Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Vargje fishtiane mbi tradhtinë

| E hene, 22.07.2019, 08:00 PM |


VARGJE FISHTIANE MBI TRADHTINË

Nga Prend Buzhala

Eh, o Át Gjergj Fishta!

Nuk e di se ku e kishte hidhërimin e tij poeti i shquar anglez William Blake, kur ka thënë: "Është më e lehtë ta falësh një armik, se sa ta falësh një mik." Dhe, nuk është e habitshme, pse, në këso rastesh, intelektuali i tradhtuar apo miku i tradhtuar në besimin e tij, e ndien veten mizorisht fajtor pikërisht PSE KA BESUAR!

1.

Drama e përjetimit të kësaj situate, si në ato të tragjedive shekspiriane, sigurisht, nuk është e lehtë për t'u përballuar. Te drama JUDA MAKABE e At Gjergj Fishtës lexojmë:

"Nji tradhti,nji namë, nji dhunë,

Për t'u kja me gjak e lot!

Shka t'a baka nieri i jot,

Nuk t'a baka vetë anmiku..."

E Lahuta, thanë, qenka trashëgimi e këlyshve të Rusisë...

Sa të vërteta e të sakta tingëllojnë vargjet që i thur Fishta për trandjet dramatike të kohës te "Lahuta...":

”Uh! Europë, ti kurva e motit,

Qi i rae mohit besës e Zotit,

Po a ky â shêji i gjytetnís:

Me dá token e Shqypnís

Per me mbajtë klysht e Rusís?

Po ti a kshtû sod na i perligje

Njata burra qi m’ kto brigje

Per tý vehten bânë flije

Kur ti heshtshe prej ligshtije?

Edhe koha jonë i ka Hamletët e vet, heronjtë e vet...

Dhe një Hamlet përballet me dyshimet e tij sfilitëse, por vendos që ta godasë vetë krimin, tradhtinë... dhe jo të hidhet në anën e të ligës...

Dramaturgët e dinë që pazari me etikën njerëzore, u ngjet vlerave të tregut:

"Tradhtia është si diamantet, nuk ka asgjë në botë që tregtari i vogël nuk arrin të bëjë me anë të saj.", thotë dramaturgu, humoristi dhe gazetari anglez Douglas Jerrold.

2.

Sokrati i dikurshëm, kur pranoi që më mirë ishte të shkonte drejt vdekjes, duke pirë gotën e helmit për fajet e paqena, se sa të jetonte me servilizmin e pështirosur që do ta njolloste ndër shekuj veprën e tij; na e jep edhe profilin e intelektualit me etikën e fortë të urtësisë, na e jep edhe sot shembullin e një kulture të etikës dhe moralit kundër TRADHTISË MORALE, TRADHTISË INTELEKTUALE, TRADHTISË INSTITUCIONALE dhe me NDERIMIN E PAGUAR ME JETË ndaj LIGJIT, qoftë ai edhe i padrejtë.

Dhe kjo etikë kulture politike, ka vlerë sidomos kur ka trokitur a troket në ndërgjegjen politike dje e sot...dhe gjithsesi do të trokasë edhe nesër... me pyetjen torturuese biblike: "Hej, kah je nisur, ku po shkon?! Quo vadis, quo vadis, quo vadis"

Pyetja e tillë i drejtohet njeriut (shenjtor, intelektual, pushtetar... etj) që tradhton misionin e tij jetësor e shpirtëror. I ndodh, sepse në vend të kësaj etike, Njeriu i Tillë e vendos pabesinë, interesin primitiv, servilizmin mizor (e këtë të tillin intelektual shohim me profilin e profesurës në Universitet, në institucione, në parlament, nëpër partitë politike apo në institucione shtetërore në shërbim të mizorisë)...

Dhe po qe se ti nuk e dënon krimin, të ligën, padrejtësinë, të pavërtetën dhe injorancën, por i rehabiliton ato, i ndjek ato pas, ke bërë KRIM TË DYFISHTË.