| E shtune, 20.07.2019, 10:04 AM |
Mosakreditim
dhe depolitizim të universiteteve politike (publike) në Kosovë!
Shkruan
Florim Zeqa
Gjendja
e tanishme e arsimit shqip në Kosovë lirisht mund të krahasohet me nivelin e
pasluftës së dytë botërore, të viteve '50-ta apo 60-ta, ku gati gjysma e
popullsisë nuk e kanë ditur shkrim-leximin. Rezultatet e PISA-s nga viti nëj
vit po na bëjnë të ndihemi të turpëruar si shoqëri, si pasardhës të rilindasve,
të gjeneratës së artë të arsimit të viteve të '70-ta, '80-ta dhe '90-ta, të
kuadrove të nivelit më të lartë evropian e botëror.
Universitetet
publike; Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", Universiteti i
Prizrenit ''Ukshin Hoti'', Universiteti i Pejës ''Haxhi Zeka'', Universiteti i
Gjakovës, ''Fehmi Agani'', Universiteti i Gjilanit ''Kadri Zeka''
Universiteti
i Mitrovicës ''Isa Boletini'', Universiteti i Shkencave të Aplikuara në
Ferizaj, Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë dhe Akademia e Kosovës për
Siguri Publike ( Shkolla e Shërbimit Policor të Kosovës).
Universitetet
private; Akademia Evolucion, Kolegji AAB, Kolegji AUK, Kolegji, Heimerer,
Kolegji Biznesi, Kolegji Dardania ,Kolegji Evropian Dukagjini, Kolegji, ESLG,
Kolegji Evropian i Kosovës, Kolegji FAMA , Kolegji Gjilani, Kolegji i
Menaxhmentit Internacional Globus, Kolegji Iliria, Kolegji i Shkencave
Mjekësore Rezonanca, Kolegji ISPE ,. Kolegji Evropian Juridika (Pjeter Budi),
Kolegji Riinvest, Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike Tempulli, Kolegji
UBT, Kolegji Universi, Kolegji Universum, SHLP Design Factory dhe International
Business College Mitrovica.
Kosova e tepër e ngushtë
për numër enorm të universiteteve
Por
si duket ky numër enorm i universiteteve dhe kolegjeve do te rritet akoma më
tepër, ngase janë në rritje “kërkesat” për universitete publike edhe në qytete
tjera,…për të shkaktuar kështu ndarjen e dijes në bazë të përkatësisë rajonale
politike dhe fuqisë elektorale të liderëve aktual,…për t’i lënë vendin në fund
ndoshta edhe universitetit të Shtimjes për prodhimin e kuadrove me të meta
mentale për përmbushjen e “mozaikut” universitar në Kosovë!
Kërkoj
falje për ketë të fundit, që e përdora si metaforë që i shkon për shtati asaj
metaforës së pasluftës në Kosovë; “po të kisha ditur se është kaq lehtë më
kryer fakultetin, do ta kisha mbaruar edhe shkollën e mesme…”, flitej kështu
për të “diplomuarit” në universitetin e Tiranës e Prishtinës në periudhen e
pasluftës të liderëve të ndryshem politik pa diplomë të maturës!
Kosova
është një territor tepër i ngushtë gjeografik për absorbimin e të gjitha këtyre
universiteteve e kolegjeve, që janë bërë sikur objektet fetare të pasluftës që
mbinin ngado e kudo, edhe aty ku nuk kishte fare nevojë për to!
Kjo
logjikë e mbrapsht e hapjes e vendeve të “reja” të punës, është logjikë e
kthimit mbrapa e jo e ecjes përpara, ngase kuantiteti nuk e përcakton asnjëherë
kualitetin në arsim. Nga të gjitha këto universitete publike (politike) që
veprojnë aktualisht,…nesër mund të bëhen edhe pesëdhjetë sosh dhe asnjëherë të
mos arrihet kualiteti që dikur ishte në Universitetin e Prishtinës.
Shtimi i universiteteve
dhe rritja e analfabetizmit
Thellësisht
jam i bindur së shumica e akredituesve të këtyre institucioneve të larta
arsimore në vend nuk e kuptojnë fjalën Universitet (njohuri të gjëra), ngase më
siguri do të përmbaheshin pak nga “fabrikimi” i këtyre institucioneve të larta
arsimore në vend, të quajtura “universitete”.
Po
ndodhë kështu në mungesë të një strategjie nacionale për arsimin e lartë, për
çka çdo vit kemi rritje të titujve “akademik e shkencor”, rritje enorme të të
diplomuarëve dhe rënje të cilësisë dhe kualitetit në arsim.
Më
gjithë këtë shtim të universiteteve, analfabetizmi në Kosovë ka shënuar ngritje
enorme, si pasojë e udhëheqjes së antivlerave me këto universitete në njërën
anë, dhe në anën tjetër të rënjes së cilësisë së studimeve në këto
universitete, kemi degradim edhe të sistemit shëndetësor, juridik, kulturor,
pse jo dhe politik të vendit tonë.
Janë
të shpeshta rastet kur nxënësit më sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme,
të mbesin jashta “amfiteatrove”,…ndërsa në anën tjetër nxënës e nivelit të
mesëm dhe të ulët i zëjnë vendet e tyre në këto universitete,…duke e patur të
sigurtë që në fillim diplomimin dhe “specializimin” në afatin e parapar të
këtyre “akademive” universitare, si rezulat i privilegjeve; nepotizmit,
familjarizmit, korrupsionit e dukurive tjera negative të përhapura në shoqërinë
tonë këtyre 7-8 viteve të fundit.
Kostoja e lartë
financiare e universiteteve politike
Përderisa
shtetet më të zhvilluara ekonomike, të shtyrë nga kriza financiare në Eurozonë,
përditë bëjnë shkurtime të shpenzimeve buxhetore, ne në Kosovë, në vendin më
koeficientin më të ulët të zhvillimit ekonomik në Evropë, i rrisim shpenzimet
buxhetore pa asnjë kriter, pa asnjë strategji të qartë zhvillimore,…thuajse
jemi më të pasurit e më të mënçurit e globit tokësor!
Në
të kaluaren jo shumë të largët, Kosova mburrej më kuadrat e dalura nga
Universiteti publik i Prishtinës, në veqanti me nivelin e lartë profesional,
shkencor dhe akademik, që nivelizoheshin më kuadrat e universiteteve më
prestigjioze evropiane e botërore.
Kosova
si një vend i vogël, do t’i mjaftonte një universistet publik (shtetëror), i
konsoliduar mirë, i pajisur me infrastruktur akademike, me kushte të volitshme
për studentet; me konvikte bashkëkohore, me transport të organizuar mirë për
studentet nga qendrat e tjera e shumçka tjetër,…që do ta kishin koston më të
ulët buxhetore se sa hapja e universiteteve në çdo pjesë të vendit, dhe ajo çka
është më e rëndësishmja do të kishim prodhim të kuadrove cilësore për nevojat e
vendit e jo fabrikim të tyre sipas orekseve partiake!
Depolitizimi i
universiteteve dhe kolegjeve, imperativ i ngutshëm kohor
Fati
i mosakreditimi i tri univeristeteve publike (politike), mund t'i pret edhe
universitetet e tjera të hapura gjatë fushatave
zgjedhore nga presidenti (ish kryeministri)Thaçi.
Janë
këto universitetet të themeluara pa asnjë analizë paraprake, por vetëm si
premtim elektoral gjatë fushatave zgjedhore, pa buxhet dhe pa kushte
infrasturkturore.
Në
këto universitete kryesisht janë rehatuar militantët partiak, me studime
themelore dhe me notë mesatare shumë të ulët. Katër nga rektorët e
universiteteve publike (politike) vijnë nga PDK. Të mos flasim për numrin enorm
të personave që mbajnë pozita udhëheqëse në këto universitete dhe që kanë
lidhje të ngushtë me politikën.
Në
mesin e ligjeruesve dhe stafit udhëheqës të universiteteve politike (publike)
janë edhe gratë e disa prej liderëve shtetërorë më diploma të fabrikuara, siq
janë edhe shumica e liderëve partiak dhe shtetërorë të Kosovës.
Mosakreditimi
i tri universiteteve, përveqse dështim i menaxhmentit të universiteteve, duhet
të shërbejë si alarm për cilësinë e dobët në universitetet publike (politike)
dhe kolegjet private.
Mosakreditimi
duhet të pasohet me depolitizim të universiteteve politike (publike) dhe
kolegjeve private të Kosovës.