| E hene, 08.07.2019, 08:39 PM |
Lufta
në ish-Jugosllavi, fat apo dobësi
Nga
Nikë Gashaj
Në
gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, pak kush ka besuar
se shpërbërja e Jugosllavisë është e mundshme, kurse edhe më pak se ajo do të
ndodhë me luftë. Një bindje e tillë e qytetarëve ka qenë e formuar në bazë të
asaj se në ish-Jugosllavi ishin të
zhvilluara marrëdhëniet e shumta ndërnjerëzore të jetës dhe të punës, lidhjet
farefisnore, afariste, profesionale, pronësore, politike dhe kulturore.
Është
e pamohueshme se në këtë hapësirë ishin të pranishme format e ndryshme të
bashkëpunimit midis kombeve, konfesioneve, kulturave dhe rajoneve. Mirëpo,
megjithatë erdhi deri tek shthurja e ish-Jugosllavisë. Më se gjysma e
popullsisë së saj, dmth më se 12 milionë njerëz formuan shtetet e reja, përfshi
dhe Kosovën.
Ezistojnë
shifra të mëdha të të vrarëve, të të përsekutuarve, të refugjatëve, të të
pikëlluarve, të të trishtuarve dhe të të dëshpëruarve si pasojë e luftës së
pamëshirshme, me rastin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.
Shumë
faktorë dhe akterë me kohë kanë punuar dhe vepruar pikërisht në favor të
shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe atë me luftë. Në lidhje me këtë veçanti
duhet theksuar verbimin historik të ideologëve dhe të politikanëve serbë mbi
projektin e tyre në krijimin e Serbisë
së Madhe me mjete jodemokratike. Ndërkaq, ambienti politik në Evropën e Mesme
dhe atë Lindore, rënia e udhëheqësve të tyre komuniste, si dhe rrënimi i Murit
të Berlinit kanë qenë në favor të ndërrimeve në hapësirën e eks-Jugosllavisë.
Mirëpo, nuk është tragjike që është harxhuar një sistem ideologjik dhe politik.
Nuk është tragjike se është shpërbërë një shtet, por është tragjike se të dy
këto procese janë realizuar me konflikte, me luftëra dhe shkatërrime. Nga
shkaqet të cilat kanë çuar deri te shpërthimi i Jugo-dramës po cekim disa prej
tyre:
1.Shmangia,
minimizimi, mosnjohja dhe mospranimi i krimeve nga Lufta e Dytë Botërore kanë
qenë një kërcënim real i ndarjes paqësore të eks-republikave të Jugosllavisë
dhe Krahinës Autonome të Kosovës. Si zjarri që digjet pa flakë dhe ngadalë,
ashtu ka qenë për një kohë të gjatë i pranishëm motivi hakmarrës dhe “shpagimi
i borxheve” nga e kaluara historike. Ajo ishte një ndër shkaqet e instalimit të
kësaj lufte. Këtu mund të thuhet se frika e gjenocidit masiv i ka ushqyer dhe
nxitur jo vetëm antagonizmat e aktorëve publikë dhe politikë, por edhe ata të
popullsisë së thjeshtë.
2.
Pas Luftës së Dytë Botërore çështja e Kosovës dhe statusi i saj është
rregulluar në mënyrë jodemokratike, pa pëlqimin dhe dëshirën e popullit
shqiptar në Kosovë.
Njohjet
empirike dhe teorike-shkencore tregojnë në mënyrë të qartë, se zgjidhjet
jodemokratike mbi çështjet kruciale, sikurse është statusi i Kosovës, shikuar
në afat të gjatë, nuk kanë gjasa të jenë të suksesshme. Fatkeqësisht, një
njohje të tillë nuk e ka pasur në dijeni, apo nuk nuk ka dashur ta respektojë
udhëheqësia politike e ish Jugosllavisë. Prandaj, statusi i pavolitshëm i
Kosovës dhe demonstratat studenteske më 1981 në Kosovë, ishin fillimi i
shthurjes në gjak të ish-Jugosllavisë.
3.
Mosbesimi ndërnacional dhe mbyllja e ish-republikave në feudet e veta
nacionale, të artikuluara në vitet para shpërbërjes së Jugosllavisë,
domosdoshmërisht e ka gjeneruar variantin e ndarjes me luftë të ish republikave
dhe të Kosovës.
4.
Neveritja dhe urrejtja ndaj të tjerëve, ndaj kolektiviteteve të ndryshme
nacionale/etnike, të cilat monoliti i mëparshëm politik-ideologjik me decenie
të tëra i ka amortizuar dhe kontrolluar, i ka krijuar presupozimet për qërimin
e hesapeve me luftë.
5.
Prapambeturia, moszhvillimi, ndarja jo e drejtë e “mjeteve të veta” në
republika të tjera (kolektivitete), shpesh herë ka paraqitur një arsenal për
akuzime reciproke.
6.
Popullsia e ateizuar, pa besim në zotin dhe në kishë, ka qenë një ndër shkaqet
e krimeve dhe të rrënimeve.
7.
Egoizmi i personave dhe i grupeve dhe stimulimi i formuar për fitim, për
plaçkitje dhe pasuri, ka kontribuar në krijimin e një ambienti luftarak, në të
cilin merret, grabitet dhe plaçkitet pa dënim.
8.
Në ish-Jugosllavi ka munguar krijimi i institucioneve të reja të demokracisë
dhe të tregut, të cilat janë të domosdoshme për vendet në tranzicion.
Institucionet e vjetra nuk kanë mundur t’i përgjigjen konstelacionit të ri
shoqëror.
9.
Matrica popullistike joracionale, e cila i ka mobilizuar masat në aksion ka çuar drejt shkatërrimit të
eks-Jugosllavisë.
10.
Në ish-Jugosllavi, pas Luftës së Dytë Botërore, problem i pajtimit ndërmjet të
fituesve dhe humbësve, të çlirimtarëve dhe të tradhtarëve, të mbijetuesve dhe
të viktimave, gjatë gjithë kohës ka mbetur i shtangur.
11.
Pohimi mbi lidhjen e jugo-dramës me përçarjen dhe konfliktin serbo-kroat, që i
ka “ringjallë” atavizmat dhe antagonizmat e vjetër, nuk është i gabuar.
12.
Paaftësia e elitave politike, jokompetente dhe inferior, që nuk kanë qenë të
afta, që me punët shtetërore të udhëheqin me dituri, urti dhe përgjegjësi, në
drejtim të ndërrimit të domosdoshëm të sistemit politik, i ka gjeneruar shpërthimit të luftës.
13.
Një përgjegjësi të madhe për skenarin e luftës në këto hapësira e ka patur edhe
Bashkësia Ndërkombëtare. Nuk ka qenë në pyetje vetëm mosgjeturia dhe mosnjohja
e marrëdhënieve subtile të ish-Jugosllavisë, por edhe hysteria anti-komuniste,
të cilën e kanë prodhuar, duke i nxitur kohortat nacionale/nacionaliste si
ekzekutues të punëve në shthurjen e shtetit socialist.
Argumentimi
i lartpërmendur tregon se në shpërbërjen me luftë të ish-Jugosllavisë ka
dominuar instrumentalizimi politik i marrëdhënieve nacionale/nacionaliste dhe
pranimi që nga e kaluara historike dhe traditat, të ringjallen dhe të kthehen,
kryesisht, format anakrone. Në lidhje me këtë Llatinka Peroviq pohon se kah
fundi i viteve tetëdhjetë proceset e modernizimit janë ndërruar me
tradicionalizëm, mitologji dhe me reinkarnimin e së “kaluarës historike të
lavdishme”.
Në
një analizë temporale, fillimi dhe grumbullimi i proceseve të cilat më vonë do
të kalojnë në konflikte luftarake, shikuar nga një prizëm manifestues, mund të
ofrohet si vijon:
“Shorti
është hedhur” në demonstratat e Kosovës më 1981. Kryesia e atëhershme politike
ka qenë e burokratizuar dhe e paaftë, e preokupuar se si të mbahet në pushtet,
nuk ka arritur që të sanojë në mënyrë adekuate antagonizmat e ndryshëm, apo të
shërojë dhe të përmirësojë gjendjen e çrregulluar ekonomike, sociale, politike
dhe nacionale. Në atë kohë publikisht shpërtheu dhe gufoi nacionalizmi serb.
D.m.th.
nacionalizmi serb filloi ofensivën. Gjatë pesë viteve, mbi Kosovën, shenjtërit,
manastiret, brezat apo fisin mbretëror, mbi viktimat e serbëve etj., u botua në
mënyrë të pakrahasueshme më tepër se deri atëherë. Mjetet e informimit masiv
shqiptarët i kanë paraqitur si armiq dhe
me tiparet më të këqija, kërcënuese dhe të rrezikshme për të tjerët, në rend të
parë për serbët. Një ngjarje vendimtare në përcaktimin politik të udhëheqësisë
shtetërore të Serbisë ka qenë Memorandumi i “pakryer“ i Akademisë së Shkencave
dhe Arteve të Serbisë (1986).
Vërshimi
popullist i luftës për unitetin e Serbisë, në verën e vitit 1988, me
manipulimin politik të popullsisë serbe
të Kosovës, gjithsesi ka çuar deri te gufimi dhe shkallëzimi i konfliktit, jo vetëm
në kryesinë e Federatës së eks-Jugosllavisë, por edhe midis udhëheqësive
politike të ish-republikave.
Kongresi
i XIV-të i LKJ-së, i cili nuk përfundoi dhe të cilin të parët e lëshuan
përfaqësuesit e LK të Sllovenisë, për shkak të presioneve të delegacioneve
serbo-malazeze, si dhe acarimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ushtrimi i
territorit shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, kanë shtyrë edhe më tutje
rrokullisjen e rrotave, tashmë të skuqura, drejt pamjes së një flake të madhe
të lëkundjeve gjithnjë e më të mëdha të shtetit jugosllav.
Referendumi
dhe pastaj, më 1991, ndarja e Sllovenisë nga ish-Jugosllavia, me një
indiferencë dhe gjakftohtësi të udhëheqësisë federale, e cila tashmë ishte e
hutuar dhe e përçarë.
Transferimi
i potencialeve ushtarake prej Sllovenie në Jugosllavinë e mbetur dhe
instrumentalizimi i armatosur i momentit etnik. Ndërkaq, le të përkujtojmë
fillimin e luftës në Kroaci më 1992.
Përçarjet
dhe mosmarrëveshjet etnike në Bosnje e Hercegovinë më 1992, kanë rezultuar me daljen demonstrative të delegatëve nga
Parlamenti dhe përhapjen e tyre nëpër rrugat dhe sheshet e Sarajevës, Mostarit
dhe të qyteteve të tjera.
Mbrojtja
e armatosur e shteteve të reja, të krijuara, në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë
ka zgjatur në vitet e ardhshme, deri në përfundimin e luftës, më 1995 dhe 1996,
me intervenimin e Bashkisë Ndërkombëtare.
Hapja
dhe eskalacioni i luftës në Kosovë më 1998. Terrori masiv, vrasjet dhe
masakrimet e shqiptarëve nga shteti serb.
Intervenimi
i NATO-s në Serbi dhe Mal të Zi më 24 mars 1999, si dhe hakmarrja dhe shpagimi
mbi regjimin, që nuk ka patur aftësi dhe fuqi, që nëpërmjet të matricës
paqësore dhe demokratike të zgjidhë statusin e shqiptarëve dhe çështjen e
Kosovës. Përkundrazi, shteti serb ndërmori masat më të ashpra dhe më brutale,
që i njeh historia e njerëzimit, të ashtuquajtura – gjenocid.
Si
përfundim: Në ish-Jugosllavi nuk ka qenë e nevojshme të vihet deri te lufta.
Edhe shtetet e tjera të bllokut të Lindjes janë ndarë në këto vite, por jo me
luftë. Në prapavijën e luftës, në hapësirat e ish-Jugosllavisë ka qëndruar një utilitarizëm i thellë dhe një interes i
madh i oligarkive politiko-ushtarake, të cilat janë fshehur prapa floskulave
mbi patriotizmin, orën e fundit, shpagimin e padrejtësive historike, mbrojtjen
e dinjitetit etj. Në realitet, puna më profitabile, por në anën tjetër edhe më
tragjike, në këto vise, ishte tregtia me luftë. Hapësira kulturore, pa dyshim,
ka qenë poligon stimulues i konflikteve në ish-Jugosllavi. Nuk është e panjohur
se një numër jo i vogël i intelektualëve të lartë ka qenë i kyçur në vallen e
luftës dhe të krimeve. Lufta dhe akterët e këtyre kohëve nuk mund të shtyhen, të
amnistohen dhe as të mbesin në harresë. Parashtrohet pyetja: a kanë kuptim
projektet politike, të lara me gjak dhe me jetën e njerëzve? natyrisht, jo.
Sido që të arsyetohet, lufta është krim i palejueshëm. Njeriu ka vetëm një jetë
dhe pse duhet të përcaktohet me luftë? Civilizimi dhe korpusi i vlerave të tij,
shikohet pikërisht në ndalimin, shmangien dhe mposhtjen e asaj që është e keqe,
e errët, e paarësyeshme dhe iracionale, qoftë tek individi apo në bashkësitë
njerëzore. Sot katarza është e domosdoshme për drejtësimin e njëmendësisë, në
një komponim të ri të ardhmërisë. Është i nevojshëm rishqyrtimi i vetëdijes, i
ndërgjegjes dhe i së vërtetës, meqënëse prej saj varet fati i njerëzve dhe i
popujve.
Ndërkaq,
është i nevojshëm grumbullimi i një energjie pozitive dhe ndërmarrjes së një
hapi demokratik përpara, i cili do të çojë në ujëra më të qeta të jetës dhe të
krijimtarisë.
Në
veçanti është me rëndësi normalizimi i marrëdhënieve dhe njohja reciproke
shtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
në kufijtë ekzistues.