| E shtune, 29.06.2019, 07:59 PM |
Pergatiti Fritz RADOVANI:
Në prag të 30 Qershorit 2019...
NGA
AT ANTON HARAPI O.F.M.
DY LOT’ E
NJI BETIM...
Mbi
Eshtën të deshmorve t’ Atdheut Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli
Ndalniu
! Ku véni, o burra ?!..
Çerçiz
e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se
të ndaheni.
Doni
t’a leni Shkodren, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari keni pa t’amblat
rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshtë, gëzueshem e rritët shtatin, atje
prej kah Shqipnia u qiti edhe u ndriti!
Lè
të lavdohen, po, per ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët per
jetë, por grimë ma pak s’do të gëzohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët,
por u lindët per Atdhé.
Njimênd
se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrshme,
por
ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo Shqiptarësh,
ju
jeni heroj, jeni burra Shqiptarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të
tillë
sot
me gëzim u percjellë Shkodra, lama e nana e heroizmit t’uej.
Jo,
nuk u lëshon ju Shkoder lokja, ambel pa u puthë në të dyja faqet, thekshem pa u
lëmue të dy krahët, përmallshëm pa u derdhë dy pika lotësh, lotë gëzimi e
pikllimi, mbi Eshtënt t’uej. Eshtën të pamort, u falem !
Të
pavdekshëm, po, pse nder vême t’ueja rueni nji visar të çmueshem, njat ide e
cila e patrandun do të jesë ndër né deri sa të jetë Shqipnia.
E
udha e mbarë u kjoftë!
Veç,
o burra, qi vdekun flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah
rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, deh, lëshonje nji za, at zanin t’uej
kumbues si të luajve, diftoni djelmnisë Shqiptare shka u a ushqeu idealin, shka
u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
Diftoni,
po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte;
ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni
derisa gjaku i juej i kërthnestë e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të
Shqiptarvet, deri qi në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të
madhnohen thëmeluesat e Atdheut.
Kemi
pse të jemi e të mahemi Shqiptarë, der të shêjte të ruhen bes’e burrni.
Me
të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani nji urim Shqipnisë; m’i ndiellni të
mbarë e perparim, paqë e ngadhnjim.
Por
edhe nji nâmë si rrëfeja, m’ i a lëshoni kulshedres së ré, rrymvet dermuese, qi
po e brejnë jeten Shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na
shkatrrojnë: levdohen per dashni, e na qesin mënin e fitmen, duen të na mësojnë
e po na zhburrnojnë.
Hèu
! ata mos kjofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa
besë ndër veti, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familjet e
historia. Nuk po u pyes kush jeni e kah po véni. Kudo shkojshi, të bardhë
kjofshi; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni,
vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk më duhet gja kush u vrau, por knaqem,
kah marr me mend até per shka ju ratë preja e dorës mizore.
Nuk
marr parasyshë ç’ krahinë kjet e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në
nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dêjt t’uej gjaku Shqiptar.
Ju
mësyt Shkodren per strehë Atdhetarije, per lamë veprimi, per strofull sigurie.
Edhe Shkodra me kënaqë ju priti e iu dha nderimin që ju perkitte: pa ndryshim
ju rreshtoi nder fatosat e vet, nder të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji
Dedë Gjo’ Lul e tjerë sokola.
Eh,
moj Shkoder, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ?
Deri
kur ma do të m’i a këndojsh kangen vdekjes e shemtimit?
Shka
asht në ty qi dukesh si të ngadhnojshe ma fort mbi vdekje se sa mbi të gjallë,
si të gëzojshe ma fort per të mbetun se per të gjallë? Me shka ma mund do të
shuhet ajo etja e jote, qi tash sa mot të rreshkë e të pervlon?…
Ti,
mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and perkunde burrat e maleve,
ashtu në prêhën t’and mblodhe, në votren t’ande rreshtove kreshnikët e Kombit.
Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpetimin; në therori,
fitimin; në burrni, forcen.
Mizore
po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmonë per piri.
Zotnij
të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali mâ. Keni udhë të gjatë.
Merrni
këto visare të çmueshme, e shkoni! Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta
Eshtën, shëmblles ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijmë doren shoqishojt,
Toskë e Gegë, muhemdanë e kristjan e me besen e burravet,
me
besen Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajt Shqiptarit të pa prekun nji Zot të
vertetë, nji Atdhé të lumtun, per të bamë Shqipninë e ré, të fortë e të
madhnueshme, të dêjë per Skenderbéun.
T’i
diftojmë, po, Botës, se Shqiptarët janë njimênd burra; se mund të jemi Tosk’ e
Gegë, muhamedanë e kristjan, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti
i vertetë e Atdhéu lè të na bashkojnë, Zoti e Atdhéu t’ na mbajnë;
Me
Zot e me Atdhé të lumnojmë!
Shenim nga Fritz RADOVANI:
Kopjue nga “Hylli i
Dritës”, fq 462, viti XII, nr.9, Shkoder 1936.
Kjo fjalë u mbajt nga At
A. Harapi, tek balkoni i Postës në Fushen e Çelës.
Melbourne, Qershor 2019.