| E enjte, 27.06.2019, 07:27 PM |
Flet
pedagogia Helena Halilaj: Duhet të rikthehet gjuha shqipe në universitete
Një
kriminel vret një ose dy, një pedagog që merr para vret të ardhmen e një kombi
Nga
Albert
Z. ZHOLI
Të jesh pedagoge sot
është një profesion sa i bukur po aq dhe i vështirë. Cilat janë të veçantat e
bukura të këtij profesioni por ato që ju sjellin mëdyshje dhe dyzim?
Universiteti
është puna më e magjishme për mendimin dhe përjetimin tim. Fati që të jepet për
të shkuar tek dhjetëra studentë njëherësh e bën punën tonë sa hyjnore aq dhe të
kujdesshme. Kalimi i njohurive që kemi marrë ne nëpër breza është një udhëtim
që kërkon jo vetëm një rrogë mujore por fuqinë e frymëzimit tek të rinjtë. Të
jesh në auditor nuk funksionon nëse ti përtej derës ke lënë gjithçka tjetër
përveç mendjes dhe misionit. Studenti të stampon në mëndje gjatë, për aftësinë
për ta rrëmbyer me vete në burime të reja informative. Një partneritet kimie
është dhe mësimdhënia, duhet kombinuar vazhdimisht teoria me diskutimin,
mendimi me arsyetimin, dëshmia dhe përjetimi, kërkesa dhe prutshmëria, etj. Sot
brezat janë të lirshëm dhe kjo situatë i favorizon shkëmbimet e mendimeve po
njëkohësisht duhet pak më shumë vëmendje dhe disiplinë pune nga studentët.
Dyzohesh ndonjëherë kur auditori nuk jep aq sa pret, kur nuk shkon gjithçka siç
dëshiron, kur ndonjëherë komunikimi nuk rindërton marrëdhënie produktive, kur
kupton që roli i pedagogëve nuk është numëruesi kryesor i respektit, etj.
-Si do ta komentoni
mitmarrjen në radhët e pedagogëve, pse lindi ky fenomen kaq negativ?
Kompromise
të tilla janë më të rënda se krimet. Një kriminel vret një ose dy, një pedagog
vret të ardhmen, është një vrasës serial mendoj unë. Këtë fenomen e gatuajnë
injorantët, blerësit dhe shitësit e lirë qe në këtë rast janë pedagogët.
Si mund të zhduket ai?
Vetëm
me ndërgjegjësim, rritje të pagave dhe dëshmi të rrëfyera për ata që bëjnë
vepra të tilla.
-Je tunduar nga
mitmarrja?
Nuk
bëj pjesë në treg të tillë.
- Cilat janë problemet e
arsimit shqiptar sot?
Gjithmonë
ka vend për diskutime dhe ndryshime për përmirsimin e cilësisë së arsimit. Në
fillim duhet të rikthehet gjuha shqipe në universitete, thirrje që kam kohë që
e kam bërë. Duhet të rriten kushtet dhe pagesat në universitete. Duhet të ketë
më shumë mundësi dhe lehtësira studenti. Më tepër vlerësim dhe rritje të
autoritetit të pedagogut. Arsimi është shtylla themelore e një kombi, pa të
bien tullat e së ardhmes. Arsimi duhet të ketë politika me standarde të vendeve
të zhvilluara, tu ngjajmë vendeve që e presin zhvillimin nga rrënjë të sigurta
për frytet e të nesërmes.
-Vazhdimit në
televizione jeni pjesë e analizës së problemeve sociale. Pse pikërisht je pjesë
e kësaj problematike kaq të nxehtë shqiptare dhe çfarë të sjell kjo pjesë si
intelektuale?
Unë
nuk parakaloj dot nga problemet sociale të vendit tim, të shoqërisë në të cilën
jetoj. Jam konsumatore e rregullt pasi jam pjesë e vazhdueshme e zinxhirëve të
shqetësimeve dhe dëshirave si të shumë bashkëqytetarëve të mi. Problemet që
prekin shumicën me shkundin dhe mua dyshemenë e kohës në të cilën jetojmë. E
kam të pamundur të jetoj individualisht kur i përkas së tërës. Individi është
prodhim social në ditët e sotme. Intelektualisht më krijon mundësi të njoh
forma të reja komunikimi, shkëmbime kulturore dhe formimi të ndryshme, te
testoj ku jemi dhe ku pritet të mbërrijmë, njëkohësisht mendoj që brenda
problemeve sociale janë plot intelektual që heshtin dhe Shqipëria dergjet në
shtratin ku rrinë zgjuar të pangopurit dhe politikanët që shqyejnë sa munden
ditët tona të përbashkëta.
-Si mund të zbuten sot
problemet sociale në Shqipëri?
Zëri
revulotiv që fatkeqësisht mungon tek ne. Vetëm ne mund ta ndryshojmë shoqërinë
të cilën ne e bëjmë tufë delesh. Politika paguan për heshtjen tonë dhe nusëron
gjatë se ne kërcejmë vallen që udhëheqin si duan ata. -Keni menduar të jeni
pjesë aktive e politikës dhe çfarë është për ju politika kur shihet që shumë
deputetë kanë qenë me akorde kriminale apo kurrë nuk kanë qenë pjesë e
diskutimeve në parlament? Politika nuk ka më ideale dhe ndërgjegje, duhet tia
bëj me hile vetes që ta gjej veten tjetër në marrëveshje me politikën e sotme.
Nuk mund të rrjedhin lumenjtë e fateve njerëzore siç duan një grup i caktuar.
Politika shqiptare në vitet e fundit është si zgjebja, të zë dhe lufton të
shpëtosh prej saj. Në asnjë shoqëri demokratike nuk ka tolerancë të tillë ndaj
shtypësit, jemi popull tranzit në jetën tonë, nuk dimë nga shkojmë. Politika e
sotme e ka lodhur shoqërinë, të bësh politikë këta e kanë përkthyer jo si formë
të drejtuarit po formë të rrënuarit të shpresës së të rinjve që duan më shumë
ikjen se atdheun e tyre. -Si do ta komentoje politikën e ashpër shqiptare në
vitet e fundit? Lufta për uzurpim është beteja e fundit. Politika në ditët në
të cilat jetojmë ka kokën e një ujku në dimrin e fatit të një kombi, uria
përtej çdo limiti po gllabëron të ardhmen. Kemi përballë njerëz që gromësijnë
nga mbingopja në fytyrën e pafund njerëzve të tjerë që nuk mbyllin dot muajin,
që flenë të trishtuar e zgjohen të pasigurte. Politika sot është ndotja më e
madhe në gjithë historinë e kombit tonë.
-Që në fëmini, hobi juaj
ka qenë poezi në veçanti por dhe krijimtaria në gjini të tjera. Sa ju ka
shërbyer në jetë letërsia dhe sot ku e gjeni veten më mirë, në cilën gjini?
Letërsia
është e vetmja rrugë në të cilën nuk shkel dot as injoranca, as krimineli, as
politikani, as i paudhi. Letërsia mbush me vlerë ditët në të cilat nuk ke asgjë
për të shënuar në to. E kam dashuri të pakrahasueshme me asgjë poezinë, aty jam
me veten, vetëm me veten time në një badhkëudhëtim të vështirë por plot nur
paqeje. Më ka shërbyer deri në skllavëri për të më mbajtur njeri, për të më
treguar pasqyrën e vlerave që mbart gjithkund fjala letrare. Poezi është
dëshmitare e bindur e çdo gdhendje që koha, fati, zemra të bëjnë gjatë jetës.
-Kush kanë qenë nxitësit
tuaj shkrimtarë apo poetë brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe kë keni pasur si
model?
Letërsia
e huaj në larmishmërinë e saj të frymëzon edhe sot edhe mot. Letërsia e huaj ka
fuqi të jashtëzakonshme për të transmetuar mesazhe dhe për të ndikuar në
botëkuptime njerëzore. Camus, Remarque, Pushkin, Marquez, Dostojevsk, Hygo, etj
janë pafund të veçantë në krijimtarinë e tyre. Letërsia jonë patjetër qe ka
ndikur tek unë, Fishta, Migjeni, Konica, Marko, Noli, Camaj, Kadare, etj, janë
identiteti i vlerave gjuhësore dhe letrare që ne kemi dhe lutem ti mbajmë fort.