| E diele, 21.07.2019, 03:35 PM |
Kosova
ime
Nga
Anton Marku
Kosova
ime është zonë tranziti dhe vendtakim për mercenarë anonimë, ushtarë që nuk
morën pjesë në luftë dhe luftëtarë që vdekja nuk i deshti, oficerë karriere që
nuk arritën të bëhen komandantë dhe komandatë pa qenë ndonjëherë oficerë. Nëpër
të parakalojnë agjentë të dyfishtë, prostituta politike të trefishta dhe
seksere me çorape të bardha e rripa të zi në të gjitha sportet fisnike.
Sikur
Perëndia i ka dhënë Kosovës time sytë mbrapa e jo para. Ajo më shumë merret me
të djeshmen se sa me të sotmen dhe nesërmen dhe ende vuan pasojat e
komplikimeve gjatë lindjes. Për këtë vazhdimisht i bën fajtor mamitë të cilat
nuk e mbështjellën sa duhet që t’i rezistojë të ftohtit në jetën e këndejme,
atë realen.
Kosova
ime është një vend në të cilin fliten shumë gjuhë. Shumica nën tavolinë, disa
përmes kodeve të fshehta e të tjerat prapa perdeve. Haptas flet pakush.
Në
Kosovën time nuk ka kosovarë, ka vetëm shqiptarë, serbë, turqë, boshnjakë,
goranë, romë, egjiptas dhe ashkali e ndonjë të pavendosur. Aty-këtu ka dhe
ndonjë gomar. Majmunë nuk ka. Edhe ata që ishin ka kohë që kanë kërkuar azil në
një kontinent tjetër. Kosova ime as atyre nuk u ofroi perspektivë e as degë
druri për tu varur.
Në
Kosovën time për të jetuar me dinjitet duhet të kesh muskujt si të Rambos,
lëkurën si të Hashimit, kokën pa lesh si të Vetonit, zërin si të Kadrisë,
këmbët si të Adelines, gjoksin si të Dudijes, mjekrrën si të Labit dhe kuletën
e Behgjetit.
Në
Kosovën time një pjesë e konsiderueshme e veteranëve janë nën moshën njëzet
vjeçare. Mbase ata i kanë ‘‘ngjizur’’ eprorët e tyre gjatë qëndrimit nëpër
malet e bukura të këtij vendi stoik që duron gjithçka pa bërë asnjë fjalë. Për
hir të luftës, natyrisht.
Në
Kosovën time ndodhin edhe tërmete dhe çrregullime tektonike. Kjo sidomos kur
kujdestarët e patriotizmit i qet nga takti një deklaratë e një akademiku dhënë
një stacioni televiziv.
Kosova
ime është vendi ku të dënuarit lihen të lirë, dhe atë me vendim të plotfuqishëm
të gjykatava. Mjafton që të largohesh për disa vite në ndonjërin nga shtetet
skandinave.
Në
Kosovën time po nuk dite të notosh në të gjitha ujërat mund të të marrë lumi pa
u bërë njëzet e katër orë.
Në
Kosovën time të djathtët brenda natës bëhen të majtë dhe anasjelltas. Varet se
çka u shkon në mulli.
Në
Kosovën time të lirë më lirshëm se të gjithë të tjerët shëtiten armiqët e
lirisë.
Në
Kosovën time në vend se të luftohet varfëria luftohen të varfërit duke i bërë
edhe më të varfër sa sa janë. Guximi dhe aftësia e politikanëve për tu bërë të
kaq të padashur për popullin është për tu admiruar.
Në
Kosovën time askush nuk ecën, të gjithë nguten: Foshnjat ngasin pas sheqerkave,
fëmijët pas akulloreve, djemët pas vashave, burrat pas grave, nxënësit pas
mësuesve, mësuesit pas drejtorëve, profesorët pas rektorëve, kryetarët e
komunave pas deputetëve, ata pas ministrave e këta të fundit turren pas
kryeministrit duke menduar se aty do të gjejnë Moniken e Ilirit (Metës), një
grua që si duket është i vetmi mashkull në familje. Të njëjtën xhiro e bëjnë
edhe pacientët pas mjekëve, hajnat pas policëve, policët pas rrogave, rrogat
pas kredive. Në të njëjtin zjarr digjen edhe shpërndarësit e gazetave që herët
në mëngjes vrapojnë drejt kiosçeve në mënyrë që nga nënsqetullat mos tu ikën
lajmi, ai që ne e konsumojmë çdo ditë.
Në
Kosovën time dominon mendimi se leximi është po aq i dëmshëm për mendjen sa dhe
pirja e duhanit për shëndetin. Aty ku dikur jetohej nga shkrimi, sot ështe art
i vërtetë po qe se ia del të jetosh aq sa për të shkruar.
Kosova
ime është vendi që më shumë u dhimbset atyre që janë jashtë se sa atyre që janë
brenda. Po të ishte ndryshe nuk do i duronin tash e njëzet vite matrapazët dhe
tungjarët e të gjitha ngjyrave.
Kosova
ime është vendi që po lyp të rritet me territor në kohën që njerëzit që i ka
brenda kufijve po i ikin përditë. Dhe po të ndodhë që të lëvizin gurët nuk do
të ketë kush t’i punojë ato toka.
Kosova
ime, me gjithë të mirat dhe të këqijat e saj, për të gjithë ata që u lindën në
të vazhdon të mbetet vendi më i mirë për të vdekur. Jo për të jetuar.
Një
gjë është e sigurtë: Mbase këta të ferrit dhe ata të Parajsës edhe do të
takohen ndonjëherë. Kjo mund të ndodhë gjithkund. Në çdo cep të planetit por jo
dhe në Kosovë.
Mbase
bota do të mund të bëj edhe pa Kosovën. Shumë prej nesh jo.
Vjenë, 20 korrik 2019