| E shtune, 15.06.2019, 07:24 AM |
Lopa
me kokë të madhe
Tregim
Nga
Përparim Hysi
Sot,
tek ecja në periferi të Tiranës, befas
pashë një fshtatar me një lopë prej dore. Unë jam fshatar dhe kam mall për
kafshët, por sa e vura re, më vajti buza vesh më vesh. M'u shfaq një
imazh i sa e sa viteve më parë dhe objketi i këtij imazhi qe veç një lopë.
Mandej imazhi më pushtoi të tërin dhe, si në një ëndërr që do ta shohësh për së
dyti, qëndrova në vend dhe, tek ndiqja fshatarin që shkonte në punë të
tij, mendova për atë ngjarjen e sa
viteve më parë. Ka gati 30-vjet dhe, për
të qenë më i drejtpërdrejtë, ka ndodhur
në vitin 1991. Në zgjedhjet e para pluraliste unë qeshë kandidat për deputet
për PD dhe, ngaqë nuk fitova, në
zgjedhjet për pushtetin lokal qeshë kryetar i këshillit Pluralist(përsëri
përfaqësoja PD) dhe në zyrë qeshë me sekretaren që përfaqësonte PS.
Çdo
ditë lukuni njerëzish për halle të ndryshme,
aq sa, nga pamundësia për t'i zgjidhur këto halle, buza na shkonte prapa veshit. Për punësim as
që bëhej fjalë. Për strehim dhe
pasaportizim në qytet, lista e gjatë, e gjatë që këtu e deri në Berat. E, megjithatë,
ndamë nja tridhjetë hyrje dhe dhamë afër nja treqind troje, të gjitha në vend pëllumbash.
Unë
nuk kam ndërmend që të tregoj të gjitha peripetitë që hoqa, kur qeshë
kryetar, por sot dua të ndajë atë imazh
buzëqeshjeje që më lindi aty për
aty, se avazin e ka nga prapa si ajo qemania e Nastradinit.
* *
*
Nuk
kishte vajtur ora 8.00 dhe si unë dhe sekretarja qemë në zyrë. Trokiti dera dhe
hyri një i moshuar, mbështetur mbi dorak, tha:- Si u gëdhitë zotëria juaj dhe
papritur përgjigje nga ne, foli përsëri:- Kjo cuca (qe fjala për sekretaren) do
ma bëj kabull nji rixha timen. Dua të
këmbej dy fjalë me tyja, - tha.
-Ore
xhaxha, - u mundova të shpjegohesha unë, - kjo cuca është sekretare e pushtetit
këtu. Aha, - tha xhixhai, - nuk është se i prisha sërën una, por qo fjala ime
është për llafburrash që thuaj ti.
U
pa puna, - i thashë"CUCËS". Ta thyejmë rregullin. Adelina, ajo cuca kudo që të jetë sot, t'i bëhet dritë
në çdo çap që hedh se qe një femër me dinjitet që nuk i gjendej shoqe. Doli dhe
unë mbeta me xhixhanë dhe, shpirtërisht,
u përgatita të dëgjoja "rixhanë" e tij.
E
ftova të ulej, ngaqë pija cigar, i zgjata paqetën (me filtër, sigurisht), por
qe"qibar" dhe, sakaq nxori
kutinë të mbushur me duhan të grirë dhe ma zgjati dhe, kur e pa që dhe unë nuk
e begenisa"malln" e tij, shpoi
me bodec:
-Epo
me inat më fole, me inat t'u
përgjigjësh. Ky flamë, - tha, - i mirë apo i keq të grricë gurmazin, po e
ndërrove.
Këtë
mos e ndërro, por dhe gruan, të keqen
pepja tyja. Po mirë duhani, po ç'hyn gruaja këtu. Aha, - tha, - këto popla nuk
i vërvit si kot una. Se ne në fshat themi:- Psheshi i parë nuk është si i dyti. Po hante si pak gjatë muhabeti
dhe, ndërkaq, në korridor po ndjeheshin
hapat e hallexhinjëve.
Tani, i thashë xhaxhait, pa ma thuaj pak hallin tënd që nuk duhet ta merrte vesh ajo "cuca".
Ai nuk e prishi terezinë, por tak u
zgjat nga ana ime, bëri sikur më shkuli një fije floku dhe tha:-
Ja, tëpkë si çuni im qenke! Qimesertë që
nuk ka krëhër në botë ta shtrojë këtë lloj floku. Aha nuk do krëhër, por krestë
nga ato të kuajve dhe, për ta zbutur sadopak "diagnozën" e tij, tha:- Ju, qimesertët, punën e bëni, po dhe
sherrin e kini në majë të hundës,
Mezalla se ju dëgjon koka. Bëni me kokën tuaj dhe të dalë ku të dalë.
Epo
ne, në Myzeqe, themi le t'i vëmë kokë muhabetit. Ardhsh për
çunin dhe u muarrësh me tyja. Ja si është muhabeti. Unë u plaksh dhe çuni
nuk më dëgjon. E porosita:- Do shkosh në
pazar, por mos e bli lopën që ka kokë të madhe. Se lopa kokëmadhe nuk ka
qumësht. E, ore e, po kush ta ka
sevdanë. Ma pruri dhe, kur shkoi ajo imja(Vara, imeshoqe), kusia veç dy gjisht.
Por të thashë, - iu hakrrova çunit, - por ai buzën vesh më vesh. Po për kaq nuk
vija në zyrë të hyqymetit una, jo. Por e
kam gjetiu problemin. Të thashë që ju, qimesertët, në majë të hundës ma kini sherrin.E çuni ka
ca cuca që po rriten për bukuri. Rriten cucat, rriten hallet e të gjallit. Aty,
ngjitur me shtëpinë është një truall i lirë. Kam frikë se vjen
ndonjë"murtat" nga ana e anës dhe e zapton siç kanë bërë gjer
imëni. Vjen i biri i botës e të luan çargu i kokës, se as e njeh dhe as ia di
nga ka rrënjët apo degët.E kam frikë, o të keqen xhixhai, që më vritet çuni me
atë"botën". Nëma me"senet" atë copë truall që të vdes
rehat, se nuk ua kam nge telasheve. Dhe
unë ia dhashë me"senet", por i thashë:-Këtë"senetin" ta
gëzosh, por do firmosë dhe ajo"Cuca".
Erdhi
dhe CUCA që , mbasi shtypi shkresën, ia
dhamë xhixhait. E shikon, - thashë, - pa këtë"Cucën" nuk e merje dot shkresën. Ai duket e njihte CUCËN
dhe dinak siç qe, tha:- Po të ishe çun do të thosha, merre gruan nga Myzeqeja
se jo vetëm janë të urta si dele, por dhe punëtore si bleta. Iku tërë qejf dhe,
tek përplaste dorakun, u dha këmbëve
tërë qejf që mbaroi punë në"zyrat e hyqymetit". Dhe unë e solla për
ju vetëm se pashë një lopë kokëmadhe.
Tiranë, 12 qershor 2019