| E marte, 02.07.2019, 07:44 PM |
ATDHEU
NË VARGJET E POETES DURRSAKE
Libri
“Dallandyshe në fluturim”. Autore Trandafile Molla (Baja)
Nga
Kadri Tarelli
Jam njohur prej disa vitesh me krijimtarinë
poetike të poetes durrsake Trandafile Molla (Baja). Nuk është rastësi, pasi si
anëtarë të Klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, jemi pjesëmarrës në
takime letrare dhe veprimtari të ndryshme: kuvende, analiza, përurime librash
dhe konkurse apo festivale poezie. Në këto raste, krijuesit, më mirë shkrimtarët
dhe poetët, dhurojnë libra, duke shkëmbyer dije, kulturë, përvojë dhe nderim për
njëri tjetrin.
Krijimtaria e kësaj poeteje, ka filluar që shumë
herët, por dorëshkrimet kishin mbetur, si ëndrra të mbyllura në sirtar. Vonë,
tani vitet e fundit ka filluar të botojë. Kështu brenda pak kohësh është
paraqitur në publik me disa vëllime me poezi, me tituj mjaft tërheqës dhe
ngacmues: “Mall për gjithësinë”, “Kur zemra flet”, “Vazhdoj të jem”, “Atje dua…” dhe së fundi:
“Dallandyshe në fluturim”.
Çdo lexues që ka mundur të ndjekë krijimtarinë e
saj, me pak vëmendje vë re, se në librin e fundit, cilësia e krijimtarisë ka pësuar
rritje të ndjeshme, si në përpunim vargu, muzikalitet, fjalor, figura letrare
të goditura, sidomos përdorimi i metaforave, ku përcillet mesazhi poetik dhe
filozofik i autores. Po kështu duhet thënë edhe për tematikën e larmishme,
megjithëse poeti është spontan në frymëzim, sepse goditja vjen nga ndjesitë e
shpirtit, në shumicën e rasteve, atë çka sjell çasti. Askush më bukur se Aristoteli
nuk mund ta thotë: “Poezia është art i veçantë dhe i pavarur, që ka një
logjikë të brendshme. Poezia e gjen realizimin në format më të bukura”.
Sapo hyn në poezitë e para, ndjehet lirizmi dhe
trazimi i një shpirti të ndjeshëm për të bukurën dhe njerëzoren, mbase është zemra
e një gruaje dhe një nëne, që regëtin edhe për ndjesitë dhe shqetësimet më të
vogla, që veç poetët mund t’i kapin e t’i vendosin në art fjale. Aq e vërtetë është,
sa Horaci i lashtësisë thotë: “Poezia
është e ëmbël dhe e dobishme: “Doulce” dhe “Utile”, aq sa, kur një vepër
letrare e kryen me sukses funksionin e vet, të dyja notat, e kënaqësisë dhe të
dobisë, shkrihen me njëra-tjetrën”.
Vetë titulli “Dallandyshe në fluturim”, që mund të udhëtojë drejt vendeve të
dashura, ka një mesazh të njohur në letërsinë tonë të hershme, por edhe në letërsinë
e re, sepse ka të bëjë me emigracionin, si dukuri e plagë shoqërore, që e ka
ndjekur fatin e shqiptarit prej shumë vitesh, ku natyrshëm shpërthen malli për
atdhe. Autorja që ka jetuar për mjaft vite në Novara në Itali, ndjehet si dikur
vetë Konica, që shprehet: “Duhet të jetosh
pak kohë jashtë mëmëdheut, që të ndjesh mallin dhe dashurinë për Shqipërinë”.
Sidoqoftë, ajo që e sundon më së shumti poezinë
e kësaj autoreje, është tema kombëtare, duke filluar me Durrësin si vendlindja
e saj, e më pas të shtrihet në të gjitha trevat ku flitet shqip e sidomos
Kosova.
Ja disa vargje, nga poezia me të cilën nis libri:
Atje, ku
rreh zemra,
S’pushon për
mëmëdhenë,
Ku mbushem
me ëndrra,
Atje shoh
Skënderbenë!… Poezia: “Vendi im i bekuar!”
Për
të vazhduar më tej:
Dhe mbeta
një sirenë duke numëruar,
Mes
stërkalave të bardha të detit tim,
Se pas
tyre shpirtërisht jam dashuruar,
dhe pse
ndodhem larg, larg në mërgim…. Poezia: “T’i numëroj, e kam vështirë!”
Mjaftojnë vetëm këto pak vargje të cituara më
lart, për të kuptuar kumtin që përcjell dhe thelbin e së tërës, si “gota e verës, që provon cilësinë e një buti
të tërë”.
Është e pa nevojshme të komentohet çdo krijim
dhe të gjitha poezitë, duke e ftuar lexuesin të ndjejë kënaqësinë e fjalës dhe të
drejtën e vlerësimit të artit dhe mesazhit, duke i dhënë autores vendin e
merituar në emrat e poetëve të njohur durrsak dhe më gjerë. E them këtë pasi Trandafilja
është fituese e shumë çmimeve dhe vlerësimeve në konkurse e festivale poetike,
si brenda Shqipërisë dhe në mbarë trojet shqiptare, sidomos në Kosovë.
Në grumbullin e poezive që përmbledh pjesa e parë:
“Shpirt burgosur në mërgatë”, që flet shumë edhe pa i lëçitur të gjitha, lexuesi
do të dallojë një krijim, “Mos më quaj tradhtar”, që ngjason si rënkim në dhimbje,
nga goditja dhe plaga, si lëndim shpirti e piskamë proteste, psherëtimë
trishtimi dhe alarm zhgënjimi, e etur dhe tretur, për të gjetur pak frymëmarrje
dhe qetësi. Unë e vlerësoj, si poezinë më të mirën, më të goditur artistikisht
dhe me forcë mendimi të admirueshme. Gjykoni vetë kur ta lexoni dhe do të
bindeni se aty ka shumë hidhërim të grumbulluar në zemrën e poetes, por që në
një mënyrë shpreh gjendjen e shqiptarit të mërguar, mbase të arratisur, që
shqip duhet thënë: të gjithë të përzënë brutalisht nga atdheu, të damkosur e
përbuzur shoqërisht e politikisht, si pjesë e mentalitetit të kohës, por që
s’po na ndahet, duhet thënë, rrënjët s’po i thahen e dhe sot:
“Më kanë
quajtur tradhtar,
Se u
largova nga Shqipëria.
Por jo
mor’ jo, jam shqiptar
Më mbyti e
keqja dhe ligësia… Poezia. “Mos më quaj tradhtar!”
Në pjesën e dytë të librit, hasim një nëntitull,
artistikisht i gjetur bukur: “Për liri, rilind shqiptari”, marrë nga një poezi
me të njëjtin titull, ku autorja kërkon të ngjallë guxim, besim dhe krenari
kombëtare, duke u mbështetur në figurat e njohura të shqiptarisë në Kosovë. Më
duhet të them, se mbi tridhjetë poezitë, ose afro më shumë se gjysma e librit, i
kushtohet temës së Kosovës, ku ngërthehet trimëria, krenaria, dhimbja, durimi,
qëndresa dhe shpresa, lufta dhe mbijetesa. Mund të përmend poezinë kushtuar
legjendarit të politikës kombëtare, Ibrahim Rugovën, më pas për qëndrestarin Adem
Demaçi, poetët Isuf Gërvalla e Ali Podrimja, komandantin Adem Jashari, tropojanin
hero Bylbyl Breçani, etj, etj.
Besoj se edhe lexuesi do të jetë në një mendje
me mua, kur shprehem se, tek të gjithë mërgimtarët e të gjitha gjinive të
artit, që kalojnë një kohë të gjatë jashtë atdheut, tema më e pëlqyer mbetet ajo
kombëtare. Këtu nuk po them gjë të re, pasi koha dhe letërsia jonë ka plot
shembuj të tillë. Përmend Naimin, Çajupin, De Rada, Filip Shiroka, etj, etj. Duke
gjykuar në qetësi, na duket se është një amanet apo porosi e dërguar dhe e
trashëguar, si frymë atdhetarie, nga të vjetrit tek të rinjtë, përfshirë edhe
poeten tonë.
E përgëzoj për këtë linjë krijimtarie, që do
rrahur edhe më shumë, sepse kështu bëhet mirë, jo thjesht për ndjesi dhe
kulturë letrare, por edhe si një mësim i bukur dhe i dobishëm për të ushqyer tek
të rinjtë, ndjenjat e atdhedashurisë, për të cilat kemi pasur e kemi nevojë të
përhershme.
Nuk duhet t’i hamë hakun poetes, pasi në pjesën
e tretë “Ti je vetë pasqyra”, gjejmë poezi të larmishme dhe me shumë frymëzim,
ku i këndohet poetëve dhe poezive të tyre, si Dritero Agolli, Naimi, Migjeni,
Fatos Arapi, shkrimtarit dhe studiuesit Murat Gecaj, etj, etj. Këtu nuk
mungojnë poezitë edhe për mësueset Gjylys Lloshi, Shpresa Vlashi (Velaj), si
një homazh e nderim të thellë njerëzor e qytetar, për edukatorët, si misionarë
të dijes dhe edukimit.
Diku nga fundi i librit, autorja bën një gjetje
interesante, duke e bërë poezinë si një personazh të kërkuar dhe të lakmuar, që
shpirtërisht vuan e gëzon njëherësh. Ja si shprehet poete Molla:
Jam
skllavja jote poezi,
Në mesin e
natës në errësirë,
ma mbush
shpirtin me dashuri,
fjalët
varg, vijnë në të gdhirë. Poezia: “Jam
skllavja jote”.
Urime
poetes durrsake Trandafile Molla, për krijimtari edhe më të bukur në libra të
tjerë!
Kadri
Tarelli
Durrës më
29. 06. 2019.