| E hene, 24.06.2019, 09:50 PM |
O
ZOT, KY ËSHTË VENDI YNË, NA NDIHMO!
Nga
Frank Shkreli
Të djelën që kaloi
ishte për një vizitë në Nju Jork, Shkëlqesia e tij, Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëvi
i Rrëshenit, në Mirditë. Me këtë rast ai celebroi një meshë solemne në Kishën
Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” në Scarsdale të Nju Jorkut më 23 qershor.
Megjithëse larg nga Shqipëria, shqiptarët kudo, përfshir edhe ne këtu në
Shtetet e Bashkuara, nuk mund të anashkalojmë dhe as të injorojmë krizën
politike që klasa politike aktuale ka pllakosur Atdheun tonë të origjinës --
Shqipërinë tonë të dashur. Siç dihet, kohët e fundit, përfaqsuesit më të lartë
të komuniteteve fetare kryesore në Shqipëri u kanë bërë thirrje udhëheqsëve
politikë të vendit që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për ta nxjerrur vendin
nga kriza politike aktuale, në të cilën e kanë hedhur Shqipërinë. Është kjo një
krizë që ka marrë përmasa të mëdha përfundimi i të cilësështë ipa-parashikueshëm,
me pasoja afatgjata negative për jo vetëm për Shqipërinë por për mbarë Kombin.
Në fillim të
meshës, Imzot Meta njoftoi se 23 qershorin, në Shqipëri e udhëheqsit e lartë të
Kishës Katolike shqiptare e kishin shpallur, të djelën që kaloi “Një ditë të
veçantë lutjesh, në të gjitha kishat dhe dioqezet, për situatën e vështirë që
po kalon vendi ynë Shqipëria”, duke shtuar se të gjitha famullitë janë të
angazhuara për këtë lutje të posaçme. Prandaj, tha ai, dëshironte që nga kjo
nismë të mos përjashtohej as kjo kishë por të përfshihej edhe famullia e
shqiptarëve në Nju Jork, Kisha Katolike Shqiptare në këtë shtet, “Zoja e Shkodrës”, që me këtë rast të lutemi,
theksoi ai, për vendin tonë, Shqipërinë: “Që Zoti t’ua ndritë mendjen atyre që
kanë përgjegjësi politike, që të lënë menjëanë interesat e tyre të veçanta apo
interesat e partisë së tyre dhe të shikojnë interesat e popullit tonë.” Ajo që mund të bëjmë ne, theksoi Imzot Gjergj
Meta, është t’i lutemi Zotit që këtë punë ta bejmë mirëedhe me këmbëngulje, e
t’i lutemi Zotit që të dërgojë Shpirtin e Shenjtë tek ata njerëz që kanë
përgjegjësi.
Duke iu referuar,
“situatës nepër të cilën po kalon vendi ynë”, Ipeshkvi i Rrëshenit, në
predikimin e tij në Kishën Zoja e Shkodrës në Nju Jork të djelën që kaloi, u
tha besimtarëve katolikë shqiptarë se, “Sigurisht që Zoti na ka dhënë shumë
gjëra të bukura në vendin tonë. Na ka dhënë natyrën, na ka dhënë traditën, na
ka dhënë shumë njerëz, na ka dhënë inteligjencën. Është vështirë me gjetë një
popull kaq inteligjent, por inteligjenca nuk është gjithmonë shenjë e
mençurisë. Të jeshë inteligjent, të jeshë i zgjuet e të jeshë i mençur, janë dy
gjëra të ndryshme. Të zgjuar të bën Zoti, i mençur behesh vet. Shpeshëherë, kjo
mençuri na ka munguar e po na mungon edhe sot e kësaj dite. Si është e mundur
që edhe sot të rinjë e të reja, familje, duan të ikin nga Shqipëria. Edhe ju
jeni një pjesë të ikur nga Shqipëria edhe pse zemrën e mendjen e keni të gjithë
atje, sigurisht! Shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria vetëm për dy motive, vetëm
për dy shkaqe. Ose kur i kanë detyruar vet shqiptarët për të ikur, siç ishte rasti gjatë regjimit të Enver Hoxhës
kur i detyroi të iknin sepse nuk kishin vend me ndejtë atje, ose sepse nuk i
kanë gjetur kushtet për të jetuar në Shqipëri. Shqiptarët nuk e kanë lënë
Shqipërinë në kohën e Turkut, nuk e kanë lënë në kohën e fashizmit, nuk e kanë
lënë vendin -- në momentet më të vështira nuk e kanë lënë Shqipërinë -- por në
momentet e paqës e momentet më të qeta, fatkeqsisht e kanë lënë. Kjo është një
tragjedi e madhe.”
Por në një notë
optimiste ai tha në mbarim të predikimit se megjithatë, “Shqipëria është si
puna e një trupi. Mund t’i heqësh gjak, por trupi ripërtrihet prap se gjaku e
ka këtë aftësi të ripërtrihet. Edhe Shqipëria do të ripërtrihet, por për këtë
ka nevojë shumë që ne, të gjithë së bashku të japim një kontribut për vendin
tonë. Kontributi më i madh është afërsia shipërtërore. Ajo që mund të bëjmë ne
meshtarët, ipeshkvijtë dhe ne katolikët, është t’i lutemi Zotit”, për Atdheun
tonë në këtë kohë të vështirë, ka thënë Imzot Gjergj Meta.
“Prandaj edhe
ipeshkvijtë kanë marrë këtë vendim”, që të lutemi për Shqipërinë në këtë
moment, tha ai. “Ne nuk jemi politikanë, ne nuk mund të bëjmë zgjedhje
politike, ne nuk mund tu themi se çfarë t’u bëjmë atyre. Por ne mund të bëjmë
një gjë. Ne mund të lutemi, mund të
lutemi për vendin tonë. Çka ka më të bukur se sa me ia paraqitur vendin tonë,
Zotit? Të themi:O Zot ky është vendi ynë, na ndihmo! Me të mira e
me të këqia, ky është vendi ynë. Bën që ai vend atje të jetë i qetë, të jetë i
paqë, që djemt e vajzat të mos kenë nevojë të ikin, por ta ndërtojnë jetën e
tyre aty në vendin tonë. E për këtë kemi përgjegjësi të gjithë bashkë.” Imzot
Gjergj Meta u bëri thirrje të gjithëve që gjatë “ditëve në vijim ta çoni
mendjen tek Zoti për vendin tonë” të luteni, “që t’ua këthej mendjen atyre që
kanë përgjegjësi për vendin tonë dhe të gjejnë rrugët e paqës dhe të dialogut, të
cilat janë gjithmonë të mundshme në një demokraci, në një shoqëri normale”,
përfundoi ai mesazhin e tij.
Ndërsa famullitari
i Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork, Dom Pjetër Popaj, duke iu referuar
fjalëve të Imzot Gjergj Metës në lidhje me krizën aktuale politike në Shqipëri,nga
ana e tij, nënvijoi se,“Në raste të tilla, duhet të theksojmë gjithmonë gjërat
që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë. Si komb nuk kemi qenë të ndarë kurrë,
por fatkeqsia jonë”, shtoi ai,“kanë qenë gjithmonë ndasitë partiake dhe
përpjekjet e të huajve për të na përçarë, ndërsa tashti janë partitë e ndryshme
politike vendase. Nuk është njëni më
shqiptar se tjetri, të gjithë jemi vëllezër e motra dhe kemi një Zot në qiell,
që na bashkon të gjithëve. “Lusim Zotin që të gjithë të jenë të një mendimi e
një zemre, për të mirën e përbashkët, për popullin tonë. Lutemi që të gjithë
mbrenda dhe jashtë Shqipërisë të jemi të bashkuar, pasi të gjithë jemi
shqiptarë dhe njëkohësisht edhe bijtë e bijat e të Madhit Zot”, përfundoi Dom
Pjetri.
Ishte në këtë frymë bashkpunimi -- për
të mirën e përbashkët dhe për të mirën e popullit tonë --që Imzot Gjergj Meta
kishte dhënë mesazhin e fortë, kohë më parë, se,“Nëse është e vërtetë që Europa
nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në
Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam
rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të
cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një
holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo. Nëse në
Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim, i cili shkon në xhami, refuzoj
ofertën e vazhdoj jetën!”
Gjatë qëndrimit të
tij në Amerikë, javën që kaloi, përveç vizitës në Kishën Katolike Shqiptare
“Zoja e Shkodrës” në Nju Jork,Imzot Gjergj Meta, me 13 qershor, vizitoi
gjithashtu edhe Qendrën Myslimane Shqiptarenë Waterbury të shtetit Connecticut,
ku sipas portalit të kësaj qendre ishin të ftuar të gjithë miqtë për një
bashkbisedim të hapur me komunitetin shqiptaro-amerikan në atë shtet.
Kriza aktuale politike në Shqipëri, nuk
është më një krizë që prek vetëm dy udhëheqsit e dy partive kryesore politike
të vendit – pozitës dhe opozitës – por është një çështje që duhet të shqetësojë
të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo që ndodhen, përfshirë edhe diasporën
shqiptare në mbarë botën. Kjo klasë
politike – e cila sipas mjekut të njohur Tritan Kalo, i cili në postimin e tij
në Facebook shprehet se, “po ndërmerr aktin e fundit të tradhtisë ndaj
shqiptarëve, theqafjen në honet e historisë dhe në udhët e emigrimit masiv” --
po tregon dita ditës se e ka humbur sensin e ARSYES.
Mjeku i nderuar i cilëson politikanët shqiptarë si të
“paudhë” që për 30-vjet tani e sollën popullin vërdallë në udhëkryqin e
tranzicionit. Ai u bën thirrje shqiptarëve, “të ndezin dritat e mendjes e të
mos i fikin ato të arsyes”. Në këtë
moment, Kombi ka nevojë për më shumë zëra të ARSYES si Imzot Gjergj Meta dhe
Doktor Tritan Kalo: Ja postimi i plotë i Doktorit të nderuar:
“PPP-ja më e fundit në tregun e politikbërjes shqiptare, që uroj dhe
shpresoj tëjetë sa më jetëshkurtër…Përçarje – Përfolje – Përplasje…Kjo përçarje
mes nesh, kjo përfolje e çdo fjale dhe veprimi tonë, kjo përplasje e pa
principtë mes palëve politike dhe e pabuktë për ardhmërinë tonë, vetëm e vetëm
Pa-përgjegjshmëri, Pangopësi dhe Pa-atdhetari mbetet të jetë, POR qytetari,
drejtim dhe përgjegjësi morale-politike dhe sociale, KURRË nuk u është dhe
kurrë nuk mundet të jetë…Na sollët vërdallë o të paudhë, për pothuajse 30 vite
në udhëkryqin e tranzicionit demokratik dhe tanimë të tejngopur me pasuri, me
zezona socio-ekonomiko-politike si dhe me keqbërje ndaj Atdheut e Kombit, po
ndërmerrni aktin e fundit të tradhtisë ndaj nesh, THEQAFJEN tonë përfundimtare
në honet e historisë dhe në udhët e pakthimit/të emigrimit masiv…MOS ndizni e
fikni dritat e celularëve ju bashkëkombasit e mi, POR ndizni dritat e mendjes
dhe mos i fikni ato të arsyes… Klasën/kastën/glasën
politike e cila na rrëmbeu rreth 30 vite jetë e mundësi begatimi, do të vijojmë
ta kemi të kalëruar mbi shpinat tona edhe më tej, NËSE do vijojmë t’u shkojmë
nga pas si dele apo militantë trushplarë, si dhe pa dashuri e dhimbsuri për
veten e familjet tona…..Quo vadis Shqipëria ime!!!….Ja një këshillë e urtë për
këto kohë të pakohta nga Sir. Oliver Wendell Holmes: “Intuita e një çasti
nganjëherë vlen sa përvoja e një jete”.
Një thirrje kjo plot me vend nga Doktori
i nderuar.Fatkeqsisht, kam drojë se në mungesë të ARSYES
nga ana e politikanëve dhe e mbështetësve të tyre fanatikë, për të gjetur një
zgjidhje, para se të jetë tepër vonë, nga ky qorrsokak politik, e vetmja
shpresë që na mbetet është që t’i drejtohemi të Madhit Zot për ndërhyrje, duke
u lutur:
O Zot ky është vendi ynë, na ndihmo!