Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Ballpërballë arinjve në Badoc

| E hene, 19.08.2019, 07:34 PM |


Ballpërballë arinjve në Badoc

Nga Blerim Rrecaj

Vërvitu lart, vërvitu poshtë. Andej-këtej. Sa atje, sa këtu. Si anija lodërmadhe luhatëse ku lundrojnë qiellit, fëmijët me bërtima të thekshme. Seç kanë një rëndësi të tjetërfartë gjërat që ndodhin për së pari herë, siç ndodh me ca fëmijë që duke hezituar e me dëshirë e pak hamendje zënë vend e ulen duke u bashkuar me të tjerët, te ky vend, te kjo hapësirë lunaparku, e cila "lulëzon" stinës së ngrohtë së bashku me simotrat e saja, për t'u "avulluar" së bashku me verën. Ndërkohë lëvizjet shumëdrejtimshe vazhdojnë. Autobusi me të cilin udhëtojmë, ndalet në stacionin e radhës, për të lënë e për të marrë udhëtarët. Në të hip dhe një njeri, një femër këmishëbardhë, dhe shoferi ia liron vendin e tij dhe tashmë timonin e autobusin e drejton kjo shofere. Kërshëria nuk mungon, ndërsa dikush thotë se për këtë shofere ka parë dhe një kronikë në televizion. Udhëtimi ecën mirë e mbarë, si më parë. Secili udhës së vet. Të bushes, shkuarjes, kthimeve, të rikthimeve të (pa)përsëritshme. Ndonëse trenat qarkullojnë rrallë, ndonjëherë treni me makinat tjera ndodhet ballëpërballë. Ne ndonjë çantë krahëve, që mund të ketë dizajn uniformash ushtarake, përzierje ngjyra gjethesh. Seç e kemi një ndjesi se vendet që i "shkelim" për së pari herë na e heqin epitetin e të huajit. Kështu ndodh dhe kur gjendemi para portës e edhe kur hyjmë brenda hapësirës së "Parkut të Arinjve" në Badoc, nga lartësia e të cilit duket rruga e një pjesë, e tij me ujë dhe "bishti" i tij, i tharë që është afër jo më larg se disa qindra metra. Vazhdojmë të shohim arinjtë brenda rrethojave me tel metalik e me fije telash me rrymë brenda andej, për të cilat tabelat na informojnë të mos u afrohemi shumë, të mos hedhim ushqim, as të mos i ngacmojmë. Brenda këtij parku pitoresk prej dy mijë metrash katrorë mrizojnë njëzet ari, dy a tre sosh që mund t'i kemi parë më parë nëpër dy kafaze të ngushta restaurantesh. Sipas tabelave arinjtë janë marrë, shpëtuar e sjellë këtu nga malet e Sharrit e disa pjesë tjera Shqipërie si Ulëza e ndonjë vend tjetër. Rrijmë përballë këtyre arinjëve ngjyrë kafe, ata enden të heshtur, shikimet e drejtpërdrejta i kanë të rralla e të shkurtëra edhe me të rriturit, edhe me fëmijët, ca enden si të bënin ndonjë shëti çlodhëse, e ca nga ta gërmojnë me putrat e tyre të gjera kthetërforta. Asnjë nuk është duke u zhytur në bazenet e tyre me ujë, edhe pse është mjaft vapë. Vijnë vizitorë, enden shtigjeve thik përpjetë e ngul teposhtë të parkut, por edhe të rrafshëtave, duke parë pa frikë nga arushat që duket se tashmë janë të zbutura, si të ishin arusha cirku, janë të urta e të bindura si ndonjëra nga arushat e arixhinjve me të cilën dy a tre nga ta enden ndonjërit nga plazhet për të fituar diç nga fotot e çastit. Fresk i këndshëm bije bashkë me muzgun te "Parku i arinjve", edhe mbi drunjtë e mbjellur së fundmi në shpatin e këtij parku, gati në pragun e tij. E mes ca reve purpuroshe diku mbi faqe malesh andej nga Gërmia, rrijnë si flatra që ta ka ënda me i pa, e në mes tyre shfaqet fluturakja gjurmëbardhë si trup pilivese, e që kushedi se për kah është duke vazhduar udhëtimin...