| E merkure, 26.06.2019, 09:35 PM |
Porsa
pa dritën e botimit romani i dytë i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh
Elvi Sidheri, i titulluar jo rastësisht DY BOTË, si një pasqyrim i vetvetishëm
i vetë thelbit e fillit përçues të këtij romani jokonvencional.
DY
BOTË është krijimi i dytë në prozë i Elvi Sidherit, pas romanit të parë
Emigrantja, që fort shpejt do të vijë në botimin e shtypur, pas përpunimit të
fundit, dhe përbën një vazhdimësi letrare në stilin e të shkruarit të autorit
të tij, në nuancat, përthyerjet, këndvështrimet, mendësitë, personazhet,
pikëtakimet kulturore, vendet, popujt, shtetet e kontinentet që përfshin ky
libër në përqafimin e tij gjithëpërfshirës; duke qenë gjithsesi kryekëput i
ndryshëm nga romani i mëparshëm.
Në
DY BOTË ngërthehet një dashuri e jetuar, ndier, botëkuptuar dhe shtjelluar në
mënyrë krejt njësore, që veçohet nga trajtimi i rëndomtë i dashurisë në
letërsinë aktuale, duke u përqendruar thellësisht pikërisht te fuqia e
dashurisë dhe shtysat e papërballueshme të të dashuruarit, përkundër gjithkujt,
gjithçkaje, përtej barrierave fizike, kufijve, detrave e oqeaneve, përkundër
ndryshimeve kulturore, largësisë apo kohës e viteve.
Dashuria
e shpërfaqur në këtë roman të përfshin, të grish, ashtu siç të joshin gjithë
personazhet e përshkruar nëpër faqet e tij, atmosferat e pakoha, qytetërimet,
vendet, nuancat ekzotike, Europa e lashtë dhe Bota e Re të sintetizuara nga
sytë magjepsës dhe mendja kryeneçësisht e mprehtë e një shqiptareje të
shekullit XXI, gërshetuar me spërkatje
të shumta kulturore që sendërtojnë një roman modern, mendjehapës dhe përthithës
për lexuesin në mëtimin për të ndjekur hapin e ngjarjeve, personazheve dhe
situatave që jetësohen nënjë mjedis tejet kozmopolit e frymëzues.
DY
BOTË përfaqëson besnikërisht frymën e personazheve që gjallojnë në brendësi të
tij, duke ofruar mundësinë e rrallë për të njohur një univers dashuror,
kulturor, psikologjik, shpesh edhe gjuhësor, që ndërthuret natyralisht duke
krijuar një ansambël letrar që arrin të bashkëveprojë me lexuesin duke rrëfyer
butësisht një histori dashurie.