Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Përpjekja e mbretit ilir Klitit për të mposhtur Aleksandrin e Madh

| E diele, 16.06.2019, 06:03 PM |


Përpjekja e mbretit ilir Klitit për të mposhtur Aleksandrin e Madh

Nga Elvi Sidheri

Në vitin 335 Para Krishtit, Aleksandri i Madh ishte përfshirë në luftime të ashpra kundër fiseve armike përgjatë lumit Danub, duke synuar të përforconte sundimin e tij në Europë, para se të mësynte Persinë tutje në Azi.

Por, mbas arritijes së paqes me fiset e Danubit, Aleksandrit do t’i vinin lajme të këqija, sepse Mbreti Klit i Ilirisë, që më parë i ishte nënshtruar Filipit II, babait të Aleksandrit në vitin 349 Para Krishtit, tanimë kish nisur një kryengritje kundër maqedonasve.

Ndërkaq, Kliti nuk ishte i vetëm në këtë kryengritje, sepse fisi ilir i Autariatëve i pati ofruar atij mbështetjen, e gjithashtu Glauku i Taulantëve kish mbledhur një ushtri në mbështetje të Klitit.

Në kohën kur i patën ardhur këto lajme, Aleksandri ndodhej në shoqërinë e mbretit Langaros, sunduesit të Agrianias, i cili menjëherë do t’i ofronte Aleksandrit ndihmën e tij duke pushtuar trojet e Autariatëve, me qëllim që Aleksandri të mësynte Ilirinë pa vonesë.

E kështu, Aleksandri do të drejtohej pa humbur kohë drejt kryeqytetit të Klitit, qytetit Pelion, duke mundur që të arrinte në këtë qytet tepër shpejt, para ardhjes së Glaukut në ndihmë të qytetit, bashkë me përforcimet e tij nga radhët e Taulantëve.

Megjithatë, pas arritjes së maqedonasve, ilirët mundën të futen brenda në Pelion dhe të dyja palët u bënë gati për rrethim.

Ishte e qartë sakaq, se ardhja e Glaukut me ushtrinë e madhe Taulante, e pamundësonte rrethimin nga trupat e Aleksandrit të Madh. Nëse Aleksandri do ta sulmonte qytetin ilir, atëherë Glauku do t’u vinte në ndihmë mbrojtësve të qytetit.

E gjithaq, nëse maqedonasit mësynin Taulantët, atëherë ushtria ilire nga brenda qytetit, do t’i sulmonte trupat e Aleksandrit nga mbrapa krahëve. Por edhe gjendja nuk mund të vijonte në “status quo”, sepse Glauku sulmonte pareshtur trupat maqedonase në viset përreth.

Aleksandri i Madh kish rënë në kurth dhe ndiente nevojën madhore për të gjetur një rrugëdalje, që gjithsesi nuk do të ishte aspak e lehtë, falë ngulmimit të Klitit dhe Glaukut.

E mendjemprehtësia e Aleksandrit, sërish doli në pah në këto kushte krejt të pamundura, pasi udhëheqësi maqedonas (që gjithashtu kishte një origjinë të fortë ilire edhe vetë), vendosi të niste luftën psikologjike ndaj ilirëve, meqënëse në fushëbetejë gjasat qenë të pakta.

Ushtria maqedonase u ngjit në një pikë të lartë duke shpërfaqur qëllimisht fuqinë e vet. Kish ardhur koha që Taulantët dhe ilirët që mbronin Pelionin ta dinin se me kë po luftonin.

Nën vështrimet e ngulta të ilirëve, Aleksandri e vuri ushtrinë e tij të kryente stërvitje mbresëlënëse, gjithçka të bërë në heshtje dhe bindje të plotë ndaj urdhrave të tij. Ushtrimet do të zgjasnin aq kohë sa Aleksandri pati menduar se mjaftonte që trupat e Klitit dhe Glaukut ta kuptonin çfarë stërvitje dhe disipline kishin maqedonasit.

E befas, ana e majtë e ushtrisë së Aleksandrit mësyu ballazi në formë pyke e krejtësisht ndryshe nga heshtja e mëparshme, tërë maqedonasit nisën të klithnin duke përplasur shpatat me mburojat e tyre.

Sulmi psikologjik i Aleksandrit ishte një goditje e fuqishme për ilirët, veçanërisht Taulantët. Një pjesë e madhe e trupave të Glaukut vrapuan drejt mureve të Pelionit. Si pasojë, në radhët e Taulantëve u krijua një e çarë e mjaftueshme që ushtria maqedonase të orvatej të gjente rrugëdalje.

Duke pikasur këtë të çarë, Aleksandri u hodh në sulm duke dërguar kalorësinë për të mësyrë ç’mbetej nga ushtria e Taulantëve. Tashmë, pengesa e vetme drejt rrugëdaljes për maqedonasit, ishte një lumë i vogël, mjaftueshëm i cekët për t’u kaluar në këmbë, por sidoqoftë vështirësues në ikje e sipër, sidomos ndërkohë që ilirët e Klitit dhe Glaukut e patën marrë veten dhe qenë vënë në ndjekje të maqedonasve.

Aleksandri e urdhëroi ushtrinë të kalonte lumin, ndërsa harkëtarët e tij qëllonin vazhdimisht ilirët me shigjeta, edhe teksa përballeshin me rrymën e lumit. Maqedonasit, porsa arritën të kalonin lumin, nisën të përdorin edhe katapulta kundër ilirëve, ndërsa ushtritë armike afroheshin gjithnjë e më shumë.

Kliti dhe Glauku e gjykuan tërheqjen e mbretit maqedonas nga fushëbeteja si një ngadhënjim të tyre, veçanërisht meqë rrethimi i Pelionit ishte thyer me largimin e beftë të ushtrisë maqedonase.

Krejt të bindur se e patën mposhtur Aleksandrin e Madh, ilirët filluan të kremtonin fitoren duke mos u kujdesur fare t’i kishin sytë hapur dhe t’i mbanin akoma radhët të shtrënguara, pa lënë më asnjë roje në vëzhgim, pa llogore apo ndonjë lloj muri mbrojtës.

Aleksandri ndërkaq pati dërguar njerëzit e tij që t’i mbanin Klitin dhe Glaukun në vijimësi në vëzhgim. Ditën e tretë pasi mezi kish shpëtuar nga vringëllima e shpatave ilire, Aleksandri ishte gati për betejë.

Në errësirë, trupat e tij përparuan qetësisht përgjatë lumit dhe iu afruan fushimit të ilirëve.

Kliti dhe Glauku përsëri patën anashkaluar tërësisht rrezikun dhe nuk kishin lënë fare roje, ngritur mure apo ndonjëfarë strukture mbrojtëse përreth fushimeve të tyre. Për më tepër, shumica e ilirëve ishin në gjumë.

Maqedonasit sulmuan papritur duke masakruar shumë ilirë gjersa u dëgjua alarmi dhe maqedonasit u zbuluan.Nuk kishte kohë për kundërsulm, fushimi u shndërrua në një mjedis shpërthyes dhe hutimi përfshiu ilirët plotësisht.

Sidoqoftë, mbreti Klit dhe Glauku arritën të shpëtojnë nga tmerri i asaj nate të mugët. Kliti do të largohej nga mbretëria e tij dhe bashkë me Glaukun u vendosën në trevat e Taulantëve.

Qysh pas kësaj beteje, mes ilirëve dhe maqedonasve të Aleksandrit të Madh nuk do të kishte më përplasje. Përkundrazi, paskëtaj në shtegtimin e tij drejt Hindu Kushit në Indi, mijëra ilirë do të ndiqnin mbretin maqedonas.