| E diele, 14.07.2019, 03:11 PM |
Në kuadrin e 90 vjetorit të lindjes
Poeti
“rebel”, Pano Taçi
Nga
Reshat Kripa
Sipas mitologjisë
Feniksi ishte një shpend përrallor që kur mbushte moshen 500 vjçare bënte
çerdhen, e shtronte me bimë aromatike dhe vdiste mbi të. Nga hiri i tij ai
rilindte përsëri dhe ushqehej po me bimë aromatike. Ndaj sot, me përurimin që i
bëjmë librit me poezi “Muzgu vjen papritur” të Pano Taçit, e kemi atë përsëri
midis nesh, të rilindur si Feniksi, pasi poetët nuk vdesin kurrë. Ata rrojnë
nëpërmjet vargjeve të tyre.. Dhe poeti shkruan:
Tërë jetën ç’jam përpjekur,
si t’ia zbus shpirtit hallin.
Për ç’premtova duke vdekur,
them se vargjet me ringjallin.
Për ç’jap shpirtin zemërmekur,
N’atë varr ku do më kallin,
për ç’këndova duke vdekur,
them se këngët më ringjallin.
Ndaj sot e kemi
përsëri të ringjallur bohemin e fundit apo poetin rebel, siç e kanë quajtur
miqtë e tij. Pano Taçi i përket atyre poetëve që kishin një pasion, një dëshirë
të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin.
Por për fatin e tyre të keq, kishin lindur në një epokë të gabuar. Jetonin në
një epokë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund
të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër.
Jetonin në një epokë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në
lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq
totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë,
formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist“, një formulë absurde që
ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi
rrugën veprave standarte
që
në më të shumtën e
rasteve nuk kishin asnjë vlerë.
Megjithatë
talentet e mëdha i rezistuan, çuditërisht, shtrëngimeve në format nga më të
ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa
lirinë e dhunuar. Të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të nënshtrimit.
Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i
tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë,
lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre, nëpërmjet alegorizimeve
apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të
domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Këto vepra autori i lexonte dhe rilexonte
me vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë
besnik. Ato ishin shkruar nëpër qelitë e errëta të burgjeve apo kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe.
Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për
dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte
besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë. Këto
shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to
kënaqej vetëm autori i tyre dhe prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa
frikë e pa zori“. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë servile dhe
hipokritë, nuk u bënë lakej oborri.
Një nga këta ishte
padyshim edhe Pano Taçi. Ai i përket atij grupi poetësh që kishte dëshirë të
mësonte, por nuk e linin për të mësuar, pasi ai qysh në moshën tetëmbëdhjetë
vjeçare do të provonte prangat e rënda të burgut për gati njëzetepesë vjet.
Kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin për të punuar, pasi për të lejohej
vetëm puna në bujqësi apo ndërtim. Kishte dëshirë të jetonte, por nuk e linin
as për të jetuar, sepse edhe jeta u lejohej vetëm servilve apo sharlatanve të
regjimit. Kujt i mohoheshin këto? Atij, që qysh në moshën fëminore rrëmbeu
armën për lirinë e vendit. Atij që ëndërronte për një Shqipëri të lirë, pa
ferra dhe gjëmba? Dhe poeti shkruan:
Të rinj, naiv, si partizan,
dolëm malit për vatan
për çlirim të Shqipërisë
nga zinxhiri robërisë.
Dhe me ç’di ne bëmë mirë,
që morëm plagë për liri
e kur ne u bëmë të lirë
për duart tona, për çudi,
nuk kujtoheshin,
o Perëndi!
Në terr ne po farkëtonim
ca zinxhirë të rinj zezona
për plagët, për duart tona
me hallka kyçur në qeli.
Fundi i viteve
80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që
ndanin të dy botët do fillonin të
shembeshin. I fundit nga vendet totalitare të Europës do të
ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi
logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë
fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë
gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë. Dhe Panua
shpërtheu. Nxorri nga arkivi i burgut poezitë e krijuara nëpër qelitë apo vitet
e “vetmisë së madhe” dhe për një
periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare, nga viti 1994 deri më 2009 botoi pesëmbëdhjetë
përmbledhje me poezi dhe drama.
Përse është quajtur
poet rebel Pano Taçi? Sepse kishte nje shpirt rebel, nje shpirt që në asnjë
mënyrë nuk mund të pajtohej me padrejtësinë dhe ngrihej kundër saj. Që fëmi u
ngrit kundër robërisë. U rebelua kur pa se idealet për të cilat kishte luftuar
ishin tradhëtuar nga klasa sunduese. U rebelua edhe pas përmbysjes së regjimit
totalitar kur pa se një pjesë e klasës
politike të vendit i kish transformuar idealet e dhjetorit 1990 në
interesa personale duke mos përfillur shtresat e tjera të popullsisë dhe u shua
me zemër të plasur.
Pano Taçi ishte
edhe një poet lirik, Ai i këndoi dashurisë. Dashuria, së cilës ai i këndoi,
ishte platonike. Vetëm kjo i lejohej. Atij ia prenë që herët ëndrrën e
dashurisë. Regjimi nuk e lejonte as të dashuronte. E ku do të dashuronte ai, mos
vallë në qelitë e errëta ku e kishin përplasur? Hyri në burg në moshën
tetëmbëdhjetëvjeçare dhe doli prej tij në atë dyzetetrevjeçare. A mund të
dashuronte ai kur gati gjysmën e jetës e kishte kaluar në skëterrë? Megjithatë,
çuditërisht, dashuroi. Dashuroi nëpërmjet vargjeve të tij. Por edhe këtu ndihet
dhimbja, një dhimbje që plekset me dashurinë. Poeti shkruan:
Kur mbi varr me ngashërim,
Do më qash tek rri në gju,
Sytë e tu mbi varrin tim,
Varri im mbi sytë e tu.
Ky ishte Pano
Taçi. Ky ishte poeti ynë rebel, poeti i dhimbjes dhe dashurisë, poeti i
revoltës dhe kundërshtimit, një Omar Khajam i letërsisë
shqipe. Tërë jetën luftoi për të krijuar figurën e tij. Shumë u munduan ta
pengojnë. ;Shumë u munduan ta lenë në hije. Por nuk ia arritën qëllimit. Ai
triumfoi mbi të gjithë. Dhe vargjet e tij gjëmojnë fuqishëm:
Hieja ime del nga varri,
Më thotë: - Pse s’vjen të bësh gjumë?
I them: - S’vij unë qyqari,
Pa i lënë jetës një gjurmë.
Ndjenjat bëj t’i lë mbi letër,
që të thonë se jam dikushi.
Kur të vij te bota tjetër,
Si mik do më presë Lasgushi.
Pano Taçi la gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe në
letërsi. Ai ishte me të vërtetë dikushi.