| E marte, 09.07.2019, 06:10 PM |
Sabina Darova
Buzëqesh Xhokonda
A i mban ment
mollëzat e gishtrinjve
mbi lëkurë
në kraharor
tek përthyhen
akorde të buta
të një kitare
kur pret
varur mbi mur
si grua e ve
melodi të re
për të zgjuar
diellin e fikur
nga përtesa
se nuk njeh
ç‘zhurmë
ndez gjallesa?
A i mban ment
gulçet që shpojnë
dihatjet
e natës?
Po xixëllonjën
e epshit
që ndez mbi sy
drithërimat e djersës ?
Ishte mbrëmë,
Ish mbrëmë
ishte dje.
E kotë të pyes
se ti do më thuash: PO,
ndërsa ujrat vozit
të një oqeani tjetër
me buzëqeshjen
e Xhokondes
mbi buzë.
Ndërkohë,ecin
mollëzat e gishtrinjve
mbi lëkurë
ngjyer në ylberë
si çdo herë
zbritur nga një ëndërr.