| E marte, 09.07.2019, 08:33 PM |
”Europa
tjetër” dhe Europa pa kufi
Nga
Alfred Papuçiu
Britania e Madhe u largua nga Europa e Brukselit. Tani jemi në një qorsokak për kontinentin. Jashtë saj, Rusia e
Putinit dhe SHBA e Trampit do të nxisin përçarjet, ndërsa Kina
me një parti të vetme i ka deklaruar luftën, atë të vlerave, duke i
kundërvënë një model tjetër. Brenda saj, kjo Europë, e shastisur, do të
cfilitet nëse vazhdon këtë rrugë, e prekur nga nacionalizmat dhe demagogët e
saj. Qytetarët e saj janë skeptikë ndaj institucioneve të saj. Europa është në
krizë. Ajo është e dobët për t’u rezistuar fuqive të mëdha që e sfidojnë.
Europa e Brukselit është shumë pak demokratike për t’iu përgjigjur synimeve të
qytetarëve të saj, të cilët tërhiqen në hapësirën e tyre kombëtare në kërkim të
një sigurie. Europianët nuk e gjejnë më vehten tek Bashkimi Europian. Europa,
si një hapësirë e të drejtës dhe e lirive të përbashkëta, nuk do të vazhdojë
gjatë, veçse nëse sajon një formë të re sovraniteti që e kapërcen atë të Shteteve-komb
dhe që të përfshihet në institucionet e reja, të ketë një qytetari të re. Ky
projekt është ai i një Republike europiane. Ai kërkon një revolucion të
qëndrimeve, rimarrjen e kontrollit të ekonomisë nga ana e politikës. Kjo
Republikë do të heqë kufijtë kombëtarë në favor të rajoneve, me një numër rreth
50 ose 60, e që në të njëjtën kohë do të rregullojë problemin e mungesës së
ekuilibrave midis kombeve. Institucionet e tij do të jenë klasike dhe
demokratike, ajo do të sigurojë të drejta dhe detyra identike për të gjithë
Europianët, do të ketë ushtrinë e saj, dhe do të mund të ketë peshë në çështjet
e botës. A është kjo një utopi? Ky është pasqyrimi i një mendimi origjinal dhe
të lirë. Ai lidhet me mendimin e përhapur tek një pjesë e opinionit europian:
Europa i përket të gjithë shteteve dhe banorëve që e përbëjnë atë, pra duke përfshirë
edhe ”Europën tjetër”, ku bëjmë pjesë edhe ne, Shqipëria, Kosova, Zvicra dhe një
numër shtetesh të tjerë që janë akoma jashtë saj. A do ta mendojë këtë stafi i
ri drejtues i Europës së Brukselit që po krijohet këto ditë? Këtë do ta tregojë
koha, nëse vizioni i tyre për Europën pa kufi që e kanë menduar disa dekada më
parë, baballarët e Europës, do të bëhet më në fund realitet.
Le të kthehemi tek tema që lidhet me këtë
realitet dhe mundësi. Letra që më ka dërguar ish presidentja dhe ministrja e
jashtme e Zvicrës, Micheline- Calmy Rey, lidhur me angazhimin e Zvicrës për
pavarësinë dhe ecurinë e demokracisë në Kosovë, më ka vënë në mendime. Prandaj
mendova që t’ja paraqes një pjesë të saj edhe lexuesve këtu. Ndër të tjera, ajo më shkruan: ”Lidhur me politikën e
Zvicrës ndaj Kosovës, unë isha e ndjeshme ndaj dashamirësisë të fjalëve tuaja.
Për Zvicrën, pavarësia e Kosovës është një faktor i rëndësishëm për garancitë
institucionale të mbrojtjes së minoriteteve dhe të të drejtave humane, që
përbëjnë një nga preokupimet e saj të mëdha... Si nesër, ashtu edhe sot,
respektimi i standarteve është me një rëndësi themelore në një Kosovë të pavarur,
”standartet byond status”, duke qënë parimi që duhet të jenë kryesore.
Gjithashtu, është e domosdoshme një prani e fortë ndërkombëtare në
Kosovë dhe ajo do të qëndrojë akoma për shumë kohë”. Në fund,
ministrja e jashtme zvicerane thekson: ”Ju falenderoj për interesin që tregoni
ndaj politikës së jashtme të Zvicrës. Pranoni sigurimin e konsideratës sime më
të lartë”.
Një politikë e tillë largpamëse e Zvicrës
është në unison me atë të të gjitha shteteve paqedashëse, si SHBA, Gjermania,
Franca, vende të ndryshme europiane dhe të botës demokratike, që në kuadrin e
aleancave të tyre, mbështesin sovranitetin e shtetit të ri të Kosovës, duke e
parë atë në një të ardhme të afërt në familjen e madhe europiane. Pritja që i
kanë bërë presidentët e SHBA, autoriteteve më të larta të Kosovës këto vite, dëshmon
për sigurinë që i jep shteti më i madh i botës Kosovës, në ecurinë e saj
demokratike dhe së shpejti, në Europën e Brukselit. Vizita e Engelit në Kosovë
dhe pritja që i bëri atij populli i Kosovës dhe presidenti i Shqipërisë Ilir
Meta, duke vendosur emrin e tij një rruge në Veri, dëshmojnë për atashimin e të
dy vendeve krahas shtetit më të madh të rruzullit tokësor. Ashtu siç është
shprehur Presidenti i nderuar amerikan, Donald Tramp dhe paraardhësit e tij për
Shqipërinë dhe rrugën e saj demokratike, pas futjes në NATO dhe hedhjes së
hapave për në Bashkimin Europian. Shqiptarët, para së gjithash, janë
proamerikanë dhe proeuropianë.
Në këtë shkrim nuk pretendoj të bëj një
vlerësim të posaçëm dhe të hollësishëm, lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën
sot, si dhe me Zvicrën. Vetëm se si pjesëmarrës aktiv në tetë sesione të
Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, apo edhe për
çështje që kanë patur të bëjnë ndër të tjera me Europën, Shqipërinë dhe
Ballkanin, në shumë vende, si dhe duke ndjekur marrëdhëniet e Europës dhe
Zvicrës me Kombin tonë, mendoj të shpreh mendimet e mija modeste. Këto janë
mendime personale, të cilat më angazhojnë vetëm mua, të mbledhura gjatë vitesh,
por dhe të rifreskuara nga ecuria e marrëdhënieve të Shqipërisë aktuale me
Europën dhe Ballkanin.
E them hapur: nuk më pëlqen tulatja e një
pjese të intelektualëve të pavarur shqiptarë që diktatura e viteve 1944-1985, i
ka lënë akoma në heshtje apo me gjysëm zëri, për këto probleme madhore të
Kombit tonë, përkatësinë në Europë apo sidomos për marrëdhëniet me fqinjët që
na kanë rënë në pjesë. Këto radhë mund
t’i lexojnë edhe ata „qoftëlargë“, të pakët në numër, të shpërndarë kudo në
Europë, që vegjetojnë dhe qeshin pse grinden bashkëkombasit e tij dhe fërkojnë
duart, pasi duan që të kthehet një kohë e kaluar, megjithëse edhe ata po t’u
ketë mbetur pak logjikë, e kuptojnë se ajo kohë tanimë ka perënduar njëherë e
përgjithmonë. Ajo nuk u kthye as në kombe të tjerë në Europë, qoftë
në Lindje, Perendim, Jug apo Veri.
Pra më lejoni, të nderuar lexues, të
përmend shkurt që më se njëherë kam biseduar çiltër dhe me argumenta, me
profesor Filip Braillard, drejtor e Institutit Europian të Universitetit të
Gjenevës dhe ish profesor i imi për Historinë e Europës, dhe me profesor Silvio
Guindanin, të ”Studimeve rajonale”, të cilët sëbashku me stafin e Institutit kanë
punuar gjatë viteve për të dhënë ndihmesën e tyre për shumë studentë shqiptarë
që kanë studjuar në Institutin me prestigj të vërtetë europian, në Gjenevë.
Pasuniversitarë shqiptarë që studjojne tani në këtë Institut dhe të tjerë që e
kanë përfunduar atë me sukses do të përbëjnë bërthamen e çështjeve që lidhen me
Europën, krahas profesorëve të tjerë të nderuar shqiptarë që punojnë prej
kohësh që Shqipëria të përfshihet në Europë, si dhe në organizmat që e përbëjnë
atë në Bruksel, Strasburg e forume të tjera europiane.
Nën shembullin e Komunitetit Europian që i
bashkoi armiqtë tradicionalë, sapo kishte mbaruar lufta, popujt e vendeve të
tjera europiane që nuk bëjnë akoma pjesë në Europën e të 27-tëve, pra janë në
”Europën tjetër”, si Zvicra, Norvegjia, Shqipëria, Kosova dhe disa vende të
tjera europiane, do t’i sjellin asaj një frymë të re bashkëpunimi dhe paqeje në
kontinent. Pra nga 49 vende që e përbëjnë kontinentin europian vetëm 27-të prej
tyre ndodhen në Europën e Brukselit.
Qysh nga Lufta e Dytë Botërore, pajtimi
franko-gjerman ishte një nga shtyllat e integrimit europian. Përballë Lindjes
që ishte nën kontrollin e ish- Bashkimit Sovjetik, Perëndimi krijoi Këshillin e
Europës në Strasburg, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pastaj disa vende
europiane krijuan Komunitetin Europian, i cili pak e nga pak u zgjerua dhe sot
quhet Bashkimi Europian, i përbërë nga 27 vende. Që nga viti 1989, historia e
Europës ka patur ndryshime të thella. Në Lindje, regjimet komuniste u
”fundosën” dhe lindën nacionalizmat. Europa, pa të lindin si kërpudhat pas
shiut, Shtete- kombe, shpesh në luftë me njeri tjetrin. Tanimë, shihet një
formë tjetër e bashkimit midis vendeve europiane të Lindjes dhe të Perëndimit.
Shqipëria tashmë bën pjesë në institucione të rëndësishme të bashkëpunimit
ekonomik, politik dhe ushtarak në Europë: në Këshillin e Europës, në
Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, në Aleancën e Atlantikut
Verior, në organizma europiane të Kombeve të Bashkuara, si Komisioni Ekonomik i
OKB-së për Europën, si dhe ka paraqitur kërkesën për integrim në Bashkimin
Europian.
Kur mund të hyjë Shqipëria në Europën e
Brukselit? Cështja e datës së futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian është
shtruar këto kohët e fundit çdo ditë në media dhe në botën politike shqiptare.
Procesi i integrimit nuk është për nesër, më tepër për arsye subjektive që nuk
varen nga Shqipëria. Më të lehtë e kanë patur më parë edhe shtete fqinje të
Shqipërisë, me një zhvillim ekonomik apo politik të ngjashëm apo edhe më të
paktë se tek ne sot. Por është tashmë e sigurt se Shqipëria do të hyjë një ditë
në Bashkimin Europian, sepse procesi është i pakthyeshëm. Në të vërtetë, nëse
Bashkimi Europian jep rregullisht të holla në projektet e zhvillimit të
Shqipërisë, natyrisht ato nuk janë për të mos mbledhur një ditë frutet e tyre.
Vetëm se, nëse kjo perspektivë aderimi ka ngjallur shpresa të mëdha tek
shqiptarët, është e qartë se kjo ka një çmim. I rëndësishëm është stabiliteti
politik i vendit, pra përshtatja me normat ndërkombëtare në fushën e
demokracisë. Zhvillimi siç duhet i zgjedhjeve të ardhshme, në fakt është një
element i rëndësishëm për të dëshmuar se Shqipëria është e gatshme për t’u
integruar në Europën e Brukselit. Pra sigurimi i një stabiliteti politik të
vendit do të bëjë të efekshme investimet e saj ekonomike dhe do të shmangë dora
dorës skeptiçizmin që vërehet akoma në disa qarqe europiane me peshë. E
rëndësishme është dhe vendosja e infrastrukturave të nevojshme, duke krijuar në
këtë mënyrë një hapësirë ekonomike europiane. Shpesh harrohet se Bashkimi
Europian nuk është një hapësirë politike e vërtetë, por para së gjithash një
hapësirë ekonomike që synon të ndërtojë një treg që nuk vendos më bariera doganore
midis vendeve të Bashkimit Europian. Pra, nuk mund të kuptohen perspektivat e
aderimit të Shqipërisë, apo edhe të vendeve të tjera, pa patur parasysh
dimensionin ekonomik të këtij integrimi. Sepse, në fund të fundit, investimi i
Bashkimit Europian në vendet që janë kandidatë, që këta të arrijnë standartet
ndërkombëtare të demokracisë dhe të përmirësojnë infrastrukturat e tyre, ka si
objektiv të vetëm integrimin e tyre ekonomik në hapësirën europiane. Kur modeli
politik të stabilizohet: zgjedhje të lira dhe të respektuara, drejtësi e
pavarur dhe infrastruktura të vendosura, vendi do të tërheqë normalisht akoma
më tepër se deri tani investimet e nevojshme për zhvillimin e tij ekonomik. Në
përgjithësi, këto investime realizohen në formën e delokalizimit të
ndërmarrjeve të Europës Perendimore drejt periferisë së Bashkimit Europian, ku
pagat janë më të ulta dhe fuqia punëtore po aq e formuar. Shembulli i Rumanisë
është tipik i politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian. Sapo uzinat e
fabrikuesit të Bashkimit Europian, si Rëno u vendosën në vend, Rumania përfitoi
nga marrëveshjet e qarkullimit të lirë të mallrave, pastaj një integrim në
hapësirën ekonomike europiane. Në Shqipëri, italianët kanë krijuar fabrika të
veshmbathjes, apo call center, etj., por vetëm kur grupet e mëdha të
industrialistëve të interesohen për t’u futur aty, atëhere aderimi do të jetë i
afërt. Ekzistojnë tanimë disa shënja, për shembull, Italia ka nënshkruar
kontrata me Shqipërinë për të instaluar centrale elektrike, prodhimi i të cilave
pjesërisht do të ketë si destinacion Italinë. Këtu kemi të bëjmë me një
delokalizim, për aq kohë sa Italia do të ketë nevojë për elektricitet dhe për
aq kohë sa ajo don të sigurojë me një kosto më të ulët. Megjithatë, duhet
menduar edhe për projekte të tjera që të arrihet aderimi sa më shpejt. Hapa të
pakta, me pikatore, janë bërë në drejtim të tërheqjes së kapitalit të huaj edhe
nga vende të tjera europiane, apo edhe jashtë tyre, si psh me Zvicrën, por më
tepër duhet bërë në lehtësimin e realizimit të kontratave fitimprurëse për të
dy palët.
Shqipëria dhe Kosova janë tepër të afërta me
kulturat europiane. Më gjuhën tonë, që bën pjesë në degët e gjuhëve
indo-europiane, ne kemi kulturat e përbashkëta me 300 milionë europianët. Ne
jetojmë në një realitet multikulturor dhe multifetar që ka sjellë në gjirin e
kontinentit një refuzim të centralizmit apo uniformitetit. Edhe Skënderbeu,
Nënë Tereza. Isa Boletini, Adem Jashari, apo Guillaume Tell i Zvicrës bëjnë
pjesë në pasurinë e përbashkët të Europës. Njeriu me shtizë gjendet në
legjendat nordike, ashtu siç rrëfehen historira për herojtë e Kombit tonë që u
vunë gjoksin topave të armikut...
Nuk mund të lë pa përmendur përsëri, sidomos
fjalët e ish Presidentes federale të Konfederatës Zvicerane, Ministre e Jashtme
e Zvicrës, Michelinë Calmy-Rey, lidhur me angazhimin e Zvicrës në çështjet
ndërkombëtare, por edhe për vendet e Ballkanit, në Europën Jugore, pra dhe
Shqipërinë dhe Kosovën. Ja si shprehej ajo tek gazeta franceze « Le
Monde » : « Si edhe Bashkimi Europian që ka përparuar në
vlerat e pajtimit, të demokracisë, të lirisë individuale dhe të tolerancës,
edhe Zvicra, është e vendosur të nxisë gjithçka që është thelbësore për paqen
në Europë. Në fund të fundit, vetëm nëpërmjet solidaritetit, ne angazhohemi në
favor të popullsive të lënduara të Ballkanit. Por ndërse ky angazhim është
jetik për vendet që i përfitojnë, është edhe në interesin tonë, sepse
kjo kontribuon në sigurinë dhe në mbarësinë tonë të ardhshme.
Prandaj, Zvicra ngulmon në përpjekjet e saj për stabilitetin në rajon dhe për
pavarësinë e Kosovës ».
Më lejoni të shtoj edhe disa fjalë të zonjës
së nderuar dhe kurajoze, Michelinë Calmy- Rey , botuar tek gazeta
zvicerane « Le Temps » (Koha), : « Me
mondializimin, ndikimi i një vendi varet nga angazhimi dhe pjesëmarja etij në
shkallë ndërkombëtare. Zvicra ndjek një politikë të jashtme, të bazuar në
universalitetin. Ajo është një aktore e besueshme, e parashikueshme dhe jo
ithtare. Konkretisht, kjo do të thotë një neutralitet në shërbim të paqes, me
qëllim që të parandalohen konfliktet që mund të kenë pasoja negative mbi vendin
tonë. Prandaj me një politikë të neutralitetit aktiv dhe solidar, ne mbrojmë më
mirë interesat tona. Rasti i Ballkanit Perendimor është shembull.
Mbi një dekadë pas marrëveshjes së Daytonit që i dhanë fund luftës në Bosnje dhe
Herzegovinë dhe gjashtë vjet pas përfundimit të konfliktit të armatosur në
Kosovë, në rajon ka një qetësi relative. Megjithatë, stabiliteti politik,
ekonomik dhe social nuk është arritur në mënyrë të vazhdueshme Ndërkaq, ky
rajon është nga ana gjeografike pranë Zvicrës. Bashkësia e shtetasve të huaj
nga ish-Jugosllavia, i pranishëm në Zvicër- afro 400.000 vetë, nga të cilët 150
deri 200.000 nga Kosova- është më i madhi nga komunitetet e huaja tek ne. Këto
lidhje të ngushta kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në fluksin migrator, të
ligjshëm dhe të paligjshëm. Si rrjedhim, është në interesin tonë që të
përkrahim paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet tona me
Europën Juglindore dallohen nga një angazhim financiar të rëndësishëm të
Zvicrës. Midis 1996 dhe 2004, ne kemi mbështetur këto vende me 1,5 miliard
franga. Ndihma zvicerane ka marrë forma të ndryshme : kooperim teknik,
prani ushtarake në Kosovë dhe Bosnje, mbështetje vullnetare e refugjatëve,
ndihmë humanitare, kontribut për Paktin e Stabilitetit. Në Ballkan, veprimi ynë
do të përqëndrohet këto vitet e ardhëshme në intensifikimin e marrëdhënieve
politike, mbështetjen e reformave institucionale dhe ekonomike dhe promovimin e
paqes. Është fjala që të mbështeten këto Shtete në përparimin e tyre drejt
demokracisë, drejtësisë, prosperitetit. Në fund të fundit, këto vende do të
integrohen në Bashkimin Europian, perspektivë që Brukseli ka hapur për të
gjitha Shtetet e rajonit… »
A nuk na bëjnë të mendojmë mirë, këto fjalë
të Ministres së nderuar të Jashtme zvicerane, një vendi të vogël, Zvicrës, si
edhe Shqipëria, por që edhe pse nuk është në Bashkimi Europian, është si ne në
”Europën tjetër”, për arsye të zgjedhjes së përkohshme nga ana e vetë
autoritetit të më lartë, popullit zviceran, thotë fjalën e vet hapur për
përkatësinë europiane të vendeve të Ballkanit, apo edhe për interesin e këtyre
vendeve për t’i parë një ditë të integruar edhe Shqipërinë, dhe vendet e tjera
të Ballkanit ? A nuk duhet të mendohen mirë ata që akoma ngurojnë të afishojnë dëshirën e një
populli të tërë shqiptar në Shqipëri dhe Diasporë, që i kanë zgjedhur me votën
e tyre, se e mira e Shqipërisë dhe e bashkëbesëlidhësve është në Europën e
Brukselit, si dhe në Aleancën e Atlantikut verior, apo me SHBA dhe vendet e
tjera mike të Shqipërisë dhe Kosovës ? Nuk duhet t’i vihen më gurë udhës
së nisur nga demokracia e tranzicionit të stërgjatur shqiptare, edhe për
« inat të sime vjehrre ». Ky është shërbimi më i madh që i
bëjmë Kombit në këto çaste, duke lënë mënjanë mërirat e kaluara, mllefet
personale. Kështu e ngrehim më lart figurën e shqiptarit trim, me karakter, të
çiltër, mirënjohës, mikpritës, qoftë ai malësor, fshatar, intelektual, por që
ka një aspiratë të madhe…
Miqtë e shumtë të shqiptarëve, janë këtu në
Zvicër, por edhe në Shqipëri, Amerikë, (Teksas, Nju Jork, Florida, Nju Xhersi
etj), Kanada, Suedi, Greqi, Qipro, Turqi, Itali, Francë,
Austri, Britani e Madhe e deri në Argjentinë. Me ata shkëmbejmë këtu
në Diasporë mesazhe të rregullta, edhe për përkatësinë europiane të Shqipërisë
apo edhe të vendeve të Ballkanit, që na ngrohin zemrën. Mund ta quajmë edhe ne
tani një « lob » të fortë dhe të besës, siç janë edhe lobet greke,
sllave, çifute e kombeve të tjera në botë.
Përsëris : hezitova në fillim të hidhja
në letër këto radhë. Por duhet ditur se dikujt mund t’i kujtohet, si shumë
bashkëbeslidhësve tanë, se edhe Atdheu ynë dhe i autorit të këtyre rreshtave,
Shqipëria, është edhe një atdhe vlerash. Mbi varrin e tim ati të ndjerë,
gazetar i thjeshtë i një reviste për fëmijë, por që kishte nxjerrë me Jakov
Xoxën « Përpjekjen e rinisë » qysh më 1943, apo si kryeredaktor i
parë i « Sportit », shokët e tij të mirë që më ndihmuan edhe mua në
jetë, vunë këtë mbishkrim nga një poezi e tij : « E dini pse nëna
folenë në zemër e ka, sepse bashkë me qumështin e saj, dashurinë për Atdhenë
m’a dha ».
Prandaj në këto çaste, shpreh bindjen, si
shumica e bashkëbesëlidhësave shqiptarë në Shqipëri dhe në Diasporë se 27
shefat e Shteteve dhe të qeverive, ministrat, komisarët europianë, kur të
mblidhen në Bruksel në të ardhmen e afërt, do të gjejnë një gjuhë të përbashkët
për të zgjeruar Bashkimin Europian, jo si gjest për Shqipërinë, por për të
mirën e tyre. Ashtu siç kanë vepruar vite më parë për Spanjën që shpëtoi nga
frankizmi, për Portugalinë që u shkëput nga diktatura në 1964, për Greqinë që
është rindërtuar edhe në sajë të ndihmave europiane, për Rumanië, Hungarinë,
Bullgarinë etj. Edhe Shqipëria dhe vendet e Ballkanit mund të kontribuojnë në
Bashkimin Europian qysh sot me përparimin e tyre kulturor, ekonomik dhe social.
Përfaqësuesit e këtyre vendeve, si dhe media, kanë pohuar më se njëherë
dëshirën e pohuar më se njëherë tek një numër burrash shteti, apo politikanësh,
parlamentarë europianë. Afishimi i kësaj dëshire nga ana e klasës politike
shqiptare, për të marrë pjesë aktivisht në Komunitetin Politik, Ekonomik
Europian, është një shenjë e respektit të tyre për vendet europiane që e
përbëjnë atë. Në të njëjtën kohë ajo është shenjë e kontributit që mund të japë
Shqipëria me qënien « de jure » në gjirin e saj. Një bashkëpunim i
tillë i ngushtë do të japë mundësi t’u sigurojë të gjithë qytetarëve në Europë,
dhe jo vetëm disa të privilegjuarve, gëzimin e të gjitha të drejtave ekonomike,
politike, sociale, kulturore, të njeriut, të daljes dhe hyrjes në Europë, dhe
kthimit në vend pa kufizim. Kjo do t’i shërbejë tepër edhe Europës, edhe asaj
të menduar nga Shumani, Denis de Rougemont dhe atyre që e aspironin atë. Më
lejoni të përmend pak fjalët e Robert Shumanit të shprehura dekada më parë tek
libri i tij, botuar edhe në shqip për Europën : « Kjo Europë nuk
drejtohet kundër askujt ; ajo nuk ka asnjë synim agresioni, asnjë karakter
egoist apo imperialist as përbrenda gjirit të vet dhe as ndaj vendeve të tjera.
Ajo mbetet e hapur për këdo që dëshiron të antarësohet …Fryma e vërtetë
europiane është ndërgjegjësimi për realitetet, mudnësitë dhe detyrat që na
dalin të gjithëve, pavarësisht kufijve, përtej antagonizmave dhe mërive
tona » (Robert Shuman, « Në emër të Europës »).
Rruga e demokracisë në Shqipëri, ashtu si dhe
në vende të tjera që kanë kaluar stadin tonë, si fqinjët tanë italianë, apo ata
grekë, spanjollët, austriakët, portugezët, gjermanët, francezët, australianët,
britanikët, sllovenët, hungarezët, çekët etj., nuk është e lehtë. Është e
vërtetë se shqiptarët e duan të renë, janë për Europën, por duket se është e
vështirë që një pjesë e tyre, qoftë edhe e vogël, të shkëputen nga ato vite të
diktaturës. Qeveritë që janë vendosur në këto dy dekada në Shqipëri kanë patur
kohë pas kohe probleme, sidomos me nostalgjikët që nuk shohin më larg se drita
e tyre e syrit. Harrojnë ata se u rropatën gjithë jetën për të patur një
pension qesharak, ndërkohë që pinjollë të diktaturës shijnë me paratë e
popullit dhe ndjellin armiqësi në shtypin shqiptar, gjë që ishte e pamundur në
kohën e diktaturës, kur opozitarë të regjimit dhe demokratë, shkrimtarë, e
pësuan thjesht për një fjalë të shprehur ashtu çiltër për ndryshime edhe në
Shqipëri.
Më kujtohet si sot 17 shtatori 1991. Kisha
shkuar në Bruksel, si i dërguar i Sekretariatit Ekzekutiv të Komisionit
Ekonomik për Europën të OKB-së, së bashku me sekretarin e Komisionit, Brian
Duke, një britanik me përvojë shumë vjeçare me organizatat ndërkombëtare. Do
ndiqnim punimet e mbledhjes së vendeve të Bashkësisë Evropiane, si edhe të
grupit të 24-shes për ristrukturimin e ekonomisë në Shqipëri. Nga delegacioni
shqiptar kishin ardhur një zëvëndëskryeministër, Profesor Gramoz Pashko, disa ministra
si Genc Ruli, dhe ambasadori shqiptar në Bruksel , Petraq Pojani sëbashku me
Agron Agalliun, shokun tim të Fakultetit, njeri serioz dhe tepër i mprehtë,
njohës i disa gjuhëve të huaja, por edhe i ndjekjes së marrëdhënieve të
Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ai ishte caktuar të punonte në ambasadën tonë
në Bruksel, bashkë me bashkëshorten e tij, Ilirjanën, gazetare dhe njohëse e
disa gjuhëve të huaja, përfshirë dhe portugalishten. U çmallën sëbashku.
Mbledhja vazhdoi dy ditë dhe unë megjithëse isha në rolin e funksionarit
ndërkombëtar, ndihmoja disi mbarëvajtjen e punës së delegacionit shqiptar.
Mbledhja kaloi në përgjithësi mirë. Pjesëmarrësit vlerësuan disa hapa që janë
bërë drejt demokracisë në Shqipëri, lidhur me pesë kërkesat politike dhe ekonomike
kryesore: përparësia e së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut, futja e
multipartitizmit, organizimi i zgjedhjeve të para të lira dhe evolucioni drejt
një sistemi të ekonomisë së tregut. Në fjalimin e tij gjatë mbledhjes së
Brukselit, zëvëndëspresidenti i Komisionit të Bashkësisë Europiane, Frans
Andriessen theksoi se Shqipëria ka disa avantazhe: procesi i reformave në këtë
vend është shfaqur më vonë ( në krahasim me vendet e tjera të Europës
Lindore-shënimi im) dhe përvoja e këtyre viteve të fundit në vendet e tjera
ka qënë fitimprurëse; në radhë të dytë, Shqipëria e braktisi KNER-in qysh prej
mëse 30 vitesh: ajo nuk ka qënë e detyruar të çlirohet nga ndarja e sforcuar
ndërkombëtare e punës; në radhë të tretë, Shqipëria ka patur një zhvillim shumë
të ngadalshëm, kështu që ajo mund të fillojë të ndërtojë pa qënë nevoja që të
shkatërrojë; dhe më në fund, Shqipëria, duke ndjekur në të ardhmen një politikë
të drejtë ekonomike, me një mbështetje të përshtatshme nga jashtë, do të mundë
shumë shpejt të arrijë rezultate për të rivendosur besimin. Kur u zhvillua
konsulta e Brukselit u hodh mendimi i një marrëveshjeve bashkëpunimi dhe të
tregtisë midis Bashkësisë Europiane dhe Shqipërisë.
Që nga ai shtator 1991 kanë kaluar 28 vjet.
Gjithashtu po bëhen 28 vjet që më së fundi edhe Shqipëria u detyrua të
nëshkruajë Kartën e Helsinkit. Të paktën në analet e historisë të mos mbetej
prapa edhe ky vend dhe sidomos populli i tij që ka aspiruar prej kohësh, që nga
Skënderbeu për Europën, duke qënë gjeografikisht në Europë, por jo „ de jure“.
Të kësaj Europe, tanimë moderne që ka vazhduar trashëgiminë e Greqisë antike,
të perandorisë romake dhe të kristianizmit. Studimi i çështjeve europiane më ka
shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin
e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e
demokracisë. Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na
i kanë mësuar në shkollë figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si
Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, Robert Shuman.
Në shënimet e mia të viteve 90-të, gjej edhe
këto fraza : Megjithatë, kapitali kombëtar është jo vetëm i pamjaftueshëm
por edhe i ndarë keq. Në veçanti, një pjesë e rëndësishme ndodhet akoma në
duart e ish nomenklaturës që përfitoi nga mungesa e legjislacionit përkatës,
për të akaparuar pasuritë e popullit. Dhënia e pronësisë kësaj kategorie njerëzish
nuk është e pranuar tanimë as nga populli, as nga qeveria e re demokratike.
Duhet theksuar se një nga faktorët negativë që pengojnë fluksin e kapitaleve të
huaja në Shqipëri është fakti se gjatë më tepër se 45 viteve, investimet e
huaja nuk lejoheshin në vend. Domethënë ky është një faktor politik. Ka më
tepër se një vit që tensionet shoqërore dhe pastabiliteti politik ishin
gjithashtu në disfavor të investimeve të huaja. Tani nuk ka më tensione sociale
të dukshme, por pranë kufijve të Shqipërisë, sidomos në Veri të saj, në Serbi
ose ish-Jugosllavi, gjendja është e acaruar. Ushëtima e topave dhe vëllavrasjet e dikurshme, hapat luftënxitëse të
qeveritarëve në Beograd, godasin akoma
edhe projektet e investimit në vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Njeriu është i ndërgjegjëshëm për pavetëdijen
e tij. A mund të pritet që fëmijët tanë të mendojnë një ditë se kanë ardhur në
jetë në sajë tonë ? Natyrisht këtë duhet ta meritosh, duke gëzuar
respektin e tyre, duke ju qëndruar afër atyre, duke i ndihmuar në rravat e tyre
të jetës, pa u imponuar diçka, duke u treguar për paraardhësit, kombin,
kulturën, me dëshirën që ata të gëzojnë një jetë më të mirë, në paqe, në
harmoni me fqinjin, me shokun, me bashkëkombasin, në Europë… Në këto çaste mendoj: Shqipëria me kanalizimin e të
hollave për investime në vend, do të mundë shumë shpejt të kthehet në një vend
të begatë me standarte europiane dhe shumica e tyre që rropaten rrugëve të
Europës do të kthehen një ditë në tokën amtare. Shqipëria ka një bregdet të bukur,
tokën pjellore, minerale. I duhet vetëm të zhvillojë industrinë ushqimore,
turizmin, shërbimet, dhe të krijojë lehtësira për investitorët e huaj seriozë,
të krijojë infrastrukturën e përshtatshme në këtë drejtim. Mundësitë janë të
shumta. Shumë shqiptarë shkojnë e studjojnë tani në universitetet më të mira të
botës, për biznes, marketing apo probleme që kanë të bëjnë me ecurinë sociale,
ekonomike të Shqipërisë. Por ata duhet të ofrohen që të japin ndihmesën e tyre
për vendin. Vetëm kështu mund të ecet dhe t’i jepet rrugë përparimit të vendit.
A nuk duhet marrë shembull nga një vend i vogël si Zvicra, gjë që e kanë
ëndërruar të parët tanë, Rilindasit. Gjithçka që është realizuar dhe realizohet
nga zviceranët vjen nga puna, mundi i tyre. Po të shkosh në muzeun
“Alimentarium” në Vevei, merr vesh se zviceranët vite më parë hanin vetëm bukë
të zezë, nuk kishin mundësi të hanin mish. Vetëm në sajë të progresit të
vendit, të investimit nga ana e banorëve që e përbëjnë Zvicrën, në sajë të
marrëdhënieve të shkëlqyera me fqinjët europianë por edhe me vende të tjera të
botës, zviceranët kanë arritur një stad zhvillimi të përkryer. Një vend me
katër gjuhë e kultura, me temperamente të ndryshme, por kur vjen puna për
çështjen kombëtare, të gjithë janë në unison. Unë nuk jam dakord me ata
nihilistë e keqdashës që thonë se Shqipëria nuk mund të përparojë, po nuk u
bënë ndryshime në mentalitetin e njerëzve. Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë
që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo udhëtoj diku
nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që shoh. Por në
asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të
harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë, ku
shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti, Xhevat
Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në fakultet, Koli
Xoxi, me babain e gazetarisë Prof. Hamit
Boriçi, me profesorët e nderuar dhe miq të mij të mirë Ksenofon Krisafi dhe
Shaban Murati, me miqtë profesorë që mblidheshim tek Colosseum çdo mëngjez. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura, të kaluara buzë
detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës. Nuk mund të harroj udhëtimet në
rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara në Sarandë, në atë mrekullinë e
kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u mrekulluan miqtë e mij
brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, në Voskopojën e paraardhësve të mij, si dhe atje buzë Gjanicës, në Fierin prej nga e kam prejardhjen nga
prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh
tek të afërmit dhe takoja dhe bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe
shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante “Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen
“Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku
kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur.
Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia
është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer
në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im
atë i paharruar Tuni. Shpesh pyes edhe nënën si dhe motrën time, apo edhe të
afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë
time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh
gjeografinë, historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë
përdorur nga paraardhësit. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për
gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të
prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon
në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë.
Historia e Europës, e lidhur me atë të vendit
tim, Shqipërisë, më tërheq së tepërmi. Kam edhe unë argumenta për t’i bindur
bashkëbiseduesit për praninë e Shqipërisë edhe « de jure » në Europë.
Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan
marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli
përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e
vetmja kishë « orthodokse », duke u ndarë nga Roma, dhe megjithëse
Reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të
kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve
dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve
dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u
përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke.
Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime:
mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve
shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e
mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë,
puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej
dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë e
njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të
popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo ndihmë që ju
dha italianëve gjatë « kapitullimit » të Italisë që u strehuan tek
vatrat e shqiptarëve të thjeshtë. E njëjta gjë u bë edhe me hebrejtë e shumtë
që gjetën strehë në Shqipëri. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni
ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm, vetëm se donin të shihnin diçka
tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe vendet e Ballkanit, edhe
ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Europë »,
në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë.
Gjenevë, 6 korrik 2019