| E merkure, 17.07.2019, 08:23 PM |
VRITET PËR TË DYTËN HERË AT SHTJEFËN GJEÇOVI
KU
ËSHTË ZEMËRIMI?
Nga
Frank Shkreli
Para
nja dy ditësh, në postën time elektronike më kishin arritur, pothuaj në të
njëjtën kohë, dy njoftime nga Kosova:
Njëri kishte të bënte me vandalizimin e bustit të At Shtjefën Gjeçovit
në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës dhe tjetra ishte një ftesë
për të marrë pjesë në një organizim shkencor kushtuar At Gjeçovit, që po
planifikohet të mbahet në nëntor, me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së tij
barbare në Zym të Hasit, nga forcat fashiste serbe. Lajmi për seminarin që po organizohet për të
kujtuar këtë patriot dhe burrë të të
madh të Kombit-- nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbërit”
Prishtinë dhe nga Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” në Zym -- më gëzoi
pa masë, por më trishtoi lajmi tjetër, për vandalizimin e bustit të tij në
oborrin e shkollës në Klinë.
At
Shtjefën Gjeçovi, prift katolik, i Urdhërit të Fretënve, ashtu siç ishte edhe
At Gjergj Fishta, është i njohur si autor i shumë veprave, siç janë “Dashnia e
Atdheut”, drama “Agimi”, Përkrenarja e Skenderbeut”, Kanuni i Lek Dukagjinit, e
shumë e shumë të tjera. Ai konsiderohet
edhe si babai i arkeologjisë shqiptare, etnograf i njohur, kontribues i madh në
gjuhë e kulturë, mbledhës i këngëve, miteve, përrallave dhe dokeve, zakoneve
dhe traditave shqiptare, e tjera. Sipas
historianëve të mirëfilltë shqiptarë, në shkrimet e tija Gjeçovi ka lënë një
dëshmi të thellë të identitetit historik shumë shekullor të shqiptarëve dhe ka
pasqyruar në to rrënjët e vjetra të Kombit shqiptar. Në një prej shkrimeve të tija, “Trashëgime
thrako-iliriane”, Gjeçovi të cilit, “I përkiste çdo mirësi”, siç është shprehur
më vonë Fak Konica, At Gjeçovi i drejtohej lexuesit ndërsa shkruante sikur
donte, të mos ofendonte askënd, por të dokumentonte identitetin e vjetër të
shqiptarëve: “Këto punë po i shkruaj
këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me
mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë”.
Nuk
jam i sigurt nëse këto dy ngjarje --
seminari i ardhëshëm kushtuar 90-vjetorit të vrasjes së Gjeçovit dhe
vandalizimi I bustti të tij në Klinë -- kanë lidhje me njëra tjetrën, por
njoftimi nga disa media se “u vodh” busti i At Shtjefën Gjeçovit nga oborri i
shkollës në Zllakuqan nuk më bindë. A
thua sikur busti i Gjeçovit na qenka prej floriri – me vlerë të veçantë për
hajdutët, në krahasim me dhjetra në mos me qindra buste të tjera anë e mbanë
Kosovës. Ky akt vandal si dhe
identiteti i aktorëve të këtij krimi në Zllakuqan, bëhen edhe më të dyshimtë
kur të merret parasyshë se sipas lajmeve në media të Kosovës, ky nuk është
rasti e vetëm i këtij lloji. Edhe
bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, gjithashtu i vendosur në
një institucion shkollor në fshatin Treboviq, e paskan “vjedhur”, përfshir edhe
heqjen e një tabele në një rrugë në Buqan të Pejës, të një prifti tjetër
katolik, At Luigj Palaj, dhe të një heroi tjetër i harruar i shqiptarëve, i
vrarë nga forcat serbe, për të cilin At Gjergj Fshta ishte shprehur, “Gjaku i
këtij, o Zot, të qoftë falë për Komb të Shqiptarit”.
Do
të ishte diçka e pa përgjegjëshme për mua ose për këdo tjetër që të
paragjykohen hetimet e autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për
rastin e vandalizimit të bustit të At Shtjefën Gjeçovit dhe të rasteve të tjera
të lartpërmendura. Por është deri diku
shqetësues fakti se përveç reagimit të Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof.
Dr. Zenun Elezaj, për këtë akt vandal, të cilin ai e quan “vjedhje”, por që
cilëson gjithashtu edhe si një “akt të turpshëm”, nuk kam parë, të pakën deri tani, ndonjë
regim të autoriteteve qendërore të Kosovës ose të policisë së shtetit. Ndërsa nga autoritetet ndërkombëtare në
Kosovë, të cilat janë gjithmonë gati të reagojnë ndajë ndonjë akti që nuk ka të
bëjë me shqiptarët, nuk kam parë asnjë prononcim ndaj këtyre akteve vandale në
Kosovë kundër disa prej figurave më të dalluara të historisë së Kombit
shqiptar, përfshir edhe vandalizimin e bustit të Heroit Kombëtar Gjergj
Kastriotit-Skenderbeut.
Por,
Kryetari i Bashkisë së Klinës ka deklaruar se ky akt, “Duhet të zbardhët sa më
shpejt nga organet e rendit dhe kryerësit e kësaj vepre të ulët, të dënohen
sipas ligjit”. Prof. Dr. Zenun Elezaj u
bën thirrje gjithashtu organeve, “ligjzbatuese që këtë rast ta trajtojnë në
mënyrë serioze” dhe njëkohësisht u kërkon, “organeve përgjegjëse që të shtohen
masat e sigurisë në të gjitha objektet publike, në mënyrë që akte të tilla të
shëmtuara të mos përsëriten”.
Nuk
jam i sigurt se cila ishte përgjigja e organeve të sigurisë së Kosovës dhe e
autoriteteve zyrtare të Prishtinës ndaj thirrjes së Kryetarit të Komunës së
Klinës për hetime serioze ndaj këtij akti vandal, në oborrin e shkollës që mban
emrin e At Shtjefën Gjeçovit. Por ia
vlenë të krahasojmë reagimin e autoriteteve të Kosovës, nepërmjet Ministrisë së
Jashtme të Kosovës dhe sidomos reagimin
e shpejt të ndërkombëtarëve në Prishtinë ndaj dëmtimit, ditët e fundit, të disa
varrezave ortodokse serbe në Lipjan.
Dënimet ndaj këtij akti, gjithashtu të shëmtuar, ishin nga ana e tyre,
të shpejta dhe të forta. Reagoi ashpër
ambasadori amerikan në Kosovë, Z. Philip Kosnett, Përfaqësia e Bashkimit
Evropian në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në
Evropë. Ndërsa në emër të qeverisë së
Republikës së Kosovës, në lidhje me dëmtimin e varrezave serbe në Lipjan, foli
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila u bëri thirrje organeve të
policisë së shtetit që, “Të bëjnë gjithçka është e mundur për të zbuluar dhe
nxjerrë përpara drejtësisë autorët e këtij incidenti kriminal. Për Republikën e Kosovës, bashkëjetesa,
raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”. Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se
edhe incidenti tek varrezat serbe është kundër interesave të Kosovës dhe
angazhohet se autoritetet shtetërore do të bëjnë të pamundurën që raste të
këtilla të mos përsëriten”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të
Republikës së Kosovës.
Edhe
unë i dënojë dëmtimet ndaj varrezave kudo qofshin, përfshirë ato serbe në
Lipjan. Por e kam pak të vështirë të
kuptoj se si vandalizimi i busteve të disa prej figurave më të njohura të
Kombit shqiptar në Kosovë, siç janë Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe
françeskanët shqiptarë, At Shtjefën Gjeçovi dhe At Luigj Palaj na qenkan disi
akte a po siç i cilësojnë disa,
“vjedhje” të zakonshme që nuk shqetësojnë aq shumë autoritetet shtetërore të
Republikës së Kosovës dhe përfaqsuesit më të lartë ndërkombëtarë në Prishtinë,
hiç se hiç. Veç të mos preket asgjë serbe
sepse, sipas tyre, “bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të
shenjta”,dhe të mos turbullohen – ndërsa figurat kombëtare, identiteti
kombëtar, kultura, gjuha dhe historia e shqiptarëve janë plaçkë për tu vjedhur.
Me
ose pa reagimet zyrtare ndaj akteve të tilla barbare, mbetet për tu parë nëse
për këto veprime kriminale antikombëtare, fajtorë janë, “vjedhësit” e rendomtë,
a po dikush tjetër, me qëllime më të djallëzuara me objektivin për të dëmtuar
më shumë se një bust. At Gjeçovi nuk e
meritonte këtë akt kriminal ndaj tij, nuk meritonte të vritej për së dyti,
sepse siç ka shkruar miku i tij Faik Konica, “At Gjeçovi është përmi çdo
sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë
do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga
gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.... Bir i përulët i Shën Franciskut, i
ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që
i përkiste çdo mirësí”, ka shkruar Konica për Shtjefën Gjeçovin. Fatkeqësisht, akti kriminal ndaj bustit të
Gjeçovit në Klinë të Kosovës, nuk besoj se kishte për qëllim “rritjen” e emrit
të At Gjeçovit, siç shpresonte Faik Konia dikur, por dëmtimin e reputacionit të
tij personal dhe të trashëgimisë dhe identitetit të shqiptarëve në trojet e tyre
shekullore dardane.
Ndërsa,
sa na përket ne, në këtë moment, para këtij akti të turpshëm në oborrin e
shkollës në Klinë -- siç është shprehur edhe Konica pas vrasjes së At Gjecovit
nga forcat serbe më 1929, nuk na mbetet gjë tjetër veçse, “Sicilidò prej nesh,
miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë, që në gjallësí, për nga një
lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”. Para një akti të tillë vandalizmi dhe vrasës
(për të dytën herë) të At Gjeçovit në Klinë, jemi të pafuqishëm të bëjmë gjë
tjetër, veçse të vajtojmë me lotë fatin e tij të keq jo vetëm kur ishte gjallë
– por edhe tani për së vdekuri, ashtu siç e shohim bustin e tij të dhunuar --
të derdhim lotët tona me Konicën, për fatin e keq të mikut të tij At Shtjefën
Gjeçovit, për atëherë dhe sot—por edhe për Kombin Shqiptar, i cili trajton në
këtë mënyrë, bijtë e tij, ndër më të dalluarit patriotë, si At Shtjefën
Gjeçovi.
Busti
i At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës,
Kosovë është lënë pa kokë.
Busti
pa kokë i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu në fshatin Treboviq të
Kosovës