| E enjte, 25.07.2019, 08:18 PM |
Agim
Musta, ish i burgosuri politik që sfidoi diktaturën komuniste në Shqipëri!
Nga
Moza Boletini
Me
ish të burgosurin politik dhe mikun tonë Agim Musta, personalisht mua dhe
anëtaret e "Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike" të
Shqipërisë na lidhin kujtime e veprimtari të shumta. Qysh pas rënies së perdes
së hekurt në Shqipëri së bashku me Fondacionin "Musine Kokalari"
themeluar nga historiani dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Agim Musta kemi
mbajtur në Tiranë një sërë kumtesash, simpoziume, tubime për të përkujtuar dhe
vlerësuar disidentët shqiptarë që u përballën me diktaturën më të egër në
Europë.
Agim
Musta me intelektin, kurajon e guximin e tij të frymëzonte për të ndërmarë
nisma të fuqishme, për të nxjerë në dritë vuajtjet e popullit tonë në
komunizëm. Autor i shumë veprave, ku në çdo faqe të krijmitarisë së tij
shpaloset me gërma të mëdha genocidi dhe persekucioni komunist i përbindëshit
hoxha dhe kriminelëve të tij që masakruan padrejtësisht një popull të tërë,
izoluan Shqipërinë nga bota e qytetëruar, vranë, burgosën dhe internuan njerëz
të pafajshëm deri tek fëmijët e vegjël që vdiqën burgjeve, kampeve të
përqëndrimit nga torturat, mos ushqyerja e malarja...
Çdo
vit me Fondacionin "Musine Kokalari" dhe "Shoqatën e Grave ish
të Persekutuara Politike të Shqipërisë" mbanim ceremoni përkujtimore dhe
homazhe për gratë që dhanë jetën, u dënuan e internuan nga gijotina komuniste,
si dhe vlerësonim personalitete të ndritura të kombit që sfiduan diktaturën siç
ishte edhe vetë figura brilante e shumë dimensionale e Agim Mustës.
Si
veprimtarë të palodhur të kauzës së të drejtave të ish të persekutuavre
politikë të Shqipërisë, ku me modesti do të përfshij edhe emrin tim, sëbashku
me shkrimtarin disident Agim Musta, si bashkëpunëtorë të jashtëm, ftuar nga
"Qendra e të Mbijtuarve të Torturës" në Tiranë, kemi dhënë idetë tona
për të venë në zbatim disa projekte të rëndësishme të Qeverisë Daneze, të cilat
pasqyronin qartë pasojat që linte tortura jo vetëm tek i burgosuri, por edhe
tek familja, gruaja, fëmijët dhe roli suportues që duhet të luajë shoqëria ndaj
viktimave të torturës.
Edhe
në New York, pata rast të takohem me Agim Mustën, Simon Mirakën, ku për herë të
parë në Kishën Zoja e Shkodrës ngritën "Ekspozitën fotografike" me
pamje nga burgjet, kampet e përqëndrimit shqiptar, si dhe foto nga viktimat e
komunizmit, heronjve të kombit, ku me ftuan edhe mua për të dhënë kontributiin
tim në hapjen e asaj ekspozite.
Lajmin
për ndarjen nga jeta të Agim Mustës e mësova nga vajzat e tij. Bashkohem me
dhimbjen që i la pas familjes, dy vajzave të shkëlqyera Elisabetës dhe Suelës,
dy atdhetareve të flakta e antikomuniste, të cilat i çmoj dhe i vlerësoj shumë.
I shpreh atyre me zemër ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e babait të
tyre të shtrenjtë. Heroit vital e stoik përpara torturave të xhelatëve të kuq.
I paharuar qoftë kujtimi dhe vepra e tij.
Ngushëllime
familjes i shpreh gjithashtu edhe Organizata e Gruas "Shpresë &
Paqe" në SHBA, ku pjesa dërmuese e anëtareve të saj vijnë nga shtresa ish
e persekutuar politike të Shqipërisë, nga vajza e gra që kanë përjetuar traumat
e vuajtjet e atij genocidi të rëndë.
Pusho
në Paqe miku ynë Agim Musta!