulmoi Korkyrën. Dhimitër Fari e tradhëtoi
mbretëreshën. Dorëzoi flotën dhe ishullin,pa luftë. Forcat e këmbësorisë dhe
flota romake u bashkuan në anëdetin e Apollonisë,e morën atë,pastaj në Dyrrah
dhe në anëdetin verior të Dalmacisë,ku i hoqën rrethimin Isës. Me romakët, për
interesat e tyre, u bashkuan edhe krerët e fiseve ilire të ultësirës bregdetare
dhe prapatokave të Dyrrahut dhe Apollonisë.
-Flota e Ilirisë,e
tradhëtuar dhe e shpërndarë qëllimisht nën këshillat e Dh.Farit nuk mundi të
bënte qëndresë frontale. Megjithatë ushtria dhe flota bënë beteja të veçuara
kundër romakëve dhe u shkaktuan humbje, më e madhja e të cilave ishte ajo e
qytetit Nutria në Dalmaci.
-Teuta duke dyshuar se Shkodra mund të binte në
duart e romakëve, me gardën dhe besnikët e saj, mori detin në Ulqin dhe u
strehua në qytetin e Rizonit ku ishte më e sigurtë. Shkodra bëri qëndresë dhe
nuk u pushtua nga romakët.
-Lufta vazhdoi gjashtë muaj.
Me gjithë forcat e shumta,romakët nuk rrezikuan të hynin në rajonet e brendshme
te ilirise,por pushtuan dhe vunë garnizone në bregdet dhe morën në “Mbrojte”
disa fise duke krijuar një protektorat. Dhimitër Farit si shpërblim për
tradhëtinë dhe shërbimet iu dhanë në qeverisje ishujt Isa, Fari, Bregu Dalmat
deri në gjirin e Rizonit(sot Kotorrit)
Viti 228
p.e.r. Në pamundësi për të vazhduar
luftën,pasi kishin shterrur burimet ekonomike dhe njerzore, u pranua kërkesa e
Romës për paqe dhe u nis atje një dërgesë e ambasadorëve. Paqja që u arrit nën
diktatin e Romës ishte nënshtruese. Nga mbretëria Ilire,mbeti pjesa nga veriu i
Lezhës deri në gjirin e Rizonit, që iu la për mbretërim Pinit, u detyrua të
derdhte tribute në të holla dhe të mos lundronte në jug të Lezhës me më tepër
se dy anije të armatosura.
-Teuta dha dorëheqjen nga
mëkëmbësia(mbretërimi), mëkëmbës i mbretit u bë Dhimitër Fari që ishte njerku i
Pinit, pas martesës me Triteutën.
Pas kësaj, historia hesht
dhe nuk thotë se çfar ndodhi me Teutën. Këtu mbaron edhe historia e saj, por jo
e Ilirisë, që u pasua edhe nga dy luftera të tjera dhe kryengritje kundër
sundimit romak.
A gaboj
dhe ku gaboi Teuta? Natyrisht,në tërë këtë veprimtari të dendur, të pasur me ngjarje dhe
vendimmarrje, Teuta beri edhe gabime, ndër to duhen shënuar: në fushën
diplomatike, mbeti pa aleatë kur I duheshin.Kur sulmoi Roma, Maqedonia dhe
Epiri nuk e ndihmuan, mbeti e vetme. Nuk qe në gjendje të tërhiqte në anën e
saj Dardaninë. Bëri të pakënaqur disa nga prijsit e fiseve të mëdhenj me
politikat për qëndërzimin e pushtetit dhe taksat; gaboi kur dha urdhër të
vritej ambasadori romak; i dha besim dhe pushtet një ambiciozi e tradhëtari si Dhimitër
Fari, gaboi kur dëgjoi këshillat e tij për copëzimin dhe ndarjen në shumë
fronte të flotës dhe ushtrisë etj.
Në analizë të fundit,nuk ishin këto gabime që shkaktuan luftën me Romën dhe
disfatën në këtë luftë. Roma, pas zotrimit të perëndimit dhe fitores mbi
Kartagjenën kishte kohë që i kishte hedhur sytë në lindje dhe do ta bënte
luftën edhe pa ato gjoja shkaqe. Pozita gjeo-politike e Ilirisë si urë midis
lindjes e perëndimit, bëri që ajo të ishte objektivi strategjik i Romës si
kryeurë për siujdhesën ballkanike: pushtimin e
Maqedonisë,Greqisë,Trakisë,Dakisë,Bizantit dhe kalimin në Azinë e Vogël. Me
gjithë qëndresën,fuqia romake ishte e papërballueshme. Ajo i arriti synimet e saj
perandorake. Megjithatë iliria qëndroi, Romës iu deshën tre luftra për afro
dyzet vjet që ta nënshtronte, deri sa konsulli Paul Emili, rrënoi,vidhisi e
dogji shtatdhjet qytete. Edhe më pas shpirti liridashës ilir nuk u mposht dhe
vijuan kryengritjet e njëpasnjëshme.
Teuta u dha emrin e saj viteve që sundoi dhe drejtoi, ajo bëri histori dhe
mbeti në histori.
Gjithsa përmenda, janë bërë pjesë e rrëfimit romanor ne librin e shkruar
prej meje me titullin “Teuta e Ilirise”, lexuesi do t’i gjejë aty të shprehura
me mjetet e artit.
Një analizë të plotë dhe profesionale, romanit “Teuta e Ilirisë” ia ka bërë
shkrimtari dhe kritku I njohur Vladimir Muça
në studimin”Deheroizmi letrar dhe kujtesat historike( një esse në vend
të një përshëndetje për romanin “Teuta e Ilirisë” të prof. dr. Resmi Osmanit),
perfshirë ne librin “Unë mendoj”, Tiranë 2017.
Po jap një fragment nga ky shkrim:”Për të dhënë përmasat e duhura të
ngjarjeve dhe fenomeeve,Resmi Osmani eksploron mistere të kujtesës njerëzore,
duke I mbarsur në një univers letrar lakmueshëm. Ky univers na shfaqet në
individualitete në formatin e një arti gjithpërfshirës, me një dramacitet,
befasi, denduri mendimesh, qëllimesh, që reflektohen në çdo kapitull të këtij
romani të llojit historik. Çdo gjë, dramatikisht zhvillohet në tri
linja:idilike-shoqërore-tragjike.
Ai me skrupulozitet, këto tri linja I ka
zhvilluar në lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën, si apoteoza, që e kanë ndjekur
popullin shekull pas shekulli.
Alkimia letrao-artistike e lëtij romani, në këto
zhvillime, prodhon risi dhe zgjidh mjaft enigma të mbuluara qëlimisht me
pluhurin e harresës.
Narracioni letrar I Osmanit, ngulmon në
shpërbërjen e këtij pluhuri dhe ndryshku historik, duke na dhënë ravgimet
shoqërore të vizioneve shtetformuese që në lashtësi, lakmuar sot nga shtete që
atëhere vegjetonin ne kasolle, “majë pemëve “,apo në guva.
Në fund të kësaj trajtese, lexuesit, me të drejtë mund t’I lindë pyetja:
Përse Resmi Osmani duhet te beje vlerësime për romanet e shkruar per
mbretëreshë Teuten nga tre autorë të
tjerë, nderkohë që edhe ai vetë është autor i një romani të tillë? Kam pritur
katër vjet, që ndonjë kritik ta ndermerrte këtë studim Kjo nuk ndodhi. Kritikut i duhet të lexojë e
shqyrtojë afro 1500 faqe, gjë që me gjendjen e letrave në ditët tona, është
gati një pamundësi, zor të ndodhë, ndërsa unë për interesa letrare e realizova,
pa pretenduar se në gjithçka që parashtrova kam të drejtë. Thjesht, është ashtu
siç unë e mendoj.
Tiranë, 2017-2019.