| E merkure, 19.06.2019, 08:59 PM |
Përsëri
të fundit
Nga
Astrit Lulushi
Nga
mesi i viteve 400, Roma u pushtua nga barbarë dhe perandoria u shpërbë. Nga ky
pështjellim i madh lindën grupet etnike. Ilirët, ish-pjesë e perandorisë
romake, ishin të parët që e pësuan; ata u shpërndanë, disa me Lindjen e të
tjerë me Perëndimin. Prej tyre lindën albanë, arbanë e shqiptarë. Shqiponja me
dy koka që zgjodhën për flamur, simbolikisht, tregon se si etni ata ishin jo të
bashkuar.
Edhe
anglezët, francezët e gjermanët dolën nga shpërbërja e perandorisë romake si
grupe etnike dhe menjëherë do të hidheshin në sulm për të provuar se cili prej
tyre ishte më i zoti se tjetri për kontrollin e Kontinentit.
Gjatë
shekujve, etnitë u transformuan në kombe dhe deri në vitin 1900, shumica e
Evropës Perëndimore përbëhej nga shtete-kombe. Shqiptarët, prej rënies së
perandorisë romake deri në shpalljen e pavarësisë më 1912, cilësoheshin grup
etnik në kuadër të perandorisë osmane.
Pas
humbjes në Luftën e Parë Botërore, perandoria austro-hungareze dhe ajo osmane u
shpërbënë, dhe shumë kufij europianë u ripërcaktuan sipas parimit një komb-një
shtet. Nga kjo Shqipëria lindi, ndërsa shqiptarët në trojet e veta, jashtë
kufijve, mbetën me statusin etni.
Gjatë viteve 1930, socialistët nacionalistë gjermanë (Nazistët) dolën me parimin se të gjithë gjermanfolësit përbënin një komb dhe duhej të unifikoheshin në një shtet. Fuqitë e tjera europiane në heshtje e pranuan këtë ide dhe nuk u përpoqën ta ndalnin Gjermaninë nga marrja e Austrisë dhe pjesës gjermanfolëse të Çekosllovakisë. Por kjo heshtje morri fund kur gjermanët pushtuan Poloninë që nuk është vend gjermanishtfolës. Si rrjedhim, më 1939, Anglia dhe Franca u përpoqën ta ndalnin Gjermaninë. Parimin një komb - një shtet, Italia e Gjermania naziste e zbatuan edhe me rajonet shqiptare në Ballkan, duke i bashkuar në një shtet i cili dështoi me kapitullimin nazist.
Një
shtet, pasi themelohet, duhet të mbajë besnikërinë e qytetarëve të vet. Nacionalizmi
zakonisht promovon ndjenjën e vetëdijes kombëtare, që lartëson një komb mbi
gjithë të tjerët. Për shumë shtete, mediat masive janë mjetet më efektive të
nxitjes së nacionalizmit. Sot vetëm disa shtete lejojnë masmediat të veprojnë
të lira, pa ndërhyrje të qeverisë.
Nacionalizmi
mund të ketë ndikim negativ. Ndjenja e unitetit brenda një shteti-komb
nganjëherë rritet përmes krijimit të imazhe negative të shteteve të tjera.
Nacionalizmi është si një forcë centripetale, që tenton unifikimin e njerëzve
dhe rritjen e mbështetjes për një shtet. (Fjala centripetal do të thotë
"drejtuar drejt qendrës". Është e kundërta e centrifugales, që do të
thotë “përhapje nga qendra”.) Shqipëria komuniste, psh., zhvilloi një
propagandë centripetale, duke u përpjekur me programet e Radios për të tërhequr
rreth vetes besnikërinë e dëgjuesve shqiptarë dhe të gjithë botës në
përgjithësi. Sipas raporteve të ndryshme, shqiptarët mjaftohen sot me një shtyp
vetëm pjesërisht të lirë dhe me një garë të papërfunduar, shpesh të lëne
përgjysmë për Bashkim Europian. Kroacia aplikoi për anëtarësim në 2007 dhe u
bashkua në 2013, duke e çuar anëtarësimin në 28 anëtarë. Turqia sot mbetet një
vend kandidat. Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi janë në prag, duke lënë
pas Shqipërinë dhe Kosovën shumë etnike.