| E marte, 16.07.2019, 09:50 PM |
REFLEKTIME:
PËRTEJ "VJEDHJES" SË NJË BUSTI
Nga
Prend BUZHALA
Në medie u dha lajmi:
"Është vjedhur busti i At Shtjefën Gjeçovit në Zllakuqan të Klinës."
"Është
vjedhur..."
Kjo është sintagma
vlerësuese e medieve. Dhe po i përmbahem, me pak reflektime, këtij vlerësimi
mediatik...
1.
"Vjedhja..."
është sinonim i shumëçkaje tjetër në Kosovë...
Kur
vidhet shteti, pse të mos vidhen buste?
Punë
e madhe pse vidhet e plaçkitet shteti: atë duhet shkatërruar sa më parë!
Nuk
po hymë andej: kush ka përfituar në Kosovë, në emër të harxhimeve financiare
për bustet e përmendoret, Aty është derdhur paraja e popullit. E njerëzve
vullnetmirë.
A
thua, "vjedhja" ka të bëjë me ndonjë biznes, se për biznes shitet
shpirti lehtë... ndonjë "haramxhi" mund të thotë: "Paj, po më
duhet hekuri për ta shitur me kilogram në tregun e hekurishteve, pale e fitoj
ndonjë cent"!
Vetëm
aty ku ka shqiptarë, nuk ka trena të rregullt (sepse masivisht u vodhën shinat
e hekurudhave...për t'u shitur me kilogram)! Punë e madhe pse shqiptarët nuk
kanë trena... ata duhet shkatërruar!
Kështu
janë shitur krejt hekurishtet e fabrikave të Kosovës. Është shitur krejt
shpirti prodhues i Kosovës.
Le
të mbesë populli pa punë, le ta thyejë qafën jashtë Kosovës!
A
mund të ndodhë që nesër ta vjedhin, bie fjala, bustin e Adem Jasharit?! Sepse i
duhet "dikujt" për ta shitur në treg a në pazarin e zi!
Aty
ku shitet gjithçka, për ta shkatërruar shpirtin prodhues të një kombi, aty ku
vidhet gjithçka... aty ku mbëltohet e kultivohet mendësia e plaçkitjes, aty
vdes edhe vetë njeriu e shpirti humanist!
Ndoshta
“ndonjë fëmijë” është frymëzuar nga video-lojërat, se si duhet plaçkitur “një
thesar” e “një vepër arti”! Se “veprat e artit” kushtojnë shtrenjtë në tregun
botëror, pardon, në “tregun e zi”!
2.
U
tha në medie: se “vjedhja” është bërë nga një dorë “misterioze”!
A
thua, vetëm ndër shqiptarë ndodhin këso "misteresh" kundër busteve!?
Nëse
ndonjë Libër i Shenjtë (para Jezusit a pas tij, nuk ka rëndësi), nuk e pranon
artin e skulpturës (që e quan si vepër "e djallit"); atëherë cila
është djallëzia që paska bërë Gjeçovi?! Po skulptori që e gdhendi? Po pushteti
lokal që e miratoi? Po nxënësit,arsimtarët e populli që e festuan Ditën e Tij?
Pse u vra Gjeçovi për shkollën shqipe, për traditat shqiptare, pse ishte vetë
në luftë kundër turqve e kundër serbëve?! Pse na e la monumentin e traditës
sonë, "Kanunin..."?
Pse
e gjurmoi trashëgiminë ilire dhe na e la testament me zbulimet e veta?
Mesazhi
djallëzor i kthehet veprës së kryer "mistershëm"!
A
është ky "edukimi" i shkollës sonë, i Librit të Shenjtë apo i një
djallëzie tjetër, le ta vlerësojë dora "e misterit"!
Gjeçovi
është aty, i gdhendur te zemrat shqiptare!
Nëse
mesazhi i pasluftës (i dorës së "misterit"), prek bustet e, atëherë
nuk është ky Atdheu i atyre që prekin buste.
E
duan "një ATDHE" pa këto figura: ndoshta edhe do t'ia arrijnë
qëllimit; por kurrë më nuk do të ketë komb shqiptar! As familje shqiptare! As
gjuhë shqipe! As shkollë shqipe!
3.
Paslufta
u karakterizua me ceremonialin e inaugurimit të shtatoreve e përmendoreve,
busteve e veprave tjera skulpturore.
Inaugurimet
e busteve ishin FESTË E VËRTETË QYTETARE. Një komb inauguron buste për figurat
që i nderon. Festa bëhet për ta kujtuar veprën e jetën e një personaliteti a të
një ngjarjeje që ka rëndësi për atë komb. Që përcjell një MESAZH TË MADH
njerëzor a nacional, humanist a dituror, historik a civilizues. Nderohet një
ambient shkollor, një shesh qyteti, një rrugë, një institucion. Ai ambient
idebtifikohet e mishërohet me emblemën e vet civilizuese e trashëgimore.
Por
Kosova e pasluftës ka shfaqur edhe një fenomen tjetër psiko-social: frikën,
shqetësimet nga bustet e përmendoret! Ose mospajtimet! Ose dhe fyerjen e
dëmtimin e tyre...
Përse
frikë, mospajtim a shqetësim?!
Një
palë vrapojnë, të shqetësuar: për ta ndërtuar një bust se mos po i rrëmbehet
“hisja historike”.
Tjetra
palë: është kundër sepse “po shitet” historia!
Ndoshta
ndonjë i i ri, i frymëzuar nga ndonjë Libër i Shenjtë, mund të ketë thënë:
adhurimi i skulpturave, është sakrilegj ndaj Perëndisë! Bustet duhet shembur!
Sepse në BOTËN ARABE nuk ka përmendore e buste. Prandaj, nuk u dashka të ketë
as BOTA SHQIPTARE! Të mos keqkuptohemi: pikërisht në botën arabe ka një art
figurativ të mirëfilltë tradicional.
Por
ja që BOTA SHQIPTARE “i adhuron” përmendoret e bustet. E do artin e skulpturës,
e do që nga antika ilire. Paj, njerëzit dallohen nga BOTA SHTAZORE pikërisht
pse njeriu është i prirur për art, dhunti nga natyra ( në daç edhe nga “ligjet
hyjnore”): ka prirje për art!
A
ka kombe pa arte?
A
ka kombe pa shkrim e pa kulturë, pa këngë e pa buste?
Gjatë
historisë njihen fushata të shkatërrimit të busteve, qoftë nga bashkësi vandale
popujsh të egër (në lashtësi), qoftë nga ideologji totalitare. Por edhe
ideologjitë totalitare i adhurojnë idhujt e vet, bustet e veta...
4.
Por
dënimet erdhën nga qytetarët... shenjë se nuk është shkatërruar krejtësisht
shpirti humanist e nacional.
Bustin
e kishte punuar dora maestrale e Gani Bajraktarit (në foton që e prezantuam
këtu), piktor nga Klina, që ka punuar edhe shumë përmendore e buste anembanë
Kosovës: Agim Ramadani, Nëna Tereze, figura dëshmorësh...
Para
luftës, së bashku me Gani Bajraktarin, Pal Canajn e intelektualë të tjerë,
drejtonim Forumin e Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi”. Ishim ndër
organizatorë të sa e sa manifestimeve, pikërisht në Zllakuqan të Klinës, ku
Gjeçovi më 1897 pati hapur shkollën shqipe. Manifestimet mbaheshin në ambientet
e Kishës katolike, sepse në ambientet shkollore nuk lejonte këso manifestimesh
regjimi serb... Vinin intelektualë të shquar shqiptarë, lexonin kumtesat e tyre.
Shkolla e Zllakuqanit mori emrin e Gjeçovit, për emrin e të cilit u angazhua me
mish e shpirt mësimdhënësi i kësaj shkolle, Mikel Gojani, i cili shkroi edhe
një libër me vlerë të madhe dokumentare, me titullin “Mësonjëtorja e
Zllakuqanit”, me bashkautorësi Pal Canajn. Ishte koha, kur një emri serb që
mbante shkolla, t’i jepej emri meritor shqiptar.
Ishte
një dekadë e tërë rezistence, rezistence edhe në arsim, kulturë e dije. Ajo
kohë po merrte përmasa përvojash të reja historike, duke u fisnikëruar, rigjallëruar,
rikuptimësuar.
Këtë
ecje historike, rikuptimësimi e ripagëzimi historik, nuk mund ta ndalojë asnjë
dorë bust-shkatërruese.
Historia
është në anën e shqiptarëve.